Nën tingujt me titullin më lart, prezantohet pika kulminante e këtij kampionati Europian. Finalja.
Ftesës për të zbritur në fushë do përgjigjen dy nga skuadrat më të organizuara në Evropë. Spanjë dhe Gjermani.
Torot janë të kompletuar. I kanë të gjitha.
Kanë shtyllë kurrizore – Sena. Promotori, motori i skuadrës që kontrollon mesfushën, krijon përpara dhe ngjall siguri mes shokëve të skuadrës. Sipas Aragones, ai është barometri spanjoll. (ok, jo tamam spanjoll, i natyralizuar modë e re kjo evropiani) Shtyllat vertebrale në mesfushë plotësohen prej një Fabregas në formë, krijues, zotërues, ekuilibrues i saj. Sipas skemës së përdorur prej Aragones vend midis tyre mund të zënë dhe Xavi apo Iniesta.
Aksin vertebral plotëson Poyol gjithnjë i qëndrueshëm në mbrojtje, luftarak me shpirt dhe mendje të palodhur. Pranë i bën shoqëri dhe Marchena. Ndërsa companeiros nga krahët kanë Sergio Ramos dhe Capdevilla.
Torot kanë bisht. Casillas nuk lë mizë ti prekë vithet demit. Reflekse të mahnitshme, nerva kampioni të vërtetë, siguri në zotërim dhe një shanc më shumë për të ngritur kupën.
Torot kanë brirë. Dy brirëshi i sulmit ka qënë gjithnjë në punë, i mprehur dhe i frikshëm. Kryeson Villa me 4 gola (mgjse pjesëmarrja e tij vihet në dyshim)
Por as Torres i Liverpool nuk ngelet pas në stil dhe klas. Dyshimet për Villën kanë vënë disi alarmin në kampin e Aragones, të cilit i kërkohet të gjejë zgjidhje në këtë repart. Mgjse shprehjen shqipe “pa brirë ti je mbret” ai nuk e di, vështirë se do e merrte për të vërtetë. Në këtë finale, prej skemës ndoshta do shohim për herë të parë në histori dem “unicorn”.
Të mos harrojmë panzerat.
Të cilët edhe kësaj here u treguan të përpiktë në takimin për finalen e Evropianit.
Kalimi i grupit nuk pati asnjë vështirësi për ta, pastaj favoritja Portugali në ndeshjen e rradhës mundet vetëm me forcën e mendimit. Turqia reziston fort po në fund nuk ia del dot
Panzerat gjithsesi nuk kanë bindur në asnjë ndeshje nëse përjashtojmë atë me Portugalinë. Por kanë dëshirë dhe vullnet për të fituar. Gjithnjë të tranformueshëm në finale si skuadër favorite. Nëse i besojmë kulturës futbollistike, nuk duken dhe aq larg kupës sa prej statistikave.
E ndërtuar nga një trajner i ri, pa shumë eksperiencë, e ardhur prej një shijeje të përzjerë nga Botërori i kaluar ku arritën të zinin vendin e tretë. Tani trokasin prapë në ndeshjen finale dhe kërkojnë atë që sipas gjermanëve duhet të jetë e tyre: Kupën.
Ekuilibri i skuadrës dhe dallimi i elementëve kryesorë te ajo, besoj se kanë shqetësuar Low, më shumë sesa mua në këtë shkrim.
Filloi me 4-4-2 pastaj vazhdoi me 4-4-1-1. I quajtur talent, Gomes zhgënjeu për këtë u detyrua trajneri të ndërrojë skemën. Pastaj Podolski u zhvendos nga sulmi në krahun e majtë të mesfushës. Ekuilibri u gjet. “më jepni një levë, dhe një pikë referimi t’i prish ekuilibrin tokës” ka thënë Arkimedi. U jap një Low t’i gjejë ekuilibrin Gjermanisë. Po pika e referimit? Në fakt nuk është një e vetme. Janë disa.
I pari është kapiteni Ballack. Mgjsë i lëkundur si anija të cilën drejton, ka arritur të nxjerrë në pah vlerat e tij. I dyti është Podolski, më produktivi nga skuadra. I frikshëm para portës, edhe tani kur i duhet të përshkojë disa metra më shumë për të arritur deri aty. I treti është Schweinsteiger, filozofi i mesfushës, në sajë të meditimeve të veta Gjermanisë i ka shtuar disa pikë sigurie. Dhe i fundit vjen prej krahut të majtë nga mbrojtja. Ushtari i vogël Lahm. Aty prej këmbëve të tij ka rrënjë zanafilla e çdo sulmi, por në disa raste po nga këmbët e tij vjen dhe fotofinishi i min 93’ si në rastin me Turqinë.
Si përfundim:
Ratio-grafia u bë. Këto janë ngjyrat e finales. Por gjatë këtij botërori, morën pjesë shumë ngjyra të tjera. Të gjitha i shtuan nga një shije. Disa atë të humbjes, hidhërimit, zhgënjimit, shpresës, hakmarrjes, shpotive të ndërsjellta midis tifozësh e shumë shumë efekte të tjera anësorë që janë produkt TM i futbollit ekskluzivisht. E tani i sheh lojtarët të kapur për krahu në rreth. U duhet thënë faleminderit për spektaklin e ofruar dhe urojmë t’i shohim prapë pas dy vjetësh në Botëror.
foto është marrë nga selmaderadio: http://selfmaderadio.blogspot.com/