Sunday, June 29, 2008

The final countdown



Nën tingujt me titullin më lart, prezantohet pika kulminante e këtij kampionati Europian. Finalja.
Ftesës për të zbritur në fushë do përgjigjen dy nga skuadrat më të organizuara në Evropë. Spanjë dhe Gjermani.

Torot janë të kompletuar. I kanë të gjitha.

Kanë shtyllë kurrizore – Sena. Promotori, motori i skuadrës që kontrollon mesfushën, krijon përpara dhe ngjall siguri mes shokëve të skuadrës. Sipas Aragones, ai është barometri spanjoll. (ok, jo tamam spanjoll, i natyralizuar modë e re kjo evropiani) Shtyllat vertebrale në mesfushë plotësohen prej një Fabregas në formë, krijues, zotërues, ekuilibrues i saj. Sipas skemës së përdorur prej Aragones vend midis tyre mund të zënë dhe Xavi apo Iniesta.

Aksin vertebral plotëson Poyol gjithnjë i qëndrueshëm në mbrojtje, luftarak me shpirt dhe mendje të palodhur. Pranë i bën shoqëri dhe Marchena. Ndërsa companeiros nga krahët kanë Sergio Ramos dhe Capdevilla.

Torot kanë bisht. Casillas nuk lë mizë ti prekë vithet demit. Reflekse të mahnitshme, nerva kampioni të vërtetë, siguri në zotërim dhe një shanc më shumë për të ngritur kupën.

Torot kanë brirë. Dy brirëshi i sulmit ka qënë gjithnjë në punë, i mprehur dhe i frikshëm. Kryeson Villa me 4 gola (mgjse pjesëmarrja e tij vihet në dyshim)
Por as Torres i Liverpool nuk ngelet pas në stil dhe klas. Dyshimet për Villën kanë vënë disi alarmin në kampin e Aragones, të cilit i kërkohet të gjejë zgjidhje në këtë repart. Mgjse shprehjen shqipe “pa brirë ti je mbret” ai nuk e di, vështirë se do e merrte për të vërtetë. Në këtë finale, prej skemës ndoshta do shohim për herë të parë në histori dem “unicorn”.


Të mos harrojmë panzerat.

Të cilët edhe kësaj here u treguan të përpiktë në takimin për finalen e Evropianit.
Kalimi i grupit nuk pati asnjë vështirësi për ta, pastaj favoritja Portugali në ndeshjen e rradhës mundet vetëm me forcën e mendimit. Turqia reziston fort po në fund nuk ia del dot

Panzerat gjithsesi nuk kanë bindur në asnjë ndeshje nëse përjashtojmë atë me Portugalinë. Por kanë dëshirë dhe vullnet për të fituar. Gjithnjë të tranformueshëm në finale si skuadër favorite. Nëse i besojmë kulturës futbollistike, nuk duken dhe aq larg kupës sa prej statistikave.
E ndërtuar nga një trajner i ri, pa shumë eksperiencë, e ardhur prej një shijeje të përzjerë nga Botërori i kaluar ku arritën të zinin vendin e tretë. Tani trokasin prapë në ndeshjen finale dhe kërkojnë atë që sipas gjermanëve duhet të jetë e tyre: Kupën.
Ekuilibri i skuadrës dhe dallimi i elementëve kryesorë te ajo, besoj se kanë shqetësuar Low, më shumë sesa mua në këtë shkrim.
Filloi me 4-4-2 pastaj vazhdoi me 4-4-1-1. I quajtur talent, Gomes zhgënjeu për këtë u detyrua trajneri të ndërrojë skemën. Pastaj Podolski u zhvendos nga sulmi në krahun e majtë të mesfushës. Ekuilibri u gjet. “më jepni një levë, dhe një pikë referimi t’i prish ekuilibrin tokës” ka thënë Arkimedi. U jap një Low t’i gjejë ekuilibrin Gjermanisë. Po pika e referimit? Në fakt nuk është një e vetme. Janë disa.
I pari është kapiteni Ballack. Mgjsë i lëkundur si anija të cilën drejton, ka arritur të nxjerrë në pah vlerat e tij. I dyti është Podolski, më produktivi nga skuadra. I frikshëm para portës, edhe tani kur i duhet të përshkojë disa metra më shumë për të arritur deri aty. I treti është Schweinsteiger, filozofi i mesfushës, në sajë të meditimeve të veta Gjermanisë i ka shtuar disa pikë sigurie. Dhe i fundit vjen prej krahut të majtë nga mbrojtja. Ushtari i vogël Lahm. Aty prej këmbëve të tij ka rrënjë zanafilla e çdo sulmi, por në disa raste po nga këmbët e tij vjen dhe fotofinishi i min 93’ si në rastin me Turqinë.





Si përfundim:
Ratio-grafia u bë. Këto janë ngjyrat e finales. Por gjatë këtij botërori, morën pjesë shumë ngjyra të tjera. Të gjitha i shtuan nga një shije. Disa atë të humbjes, hidhërimit, zhgënjimit, shpresës, hakmarrjes, shpotive të ndërsjellta midis tifozësh e shumë shumë efekte të tjera anësorë që janë produkt TM i futbollit ekskluzivisht. E tani i sheh lojtarët të kapur për krahu në rreth. U duhet thënë faleminderit për spektaklin e ofruar dhe urojmë t’i shohim prapë pas dy vjetësh në Botëror.



foto është marrë nga selmaderadio: http://selfmaderadio.blogspot.com/

Saturday, June 28, 2008

Mirë se erdhe o i çuditshëm!

Më poshtë është përkthimi i një kënge greke rap "mirë se erdhe njeri i çuditshëm" nga "active member".
E pashë në një blog nga fqinjët, teksti mu duk fantastik, për përkthimin pres vlerësimet tuaja. Mendova se ia vlen për ta ndarë me ju kënaqësinë që më dhanë vargjet.

*** ***

Po vë pak natë dhe po shtoj pak shi
Të ndërtoj nga fillimi një çudi.
Për të të larguar pak nga meditimi
Sido që të jetë, do të privojë kënaqësi.


Po të çoj në një rrugicë, shteg të vjetër
Në një shekull të larë me verë, pijetore.
Vend namkeq qoftë dhe për timin meditim
Ku as frika nuk më çon në ëndrrrën time.




Këtu pra, do ndaj me ju një histori, është si të ketë ndodhur dje por betohu nëse të lëndon sa të të vijë turp, atëherë kurrë mos e trego!

*** *** ***

- Mirë se erdhe o i huaj në vendin tim, rehatohu pranë meje të të shtie verë. Më fal për sjelljen time po më gjete në gjirin e turpit. Ngela vetëm, ulu ku të duash, të shoh të lodhur duhet të kesh kohë që bredh. Por mes turbullimit tim dhe pas hijeve sikur më dukesh i njohur dhe me dikë më ngjet.


- Përshëndetje dhe ty, kam qënë diku larg, afër më sollën zëra të fortë dhe pendime që më thanë se këtu kam lindur dhe kam vdekur dy mijë herë rresht.

- Pa shiko! Mirë thashë unë kur të pashë, se sigurisht në mënyrë të çuditshme flet. Nga një tjetër botë ngjet dhe ke mbi vete vulë, ato gjemba mbi kokë dhe petkat që vesh.

- Dikur...disa më veshën stemën dhe më tallën si i larti mbret, akoma nga mua gjak i freskët rrjedh. Nga ai gjak që u ngjit mbi shkallë prandaj më sheh midis hijesh si të kem frikë dhe dua të shpëtoj, mes një kopështi ullinjsh një lutje dua të përfundoj.

- Po, veç mban erë qiellore dhe balte bashkë me shijen e freskët të një heshtje.

- Këtu më sollën ngrindje të përzishme, dëgjo se çdo tu thuash: Kur thërrasin të gjithë ata dhe në emrin tim vrasin, thuaju se festa s’bëhet, po shkoj të ngulem vetë mbi gozhdë.
Thuaju që koha lajthiti dhe në Golgotë nuk pret. Thuaju se i çuditshmi iku as do kthehet në këtë jetë.


- Po më ngatërron me këto të thëna por më pëlqen. Artin e arsyes do kesh mësuar, apo je si mua që kur zemra më rëndon bëhem dru, pi atje e më zë këtu?

- Për këtë erdha e të zgjodha të pirë, të vërtetën në mundesh të thuash se ti nën dritë ballin e ke djersë por e mban të pastër, kështu që mos u mërzit.
Të tjerë luanin me mua nëpër shekuj, perandor më shuguruan, më bënë udhëheqës, fjalët e mia të thjeshta i shpërndanë si rregulla dhe mua gjë nuk më thanë.


- E ku më gjete këtu poshtë dhe çfarë më do? Truri im dalldiset që nga lindja, si të jem lindur dje më duket, ndërsa jashtë të diturit janë miliona.

- Ata i dëgjova dhe i pashë, ua njoh lëkurën, Preferoj më mirë gozhdët që më mbajnë në kryq drejt atyre që shitën shtrenjtë lindjen time, ata që mbajnë në errësirë thesarë.

- Mirë miku im i çuditshëm që sot në pamundësinë time gjete rast, ngri një kupë merr pak bukë dhe thyeje. Do pi verë dhe do shkoj tu them:
Përderisa të gjithë përflasin dhe në emrin tënd vrasin, nuk ka festë. Do u them se miku im shtrihet në dru me gozhdë në duar. Do u them se koha lajthiti, në Golgotë më nuk pret. Do them se i çuditshmi iku, humbi, nuk vjen më as tani as përjetë.

Friday, June 27, 2008

I denjë?

Për blogun tim e kam fjalën, busullën.

Kisha rënë në të thella ca kohë më parë mbi rëndësinë e një blogu. Nuk kanë munguar as ngacmimet nga të gjitha frontet ku shumë të njohur realë apo virtualë po më pyesnin “çe do blogun”. Pasi lexova Xixën në një temë të ngjashme, ujrat e shpirtit tim ranë në qetësi. Bëra paqe me veten. Për pak kohë gjithsesi, sepse vërtet që unë shkruaj, po a ia vlen se çfarë shkruaj? Si mund të matet kjo vlerë? Jo, kot tu gënjej të gjitha këto i kisha në kokë deri dy ditë më parë...
Deri kur rastësisht mësoj se më paskan vjedh një pjesë shkrimi për të ndjerin George Carlin. Nuk ju gënjej, mu bë zemra mal! Qenkam i denjë thashë me vete, përderisa më kanë vjedh...Dmth ia vlekam. (kush më njeh sado pak, e di që unë përfshihem lehtë nga ndjenja euforie)
Po në një refleksion të dytë, u rreka të mësoj se kush qënkësh ky që më paskësh bërë qejfin. Mësova pra se qenka një farë Beqir Sina. Paska një faqe online ku kontribon aty, qenka dhe gazetar. E lexoj shkrimin. Morali më ra përtokë si brekë pa ushkur. Shqipja e çalë, frazat të çrregullta, gabime drejtshkrimore dhe gramatike.
Pothuaj më vika keq që më vodhi një pjesë nga shkrimi....Kur shokët e mi kolegë blogistë apo peshkatarë shkojnë e vidhen prej RD-së, Shekullit, e mediave të tjera shumë të fuqishme, mua më paska vjedh një copë Beqir. Më vika keq po nuk e di për kë më shumë, për mua apo për të...

p.s Gazetarit në fjalë, i dërgova një mail ku i shpjegova se përderisa e transferon shkrimin në vend tjetër, duhet të vendosë lidhjen e burimit nga ka marrë lajmin. Gjithashtu do duhet të respektojë rendin e fjalive dhe frazave ashtu si janë shkruar në origjinal. Në fund, e quaj shumë pa skrupuj identifikimin si “forumist”, kur blogu ka emër, logo dhe adresë në internet.
Kërkesës time nuk iu përgjigj në mënyrën e dëshiruar. Vetëm pas kësaj i thashë se kjo ngjarje do bëhet subjekt shkrimi te blogu im.

Wednesday, June 25, 2008

Panzer vs Obuz.

Ja t'i dedikojmë dhe një postim gjysmëfinales së parë.
Panzerat gjermanë Vjenën e kanë shtëpinë e dytë të tyre, nuk kanë nevojë për ftesë për të hyrë, ndryshe nga turqit siç sugjeronte një gazetë turke “hymë në Vjenë”. Dhe vërtet përdesh kanë hyrë dikur…njëherë e një kohë kur trupat turke ishin nën komandën e një pashai Qyprilli shqiptar. Nuk e pushtuan dot atëherë.
Ndoshta fat më të mire do ketë Fatih Pushtuesi mgjse ushtria e tij më shumë se legjendare numëron shumë mungesa në rradhët e veta. Usta Nihati është i dënuar, gjithashtu arkadash Arda. Fatin e tyre ndjek dhe dordomus Demirel. Mgjse hyrjen e haremit midis dy shtyllash, e ruan me besnikëri të vërtetë Rustu, zëvendësi i tij.
Në këtë evropian, Turqia i ngjan vërtet një përralle. Tre here janë rrëzuar për tu ngrit përsëri në këmbë.
Në fillim me Zvicrën, pastaj me Çekinë dhe së fundi me Kroacinë. Për nga forca e vullnetit, ndoshta vetë gjermanët të shquar për këtë të fundit do i kishin zili. Po më shumë se zili do i kenë përballë.
Gjermanët e filluan aventurën e tyre me polakët, ku dy polakë shënojnë gol. Pastaj humbasin me Kroatët dhe fituan përsëri me binjakët austriakë. Low në këto ndeshje ka kërkuar ekuilibrin e skuadrës dhe forcimin e rradhëve. Për ta gjetur me portugezët, ku panzerat shkrehin zjarr plot tre herë. Dhe nga të harruar diku mes shkëlqimit të Hollandës, Portugalisë dhe Kroacisë, tani “mer lichts” të Gëtes i përgjigjen Ballack, Podolski, Schweinsteiger. Të shohim a do ndrijnë me turqit dhe a do shndërrohen përfundimisht në ar me kupën e Evropianit.


Prezantim muzikor:
Prej Eurovisionit 2004 For real nga Athena. Titulli por dhe refreni i përgjigjen dëshirës turke për të fituar. Up, I just wanna bring u up!!




Ndërsa për dojçat: Panzer Batallion nga Sabaton. Muzika flet vetë. por të shohim si do i përgjigjen komandës. Zjarr!!

Monday, June 23, 2008

George, farewell!

George Carlin ka vdekur dje në një klinikë në L.A prej problemeve të zemrës. Artikulli në NYT (flm E)
Nuk di të sillem, as të komentoj në raste të tilla. Po ju lë të shijoni dy pjesë prej tij, në atë që ai di të bëjë më mirë: Humor.




Saturday, June 21, 2008

Nën ritmet e Euro-s. updated.

Sot është përballja e tretë e çerekfinaleve në ndeshjen Hollandë – Rusi.

Kjo Hollandë e sivjetshme, e ka rregjistruar tashmë emrin e vet në rekordet e këtij Europiani. Që prej shumë vjetësh theu pragun e pikëve maksimale në grup(9), bashkë me Kroacinë. Një rekord të tillë më parë nuk ishte arritur nga asnjë skuadër. Gjithashtu Hollanda në ndeshjet e grupit, ka rekordin absolut të golavarazhit pozitiv (9-1). Ky rekord më parë mbahej nga Franca (9-2). Rekordi i fundit, është ai i golave më të shumtë të shënuar në të gjitha evropianet (54), ndiqen prej dojçëve me (52).


Tulipanët janë afirmuar si një prej skuadrave favorite për të fituar këtë titull. Skuadra e dirigjuar prej Van Basten, ka në përbërjen e saj një mesfushë mirë të orkestruar dhe virtuozë violinistë në sulm. Synimi është Viena. Po për të marrë konfirmimin deri aty do duhet të përballen me rusët. Testim konservatori, i denjë për këtë evropian, prova e parë e madhe. A do munden të kalojnë rusët për të hyrë In the mists of Vienna?

Kënga prezantuese e tulipanëve.




Nuk e di nëse arti i futbollit, do të mposhtë dëshirën e rusëve për të fituar. Nisur jo mirë këta të fundit, me një humbje me Spanjën. Pastaj rikuperimi në ndeshjen me Greqinë. Dhe në fund një tjetër fytyrë me Suedinë. Arshavin, Kolodin shtyllat kryesore ku mbështetet skuara. Por jo vetëm, menaxheri Guss Hiddink, dhelpër e vjetër e fushava të blerta përbën një siguri më shumë për ta.

Kënga prezantuese e rusëve, i shkon shumë mirë mendimit që duhet të kenë në mendje kur të shikojnë përpara orkestrën tulipane. U duhet të besojnë! Believe!






Dhe kështu nëpërmjet kalendarit na del përpara përballja tjetër e madhe. Ndoshta më e forta e këtyre çerek finaleve.

Përpara kemi torot e Spanjës me kampionët e botës në fuqi. Të parët me rekord absolut kaluan grupin (po e korrigjoj veten këtu duke e shtuar te dy skuadrat e tjera që kaluan grupin me pikë të plota). Fillimisht furias rohas tërbuan arushat ruse me një katërgolësh. Pastaj menaxhuan drejt suedezët, për të përfunduar përsëri me fitoren e fundit përballë grekëve. Nuk kanë qëllime aspak të mira për kundërshtarët e tyre këta spanjollët. Skuadër solide, e lidhur me njeri tjetrin, mesfushe kreative dhe luftarake, pa harruar dy brirëshin e sulmit ku protagonist ngelet gjithnjë Villa. Këta dema janë të tërbuar!




Kanë kaluar dy vjet nga ngritja e kupës dhe italianët nuk kanë ndryshuar shumë që atëherë. Skuadra ka ngelur pak a shumë e njëjta. Gojët e liga thonë se është plakur. Po ujku plak, nuk shpërfillet asnjëherë. U lëndua rëndë në ndeshjen e parë me Hollandën. Mori tre plagë. Gati sa nuk lëndoi veten me Rumunët (ngeli përsëri i uritur), dhe ne fund u shkreh me përfundimisht delen e zezë të grupit të vdekjes –Francën. Bastet mbi ta, njerëzit i hedhin në gjendjen psikologjike-euforike që i kanë injektuar vetes pas fitores së fundit. Kanë se çfarë të shpresojnë. Italianët gjithnjë në mënyrë bizarre, luajnë futboll për nerva të forta dhe tifozë pa prozak. Po në fund ngelen emocionet që dhurojnë prej ndeshjeve. Emocione që herë herë arrijnë t’i veshin me ngjyrën e tyre të preferuar –atë blu. Emocione italiane, të ardhura prej të kaluarës, të shpluhurosura rishtas nën zërin e Naninit. Bazuar në emocione a do kthehet kjo në Estate Italiana?





Meqë humbëm, po i dedikoj vetes këtë këngën më poshtë (dhe të gjithë tifozave hollandezë).



Monday, June 16, 2008

Një eksperiment me majmunë dhe banane

Disa shkencëtarë, vendosën të bënin një eksperiment me disa majmunë në një kafaz.
Fillimisht vendosën 5 (pesë) të tillë në kafazin eksperimentues, një shkallë dhe majë saj një tufë me banane. Ashtu siç po tregon fotoja më poshtë.
Nuk harruan të instalojnë një dush brenda kafazit, për nevojat e mëtejshme të eksperimentit.
Reagimi i parë ndaj bananeve majë shkallës, ishte i pritshëm nga ana e majmunëve. Shumë prej tyre, vendosën të ngjiteshin aty dhe të synonin frutin e preferuar.

Por pasojat do të ishin të papritshme për ta. Sapo një majmun ngjitej në shkallë, shkencëtarët do u servirnin kafshëve eksperimentuese një dush me ujë të ftohtë. Nuk dukej aspak experiencë e kënaqshme kjo, dhe majmunët pasi kuptuan shkakun e ndëshkimit, hoqën dorë prej guximit për tu ngjitur në shkallë. Kjo sigurisht kërkoi përsëritje të ndëshkimit, derisa majmunët “vunë mend”.




Jo vetëm kaq, por sa një majmun tentonte drejt shkallës, gjithë të tjerët do përpiqeshin menjëherë ta ndalonin duke ushtruar mbi të dhunë fizike.
Koha eksperimentale kalonte, derisa asnjë majmun nuk do tentonte bananet.
Kur u arrit kjo faze, shkencëtarët vendosën që të hiqnin një prej majmunëve dhe të shtonin në kafaz një majmun të ri, pa eksperienca ndëshkuese prej dushit, apo vetëndëshkuese prej grupit. Ky, sigurisht tentoi që të ngjitej në shkallë, por çka ndodhi më pas nuk i pëlqeu. Majmunët ushtruan dhunë mbi të pa patur nevojën e dushit. Pas disa tentativave, edhe ky majmun heq dorë.


Hiqet një, shtohet një tjetër majmun dhe rezultatet përsëri njësoj. Kështu vijuan eskperimentuesit dhe zëvendësuan të gjithë majmunët e parë, me pesë majmunë të rinj.






Këta vazhdonin të përsërisnin ritualin (vetë)ndëshkues, pa ditur arsyen e sjelljes së tyre...

Sunday, June 15, 2008

Njerëzit më inteligjentë janë më të prirur për të mos besuar në Zot.

Artikulli i plotë vjen më poshtë.

Meqë u hap si diskutim nga peshku nëpërmjet E. (paditur), po ua ofroj ta diskutojmë të gjithin këtu.

Professor Lynn said religious belief had declined in the 20th century

Professor Richard Lynn, emeritus professor of psychology at Ulster University, said many more members of the "intellectual elite" considered themselves atheists than the national average.

A decline in religious observance over the last century was directly linked to a rise in average intelligence, he claimed.

But the conclusions - in a paper for the academic journal Intelligence - have been branded "simplistic" by critics.

Professor Lynn, who has provoked controversy in the past with research linking intelligence to race and sex, said university academics were less likely to believe in God than almost anyone else.

A survey of Royal Society fellows found that only 3.3 per cent believed in God - at a time when 68.5 per cent of the general UK population described themselves as believers.

A separate poll in the 90s found only seven per cent of members of the American National Academy of Sciences believed in God.

Professor Lynn said most primary school children believed in God, but as they entered adolescence - and their intelligence increased - many started to have doubts.

He told Times Higher Education magazine: "Why should fewer academics believe in God than the general population? I believe it is simply a matter of the IQ. Academics have higher IQs than the general population. Several Gallup poll studies of the general population have shown that those with higher IQs tend not to believe in God."

He said religious belief had declined across 137 developed nations in the 20th century at the same time as people became more intelligent.

But Professor Gordon Lynch, director of the Centre for Religion and Contemporary Society at Birkbeck College, London, said it failed to take account of a complex range of social, economic and historical factors.

"Linking religious belief and intelligence in this way could reflect a dangerous trend, developing a simplistic characterisation of religion as primitive, which - while we are trying to deal with very complex issues of religious and cultural pluralism - is perhaps not the most helpful response," he said.

Dr Alistair McFadyen, senior lecturer in Christian theology at Leeds University, said the conclusion had "a slight tinge of Western cultural imperialism as well as an anti-religious sentiment".

Dr David Hardman, principal lecturer in learning development at London Metropolitan University, said: "It is very difficult to conduct true experiments that would explicate a causal relationship between IQ and religious belief. Nonetheless, there is evidence from other domains that higher levels of intelligence are associated with a greater ability - or perhaps willingness - to question and overturn strongly felt institutions."

Thursday, June 12, 2008

Tulipani im i preferuar.

Quhet Wesley Sneijder. I lindur në Utrecht, Hollandë sigurisht. Fillon karrierën te Ajaksi i Amsterdamit që në moshë të vogël. Pozicioni mesfushor. Luan kudo në mesfushë dhe nuk zhgënjen pothuajse asnjëherë kohët e fundit

Ylli i tij lindi në të njëjtën kohë me talentin e atëhershëm të madh në Hollandë: Rafael van der Vaart. Filluan në të njëjtën skuadër të dy, si miq. Po Ajaksi megjithëse klub i madh, fusha e blertë u tregua e vogël për t’i përfshirë të dy në 11-çen bazë.

Skema e përdorur atje është 4-3-3 dhe ruhet me fanatizëm gati fetar në Amsterdam. Cilido trajner që nuk “i bindet” skemës, konsiderohet heretik. Amsterdami mund të lejojë ujin të futet në të se ndodhet poshtë sipërfaqes së detit, po heretikët e futbollit nuk i pranon. Një mesfushë me dy mesfushorë sulmi, që nuk markojnë, nuk kanë detyra mbrojtëse, do të ishte vetëvrasje në një klub që as për mbrojtës të hajrit nuk është shquar ndonjëherë. Ne vitet e para trajnerët zgjodhën VdV. Kishte talent të jashtëzakonshëm, mund të bënte të papriturën në vend, kishte vizion, fantazi. Ishte udhëheqës, kapiten. Raffy ishte artist, Van Gogh me topin përpara këmbës, ose dhe pas thembrës me raste.

Ndërsa Wesley hija e tij, akoma.

Kjo gjendje vazhdoi për disa vjet. Por Sneijder nuk qëndroi duarkryq. Apo e thënë më drejt, këmbëkryq. Në hije, u dha rëndësi ushtrimeve me pesha për të rritur forcën fizike dhe qëndrueshmërinë. Nga një mesfushor i lehtë (vetëm 72 kg sipas kartelës) u kthye në një pitbull të vërtetë ku markonte, taklonte ndiqte kundërshtarët cep më cep por për më tepër nuk harronte të shënonte gola, apo të jepte assist. Nuk mund të lë pa përmendur as ushtrimet e tij me këmbën e majtë, për ta perfeksionuar atë sa t’i përdorë të dyja njëlloj. Një avantazh i jashtëzakonshëm për rolin e tij, që i jep mundësi të triblojë dhe shënojë me lehtësi. Kështu shndërrohet në mesfushor me tipare sulmuese moderne. I kudondodhur, me lojë voluminoze dhe shënues i tmerrshëm.

Periudha e pritjes, në fitimin e vendit të titullarit, i zhvilloi dhe një anë të veçantë të karakterit të vet. Atë të njeriut që gjithnjë ngulmon, punon pa u lodhur me vullnet e dëshirë për të kapur majat. Nuk e kishte talentin e Raffyt, por kishte diçka më shumë se ai; vullnetin për të arritur aty ku do.

A ju ka ndodhur ndonjëherë, aty nga minutat e fundit, kur skuadrës i duhet dhe një gol, të prisni gjithë ankth për një mrekulli? Mrekulli futbolli në formën e një goditjeje dënimi, apo e një gjuajtje të fortë jashtë zones që transfomohet në pasthirrmën ekzaltuese për çdo tifoz – GOL!! Atë mrekulli bënte Sneijder. Golat e tij, të gjithë deçizivë dhe në sezonin e fundit me Ajaksin plot 18 në numër. Numri në fjalë bëri Realin e madh t’i kushtonte një vëmendje rreth 15 milionëshe në verën e vitit 2007. Ajaksit iu faksua shifra në formën e një ultimatumi. Kaq ju japim, dhe nuk e lëvizim shifrën. Ajaksi i sotëm është hija e atij që ka qënë disa vjet më parë, por kujtesën e ka akoma të fortë dhe krenarinë e madhe për të harruar se herë pas here e daroviste Realin me ndonjë 5 golësh. Refuzuan ultimatumin. Por vijoi mesazhi ku Reali kërkonte falje, me vlerë 27 milionëshe. Kot tju them se Ajaksi është zemërmadh (:D) dhe pranoi ofertën-falje.

Kështu para një viti Sneijder vesh bluzën e rëndë madrilenase. I uruan mirëseardhjen, edhe ai ua ktheu respektin në mënyrën e vet si gentleman hollandez duke shënuar golin e fitores në derbyn e parë madrilen të karrierës si debutues. Duke u ndjerë në borxh prej duartrokitjeve të shumta, u jep dhe një dygolësh në lojën pasardhëse me Villarealin. Që atëherë vazhdon e luan për mbretëreshën e Evropës, pason, krijon, shënon, kurrdoherë me grintë dhe në mënyrën e vet të veçantë.

Nëse Hollanda kap finalen e Evropianit, jam i bindur se do shënojë dhe aty, ndoshta golin e fitores.

Saturday, June 7, 2008

Flakë gjuhe.



Ajo më thotë se unë flas me kode.
dhe fshihem brenda fjalëve si prushi në hi.
Ajo nuk e di se mund të digjet,
nëse fjalët e mia e prekin aty.
Aty, aty, ku dhe vetë është zjarr.
E zjarrin merr,
e vjedh Prometeshë mbi malet kafaz,
që mbajnë brenda flakën time.
Ndërsa unë në kodrat e saj gatuar,
me qumësht të bardhë, si brumë i ardhur
preh qenien time.
Kafshoj e nuk ngjinjem.
Zakon i vjetër, do e kem patur që fëmijë.
Dhe hiri im është pluhur kompleksesh,
bie mbi të...
Por shpejt mbulohet nga gjuhët e flakës.
Dhe prapë ngjallet nga të tjera gjuhë.
Si loja e hijeve përsëritet në mur.
Ndërsa në skenë ngelen fjalë të rënda.
Si ato që të lashtët gdhendnin në gur.

Friday, June 6, 2008

CIA, dosjet sekrete.

Pyetje: Pse kur i referoheni Agjensisë nuk përdorni asnjëherë nyjen shquese (the) përpara fjalës? (CIA)
Përgjigje: Kur i referohemi Zotit, asnjëherë nuk e përdorim nyjen shquese.

Ky ishte dikur mentaliteti i shumicës së agjentëve që punonin në agjensinë sekrete më të famshme të të gjitha kohërave.
Pse e mendonin në këtë mënyrë dhe a kanë ndryshuar mendje sot?
Shikojeni këtu

Thursday, June 5, 2008

Antiamerikanizmi grek.

Antiamerikanizmi në Greqi është tejet në modë. Një grek që e respekton veten e vet sigurisht që është dhe ndjehet antiamerikan. Dhe këtë asnjëherë nuk harron ta shprehë. Nëpër mure pallatesh, shkollash, stadiumesh dhe rrugësh.
Parrulla më të shpeshta janë “Jashtë NATO nga Ballkani”. “KE, NATO e njëjta sindikatë”, “Vrasës të kombeve Amerikanë” etj. Shpesh parrullat kthehen në demostrata sa herë që ndonjë president amerikan denjon të vizitojë tokën Helene. Deri para pak vitesh nuk mungonin as konfliktet dhe aktet terroriste deri bomba afër ambasadës së SHBA në Athinë. Organizata më e njohur e majtë terroristo-anarkiste ishte 17 Nëntori e cila u gjet dhe u neutralizua në vitin 2004 para fillimit të lojrave Olimpike.

A ka shpjegim llogjik kjo sjellje? Ka. Lidhet kryesisht me ngjarje historike dhe incidente ndërkombëtare. Që fillojnë aty rreth vitit 1967 ku me ndihmën e Amerikanëve u vendos JUNTA ushtarake në Greqi me asistencën dhe bekimin e CIA-s. Arsyet e veprimit të CIA lidhen me moslejimin e Jorgo Papandreut në fitimin e zgjedhjeve të përgjithshme të atij viti. J. Papandreu konsiderohej si i majtë i rrezikshem afërsisht komunist. Sjellja anti interesave greke e SHBA vijon në vitin 1974 me lejimin e Turqisë në ndërhyrjen dhe pushtimin e 1/3 së ishullit të Qipros. Sekretari i jashtëm amerikan, Henri Kissinger në atë kohë thuhet se lejoi këtë ndërhyrje duke u stigmatizuar si një nga antigrekët më të famshëm të të gjitha kohërave. Kjo ndërhyrje historike nuk mund të mos kolorizohej dhe nga folklorizmi popullor mitik. Kështu qarkullon për disa vjet (që prej 1997) se H. Kissinger të ketë thënë një shprehje historike stigmatizuese në lidhjet midis dy shteteve.
Pak a shumë shprehja që i atribohet Kissingerit thotë kështu:
“Populli grek është kryeneç dhe kokëfortë. Për këto arsye i vështirë për tu kontrolluar. Për tia arritur kësaj do të na duhet të mbytim gjuhën, zakonet dhe fenë e tij”
Shprehja në fjalë është përgënjeshtruar prej Kissinger vetë, mirëpo i ka kaluar kufijtë e përhapjes në popull duke u bërë si pikë referimi për gjithë grekët dhe mënyrën si amerikanët i shohin ata.


Pas vitit 1974 në shenjë proteste për ndërhyrjen në Qipro, kryeministri i parë i zgjedhur pas JUNTËS ushtarake, Kostandin Karamanlis, del prej NATOs. Kjo solli të tjera peripeci politike në lidhjet midis Turqisë dhe Greqisë.
Bazat e NATOs zhvendosen në Turqi dhe fqinji lindor i Greqisë merr në dorë një rol strategjik në rajon. Greqia rifutet në organizatën ushtarake përsëri pas disa vjetësh por marrëdhëniet midis dy vendeve të rajonit lidhur me incidentet ajrore, detare, vijën bregdetare të tyre, kufijtë e këtyre vijave vijon me shumë incidente të përfshira në këtë situatë. Pika më e nxehtë në marrëdhëniet Turqi- Greqi arrihet në vitin 1995 me incidentin e Imias. Pas atij viti deri në ditët e sotme situata vjen duke u normalizuar, mirëpo konfliktet për kufijtë detarë dhe ajrorë ngelen gjithnjë të hapura. Kthesa e marrëdhënieve midis Turqisë dhe Greqisë shënohet të jetë dorëzimi i liderit të PKK kurd Abdullah Oçalan në ambasadën greke të Kenyas ku ky kishte vajtur të strehohej. Pas dorëzimit të tij, iu ofrua Turqisë një paketë ekonomike dhe turistike qe pasoi me nënshkrimin e saj prej të dy vendeve.



Antiamerikanizmi, përfshin dhe politikën e jashtme greke në shumë aspekte të saj. Konkretisht lidhet me qëndrimet jo miqësore kundrejt Izraelit.Greqia ka votuar kundër në OKB për formimin e këtij shteti në vitin 1947. Ndërsa në masat popullore gëlon një antisemitizëm me rrënjë të thella historike. Opinioni i përgjithshëm nuk ka mundur të qëndrojë indiferent edhe ndaj mbështetjes së kauzës Palestineze. Politika e jashtme greke lidhet dhe me përkrahjen e Serbisë përgjatë luftës së Kosovës (me protesta kundër bombardimit të NATOs në Serbi, por asnjë kundërshtim në lidhje me politikën vrastare të Miloseviçit) Prej Serbisë, shteti grek shikohej gjithnjë si aleati model që i mbështeste në kauzën e tyre të drejtë.


Kohët e fundit, antiamerikanzimi lidhet me konfliktin për emrin e Maqedonisë-FYROM. Shigjeta janë hedhur dhe kundrejt shtetit shqiptar dhe Kosovës duke komentuar flamujt amerikanë që kosovarët mbanin në duar në 17 Shkurt. Përfundimet merren lehtë me mend se ky antiamerikanizëm i përhapur kufizon jashtë mase politikën e jashtme të Greqisë. Arsyet më të shpeshta për këtë sjellje përmblidhen në thënien se “amerikanët nuk kanë miq, por vetëm interesa”. Këto pohime janë të vlefshme deri diku, dhe kërkojnë reflektim. Nëse konsiderojmë që shtetet e rajonit prej Greqisë ndahen në pro-amerikanë dhe anti-amerikanë, mentaliteti i ndryshëm midis nesh (Shqipëri-Greqi), ndodhet i futur në një hendek interesash.


Sa i thellë është ky hendek dhe a do mundet të tejkalohet, kjo ngelet për tu parë në të ardhmen detyrimisht të përbashkët.

Wednesday, June 4, 2008

George Carlin.

George Carlin është komediani im i preferuar. E kam zbuluar rastësisht nëpërmjet youtube para disa muajsh dhe që nga ajo ditë nuk kam pushuar duke parë dhe riparë të gjitha pjesët që ndodhen në net.
Më duket thjesht fantastik. Mgjse përdor shumë herë një gjuhë pak të rëndë dhe vulgare, kjo gjithnjë vihet në funksion të bindjeve dhe argumentit që ka dashur të shprehë. Ka një mimikë shumë të këndshme dhe plastike, gjithnjë i aftë të ndjellë emocione nëpërmjet saj. Ka gjithashtu aftësi të veçantë për të renditur dhe mbajtur mend fjalë. Është i paarritshëm, nuk mund të gjej vërdallë një të dytë si ky.





...edhe më pas mendohem...si ka mundësi që ky lloj humori (stand up comedy) nuk ka hyrë akoma si zhanër në Shqipëri? Jo vetëm kaq, por gjithë humori politik kufizohet në shfaqje parafabrikate dhe jo live. Asnjëhere nuk duken me të vërtetë realë aktorët. Shabllone të përsëritura. Artisti shqiptar përgjithësisht shfaq, por nuk shfaqet nëpërmjet bindjeve të tij. Jo më kot aktorët më të njohur të humorit në atdhe janë imituesit.

Besoj se nuk mund të pretendohet për humor të vërtetë dhe cilësor në momentin që vetëm luan me batuta, imiton politikanë dhe programe të huaja duke i përshtatur ato në shqip. Koha e sotme duket e largët nga programi klasik i barcaletave të vitit të ri. Por për fat të keq cilësia e aktorëve tanë ka ngelur po aty, si para 20 vjetësh.




Më lart dy pjesë prej Carlin.
E para, "Stupid people", nuk mund të mos qesh sa herë e shoh.

E dyta "On our similiarities". Shumë e këndshme, gjithashtu. Fundin e ka interesant, shkencor. :D

***
Do ju rekomandoja disa pjesë të tjera prej tij, në pamundësi për t'i përfshirë të gjitha në hapësirën e blogut:
- George Carlin on religion. (është përfshirë në filmin dokumentar shumë të përfolur Zeitgeits)
- Guys named Todd
- We like war
- Feminist blowjob
- George Carlin on stuff.
- Pro life is antiwoman.

Shikim të këndshëm.


Monday, June 2, 2008

Përfundon me sukses çmitizimi i tolerancës fetare.

Lubonja sapo ka përfunduar çmitizimin e tolerancës fetare dhe lidhjen komb-fe duke deklaruar fitoren e kësaj të fundit në tavolinë për shkak se ateistët nuk u paraqitën në fushën e çmitizimit.

Lubonjës i janë dashur tre artikuj në shtyp, një intervistë në gazetë dhe vetëm një koment në blogun e vet për të realizuar çmitizimin me sukses. Nuk dihet cili mit e ka rradhën në rreshtat e Lubonjës dhe fatin e keq për tu çmitizuar. Por ky i fundit, nuk është i pari. Lubonja ka bërë përpjekje për të çmitizuar prejardhjen e lashtë të shqiptarëve ca më parë, dhe burrin e Donikës më së fundi. Prej këtyre përpjekjeve janë konfuzuar sidomos tifozët e djathtë të cilët pas tentativës për ta shpallur Salën Skënderbe të dytë, janë rrekur ta shpallin direkt “Nderi i Kombit” dhe Hero kombëtar.

Boshllëkun që la Gjergj Kastrioti, shumë shqiptarë kanë shprehur vullnetin për ta përmbushur. Ndër ta i gatshëm për të hyrë përsëri në lojë është Fatos Nano. Pas deklarimit “prapa më vjen historia”, Tosi është kujtuar se në fakt historia e ka lënë prapa, në një kazino ku humbi bastin për tu bërë president. Është mësuar se Fatos Nano më së fundi po kërkon një Ferrari për ta parakaluar kështu historinë dhe të arrijë i pari në vijën e finishit. Gara fillon nga Gërdeci e mbaron te bulevardi “Dëshmorët e Kombit”. Lubonja prapë, është munduar ta çmitizojë dhe bulevardin në fjalë, si një përpjekje për tia ndaluar qafëthyerjen e mundshme Nanos por kjo përpjekje ka dështuar pasi Edi Rama ka vendosur restaurimin e tij bashkë me një kurorë me lule te monumenti “Nëna Shqipëri”. Nuk ka mundur të qëndrojë pa u përfshirë në çmitizime dhe mite as ish ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu. Prononcimi i tij në shtyp përmbledh se ka ndryshim nga çmilitarizimi ne çmitizim dhe starti i garës në Gërdec është përgjegjësi e shtabit të ushtrisë dhe jo e tij. Ai ka shtuar më tej se koha do ta tregojë të vërtetën mbi mitet dhe fituesin e garës. Duke i rënë me gisht orës se tij ka përfunduar duke thënë se “koha është flori”...

foto: www.vargmal.org

Sunday, June 1, 2008

Natën e mirë.

Sa herë më thua “natën” çdo mëngjes,
nje tingull i prerë i lënë në mes,
si një cigare e shuar me tymin përpjetë
më ngjan me çkam jetuar unë vetë.
Sa shumë kam dashur të dua,
ti them dikujt "të dua“
Një buzëqeshje të marr si shpërblim.
Sa shumë kam ëndërruar!
Sa shumë, më thuaj!
Gjithnje ka qene nje vegim,
mes meje dhe teje.
(ashtu si tani).
Tymi i cigares i ngjan një reje
që niset diku... me sy e ndjek, pa shpjegim.
Diku më tret humbas dhe unë vetë, në përgjërim
Aty ku te gjeta, dhe te lashe.
Në qetësi …


Diçka ama e di,
megjithëse jemi larg,
mendimet tona bejne dashuri.
Afrohem, largohem, tretem, humbas
dhe në fund ti me thua,
Ik fli.
users online
 
Creative Commons License
Shkrimet e blogut Busulla jane te licensuara nen Creative Commons Autoresi-Jofitimprurese-Vepra te pandryshueshme 2.5 Italia License.