Monogram (Odisea Eliti 1972)
I.
Do mbaj zi përjetë - më dëgjon? për ty.
vetëm, në Parajsë.
Diku tjetër do i kthejë vijat
e dorës, Fati si klepsidër.
Për një moment dhe Koha do jetë dakort.
Po si ndryshe, kur dy njerëz duhen.
Do nderë qielli të përbrendshmet tona
dhe do godasë botën pafajësia
me heshtën e të zesës, e vdekjes.
II
Mbaj zi për diellin dhe për vitet që vijnë,
pa ne. Dhe këndoj për të tjera që ikën,
nëse janë të vërteta.
Të përfolura trupat dhe varkat ëmbël u përplasën
Kitara që u ndezën dhe u shuan nënujë.
Ato "më beso" dhe "mos",
njëra ajër, tjetra melodi.
Dy kafshët e vogla, duart tona,
që kërkonin rrugën përmbi njëra-tjetrën
Saksia me barbarozë në dyert e hapura,
Dhe copëzat, detet që vinin bashkë
Pas gurëve shterpë, pas gardheve,
Anemonën që të ngeli në dorë
Dhe ti u drodhe tre herë, e mekur tre ditë,
mbi ujëvara.
Nëse këto janë të vërteta po këndoj,
shtylla prej druri dhe tabloja katrore,
në mur, sirena me flokët lëshuar,
macja, që mes errësirës na pa.
Djali me temjan dhe kryqin e kuq
Në perëndim përmes shkëmbinjsh të paprekur.
Mbaj zi për robën që preka dhe u bë botë.
III
Kështu flas për ne të dy.
Sepse të dua, dhe në dashuri di,
të hyj si Hënëplotë.
Nga kudo, për këmbën tënde të vogël mes mbulesash përtokë
jargavanë të çpoj - dhe kam fuqi
Të përgjumur, me një frymë të të çoj,
Mes udhësh hënës dhe fshehtësish deti
Pemë të hipnotizuara me merimanga që argjendërojnë.
Dëgjuar i kanë valët
si përkëdhel dhe puth
Si thua me pëshpërimë "si?" dhe "ok"
Përreth gushës në gji
Si gjithnjë, dritë dhe hije unë dhe ti.
Gjithmonë ti yllëza, dhe gjithmonë unë, i errët në lundrim.
Gjithmonë ti gjiri i detit, unë feneri në të djathtë.
Moli i lagur dhe drita mbi rema.
Lart në shtëpinë me pjergulla.
Trëndafilët e lidhur buqetë dhe uji i ftohtë në gotë.
Gjithmonë ti, statuja prej guri, dhe gjthmonë unë hija që zmadhohet.
Qepeni i anuar ti, era që e hap unë.
Sepse të dua dhe të dua.
Gjithmonë ti monedha, unë adhurimi që e çmon.
Sa nata, aq fishkëllimat e erës
sa vesa në ajër, sa heshtja.
Përreth deti, diktator
dritare e qiellit me yje.
sa më e vogla frymë e jotja.
Që më nuk kam asgjë
mes katër muresh tavanit dhe dyshemesë
Të thërras për ty dhe të më godasë zëri im
Të mbaj erë ty dhe të egërsohen njerëzit
sepse të pashijuarën dhe të ardhurën nga larg
nuk e duan njerëzit, dhe është akoma shpejt, më dëgjon?
Është akoma shpejt në këtë botë për ne zemra ime.
Të flas për ne të dy.
IV.
Është akoma herët në këtë botë, më dëgjon?
Nuk janë zbutur akoma bishat, më dëgjon?
Gjaku im i humbur dhe me majë ngulur, më dëgjon
Thika,
Si një dash rend përmes qiejve
dhe klonet e yjeve shkatërron, më dëgjon?
Jam unë, më dëgjon?
Të dua, më dëgjon?
Të mbaj dhe të çoj dhe të vesh
të bardhin e nusërisë, fustanin e Ofelisë, më dëgjon?
Ku po më le, ku shkon dhe kush, më dëgjon?
Prej apokalipsit dorën sta lëshon.
Të mëdhatë të varurat bimë dhe llavë vullkanesh
do vijë dita, më dëgjon
Të na groposin, dhe mijëra vite të përtejmë
Me ceremoni do na gurëzojnë, më dëgjon?
Të shndërrijë mbi ta ligësia, më dëgjon?
E njerëzve
Dhe njëmijë copë të na ndajë.
Në ujë një më një, më dëgjon?
Thumbat e hidhur të mi numëroj, më dëgjon?
Dhe janë vitet një kishë e madhe më dëgjon?
Ku dikur, ikonat
E shenjtorëve
Nxjerrin vërtetë lotë më dëgjon?
Kambanat hapen përlart, më dëgjon?
Përmes një rruge të thellë të kaloj
Presin ëngjëjt me qirinj dhe psalme zije
Kurrkund nuk shkoj, më dëgjon?
Ose asnjë, ose të dy më dëgjon?
Këtë lule të shtrëngatës dhe më dëgjon?
të dashurisë
E premë një herë e përgjithmonë
Sepse nuk bëhet përsëri të çelë, më dëgjon?
Në tjetër tokë, në tjetër yll, më dëgjon?
Nuk është dheu, nuk është ajri
Që prekëm i njëjti, më dëgjon?
Dhe asnjë kopshtar nuk u lumturua në tjetër kohë.
Nga kaq dimër dhe kaq erë veriu më dëgjon?
Të shpërndajë lule, vetëm ne më dëgjon?
Mes, në mes të detit
Nga e vetmja dëshirë e dashurisë më dëgjon?
Ngritëm një ishull të ri, më dëgjon?
Me shpella me kepe dhe gremina të lulëzuara
dëgjo, dëgjo...
Kush flet mes ujit dhe kush vajton - dëgjon?
Jam unë që thërras dhe jam unë që vajtoj, më dëgjon?
Të dua! Të dua, më dëgjon?
V.
Për ty kam folur në kohë të largëta
me luftëtarë të vjetër rebelë dhe mëkuese të urta,
Për çfarë arsye ke pikëllimin e egërsuar
Kthjelltësinë në ballë të ujit gurgulluar
dhe pse, tha, afër meje të vije
Që nuk dua dashuri, por erën dua
Por dua rendjen e detit ngrefur, zbuluar.
Dhe për ty askush nuk kishte dëgjuar
për ty, as diktami, as kërpudhat
në viset e larta të Kretës, asgjë
Vetëm për ty pranoi i madhi Zot të më marrë përdorë.
Pak më këtej, ca më tutje, me kujdes përreth
Në fytyrën e bregdetit, në gjijtë, në flokë
në kodrën valëzuar në të majtë.
Trupi yt me qëndrimin e pishës vetmuar
sytë e krenarisë dhe kthjellët
thellësisë, brenda në shtëpi me studion e vjetër
dantellat e verdha dhe dru qiparis
I vetëm duke pritur ku më parë do dukesh
lart në dhomë, apo pas pllakave të avllisë.
Me kalin e Shenjtorit dhe me vezën e Ngjalljes.
Si prej ndonjë afresku të shkatërruar
Madhështor aq sa të deshi e vogla jetë
Të futësh brenda në qiri, dritën vezulluese vullkanore.
Që askush të mos e ketë parë e dëgjuar
asgjë mes shkretëtirës shtëpive të shkreta
As pararendësi i varrosur aty, në cep të oborrit.
Për ty, as plaka e urtë në yshtjet e veta.
Për ty vetëm unë, edhe melodia mundet
që përzë brenda meje por ajo kthehet më e fortë
Për ty, gjoksi i paformuar i dymbëdhjetë viteve
I kthyer në të ardhmen me krater të kuq
Për ty si karficë aroma e hidhët
Që më gjendet në trup dhe më çpon kujtesën
dhe ja dheu, ja pëllumbat, ja toka jonë e lashtë.
VI
Shumë kam parë, dhe toka më duket përmes mendjes më e bukur
më e bukur mes avujve të artë
Guri i mprehur më i bukur
i errëti blu i istmeve dhe çatitë mes valëve.
Më të bukura rrezet që pa i shkelur kalon
E pamposhtur si zonja e Samothrakës, lart mbi malet
e detit.
Kështu të kam parë dhe më mjafton
Të ketë dalë gjithë koha pafaj
Përmes gjurmës që lë ecja jote pas
Si delfin i ri pa përvojë të ndjek
Dhe të luajë me bardhësinë dhe të kaltrën shpirti im!
Fitore, fitore ku kam dalë pafitim
Përpara dashurisë dhe bashkë
përballë orëve dhe lules së pasionit
Ti shko, shko dhe unë le të humbas!
Vetëm dhe le të jetë dielli që mban një fëmijë
të porsalindur,
Vetëm, dhe le të jem unë mëmëdheu që mban zi
le të jetë fjala që dërgova mbajtëse gjethesh dafine
Vetëm, era e fortë dhe vetëm gjithësfera
gjëmb në pulitjen e thellësisë së detit t'errët
Peshkatari që gjeti dhe hodhi prapë përtej kohës, Parajsën!
VII
Në Parajsë kam vënë në sy një ishull
të pandryshëm, ti dhe një shtëpi në det.
Me krevat të madh dhe derë të vogël
Kam hedhur në hapësirë një jehonë
për tu parë çdo mëngjes sa zgjohem
të të shikoj, gjysmën duke kaluar në ujë
dhe gjysëm duke të vajtuar në Parajsë.
Subscribe to:
Post Comments (Atom)
2 comments:
Ti e ke perkthyer, por ngjit aq frikshem, sikur e ke shkruar vete :)
Me la aq pa fjale, sa shih, theva heshtjen :)
I bashkohem komentit siper :)
Post a Comment