Thursday, December 11, 2008

Asgjësim buratinësh


Hej ti buratin,
shkaravinë e mendjes time,
të ndërtova me këto duar.
nga dëshira dhe nevoja
...për të të akuzuar.
Buratin krijesa ime,
delli i imagjinatës time.
Aty rri i shtrembër,
ashtu si të kam në mendje,
në ndihmë më vjen me ëndje
sa herë sorrat më pushtojnë mendimet.
Buratin, je i shtrembër
Pa ndjenja,
pa zemër.
Ato i kam vetëm unë!
Sepse buratin, nuk t’i dhashë
majë shkopit kur të lashë.
Ti po më përqesh,
brenda boshllëkut tënd
me gojën vesh më vesh.
Buratin je patetik!
Buratin,
ushtar prej kashte buratin,
ti je flamuri im,
kur të ngul majë një toke,
pushtimin e saj bëj legjitim.
Buratin ke për himn,
belbëzimin e marrëzisë.
Buratin
je komunist,
Ekstremist,
Anarkist.
Je dhe antiglobalist ti buratin.
Me listë -istësh të pafundme,
nga të cilat jam çliruar
prangat i kam dorëzuar,
dhe të kam denoncuar, ty!
Buratin ti nuk shikon,
megjithëse prej lecke ke një palë sy.
Më pengon hija jote,
ajo goja e hapur idiote,
fjalët që dalin prej aty...
Se ti flet e nuk di çfarë thua,
ndryshe nga mua,
që fjalët i bëj varg.
Me to të djeg po të dua.
Flakë prej qiellit marr hua,
dhe të lëshoj një mallkim.
se koka jote prej kungulli,
nuk mund të njohë pendim.
Dhe kur digjesh të shikoj.
Përmes flakëve çliroj,
gjithë vrerin e shpirtit tim.
Ti përmes flakësh po qesh.
Dhe unë,
me gojën vesh më vesh.
Zjarri i dijes, Promete,
Të fshiu nga ky dhe.
Dhe unë,
ndërsa ti në varr,
po var,
triumfin - pa hark,
Ekzekutim pa gjak.
Pastër.
Prehem,
në diellin me dije
mbi hi.

Derisa shikoj një hije,
sorra mendimesh përsëri...
Buratin,
... më duhesh e kuptoj.

No comments:

users online
 
Creative Commons License
Shkrimet e blogut Busulla jane te licensuara nen Creative Commons Autoresi-Jofitimprurese-Vepra te pandryshueshme 2.5 Italia License.