Parrulla më të shpeshta janë “Jashtë NATO nga Ballkani”. “KE, NATO e njëjta sindikatë”, “Vrasës të kombeve Amerikanë” etj. Shpesh parrullat kthehen në demostrata sa herë që ndonjë president amerikan denjon të vizitojë tokën Helene. Deri para pak vitesh nuk mungonin as konfliktet dhe aktet terroriste deri bomba afër ambasadës së SHBA në Athinë. Organizata më e njohur e majtë terroristo-anarkiste ishte 17 Nëntori e cila u gjet dhe u neutralizua në vitin 2004 para fillimit të lojrave Olimpike.
A ka shpjegim llogjik kjo sjellje? Ka. Lidhet kryesisht me ngjarje historike dhe incidente ndërkombëtare. Që fillojnë aty rreth vitit 1967 ku me ndihmën e Amerikanëve u vendos JUNTA ushtarake në Greqi me asistencën dhe bekimin e CIA-s. Arsyet e veprimit të CIA lidhen me moslejimin e Jorgo Papandreut në fitimin e zgjedhjeve të përgjithshme të atij viti. J. Papandreu konsiderohej si i majtë i rrezikshem afërsisht komunist. Sjellja anti interesave greke e SHBA vijon në vitin 1974 me lejimin e Turqisë në ndërhyrjen dhe pushtimin e 1/3 së ishullit të Qipros. Sekretari i jashtëm amerikan, Henri Kissinger në atë kohë thuhet se lejoi këtë ndërhyrje duke u stigmatizuar si një nga antigrekët më të famshëm të të gjitha kohërave. Kjo ndërhyrje historike nuk mund të mos kolorizohej dhe nga folklorizmi popullor mitik. Kështu qarkullon për disa vjet (që prej 1997) se H. Kissinger të ketë thënë një shprehje historike stigmatizuese në lidhjet midis dy shteteve.
Pak a shumë shprehja që i atribohet Kissingerit thotë kështu:
“Populli grek është kryeneç dhe kokëfortë. Për këto arsye i vështirë për tu kontrolluar. Për tia arritur kësaj do të na duhet të mbytim gjuhën, zakonet dhe fenë e tij”Shprehja në fjalë është përgënjeshtruar prej Kissinger vetë, mirëpo i ka kaluar kufijtë e përhapjes në popull duke u bërë si pikë referimi për gjithë grekët dhe mënyrën si amerikanët i shohin ata.
Pas vitit 1974 në shenjë proteste për ndërhyrjen në Qipro, kryeministri i parë i zgjedhur pas JUNTËS ushtarake, Kostandin Karamanlis, del prej NATOs. Kjo solli të tjera peripeci politike në lidhjet midis Turqisë dhe Greqisë.
Bazat e NATOs zhvendosen në Turqi dhe fqinji lindor i Greqisë merr në dorë një rol strategjik në rajon. Greqia rifutet në organizatën ushtarake përsëri pas disa vjetësh por marrëdhëniet midis dy vendeve të rajonit lidhur me incidentet ajrore, detare, vijën bregdetare të tyre, kufijtë e këtyre vijave vijon me shumë incidente të përfshira në këtë situatë. Pika më e nxehtë në marrëdhëniet Turqi- Greqi arrihet në vitin 1995 me incidentin e Imias. Pas atij viti deri në ditët e sotme situata vjen duke u normalizuar, mirëpo konfliktet për kufijtë detarë dhe ajrorë ngelen gjithnjë të hapura. Kthesa e marrëdhënieve midis Turqisë dhe Greqisë shënohet të jetë dorëzimi i liderit të PKK kurd Abdullah Oçalan në ambasadën greke të Kenyas ku ky kishte vajtur të strehohej. Pas dorëzimit të tij, iu ofrua Turqisë një paketë ekonomike dhe turistike qe pasoi me nënshkrimin e saj prej të dy vendeve.
Antiamerikanizmi, përfshin dhe politikën e jashtme greke në shumë aspekte të saj. Konkretisht lidhet me qëndrimet jo miqësore kundrejt Izraelit.Greqia ka votuar kundër në OKB për formimin e këtij shteti në vitin 1947. Ndërsa në masat popullore gëlon një antisemitizëm me rrënjë të thella historike. Opinioni i përgjithshëm nuk ka mundur të qëndrojë indiferent edhe ndaj mbështetjes së kauzës Palestineze. Politika e jashtme greke lidhet dhe me përkrahjen e Serbisë përgjatë luftës së Kosovës (me protesta kundër bombardimit të NATOs në Serbi, por asnjë kundërshtim në lidhje me politikën vrastare të Miloseviçit) Prej Serbisë, shteti grek shikohej gjithnjë si aleati model që i mbështeste në kauzën e tyre të drejtë.
Kohët e fundit, antiamerikanzimi lidhet me konfliktin për emrin e Maqedonisë-FYROM. Shigjeta janë hedhur dhe kundrejt shtetit shqiptar dhe Kosovës duke komentuar flamujt amerikanë që kosovarët mbanin në duar në 17 Shkurt. Përfundimet merren lehtë me mend se ky antiamerikanizëm i përhapur kufizon jashtë mase politikën e jashtme të Greqisë. Arsyet më të shpeshta për këtë sjellje përmblidhen në thënien se “amerikanët nuk kanë miq, por vetëm interesa”. Këto pohime janë të vlefshme deri diku, dhe kërkojnë reflektim. Nëse konsiderojmë që shtetet e rajonit prej Greqisë ndahen në pro-amerikanë dhe anti-amerikanë, mentaliteti i ndryshëm midis nesh (Shqipëri-Greqi), ndodhet i futur në një hendek interesash.
Sa i thellë është ky hendek dhe a do mundet të tejkalohet, kjo ngelet për tu parë në të ardhmen detyrimisht të përbashkët.