Monday, October 26, 2009

Terrori i çmimeve.

Një shqiptar e gjysëm kanë fituar çmime ndërkombëtare këtë tetor duke mbjellë kështu një krizë panuklle reale dhe virtuale në çdo cep të sferës shqipfolëse.
Virusin në fjalë e ka përhapur i pari Fatos Lubonja duke provokuar kështu reagimin fillestar. Lubonja u infektua në Poloni duke pranuar çmimin Sierro Viera de Mello dhe më pas e ka transmetuar infektimin në rrugë orale te Mustafa Nano. Në kohën e marrjes së çmimit, Lubonja ishte veshur tullac, me një xhaketë fine mbi një pulovër ngjyrë bojëqielli. Ky detaj nuk ka ngelur pa u kritikuar. Ngjarja u vlerësua në të gjitha ambjentet e mundshme të informacionit, duke i dhënë theks të veçantë faktit se përpara se ta merrte Lubonja, askush nuk e dinte se ekziston një çmim i tillë, prestigjioz. Kriteret e këtij çmimi, e rritin vlerësimin mbi debatologun e njohur të ekraneve. Konkretisht mësohet se konkurrentët, nuk duhet të jenë më të shquar se emërtimi i çmimit në fjalë dhe gjysma e tyre duhet të kenë vdekur. Vlen të theksohet se Lubonja pasi mori çmimin u këshillua prej jurisë ta ndante atë me Mustafa Nanon, për t’i ofruar këtij të fundit mundësinë të paguajë biletën e kthimit nga Polonia.


Shumë shpejt, qendra e rëndesës së debatit u zhvendos te shqiptari tjetër i vlerësuar me çmim, Ismail Kadare. Këtu kriza fillestare u thellua dhe më keq. Kadare është akuzuar për fjalimin e rastit të marrjes së çmimit. Akuzuesit insistojnë se shkrimtari mediokër shqiptar, kishte mbështjellë bukën me letrën e fjalimit dhe aty gjetën njolla vaj kikiriku. Më pas për të është thënë se ka lozur me top në lagjen e Enverit në Gjirokastër kur ishte i vogël. Akuzat kanë shkuar më tej kur debatues pohuan se diktatori vetë i kishte dhuruar një top të vogël prej letre në të cilin Kadare ka shkruar krijimet e para letrare. Çmimi në fjalë ka shkaktuar krizë ekzistenciale ndër shqiptarët, të cilët ndihen llogjikisht konfuzë kur dikush prej tyre vlerësohet me çmim. Gjithë ky frustrim, nuk mund të mposhtet veç me dije. Shumë kanë hartuar lista me filozofët dhe shkrimtarët e fundit që kanë lexuar dhe janë deklaruar disidentë kundër Kadaresë. Janë ndërmarrë gjithashtu iniciativa në facebook për të krijuar Kadare unfan group me parrullat: “Çmimi i fundit njollë kombëtare”, “Boll kanë vujt shqiptarët prej komunizmit që Kadare të vlerësohet me çmim” dhe “Barcelona – Zaragoza 6-1”.

1 comment:

pakufir said...

hahahhahahahahhaha, me lot Jul kam qeshur, te betohem!

users online
 
Creative Commons License
Shkrimet e blogut Busulla jane te licensuara nen Creative Commons Autoresi-Jofitimprurese-Vepra te pandryshueshme 2.5 Italia License.