Pak qiell,
pak tokë.
pak re,
pak erë,
...nga ai dhe' ku kam lerë.
Pak verë,
më i plotë për tu ndjerë.
Për të kujtuar kohën kur,
rrënja mbi gjinjtë e tokës u ngul.
Kur dielli ra mbi sferat e verdha
i ndriçoi, i ngriti mbi ferra,
pastaj dorës i tha t'i shkul.
Ah ti ëmbëlsi e thellë,
trazuar me djersë
pjekur në dru,
driçuar në qelq.
Pak botë mbi tryezë,
Pak jetë,
…në një gotë verë.
Pak jetë nëpër kallinj
nëpër të korrat e lashta
një oxhak që nxjerr tym
kur ftohtë bën përjashta
dhe nata me përralla gjyshesh
mbyll sytë e foshnjës
duke sjellë,
që poshtë derës
pak erë…
Pak hije nën zheg,
Aty, në rrënjët e fikut.
Dhe njerëzit fushave me kapelë,
nderin ia njohin diellit në dimër,
jo në verë.
Pak ujë,
një puthje burimit
që buzët mi pret.
Çoji të fala lumit i them,
Drejt tij gurgulluar kur zbret
Nesër do t’i bëj qokë vetë.
Vërtet,
pak peshq fshehur nën gurë,
i kap me dorë, i fut në brekë!
Të më ndjeni! I vogël kam qenë,
Aq sa dielli më shumë se ju më turpëroi.
Më bëri të kuq flakë…
Pak kos mbi shpinë,
shpërhapur me qortime nëpër dhomë
Dhe unë dhëmbështrënguar,
me heroizëm fëmije,
mëkatin e fëmijërisë kam duruar.
Pak frikë
Kur hipja nëpër pemë,
kur thosha ndonjë rrenë
apo kur sipas gjyshes
“nuk sillesha për të qenë”.
Pak mall…
Kur faqet e saj,
i shoh mbi gotë.
Mosha anash u kaloi,
nuk i preku.
I la të kuqe, si atëherë, ashtu,
siç kur i ndukte,
duke thënë “pupupu”!
Pak liri,
Si erë e malit mbi shtëpi,
kur me të bëja garë.
Ajo kudo nëpër trup,
unë mbi kalë.
Pak rrush, pak fiq.
Pak mollë pak dardhë,
pak qershi…
Pak domate të thara mbi çati!
Pak verë, more, pak verë!
Më pëlqen të dehem me të.
Ashtu si me kujtimet.
Ndonjëherë…
Sunday, February 8, 2009
Subscribe to:
Posts (Atom)