Saturday, June 11, 2011

Slogane, pankarta!

Meqënëse është kohë protestash kudo nëpër Evropë (përveç Shqipërisë), mendoj se duhet përfituar nga rasti për të "kapur" sloganet dhe pankartat më imagjinative dhe përshkruese që përdorin protestuesit.

Nga sa kam parë në Greqi, imagjinata dhe kreativiteti nuk u mungon.

Në vijim do postoj disa.

Por fillimisht, për t'a bërë më interesante, ja një pankartë nga kampionati i përfunduar gjerman:
(kliko për t'a parë të zmadhuar foton)



Pankarta thotë në gjermanisht: "Bq pa traditë, e kanë vendin këtu poshtë". Dhe tregon me shenjë sektorin e përcaktuar për tifozët e Hofenheim, në një ndeshje me Stuttgardin.

Sunday, June 5, 2011

NJË KOMB GJEN SHPIRTIN E VET


Mbrëmë, datë 5 Qershor 2011, grumbullimi i përditshëm i ditëve të fundit në qendër të Athinës, tejkaloi çdo parashikim.

Rreth 200.000 njerëz u mblodhën përsëri në qendër të Athinës, përpara parlamentit; madje lëvizja e të "Indinjuarve" përfshiu dhe disa qytete kryesore të Greqisë.

Më poshtë fotot.

Athinë


Selanik.



Patra

Disa foto të tjera nga youtube:

Më shumë foto këtu

Sunday, May 29, 2011

CERBERI TULIPAN


Do ketë qënë viti 1994, atëherë kur e kam parë për herë të parë, në një kostum shumëngjyrësh, karakteristik për një portjer, dorezat e verdha, ashtu si flokët, fytyrë imët dhe ekstremisht i gjatë dhe i hollë. Ishte Edwin Van der Sar.





Kishte një pamje qesharake në dukje, me atë fytyrën e hollë, si hundën e vet, të stërgjatë, si për të qënë në sintoni me pjesën tjetër të trupit. Të jepte përshtypjen se ishte një djalë i turpshëm... të qënit gardiani i portës së Ajaksit, nuk i shkonte fare, fillimisht. Dhe me veshët llapushë, që i dilnin prej flokëve, të cilat nuk di pse i mbante më shkurt se tani, plotësonte dekorin e një portjeri që nuk ofronte shumë siguri. Lëre më kur ishte edhe më shumë prepotent sesa mund të pranohej prej pamjes që kishte. E mbante gjithnjë shumë topin në këmbë, dilte jashtë zonës me të. Të ngrinte gjakun kur e shikoje, sidomos nëse ishe tifoz i Ajaksit dhe akoma naiv për futbollin.Çdo pasim tek portjeri konsiderohej me rregull, prej lojës në lagje, si rrezik i jashtëzakonshëm.

Ja kjo ishte përshtypja e parë për Edwin. Por sa herë Ajaksi fitonte dhe Ajaksi e bënte shpesh këtë gjë atë vit, ai bëhej edhe më simpatik, megjithëse gjithnjë shënjestra e tifozëve kundërshtarë. Shprehja e preferuar e tyre ishte gjithnjë: Çe keni atë portjer ashtu, me ato veshë? Unë ua kisha gjetur ilaçin dhe u përgjigjesha se veshët i duheshin për të mbajtur ekuilibrin.

Ishte po viti 1994, kur Oranjet ndërmorrën fushatën për të pushtuar formalisht botën nëpërmjet futbollit në USA94. Dhe atëherë në portë ishte Ed de Guey. Me mustaqet e veta karakterisike. Pasi mposhtet nga goditja e lirë e Brankos në çerekfinale me Brazilin, vendin do ia zërë Van der Sar.

Portjeri im i preferuar prej Hollandës, kish qënë paraardhësi i De Guey. Van Brukelen. Ai bjondi që me kokën lart, pasi kishte provokuar një penallti në 1988, me BRSS, më pas e pret po vetë. Një prej heronjve të Evropianit nga Hollanda.

Van Brukelen, kishte qënë edhe heroi i Van der Sarit vetë, siç e kishte pranuar në një intervistë. Ëndërronte të kishte një moment të tillë me Hollandën, ku të bëhej ai heroi. Shpëtuesi, ruajtësi i portave të Ferrit. Nuk e bëri dot, me Hollandën, asnjëherë.

Në vitin 1996, pas kohës së rregullt dhe shtesës, në finalen e C.L me Juventusin, u vërejt edhe pika e dobët e tij: Nuk priste dot penallti.

Pak vite më vonë (1999), vetë Juventusi do të ishte dhe pika tjetër e dobët e karrierës së vet. Pasi u bë portjeri i parë i huaj që Juventusi vendosi t’i besonte portën, ai dështon. Nuk i shkonte stili italian i lojës. Zonja e vjetër kërkonte një shotstopper, Van der Sar ishte portjer krijues. I pëlqente loja me këmbë, zhvillimi i aksioneve prej mbrojtjes, gjetja e lojtarit të lirë për të filluar aksionet etj.

Kështu zbarkon në Angli, tek Fulham. Ku? Fulham. Skuadrë londineze, relativisht e panjohur, skuadër e mesit të tabelës në Angli, me raste aventuriere në Evropë, kur ia lejonin kushtet. Aty tek Fulhami, për pak ndeshje e humbi dhe vendin e titullarit. Megjithatë hollandezi shtatlartë uli kokën dhe iu përkushtua përmirësimit të lojës së vet. Edhe u kthye përsëri më i fortë se më parë.

Aq i fortë, sa Alex Ferguson nuk mund t’a injoronte talentin e hollandezit. Pasi kishte eksperimentuar edhe ai me disa portjerë në skuadrën e vet, një talent amerikan si Tim Howard, një italian i çuditshëm si Taibi, Barthez etj... qetësinë në portën e vet, nuk e kishte gjetur akoma. Dhe e kërkoi tek Van der Sar. Pasi e mori në skuadër, u shpreh se duhej që t’a blinte Van der Sarin, që kur Schmaikel u tërhoq nga futbolli.

Transferta tek United, e ktheu Van der Sarin në vendin që i takonte, përsëri në Olimp. Disa kampionate të fituara, një kupë Champions League, kupë Anglie, portjeri më i mirë i dekadës, sipas trajnerëve të Premierit anglez, duke tejkaluar rivalë të tillë si Cheh, Reina, Dudek, Lehman. Gjatë këtyre viteve, djaloshi me pamje qesharake, u kthye në një gjigand të vërtetë.

Aty tek Manchesteri, pati mundësinë të kthehej në hero. Madje jo një herë. Tre penallti të pritura njëra pas tjetrës në ndeshjen finale të kupës së Anglisë me Chelsean. Dhe qershia mbi tortë: Një finale Champions League e fituar prej tij, kur priti penalltinë e Anelka në 2008.

Çdo njeri ka një moment kur arrin Everestin e vet. Për Van der Sarin, kjo ishte penalltia e pritur në 2008.


Ndeshja e rregullt ka mbaruar 1-1 po ashtu edhe shtesa. Loja vendoset me penallti. Dy prej skuadrave më të mira të Anglisë, bashkë me dy portjerët më të mirë që luajnë në Angli. Van der Sar dhe Cheh. Dy penallti nuk janë konvertuar prej 6 gjithsej për çdo skuadër. Rezultati është 6-5. Anelka përballë Van der Sarit. I pari duhet të shënojë, i dyti është më i qetë. Duke u vendosur në portë, ngre dorën e tij të majtë dhe i tregon se ku duhet të godasë Anelka. Ky gjuan, nga e djathta e portës. Van der Sar kupton anën... dhe pret penalltinë. Ferguson në një intervistë kishte thënë se në momentin kur hidhet për të kapur topin, në fytyrën e Van der Sar vihet re një buzëqeshje që gati ia prek të dy veshët e vet të gjatë.




Pas kësaj performance, “the big eared cup” shkon tek “the big eared man”. Duket se janë bërë për njeri tjetrin, përderisa janë puthur dy herë.

GOOD BYE VAN DER SAR.
FALEMINDERIT PËR GJITHÇKA.

Friday, May 20, 2011

Dy të pavdekshme

( + guximin për t'i përkthyer - bonus)


Djali i gjeraqinës.

As dyshek ku të fle.
As qiri për të lexuar
Kam, për letrën tënde të ëmbël moj nëna ime.
Behar dhe bën ftohtë
Një metër me dy
është qelia, o nëna ime.

Po unë nuk jetoj i përgjunjur
Se jam djali i gjeraqinës
Jam djali i gjeraqinës
Dhe ç’ë se do më hapin plagë
Unë zjarrin e duroj,
Unë zjarrin e duroj
Nënë mos të vijë keq, nënë mos më qaj.

Një rrobë të përgjakur
Shtroj përdhe për tu qetuar
Në çimenton e lagur, moj nëna ime
Në qelinë ngjitur
Më sollën dhe një vëlla tjetër
Ah çka për të hequr, moj nëna ime


... Samos

Ata, që dorën e bronztë
Të rëndë e të frikës ndjejnë,
Peshën e skllavërisë le të kenë.
Kërkon virtyt dhe guxim Liria.

Ajo (dhe miti e fsheh të vërtetën)
Mbrujti Ikarusin;
dhe nëse ra ai me krahë
dhe u mbyt në det

Nga lart ra
Dhe vdiq i lirë
Nëse kthehesh në dhjamë qeni
Viktimë e një tirani,
Atëherë mendo të tmerrshëm varrin


Nëse kërkojmë
që ta kemi përsëri
me djersë dhe gjak
e mirë do të jetë
lavdia e kohës së lashtë.

Friday, April 22, 2011

DHËMBI I QENIT


Fare rastësisht para pak ditësh pashë një film shumë interesant me këtë titull, prodhim grek të vitit 2009, nga regjizori i talentuar Yorgos Lanthimos. Së pari bëj pak habi me veten, sesi një eveniment i madh kulturor i tillë, dhe shokues si ky film, për gati dy vjet më kishin shpëtuar nga duart.

Informacioni për filmin me titull “Dogtooth” në anglisht, mund të gjendet këtu dhe këtu.

Shkurtimisht, tematika përmblidhet rreth një familjeje e përbërë prej dy prindërve dhe tre fëmijëve të tyre, dy goca dhe një çun, që jetojnë diku në një vilë të izoluar prej botës, në periferi.

Jeta familjare e personazheve, është krejtësisht e izoluar, për shkak të kufizimeve që prindërit u vendosin fëmijëve të tyre. Vila rrethohet nga një gardh me kangjella të larta, bota e jashtme është diçka e ndaluar, e keqe dhe e egër. Prej kufijve të vilës, lejohet të dilet vetëm me automobil, dhe fëmijët do jenë të gatshëm ta bëjnë një gjë të tillë, kur njëri prej dhëmbëve të qenit, do të bjerë. (i majti apo i djathti nuk ka rëndësi).

Rreth këtij skenari vërtitet gjithë komploti. Me skena surreale por të ndërtuara me thjeshtësi, japin një shfaqje makabre të dhunës reale në miniaturë, përmes dhunës artistike të regjizorit, që godet rëndë, ndjeshëm dhe shumë herë në stomak. Këshillohet që ky i fundit të jetë në gjendje optimale për t’u bërë i mundur shikimi i filmit në fjalë.

Një prej problematikave shumëplanëshe të trajtuara në film, është ajo e deformimit. Deformim, dizinformim për realitetin jashtë, deformim gjuhësor, llogjik, konceptual. Deformim deri në marrëdhëniet më sublime, si dashuria e prindërve, dashuri vëllazërore, deformim që prek palcën e shtyllës kurrizore të njeriut. Mjeshtëria me të cilën këto deformime shfaqen të bën për vete. Autori i filmit ka njohuri glosologjike, mprehtësi dhe aftësi analitike të jashtëzakonshme.

Filmi, në këtë mënyrë, bëhet pothuajse formulë dhe antidot i propagandës fashiste moderne, një hije e keqe kjo që ka përfshirë vetë Greqinë e sotme.

Receta e antihelmit artistik, jepet me skena të thjeshta, të goditura dhe kuptimplota:

Një gjysh imagjinar nën emrin e Frank Sinatrës dhe një përkthim akoma më origjinal i “Fly me to the moon”

Një botë ku kafsha dhe armiku më i egër dhe i rrezikshëm është macja, njerëzit, detyrohen prej frikës të shndërrohen në qenër.

Dhe frika vetë, herë shfaqet si fytyrë dhe duar me “gjak”, që prindi ua ofron fëmijëve me pëllëmbë hapur, për të demonstruar përmasat.

Dhe herë të tjera, në kujtimin e një heroi të panjohur, por edhe (surealisht) të afërt, të rënë në betejën me “botën tjetër”.

Dhëmbi i qenit kafshon, godet, bie në stomak rëndë dhe nuk tretet. Hyn aq thellë në përmasa personale, sa kur mbaron filmi, të vjen të pyesësh veten: Sa e drejtë është vërtet shtylla jote kurrizore, ajo që të mban në këmbë?

Wednesday, March 9, 2011

Sot në Champions League

Pas ndeshjeve të mbrëmshme, Barça-Arsenal dhe Shakhtar - Roma, dy skuadrat pritëse, kanë prerë dy biletat e para për fazën 8-she të C.L. Ndërsa sot presin rradhën për të mësuar për fatin e tyre, dy skuadra të tjera. Lavdia dhe suksesi i kalimit në 8-she do të ndahet midis Totenham- Milan dhe Schalke-Valencia.

Ndeshja e parë e sotme do të vendoset në fokusin e blogut për tu analizuar. Sfida e rradhës midis Spurs dhe Milanit, premton të jetë e fortë, me shumë emocione dhe gola. Besoj se shumë tifozë shqiptarë, dinë gati çdo gjë për skuadrën e Milanit. Kështu që më duket e nevojshme të hedh pak dritë mbi sfiduesin: Totenham Hotspurs.

Spurs.
Renditja: vendi i pestë në EPL (English Premier League)
Forma e skuadrës në pesë ndeshjet e fundit: WWWLD

Informacion mbi skuadrën.

Dy vitet e fundit në drejtimin e ekcentrikut Harry Redknap, Spurs është kthyer në një nga skuadrat më interesante të kampionatit anglez. Vjet në momentet e mbylljes së kampionatit, siguroi vendin e katërt në EPL bashkë me të drejtën për të marrë pjesë në kompeticionin më prestigjioz të Evropës. Dhe deri tani ka provuar se ka qënë skuadër e denjë për të qënë këtu ku ndodhet.

Karakteristikat kryesore të kësaj skuadre, përmblidhen në moton e saj që është: “Audere est Facere”. Dhe kaposhët e Londrës, gjatë këtij sezoni, i janë përmbajtur me përpikmëri motos në fjalë, duke mbledhur më shumë pikë nga pozita disavantazhi, se çdo skuadër tjetër në kampionatin anglez. Kulmin e saj kjo strategji, e arriti në përballjen direkte me rivalët kryesorë londinezë të Arsenalit. Kur nga disavantazhi 2-0, arritën të fitojnë ndeshjen 2-3! Kjo është nga të paktat gjëra që vetëm një skuadër si Spurs-at mund ta realizonin, do të mbështeste mendimin e vet tifozi mesatar londinez, ku sipas historikut Spurs mund të bëjë “të pabërën”, në të gjitha kuptimet. Një nga të pabërat më të famshme të kësaj skuadre, ka qënë edhe shënimi, dhe njëkohësisht pësimi i mbi 100 golave në një sezon të vetëm.

Spurs prezantohet kështu, si një skuadër neurotike, shpërthyese, por akoma jo mirë e balancuar, si një makinë sportive me sistem frenues të dyshimtë. Sot në mbrëmje do premtojnë se sido që të vejë puna, do bëjnë një gol më shumë sesa kundërshtarët.

Emrat më të dyshimtë për të hedhur firmën mbi atë premtimin më lart, u përgjigjen Van Der Vaart, Jermain Defoe, Peter Crouch dhe Gareth Bale.

Pozitat e Milanit, përballë kësaj strategjie do të ishin shumë premtuese, sidomos sepse kjo mënyrë u përshtatet më së miri skuadrave italiane. Por Djalli vetë, nuk i ka punët mirë, pas humbjes 1-0 në San Siro. Kështu në fortesën e Kaposhëve, në White Hart Lane, do i duhet ta fillojë ndeshjen në temperaturën -1. (anche il Diavolo ha freddo).

Harry i tmerrshëm, ka dhe ai disa llogari për të bërë. Sepse prej të dyshuarve kryesorë, i pari siguron rikthimin pas një dëmtimi, dy të tjerët është për tu parë nëse do luajnë prej fillimit të ndeshjes, apo njëri prej tyre, dhe i katërti dyshohet më shumë se është i dëmtuar, sesa për të shënuar.

Po gjithashtu duhet të shohë, çfarë ndodh nëse i shkon dora huq dhe ke Djallin përballë? Punë me rrezik, kur Djalli ka dhëmbë e brirë, si puna e Ibrahimoviç, Pato, apo Robinho.
I gjithë komploti ngelet për tu zbuluar sot në darkë.

Për t’i shtuar dhe pak aromë muzikore sfidës, besoj se përballja do i përgjigjej një kolone muzikore, Spurs-at të përfaqësuar me Talking Heads – Psyscho Killer dhe Milani me Rolling Stones – Sympathy for the devil.

Monday, March 7, 2011

KËMBANA MAKBETHIANE

Data 21 Janar, po largohet gjithnjë e më shumë prej kalendarit. Tashmë ndodhemi në fillim të Marsit. Afërsisht po bëhen dy muaj që prej ngjarjes tragjike që u mori jetën katër qytetarëve shqiptarë, mu në mes të Tiranës.

Shumë ujë ka rrjedhur që atëherë deri tani...

Më së shumti ka qënë ujë propagandistik, ndotës, shpifës, ujë jo i pijshëm.
Kjo rrjedhë, ky burim ndotës, ka marrë përsipër të mbysë dhe të mbulojë çdo reagim qytetar ndaj krimit makabër që ndodhi atë ditë. Gjithashtu kjo përmbytje, ka nxjerrë në sipërfaqe shumë qënie veshtullore, krimba e kafshë pa shtyllë kurrizore. Ka nxjerrë në sipërfaqe, ato krijesa të shpifura të natyrës, që dalin mbi tokë pas shiut dhe ujit të ndotur (ndodhen në natural habitat-in e tyre). Sasia dhe qënia e tyre, e ka bërë të përditshmen shqiptare shumë neveritëse.

E kam fjalën për të gjithë ata analistë e gazetarë, njerëz të medias dhe mbështetës pa kushte të pushtetit, që kur nuk justifikojnë veprimet e ndyra të pushtetarëve, zgjedhin të neglizhojnë, atë ngjarje dhe atë krim që mori katër jetë.

I kam parë të shkruajnë gjithçka, analiza mbi të gjithë e të gjitha palët, por kanë neglizhuar sistematikisht, arsyen madhore për të cilën duhej shkruar, kërkesën e menjëhershme dhe të panegociueshme për drejtësi!

Kjo nuk është diçka për tu marrë lehtë. Nëse aty nuk do të ketë drejtësi mbi ngjarjen të cilën e pamë vetë me sytë tanë, do të thotë se do mbizotërojë ajo pjesë e njerëzve që kanë bërë kompromis me të vërtetën. Është një pakt i shkruar me djallin. Nëse drejtësia mungon, atëherë çdo pjesë e shoqërisë që do përfitojë si pasojë, do ta ngrejë suksesin e vet mbi këtë premisë. Mbi drejtësinë e munguar të asaj ndodhie, në atë ditë të ftohtë Janari. Në rast se drejtësia mungon, kjo do të thotë se ai vend do jetë dorëzuar në dorën e krimbave që ushqehen me kufoma. Nga këta lloj njerëzish, sot, nesër dhe në të ardhmen, gjithçka mund të presësh. Prandaj është e rëndësishme që drejtësia të vendoset mbi ta, për të sjellë përsëri qetësinë sociale dhe civile në vend.

Ndërsa për çdo qytetar të ndershëm, nuk ka më kohë për dilema hamletiane “to be or not to be”; a do të dëgjojnë “ata” liderin, do u besojnë shpifjeve, intuitës, oportunitetit, vendit të punës, militantizmit, e shumë të tjera. Nuk ka vend për të shprehur disfatizëm dhe pesimizëm. Një i vetëm në qoftë dikush, duhet t’i bjerë këmbanës së drejtësisë, këmbanës makbethiane. Kjo është rruga e vetme.

Këmbana Makbethiane.

Prej Shekspirit, dimë se në tragjedinë e tij “Makbethi”, sinjali që e fton personazhin kryesor për të kryer krimin e neveritshëm, është tingulli i një këmbane, të cilës i bie Lady Macbeth.

Noli, si mjeshtër i përkthimit dhe muzikalitetit të gjuhës, pjesën kur këmbana jepet si shenjë për atë çka e pret Dunkanin, mbretin legjitim të Skocisë, e shqipëron kështu:

Dunkan, mos e dëgjo, se kjo këmbanë, po të thërret në qiell a ferr hapsanë

Vini re muzikalitetin e gjuhës, në mbaresat e fjalëve.
“Dunkan...
këmbanë...
hapsanë...”
Dëgjohen si kumbimi i një këmbane, dang, dang, dang!

Është ajo këmbanë që fton Makbethin në krim, prej të cilit duart nuk iu lanë asnjëherë më pas. Dhe besoj që dridhej brenda përmasës njerëzore që i kish ngelur pas krimit të kryer, sa herë i dëgjonte tingujt.

Kjo këmbanë, që i thërret ndërgjegjies njerëzore, është në duart e kujtdo qytetari.

Këmbanat nuk duhet të pushojnë, sepse bien mbi ndërgjegjien e atyre që janë zënë në faj. Bien mbi ndërgjegjien dhe të atyre që vullnetarisht u bënë një me pjesën e fajtorëve, duke justifikuar, ironizuar dhe mashtruar paturpësisht opinionin publik.

Çdo qytetar i ndershëm i këtij vendi, duhet t’i bjerë këmbanës për drejtësi, për të parë nëse do tkurret njeriu makbethian brenda qënies së vet, për të mbizotëruar kafshërorja, apo përmasa njerëzore do gjejë një shteg për të triumfuar mbi të.

Bjerini këmbanës pra, dhe shurdhojini, mundojini, nga mankthet e tyre mos i çlironi. Sa të keni duar dhe zë, bjerini këmbanës!

Bjerini këmbanës si refuzim për të pranuar të uleni në nivelin e atyre që sugjerojnë se në këtë vend nuk mund të ketë drejtësi.

Bjerini këmbanës mbi çdo justifikim, që pengon të dënohet një krim makabër.

Bjerini këmbanës për të ardhmen tuaj dhe atë të fëmijëve tuaj, bjerini këmbanës!

Bjerini këmbanës për sytë e Anës...

Është rruga e vetme, zgjidhje tjetër nuk ka.

Saturday, February 12, 2011

Perëndi dhe institucione

Gjithnjë më ka pëlqyer bota mitologjike. Jam njohur me të ashtu si shumë të tjerë, që fëmijë i vogël nëpërmjet përrallave të gjyshes. Mbaj mend kur ajo ulej e më tregonte ndonjë përrallë, butë dhe shtruar, duke tundur pak kokën për të shtuar dramacitetin, me një mënyrë origjinale dhe thjeshtësi epike, ashtu si mund të bëjnë vetëm gjyshet. Nëpërmjet moralit që shprehnin përrallat, më pas zinin fryte përfytyrimet e para të një bote magjike. Që andej e kanë zanafillën përfytyrimet e vetes si princ, për të shpëtuar “të bukurën e dheut”, apo ndonjë personazh tjetër femëror, për emrin e të cilave, edhe në moshë të rritur, kam patur gjithnjë debulesë. Vetëm për shkak të përrallave...

Mitet, ato rrëfenja të vogla, të ndërtuara me thjeshtësi dhe humor popullor, igrendientë të mjaftueshëm për të kthyer miell dhe ujë në brumë.

Me kalimin e kohës, më pas kërkoja vetë të lexoja përralla, “Gishto-n”, “Qerosin”, “Tërfilin me katër fletë”, derisa rashë në një përrallë të madhe, më të madhen që kam lexuar ndonjëherë. Ishte një libër i madh biblioteke, me fletë të zverdhura nga koha. Vetë ngjyra e fletëve ia shtonte misterin që mbante brenda. I gjithë libri i shkruar në vargje, fliste për njerëz, heronj, perëndi dhe gjysëmperëndi, të gjitha të ardhura prej një kohe të shkuar, nga një vend që dukej të ndodhej shumë larg në hapësirë dhe kohë. Vetë bota brenda atij libri, ishte e paanë. Për heroin që kishe lexuar në një faqe, e kishe humbur në faqen tjetër dhe kishe gjetur dikë tjetër. Duhet të riktheheshe përsëri pas, për t’i lexuar kartën e identitetit. E cila nuk ishte gjë tjetër veç një shënim në fund të faqes: Hektori, biri i Priamit, Ajaksi, mbreti i Salaminës,bir i Telamonit, Odisea, mbret i Itakës, bir i Laertit etj. Kurioziteti i adoleshentit, më kishte çuar pra tek Homeri. Iliada.

Por ky shkrim nuk është për librin në fjalë, megjithëse ka lidhje me të. Sepse nëpërmjet këtij libri mu zgjua interesi për të mësuar më shumë mbi botën mitologjike të lashtësisë.

Atëherë ndihesha i mahnitur mbi shpjegimet e atyre njerëzve 3000-4000 e më shumë vjet më parë, për botën, për fenomenet natyrore, për evente dhe evenimente. Ishte tmerrësisht bukur të mendoje psh, se diellin e mbart në një karrocë me kuaj një perëndi, që e nxjerr shëtitje mbi horizont çdo mëngjes në qiell, për ta ulur në darkë.
Apo që stina e pranverës, tregon se Dhimitra, perëndesha e natyrës, është e lumtur që e bija Persefoni, vjen prej Hadit drejt e në duart e saj.

Ajo që më bën përshtypje tani, në këto kohë që po kalojmë, është se ata njerëz të lashtë, u kishin dhënë status perëndie shumë virtyteve. Kështu psh Afërdita ishte perëndeshë e Dashurisë, Athina e Diturisë, Hera apo Estia e Familjes, Dhiki e Drejtësisë etj.

Besoj se botëvështrimi i atyre që e kishin bërë këtë gjë, duhet të ishte diçka me të vërtetë për tu vlerësuar.

Kjo sepse, duke ua njohur vlerën virtyteve dhe duke i vendosur në rang hyjnish, sipas emërtimit dhe funksionit që kryenin, kishin ndërtuar një sistem vlerash të cilit i besonin, dhe me anë të këtij, kishin ngjizur bashkësinë sociale të cilës i përkisnin.

Hyjnia e virtytit.

Është interesante të analizohet, përse njerëzit e atëhershëm virtytet i kishin shndërruar në perëndi. Sepse është një gjë të njohësh vlerat e një shoqërie, dhe tjetër gjë krejt e ndryshme t’i hyjnizosh ato. Hyjnizimi i atëhershëm, kishte kërkesa më të larta sesa thjesht njohja e vlerave. Sepse hyjnive njerëzit u bënin flijime, u këndonin himne, u ndërtonin tempuj dhe statuja, u luteshin, dhe mbi të gjitha... U BESONIN.

Pashmangshmërisht më shkon mendja tek krahasimet e këtyre hyjnive, me analoget e tyre në kohën e sotme. Krahasimi më i afërt, do të ishte me institucionet përfaqësuese në atë ne sot quajmë “shtet laik”; dhe tempujt e atëhershëm, do të ishin përfaqësueset e shtetit të sotëm. Konkretisht, ministritë psh ajo e drejtësisë, arsimit, mbrojtjes, rendit etj.

Si në shkrimin e mëparshëm i cili fliste mbi ndryshimin që ka mbrojtja e rendit, nga mbrojtja e qytetarit, edhe këtu ka një shmangie, nga besimi i hyjnisë, në besimin e përfaqësimit.

Çka ndodh kur përfaqësimi hyjnor i virtyteve çalon?

Kur ndodh diçka e tillë, atëherë vetë ekzistenca e bashkësisë, arsyet për të ekzistuar, dobësohen. Njerëzit humbasin besimin tek përfaqësimi, tek të ngjashmit, tek shteti i tyre dhe kjo mund të rezultojë deri në prishje të bashkësisë.

Institucionet nuk përmbushin rolin për të cilin janë ngritur, as respektojnë virtytin përfaqësues. Parlamenti psh është institucioni përfaqësues i vullnetit të shumicës. Në rast se në rradhë të parë, ky institucion nuk pasqyron vullnetin (zgjedhjet vidhen, vidhet dhe vullneti), në rast se nuk ushtron detyrimet e veta siç duhet (ligje të padrejta, mungesë respekti, edukate, etike) atëherë ky institucion, e ka humbur qëllimin për të cilin është ngritur.

Marrim presidentin. Përfaqëson unitetin. Në rast se nuk e bën detyrën dhe detyrimet siç duhet, përsëri kemi një dështim të qëllimit për të cilin institucioni ekziston.

Po kështu me ministritë, prokurorinë, avokatin e popullit etj.

Këto janë gjëra të njohura, nuk dua të ndalem më tej këtu.
Aty ku dua të ndalem, është tek pasojat që kanë këto dështime institucionesh ndër qytetarët e thjeshtë të vendit. Që përfaqësimi i virtyteve dhe vullnetit të dështojë, është diçka e keqe, po më keq se kaq, është humbja e besimit në virtyte.

Të jetë dikush skeptik ndaj formës në të cilën ushtron pushtetin shteti, është e pranueshme. Por nuk është e pranueshme të humbasë besimin në vetë virtytin. Ata njerëzit e lashtë që kishin për hyjni drejtësinë, moralin, familjen, do ta dënonin për herezi. Dhe do të bënin shumë mirë.

Është detyrë e çdo qytetari, të kërkojë drejtësinë për këdo, sado që institucionet përfaqësuese të drejtësisë, nuk ia ofrojnë këtë gjë.

Është tmerrësisht e shëmtuar të rrënohet virtyti, për hir të përfaqësimit jo të denjë. Në këtë aspekt, kushdo që promovon mungesën e drejtësisë, në çdo lloj forme, qoftë duke ofruar shembuj pesimizmi, mosbesimi në të, zhvlerësim të çdo lloji të saj, duhet kritikuar.

Në fund të fundit, drejtësia, uniteti dhe vullneti i njerëzve, janë institucionet e vërteta. Gjithë të tjerat, janë tempuj të padenjë.

Wednesday, February 9, 2011

Ministria për Mbrojtjen e Qytetarit

Mbaj mend para pak kohësh, Mustafa Nano bënte një pyetje tek adresa e tij e internetit, se “çfarë emërtimi jo i zakonshëm është ky për një ministri?” Dhe vërtet emërtimi është jo i zakonshëm. Kam dashur t’i përgjigjem që atëherë, dhe meqë tani mu krijua mundësia, po e bëj këtë gjë.

Në pamje të parë, dikujt nuk i shkon në mendje se për çfarë ministrie mund të bëhet fjalë dhe me se merret, cili është qëllimi, funksioni dhe detyrat që ka një institucion i tillë. Por nuk bëhet fjalë për tjetër gjë, veç për homologen e vet shqiptare që ndryshe quhet “Ministria e Brendshme”.

Pak historik.

Që prej rënies së Juntës ushtarake, në vitin 1974, në Greqi kjo ministri ka pasur emërtime të ndryshme.
Në rend kohor, po i vendos si më poshtë.

- Ministria e Rendit Publik
- Ministria e Brendshme dhe e Rendit Publik.
- Ministria e Rendit Publik (përsëri)
- Drejtoria e Rendit Publik (e përfshirë nën vartësi të Ministrisë së Brendshme.)

Që prej Tetorit të vitit 2009 pas zgjedhjeve të reja, që rezultuan në fitoren e PASOK-ut dhe ndryshimit të qeverisjes, kjo ministri u riemërtua me titullin “Ministria për Mbrojtjen e Qytetarit”.

Por pika kyçe e ndryshimit të emërtimit, shkon pak më përpara në kohë, në Dhjetor të vitit 2008. Atëherë kur ndodhën trazirat sociale në Greqi. Ngjarja tragjike që ia ndryshoi emërtimin, bashkë me qëllimin kësaj ministrie, është ajo e vrasjes nga një polic, të një djali të ri 15 vjeçar në datën 6 Dhjetor 2008.

Shkurtimisht:

Në një nga rrethinat e Athinës, Eksarhia, një patrullë policie, ndaloi disa adoleshentë dhe u përplas me ta. Gjatë procesit, njëri prej dy policëve, nxjerr pistoletën dhe qëllon djalin fatkeq në gjoks, duke e lënë të vdekur.

Pas ngjarjes në fjalë dhe revoltave popullore, pati një debat qytetar mbi rolin e forcave të rendit dhe mënyrën sesi e ushtronin këto detyrën e tyre.

Për më shumë shikoni këtu.

Në këtë debat u përfshinë tema si abuzimet e policisë ndaj qytetarëve në të kaluarën, por edhe abuzimet e forcave të rendit ndaj emigrantëve. Shumë besoj e mbajnë mend atë videon ku disa policë vendosin dy emigrantë të qëllojnë me shpulla njeri tjetrin.

Gjithashtu u diskutua mbi trajnimin fizik dhe psikologjik të forcave të rendit, diferencimet e tyre në sjellje ndaj qytetarëve të “njohur” apo të “dorës tonë”, me ata të panjohurit, abuzimet në detyrë, të drejtën për të mbajtur dhe përdorur armë dhe shumë çështje të tjera. Ishte një debat i madh publik mbi këtë temë, me shumë emisione televizivë, reportazhe gazetarësh, blogerësh, opinionistësh, analistësh, njerëzish të thjeshtë etj. Një debat i tillë, u mbajt me muaj dhe pas ndërrimit të qeverisjes, solli frytet e veta. Një ndër këto ishte emërtimi i ri i ministrisë, ndërsa të tjerat kishin të bënin me pavarësinë e institucionit prej ministrisë së brendshme, nevojën për reforma të forcave të rendit dhe nevojës për ta parë shërbimin e tyre nën një këndvështrim tjetër. Ndër këto reforma, vihej re gjithashtu kërkesa për punësim në forcat e rendit të emigrantëve, që për shkak të diferencimit gjuhësor dhe kulturor, do t’a kishin më të lehtë të komunikonin me bashkatdhetarët e tyre që do ndodheshin në marrëdhënie me këtë ministri.

Por ia vlen të ndalem pak vetëm tek riemërtimi i ministrisë. Nga “rendi publik” në “mbrojtje të qytetarit”. Një riemërtim i tillë, nuk është aspak vetëm gjuhësor, por në rradhë të parë konceptual.

Ku qëndron ndryshimi?

Ndryshimi qëndron në shpalljen e qëllimit të institucionit. Forcat e rendit, nuk mbrojnë më rendin, por qytetarin. Ky i fundit është subjekti kryefjalë i qëllimit të ekzistencës së institucionit dhe përparësia e vetme tashmë, bëhet mbrojtja e tij.

Nëse të mbrosh rendin psh do të thotë të rregullosh trafikun, përqëndrimi i policit rrugor do të ishte trafiku vetë. Mbarëvajtja e trafikut, rregullimi i tij, heqja e pengesave që e pengojnë mbarëvajtjen etj. Ndërsa të mbrosh qytetarin në një situatë trafiku, do të thotë të përqëndrohesh tek siguria e tij kur ky i fundit ndodhet në këtë situatë.

Ky këndvështrim i fundit, sigurisht që është më njerëzor. Sepse është humano-centrik, ndërsa “trafiku” është koncepto-centrik. Trafiku është diçka abstrakte, jo humane.
Një polic që siguron mbarëvajtjen e trafikut, do të shprehej ndaj një qytetari:
- Ec, se po pengon trafikun!
Ndërsa një i dytë, që mbron sigurinë e qytetarit do të thoshte:
- Ju lutem lëvizni se po pengoni njerëzit e tjerë të qarkullojnë!

E njëjta situatë, pas ngjarjeve të 21 Janarit, ku dëgjoj të shprehen se forcat e rendit duhet të mbrojnë “institucionet”.

Forcat e rendit, paguhen prej taksave të çdo qytetari të republikës. Në varësi të kësaj, çdo punonjës i FR është një shërbyes ndaj nevojave të tyre, për të vendosur rend, qetësi dhe mbarëvajtje. Këto forca nuk janë njësi e shkëputur, apo tejhuazuar ndaj punëdhënësve të tyre – pra qytetarëve. Madje FR vetë, janë qytetarë të cilët janë caktuar pët tu marrë me një detyrë të posaçme për të mbrojtur qytetarët e tjerë. Për pasojë, ato duhet të vendosen në shërbim të tyre. Në një organizim ku FR dhe qytetarët janë të shkëputur nga njëri tjetri, kjo tregon se ka diçka që nuk shkon në këtë mes.


Në 21 Janar, institucione dhe njerëz u përplasën, ndër ndodhitë e tjera. Dhe opinioni publik u vendos përballë zgjedhjes së prioriteteve. Rend publik, institucione – apo njerëz? Disa duan të “mbrojnë me çdo kusht institucionin”, po nga kush? Shoqëria civile brenda të cilës ndodhemi, nuk mund të trajtohet me fjalor të denjë për ushtarakë.

Parimi i mbrojtjes së rendit, duke qënë jo njerëzor, shndërrohet shumë herë në të pamoralshëm. A mundet një punonjës i FR të pretendojë se mbron rendin, përballë njerëzish të papunë që protestojnë, pa u interesuar për gjendjen e tyre më parë? Në fund të fundit, qëllimi i vetëm dhe madhor i institucioneve, është tu sigurojë njerëzve mirëqënien e jetës së tyre.

Një sistem që mohon qënien, lëre më mirëqënien, është antinjerëzor në thelb.


Këto çështje dhe qëndrime, duhet të bëheshin subjekt i një debati publik, dhe nuk duhet të kalonin kaq lehtë. Politizimi personal i skajshëm që ndodh në Shqipëri, po mohon jo vetëm debatin mbi çështje të tilla, por mohon gjithashtu përfshirjen e qytetarëve në të.

Friday, February 4, 2011

TË TREDHUR

Kësaj rradhe po kapem me një frymë artikujsh që mbizotëron në mediat tona. E kam fjalën për ato lloj artikujsh të cilët tentojnë të përshkruajnë situatën ku ndodhemi, me një ton apatik, të distancuar në dukje dhe pesimist... mua më pëlqen t’i quaj këta lloj artikujsh “reportazhe sportive”. Zakonisht i komentoj me rezultatin e fundit të Barçës.

Cilat janë shenjat dalluese të simptomës?

Së pari, artikullshkruesi, bën një reportazh të gjendjes ku ndodhemi, duke kapur një aspekt specifik. Psh gjendjen ekonomike, reformat politike, strategjinë e partive apo liderëve kryesorë etj. Edhe këtë gjë e bën relativisht mirë.

Në rast se i vjen ndoresh ndonjë metaforë qëndrore, shprehje nga njerëz të njohur, apo ndonjë punch line, apo proverb kinez, aq më mirë!

Por kryesisht thelbi i artikujshkruesve të tillë qëndron në mbështetjen e idesë themelore, statike, strategjike dhe teoremë tashmë se: të dyja palët janë njësoj, ose pala tjetër, është potencialisht po aq e keqe sa ajo në pushtet.

Këta artikuj, i ngjajnë atij njeriu që shkon të ngushëllojë dikë që ka pësuar një dëmtim permanent fizik.

Për shembull...

- ah, shikoj se e ke humbur një këmbë. Sa keq! Si ja bën të çohesh në mëngjes? Besoj se edhe për të kryer nevojat personale, do ta kesh të vështirë. Po shkallët e pallatit, si i ngjit? Oh po këtu nuk ka as ashensor, kati i tretë! Sa keq! Sa i mjerë që je o njeri! Gjynaf nga zoti!

Po mirë do pyesni ju, çfarë të keqe ka në këtë mes?
E keqja e një fryme të tillë të shkruari, qëndron se stimulon apatinë, fatalizmin, inaktivitetin, pra idiotizmin.
E keqja e artikujve të tillë, është se i shikon njerëzit të cilëve u drejtohet si qënie pa vullnet, forcë dhe mundësi ndryshimi. Artikullshkruesi merr në dukje anën e lexuesit, të paanshmit, popullit, dhe pasi vendoset midis tij dhe pushtetit, politikës, shtetit etj, synon të krijojë një distancë fiktive, duke u mohuar njerëzve që u drejtohet pjesëmarrjen në procesin demokratik. Dhe këtu dallohet paanshmëria e shtirur, në mos naiviteti. Ndërsa empatia e shtirur, shërben si injeksion mpirjeje të mendjes. Duket sikur thonë, hej, jam dhe unë këtu dhe po vuaj me ty. Po ku po shkojmë dhe çfarë të bëjmë? ASGJË! Mjerë ne!

Një nga gjërat më të bukura që ofron sistemi demokratik i qeverisjes, është aftësia e tij për tu rregulluar dhe vetërregulluar. Për të zbuluar forcën e vullnetit dhe potencialin e njerëzve mbi të cilët ushtrohet. Madje kjo forcë e shprehur, është e tillë që ndihet edhe aty ku nuk e pret. Ndërsa opinionistë të tillë, fatalistë të tredhur, ua mohojnë forcën që mbajnë njerëzit për të ndryshuar gjendjen ku ndodhen.

Nuk është skenar i ri, është diçka e vjetër. Që ka rrënjë që në manipulimin e njëpasnjëshëm të zgjedhjeve përgjatë 20 viteve të fundit. Sepse manipulimi i zgjedhjeve, është kastrim, tredhje që i bëhet forcës që duhet të ketë populli, njerëzit, masat, votuesit, quajini si të doni.

Shtirja në këta artikuj, është e dallueshme dhe në ofertën e zgjidhjes. Sepse opinionistë të tillë, bëjnë sikur ofrojnë një zgjidhje. Ose duke i dërguar të pavullnetshmit vulëhumburit njerëz, nëpër disa rrugë qorre, si peticione, struktura paralele, ose në thjesht “mjerë ne”.

Por zgjidhje ka, nuk është se nuk ka. Dhe me zgjidhje, nuk e kam fjalën thjesht në revoltat mbarëpopullore dhe protestat të pavarura, apo opozitare, por zgjidhja ndodhet edhe brenda sistemit vetë.

Në reportazhin e fundit sportiv që lexova, flitej për “aferat e Rrulit” në ministrinë e energjitikës, shoqëruar (domosdo) me grykësinë potenciale të socialistëve që kanë gjashtë vjet në opozitë. Fatalizmi pas këtij përshkrimi është i lehtë.

Po, ka dhe një rrugë tjetër. Si do ju dukej psh që çdo tratativë ekonomike e qeverisë mbi një vlerë të caktuar, të paraqitej në internet? Se mua nuk më mjafton si arritje e madhe (e paparë, më e madhja etj) e qeverisë, të ishte që një milion shqiptarë janë tashmë facebuksa.

Në net të paraqiteshin ofertat e firmave pjesëmarrëse në të, konditat në të cilat zhvillohet procesi, udhëzimet juridike etj. Fjala magjike: TRANSPARENCË.

Edhe kjo e zgjidhjes, qoftë kësaj të veçantës, ashtu dhe të përgjithshmes, është rrugë e njohur: forcimi i institucioneve dhe mjeteve të kontrollit ndaj pushtetit. Përdorimi gjithashtu i transparencës, i mendimit kritik dhe parimeve demokratike.

Po këto të fundit, që të artikuloheshin dhe përdoreshin, do të donin një nxitje më të madhe sesa mllefi dhe inati ballkanik i një sy mua dy gjitonit. Do të duhej gjithashtu të tradhëtonin parimin e pashkruar të equidistancës...
users online
 
Creative Commons License
Shkrimet e blogut Busulla jane te licensuara nen Creative Commons Autoresi-Jofitimprurese-Vepra te pandryshueshme 2.5 Italia License.