Monday, November 10, 2008

Mbi mitet në Ballkan.

Banues për shumë vite në shtetin fqinj jugor të Shqipërisë, kam patur mundësinë të ndjek debatet rreth identitetit kombëtar të tyre në të gjitha trajtat e medias vizive dhe të shkruar. Pa u thelluar në bindjet kombëtare të grekëve, mitet, ideologjinë mbështetëse, po përqëndrohem në një aspekt tjetër alternativ në përqasjen identitare –pikërisht bloget e shumta në hapësirën kibernetike të Greqisë.

Diçka që dallon me pamjen e parë të tyre është tentativa për revizionizëm të historisë, apo hapësirë më e madhe për parashtrimin e mendimit ndryshe. Paralelisht e njëjta gjë vihet re në Shqipëri me pena të njohura që kërkojnë çmitizimin e shumë miteve të mbartura nga historia.
Ka diçka të ngjashme që më bën përshtypje mes të dy vendeve. Kryesisht revizionizmi apo çmitizimi bëhet prej atyre njerëzve që konsiderohen si elita liberaliste, filoevropiane, apo më mendjehapur e analistëve. Në hapësirën shqiptare tentohet të diversifikohen disa mite apo vlera kombëtare simbol – si psh rasti i Gjergj Kastriotit. Duke ofruar kështu alternativa të ndryshme mbi origjinën e tij, rëndësinë e rolit në histori dhe pozicionimit ideologjik të heroit kombëtar. E njëjta gjë me heronjtë grekë të pavarësisë (shembull për hir të argumentit), analistët blogistë gjysëm zyrtarë flertojnë me identitetin kombëtar të heronjve, me moralin, vendin në histori, virtytet apo mëkatet e tyre.
Besoj se më të goditur prej çmitizimit të heronjve duhet të jenë serbët, nëse marrim parasysh dhe përfundimet e luftës së fundit në Kosovë që nuk ishte gjë tjetër veç luftë me mitet. Mgjse për këta të fundit nuk kam të dhëna dorë e parë që të mund të shprehem me sigurinë të paktën e experiences që më jep leximi i gjendjes së miteve në Greqi apo Shqipëri.

Çfarë po ndodh realisht? Pse ballkanikët u kanë shpallur luftë miteve të tyre? Dhe pse në këtë mënyrë?
Mbetet monumentale shprehja e Çurçill se “Ballkani prodhon më shumë histori sesa mund të konsumojë”. Përtej klishesë së shprehjes: Ne ballkanasit kemi prodhuar vërtet shumë histori veç tani po e teprojmë në konsumimin e saj. Nuk është e lehtë të tretet çmitizmi i heronjve, përkatësisë kombëtare dhe figurave ndërtuese të tij. Mgjse mbi këtë çmitizim ngrihet për mendimin tim një tjetër çështje. Në thelb ballkanasit janë të pakënaqur në lidhje me gjendjen e tyre sociale, ekonomike dhe shpirtërore. Një formë shprehjeje e kësaj pakënaqësie është dhe shfryrja mbi mitet historike.


Nuk është e vështirë të dallohet diferenca midis mënyrës së jetesës evropiane dhe asaj shqiptare, apo greke. Ndryshimi gjithsesi qëndron se vërtet, këto vlera kulturore në vendet e Evopës janë përftuar nëpërmjet evolimit natyral që normalisht përfshin dhe dhunë historike, por jo dhunë kulturore. Ndërsa në Ballkan ndodh e kundërta. Pothuajse të gjitha proceset historike evoluese janë përshkuar dhe nga dhuna kulturore. Besoj se saktësia e pohimeve të sipërme nuk do vihej në dyshim nëse marrim parasysh historinë e 60 viteve të fundit.
Në përqasjet çmitizuese, analistët refuzojnë të shohin natyralitetin dhe normalitetin e identitetit (kulturor) të përftuar evropian. Ata përgjithësisht dëshirojnë që bashkëkombasit e tyre ballkanas të arrijnë ato vlera në pak vite, kur Evropa ishte përfshirë në proces krijimi vlerash, tradite dhe ndërtimi të tyre. Po asesi thjesht në reklamim, siç ndodh rëndom në Ballkan. Kështu që ky proces i çmitizimit të historisë, nuk mund të jetë natyral. Për më tepër nëse dallojmë karakteristikat e shumicës së popullsisë që u drejtohet. Çmitizimi në një pellg injorance dhe edukimi të pamjaftueshëm të vetmin ndryshim që do prodhonte,do ishte zëvendësimi i miteve të mëparshme me të tjera mite.
Dhe mite të tjera presin pas dere…ato të fanatizmit fetar, të thellimit dallues midis krahinave dhe tribalizmit, akoma dhe përkatësia politike mund të marrë formë mitike. Do duhet të pohoj më tej se jo vetëm që ne nuk kemi fituar imunitet ndaj miteve të tjera alternative, por jemi në një gjendje shumë delikate në përballjen me ta.

Një karakteristikë tjetër që vihet re, është entrovertiteti i gjithë procesit çmitizues. Kryesisht pra, po ndodh një prishje e ndërtimit ideologjik të mëparshëm në vend të zëvendësimit të tij natyral me një ideologji apo mënyrë të menduari më të përshtatshme. Shembuj të ndryshëm historikë nga ky i sotmi ka –Ai i Rilindjes psh ku idetë dhe idealet mbrujteshin duke marrë shkas dhe ndikim, prej ideve të iluministëve evropianë. Edhe vetë idetë komuniste rezultuan të jenë prurje ndikimesh filozofike të socializmit nëpër gjithë Evropën.

Ka një ndryshim mes asaj Evrope dhe Evropës së sotme. Atëherë (në të dyja periudhat e sipërpërmendura) Evropa ideologjike ishte në lëvizje ndërsa kjo e sotmja në stanjacion. Madje për mendimin tim ky është shkaku i introvertizmit çmitizues ballkanas: Evropa nuk ka mundësi të na japë ide të reja dhe për këtë arsye do duhet të gjejmë reflektime te vetja.
Dhe mënyra më e mirë që kemi gjetur për të parë veten, i ngjan asaj gojëdhënës të plakut që qëndronte majë malit dhe ngrohej vetëm duke parë zjarrin në malin përballë.
Po sikur zjarri në malin përballë të shuhet, atëherë çfarë mund të ndodhë? (bëni tentativë për tu përgjigjur vërtet, nëse keni mundësi).

Se cila është mënyra më e mirë për të parë veten, nuk di ta them akoma. Po ky stresim i pamasë kundrejt miteve nuk më duket rruga e duhur. Një alternativë ndryshe, do të ishte si fillim njohja më shumë e vetes dhe e tjetrit. Ndërsa analistët çmitizues, çalojnë pikërisht në këtë pikë. Madje kjo e parë nëpërmjet dy këndeve konfliktualë dhe krejtësisht të kundërt. Si fillim duke rrëzuar vlerat shqiptare dhe nga ana tjetër duke ngritur në qiell vlerat evropiane. Në këtë ekuacion nuk përfshihen vlerat e popullit shqiptar, por dhe problemet me të cilat përballet sot Evropa. Nëse ekziston një diferencë në botkuptim, atëherë duhet gjetur një pikë e përbashkët takimi. Pak a shumë, rol më i nderuar do të ishte ai i përkthyesit. Të një përkthyesi shqiptar, si ky shembull. Detyrimisht një përkthyesi të tillë, do i duhet t’i dijë dhe njohë mirë të dy gjuhët e komunikimit.

8 comments:

N.Ago said...

Me vlerë këndi i shikimit dhe cilësore mënyra e shtjellimit!

t_red said...

U ktheve ti? Dhe qenke kthyer mire shume. Ok, kerkoke kohe...dhe do ta gjejme :)

Hyllin said...

Lale e paske qare fare.
Ballkani ka nje pozite teper delikate, duke qene se eshte i hapur ndaj veriut e ka dy gadishuj te fuqishem fqinje, ate apenin dhe Azine e vogel. Kush kontrollon Ballkanin o invadon Europen,si perendimore si lindore o invadon Azine.

Duke qene zone e tille, guzhinete, ka shume pak gjasa te gjeje rehati, ta zeme si gadishulli Iberik apo gadishulli Skandinav.

Vetem brenda nje Perandorie mund te kemi nje 'pax balcanica' e per momentin e vetmja Perandori ne hozizont eshte Komuniteti Europian.

Ceshtja eshte se per te bere pjese ne kete Perandori (franko-gjermane)duhen shkaterruar kombet ne ballkan, duke qene se kombi eshte armiku me i eger i nje Perandorie, mjaft te shohim Austro-Hungarine apo edhe Rusine Sovjetike.

Ne kete kendveshtrim analistet liberale e kane thuajse instiktive goditjen e simboleve kombetare.
Analistet liberale jane le te themi imperialistet(perandoraket)me te eger ne qarkullim, te cilet sigurisht qe do kundershtohen ashper nga kombetaristet(nacionalistet).

Personalisht mendoj se shqiptaret duhet te vazhdojne te cdrogohen nga droga perandorake, droge qe kane thithur per mbi 2 000 vjet dhe su ka sjelle asgje te mire.
Mirepo ndjesia e te qenit pjese e nje perandorie ne subkoshencen shqiptare eshte mjaft e forte, perndryshe nuk ka si te shpjegohet ky ankth i te berit pjese ne Perandorine Europiane, dmth pervec aspektit ekonomik, ka nje aspekt psikologjik mjaft te rendesishem.

eni said...

shume mire e ke shtjelluar Julian.flm

drejt tropojes said...

tema dhe poezi interesante po shikoj nga blogu Jul, kam kaluar gjithnje nxitimthi! pershendetje!

Anonymous said...

Hi J.!

Floku

Julius said...

Ok, i shtova dhe një pjesë, po prapë më duket jo i plotë. Ndoshta do e rishikoj në të ardhmen.
Ago, t_red, Eni, Gimi, Floku. thanx. Mirë se u dukët.

Hyllin, ke të drejtë. Ndjenja fallco e përkatësisë në një perandori e shqiptarëve, është jashtë mase e fortë, madje çuditërisht shprehet dhe nëpërmjet kombëtaristëve që nuk munden të mos lidhen dhe këta me diçka jashtë kufijve. Ndoshta të qënit vend i vogël, ka detyruar këtë lloj mendësie, po për më shumë dhe dështimi i komunizmit që simbolizonte vetëizolimin si formë e dështuar. Mendimi se si mund të punohet për ta thyer këtë ndjenjë, ka kohë që po më bren mendjen.
Në fakt njerëzit refuzojnë të shohin shembujt e veçantë si të suksesshëm duke u përqënduar kryesisht në panoramën e madhe dmth duke shkuar nga fryn era.
Ndërsa për Ballkanin sa thua, më kujtohet një metaforë e bukur që thotë: nuk mund të jetosh mbi një urë. Le të kontrollohen hyrje-daljet, them unë.

Julius said...

Si dhe për të përforcuar çka kam shkruar më lart mbi arsyen që ndiqet për të çmitizuar, po citoj një paragraf prej Klosit, shkruar në blogun e gazetës Shekulli:

""""Ndodh një dukuri e çuditshme: ndërkohë që pjesë të caktuara të shoqërisë sonë ecin shpejt, gati barazohen me përgjegjëset e tyre në Europë, bie fjala sistemi bankar, sistemi i sigurimeve etj., dituritë shoqërore, sidomos për veten tonë, për historinë, identitetin, fetë në Shqipëri janë shumë të prapambetura. Këtyre u shtohen edhe dituritë gjysmake të disa korifenjve kombëtarë, që bëjnë diskutime pankombëtare me njëri-tjetrin dhe vetëm sa e shtojnë tymin.""""

të plotë e gjeni këtu:
http://www.shekulli.com.al/news/260/ARTICLE/36193/2008-11-18.html

Përgjigjet janë dhënë përmes shkrimit më lart.
Megjithatë shkurt: Sistemi bankar dhe ekonomia evropiane funksionojnë, por në këtë moment janë në krizë. Që ai sistem dhe ajo mendësi u përshtatet atyre, nuk do të thotë se mund të na përshtatet edhe ne.
Që ato sistemet e tjera janë të prapambetura, nuk është faji i miteve dhe historisë. Nëse është do doja të dija i ilustruar, ku?
Në një sistem të prapambetur çmitizimi do të ofronte një mundësi për një tjetër mit, defiçenca ndodhet brenda njerëzve, përmirësohet me arsim dhe kulturë. Po nuk mund ta quaj dot çmitizimin as dije as kulturë më shumë...

users online
 
Creative Commons License
Shkrimet e blogut Busulla jane te licensuara nen Creative Commons Autoresi-Jofitimprurese-Vepra te pandryshueshme 2.5 Italia License.