Saturday, July 23, 2011

Bledi Mane - the comeback

ARISTOKRACIA E SHKËRDHYER E TIRANËS

Pardje debatoja me këngëtaren Besa Kokëdhima dhe gazetarin Koloreto Cukali pse elitat e këtij vendi janë strukur dhe nuk ndjehen për asgjë. Me shaka e lidhnim pasivitetin e tyre me vapën e korrikut dhe largimin me pushime jashtë Tirane. Ishim dyshues deri diku kur thoshim se elitat i druhen pushtetit së politikës por gaboheshim rëndë. Elitat ndaj janë paria e çdo vendi, nuk i tremb as politika dhe as krimi ordiner, nuk frustrohen apo yshten, nuk komandohen dhe as përdoren. Duke gëzuar një lloj pushteti të paprekshëm, elitarët qëndrojnë aty në qoshen e vet dhe prej andej shpërndajnë rezonancat e pushtetit të tyre historik, të trashëgueshëm dhe të patjetërsueshëm. Elitat mbeten busulla dhe njëkohësisht opozita e çdo lloj pushteti, elitat ndikojnë në formime a shkatërrime qeverish, elitat e mirëfillta jobatakçije qëndrojnë përherë si rubini më i shndritshëm e më i madh i kurorës së trashëguar të çdo monarku. U zgjata paksa por në të vërtetë unë jam skeptik, ende nuk jap dot një përgjigje të prerë dhe të saktë. Unë nuk besoj se ky vend, Shqipëria ime dhe e juaja ka formuar tashmë klasën e saj të lartë, atë kastë njerëzish aristokratë nga portofoli, mendja dhe shpirti gjithashtu.

Ky vend deri në përfundim të Luftës së Dytë Botërore kishte trashëgimtarët dhe familjet e mëdha me emër. Një pjesë kishin mbetur si relike të vjetra të ish Perandorisë Osmane me prona të mëdha, një pjesë tjetër me shkollimet perëndimore që u kishin bërë pasardhësve të tyre, ndërsa pjesa e mbetur e Dyerve Fisnike kishin emigruar jashtë sapo kuptuan që Shqipëria do të bolshevikohej tërësisht dhe çdo shtetas i saj do të ishte i barabartë me shoqi-shonë.

Ndryshe nga monarkia e Zogut, Enver Hoxha i ra shkurt me të marrë pushtetin. Elitën vendase e shpronësoi, e burgosi, e vrau, e përdori për interesa partie dhe emrat legjendarë të Bargjinasve, Vrionasve, Vlorajve, Toptanasve, Zogollëve, Vërlacëve, Bushatllinjve, Frashërllinjve, Markagjonëve, Këlcyrajve, Kryezinjve dhe shumë të tjerëve i fshiu nga historia e re e Republikës Popullore Socialiste, por jo nga memoria kombëtare. Post ’90 ringjalli shpresat për një shtresëzim alla kapitalisto-meritokraci të gjindjes shqiptare, por dy dukuri absurde shkatërruan gjithçka.

1-Trashëgimtarë të lodhur

Ish pinjollët e Elitave të dikurshme përveç mbiemrit ose ndonjë prone të rimarrë me shumë sakrifica u shfaqën të plakur, të lodhur, të rrënuar dhe të trembur për tu përballur me realitetin e ri dhe tepër të egër të tranzicionit shqiptar. Kujtuan se Partia Demokratike me ardhjen në pushtet do t’ju rezervonte honorin që meritonin, por u gabuan. Më pas të grumbulluar rreth Partisë Republikane të Sabri Godos kuptuan se loja politike në Shqipëri nuk kishte rregullat që u kishin mësuar paraardhësit e tyre dhe i ranë shkurt duke lenë partinë më konservatore politike shqiptare në duart e Fatmir Mediut në dejet e të cilit nuk qarkullon “gjak blu”, por thjesht ajo adrenalina që të ysht të vjedhësh shpejt, saktë, shëmtuar.

2-Portofoli plot, mendja fyell

Mes një kaosi model xhungle ku majmuni me krahët më të fortë e me më shumë lesh vjedh, grabit dhe ha për qejf të gjitha bananet e pemës, edhe në Shqipëri grabitja me apo pa edukatë e çdo lloj prone dhe aseti publik a privat krijoi një shtresë të re popullsie.

Ndryshe nga Britania e Madhe konservatore, e cila gjatë viteve ’40 “pranoi në klubin e aristokracisë” edhe individë apo familje të cilat nuk trashëgonin tituj kalorësiakë a prona, por kishin çliruar impakte mbresëlënëse dhe historike në shoqëri me arritjet e tyre në shkencë, politikë, akademizëm, art apo pasurim të ndershëm, kasta e re e tranzicionit shqiptar ishte dhe është një kasolle me dyer të shpartalluara ku futen e dalin modele hajdutësh, fajdexhinjsh, grabitësish me maska a me kollare, ministra a gjykatës 6 mujorësha, kryetarë partish a shoqëri civi(ha)le, kurva bjonde a fitues telebingoje, shoferë maunesh a burgaxhinj të regjur, malësorë trima a zaptues plazhesh, administratorë universitetesh apo pronarë tavernash tallavaje… Kjo elitë e re model Moskovito-Jelciniano-Putinian fatkeqësisht shpronësoi dhe mbivendosi asetet, vlerat, meritat, traditat dhe deformoi totalisht historinë e Elitarëve të vërtetë vendas. Riktheu në pikën zero 100 vitet e establishmentit të aristokracisë modeste shqiptare dhe pa respektuar asnjë lloj rregulli zaptoi me forcë edhe piedestalin honorifik të rezervuar për Ata.

Shikoni me vëmendje çfarë liderësh politikë kemi, kontrolloni mes deputetësh për ndonjë pinjoll të familjeve të denja, numëroni dhe listoni miliarderët e rinj dhe mes tyre nuk do të gjeni askënd që nuk gënjen sesi u pasurua brenda 24 orësh. Ndryshe nga Zani Caushi i Çoles (Vlorës) heroike që nuk diti të mbijetonte si një skifter i lirë, këta milionerët e tjerë të rafinuar kopjuan disi hajdutin Robin Hud, por me një përjashtim të vogël: çka vodhën dhe vjedhin nuk ia falin popullit, por e investojnë për fushatat elektorale të individëve me fitore të garantuar me procedurë.

Ndryshe nga milionerët e rinj, inteligjenca e këtij vendi në dukje më e rafinuar (me përjashtime të rralla) ende vazhdon të përdoret nga pushteti dhe të pasurit. E varfër financiarisht, inteligjenca elitare shqiptare për hir të ushqimit të përditshëm apo pushime verore në Bodrum të Turqisë përkulet si shufër alumini sa herë që pushtetit, medias apo biznesit privat i duhet për fasadë. Me disa plus-minuse të vogla kemi qysh prej 60 vjetësh në qarkullim rreth 500 emra të njëjtë të spikatur intelektualësh, të cilët i qëndruan afër shokut Enver kur u prishëm me Bashkimin Sovjetik dhe me Kinën, i qëndruan pranë shoqes Nexhmije Xhunglinit në ditët e kobshme të vdekjes së Komandantit, këshillonin Ramiz Alinë dhe shoqen Lenka deri në dhjetor të 1990-ës e ndërkohë kthyen timonin djathtas drejt yllit të ri që po lindte në horizont, Sali Berishës. I bënë fresk Doktorit deri sa Fatosi i Rexhina Nanos doli nga burgu më 1997 dhe ende pa gëzuar ky i fundit lirinë dhe të qenit kryeministër përqafuan plot dashuri djelmoshat freshistë Majko dhe Meta. U rikthyen dhe një herë pranë Fatosit të Xhoana Nano Nanos dhe qysh nga korriku i 2005 u ka shpërthyer një dashuri e madhe për Sali Berishën e sado që kanë kaluar 6 vjet nuk u shterron kollaj. Kjo Elitë shihej shpesh nëpër ekspozitat e pikturës së Edi Ramës, por që nga 15 maji i këtij viti po shijojnë më shumë karikaturat e Bujar Kapexhiut që i ekspozon në korridoret e Universitetit Evropian të Henri Çilit. Pa frikë mund të firmosin edhe peticione kundër vetëdeklarimit të kombësisë, fesë, kundër prishjes së piramidave apo vrasjeve me çadra pistoletë, por nëse Doktori shfaqet i brengosur në foltoren e Parlamentit, nuk e kanë për gjë ta bëjnë hasha çka kanë thënë një ditë më parë e për tu justifikuar mallkojnë mediat e Tiranës për manipulim lajmi.

Pra kemi dy modele të ndryshme Elite “made in Albania” futur në një thes:

-milionerët arrogantë hajdutë me zë të trashë, me BMW X5, veshur me pantallona të zeza, këpucë të zeza me majë dhe çorape të bardha, ndërsa grupimi tjetër janë intelektualët e pispillosur rrogëtarë që vegjetojnë dhe i bëjnë fresk pushtetit pavarësisht se lideri është një monark me sy bojëqielli nga Mati, një diktator bukurosh nga Gjirokastra, një xhuxh vjenez kapadai me dy gra, një doktor tropojan që të bën synet sa herë që nuk i pëlqen modeli, apo një ish kryebashkiak tiranas që e ka gjetur belaja me vjedhjen e votave. T’i klonosh këto dy modele dhe t’i etiketosh Elitë duhet të jetë përgjegjësi e madhe historike. Kam frikë t’ia ngop Atdheut tim këtë lloj Parie se duke kryqëzuar milionat e grupit të parë me inteligjencën e grupit të dytë mund të më lindë ndonjë specie e veçantë dhe e frikshme.

Ju të nderuar lexues mund të më kundërshtoni, mund të flisni me superlativa për Elitën e re të këtij vendi, mund të krahasoni Mit’hat Frashërin me Fahri Balliun, Jusuf Vrionin me Namikun e Majlinda Bregut, Hana Këlcyrën me Aurela Isufajn, Faik Konicën me Henri Çilin, por unë do tu kundërshtoj prerë dhe pa ekuivok:

Jo, Tirana nuk ka aristokraci të mirëfilltë, nuk ka fisnikë trima me gjak blu, mendjekthjellët e altruistë komunitarë (me përjashtime të vogla fare). Tirana ka vetëm sahan(bythë)lëpirës!

No comments:

users online
 
Creative Commons License
Shkrimet e blogut Busulla jane te licensuara nen Creative Commons Autoresi-Jofitimprurese-Vepra te pandryshueshme 2.5 Italia License.