Sunday, July 18, 2010

Futbolli total

Meqë u bë objekt debatesh kjo temë, por edhe çështje kurioziteti, më shkoi në mendje të shkruaj diçka mbi futbollin total, vendin dhe kohën kur pati sukseset e veta dhe impaktin mbi taktikat e futbollit në të ardhmen.


Hyrje.

Fillimisht thuhet se rrënjët e futbollit total gjenden në traditën e klubit futbollistik më të njohur në Hollandë, Ajaksit të Amsterdamit. Për referencë, disa shkojnë shumë pas në kohë, në vitet 1915 -1925, atëherë kur një gentleman anglez i quajtur Jack Reynolds, ishte trajner i ekipit të Ajaksit. Reynolds merr meritat për tu quajtur ndoshta pioneri i parë i këtij sistemi që më vonë do të vihej në zbatim prej ish lojtarit dhe dishepullit të tij Marinus Michels.

Për mendimin tim, vitet në të cilat Reynolds ishte trajner, ishin të tilla që nuk lejonin shprehje të mirëfilltë taktikash moderne. Vetë futbolli luhej në mënyrë amatoreske (Ajaksi ishte klub amator në atë periudhë), por edhe fryma e kohës, pak para luftës së parë dhe të dytë botërore, nuk linin shumë vend për tu zhvilluar ashtu siç është sot, sporti më i bukur në botë.
Atë për të cilën hodhi themelet Reynolds, do ta vazhdonte dhe perfeksiononte Rinus Michels. Michels gjatë gjithë karierës së tij ka luajtur me Ajaksin në 264 ndeshje duke shënuar 122 gola. Koha kur luante përkoi gjatë dhe pas luftës së dytë botërore, duke ia zbehur shancet për një karrierë më të suksesshme si futbollist. Por atë që nuk arriti si lojtar, Michels e kompesoi duke u kthyer në një nga trajnerët më të mire në botë me Ajaksin.


Gjithçka filloi në vitin 1965 për “gjeneralin”, siç e quanin vetë lojtarët hollandezin legjendar. Atëherë kur mori frenat në dorë të skuadrës së tij të preferuar dhe duke patur në fidanishten e akademisë një farë tipi, çun të ri, me emrin Krujf. Ajaksi sezonin e mëparshëm rrezikonte të binte nga kategoria dhe vetëm një vit më pas, do të fitonin kampionatin hollandez, pas shumë vitesh pritjeje.


Knock knock knocking on Europe’s door.


Viti 1966 do të gjente Ajaksin në Kupën e Kampionëve të atëhershme, si fitues I kampionatit vendas. Kupa atëherë kishte format të ndryshëm nga ky I sotmi, dhe për ata që nuk e dinë, vetëm skuadrat kampione të vendeve respektive mund të merrnin pjesë.
Në fillim Ajaksi kalon lehtësisht Besiktasin në fazën e parë të Kupës dhe në fazën e dytë, i duhet të përballej me një nga skuadrat më të respektueshme të kohës – Liverpoolin. Liverpool i atëhershëm, jo vetëm që ishte një skuadër e fortë, e rangut të Barcelonës, apo Realit sot, jo vetëm që Anglia atë vit kishte fituar Kupën e Botës duke iu rritur prestigji ndërkombëtar, por gjithashtu drejtohej edhe nga një prej trajnerëve më me emër të çdo kohe në futboll. Legjendarit Bill Shankly.
Shankly përballë Michels. Do të ishte një ndeshje titanësh. Skuadra prestigjoze prej Anglisë vihej përballë rebelëve ambiciozë të Amsterdamit. Çka do të ndodhte në atë ndeshje, do merrte më pas përmasa epike. E gjitha është përshkruar këtu, dhe më mire se aq unë smundem të bëj. (leximi është interesant nëse keni kohë dhe doni të kuptoni diçka më shumë për taktikat dinake të një Van Gaali 15 vjeçar) Por impakti që kishte kjo fitore e çunave të Ajaksit në këtë ndeshje, do të ishte tepër i madh. Pas kësaj fitoreje, do të kishin mundësinë, vetëbesimin dhe vendosmërinë për tu bërë një nga klubet më të famshme në Evropë dhe gjithë botën.
Procesi i ndërtimit të një skuadre dhe një ambicjeje të tillë, zgjati disa vjet. Në vitet në vazhdim Ajaksi humbet në fazën e pare eliminatore kundër Realit. Viti 1969 i çon deri në finale kundër Milanit, dhe përveç finales, humbin dhe kampionatin vendas, pa patur të drejtën që të përfaqësoheshin në Evropë. Lavdinë për të qenë klubi i parë Hollandez që fiton Kupën e Kampionëve, ua rrëmben Fejënordi, kur në 1970, e fiton këtë në finale me Celtic madje duke pasur në pankinë Ernst Happel. Austriakun që do të udhëhiqte kombëtaren hollandeze në kupën e botës 1978 në Argjentinë.

Kampionë.

Sezoni 1970-1971 do të ishte ai ku skuadra tashmë e pjekur e Ajaksit, do të tregonte potencialin e vet në fushë dhe do të mahniste për tre sezonë rradhazi gjithë Evropën.
Përgjatë suksesit të tyre këtë vit, një kuriozitet i vogël është se kaluan edhe nga Tirana në fazën e parë, duke mundur 17 Nëntorin e atëhershëm me rezultatin 4-2. 2-2 në Tiranë dhe 2-0 në Amsterdam. Nëse nuk gaboj, Medin Zhega ka qënë atëherë në formacionin e Tiranës, madje ka dhënë dhe intervistë për këtë ndeshje.
Në fazat e mëtejshme Ajaksi mund me rradhë Basel, Celtic dhe Atletico për tu gjendur në finale me skuadrën greke të Panathinaikos të cilën e mund 2-0. Ky vit dhe dy të tjerë më pas do të shihnin Ajaksin si mbretin e Evropës dhe futbollin total në zenitin e vet. Largimi i Michels pas 1971-shit, nuk ndikoi në lojën e skuadrës, zëvendësuesi i tij Kovaç, u tregua i denjë në rolin e paraardhësit të vet. Nuk ishte njësoj pas largimit të Krujfit drejt Barcelonës pas dy viteve. Pasi humbi yllin e vet, gjigandi tashmë prej Amsterdami ra në gjumë të thellë, për tu rimëkëmbur më pas në mesvitet 90’
Nuk ishte njësoj ama me futbollin total. Ky kishte edhe një shfaqje të fundit për të dhënë. Atë të kupës së botës në Gjermani, në vitin 1974.

Kampionë, pa kurorë.

Pjesëmarrja në turneun e Kupës së Botës në vitin 1974, është shfaqja më impresionuese e futbollit total. Kjo për disa arsye.
Arsyeja e parë, është cilësia e turneut. Vërtet që në nivele klubesh Ajaksi ishte i pamposhtur, por tjetër vlerë ka futbolli i klubeve dhe tjetër kupa e botës. Sfida është gjithashtu e ndryshme. Një tjetër ndjenjë të jep përballja me skuadrën kombëtare të Brazilit, Argjentinës dhe Uruguajit të atëhershëm, të pakrahasueshme me çdo sfidë tjetër që mund të ofrojë fusha e blertë.
Një arsye tjetër është, se Hollanda tashmë, ishte një skuadër e kompletuar nga ana taktike. Kishte një mënyrë të veçantë dhe të ndryshme loje nga çdo skuadër tjetër në planet – deri atëherë. Ky turne, do të jetë mundësia më e mirë për të analizuar taktikisht si luante Hollanda.
Një arsye tjetër akoma, është se të gjithë dritat prozhektorët, televizorët, do të binin mbi skuadrën tulipane, ku çunat bjondë flokëgjatë do të jepnin shfaqje. Kjo ishte dhe arsyeja pse të shumtë ishin ata që i deshën portokallinjtë që prej asaj dite.
Një arsye tjetër, ishte se gjenerali u kthye. Ai do të vendosej në timonin e “Oranje mechanica-s” Madje ai do të ishte arsyeja pse Hollanda dha këtë shfaqje.

Nuk do të kishte vend më të mire ku të analizohej futbolli total në gjithë magjinë e vet sesa turneu i 1974. Dhe meqë e mora këtë barrë përsipër, më ngelet që ta shpjegoj.

Formacioni taktik i skuadrës.

Problemi i parë që do të haste Michels, ishte ai i gjetjes së lojtarëve të duhur, për të vënë në punë makinerinë tulipane. Kandidatë kryesorë, do të ishin lojtarët që kishte stërvitur, apo stërviste akoma vetë, fillimisht tek Ajaks, dhe më pas te Barcelona. Prej katalanasve do të sillte me vete Krujfin, dhe Neeskens. Prej Fejënordit do të merrte Van Hanegem dhe Jansen, gjithashtu dhe mbrojtësin e qendrës Rijsbergen. Resenbrik do të vinte prej Anderlehtit të Belgjikës dhe të mirënjohurit tashmë Krol, Rep dhe ish trajneri ynë i kombëtares Ari Haan, do të ishin shtylla e skuadrës.

Është interesante vetë zgjedhja e këtyre lojtarëve prej Michels. Ai mori në skuadër lojtarë që mund t’i përgjigjeshin një mënyre të caktuar loje, siç ishte futbolli total. Lojtarët e Fejënordit dhe Ajaksit, ishin të njohur me këto taktika, prej kampionatit të tyre. Resenbrik u përshtat me skuadrën… por problem ishte mbrojtja, që t’i bie shkurt, qëndërmbrojtësit e formacionit bazë, ishin dëmtuar. Një vend mund ta merrte Rijsbergen ndërsa tjetri ngelej bosh. Krujfi i sugjeron Michelsit të vendosë Haan si qendërmbrojtës. Ky më parë luante si mesfushor mbrojtës. Normalisht, me një sistem ku pozicionet e lojtarëve ndryshohen, nuk do të ishte problem. Mirëpo kishte arsye pse Haan u vendos aty. Skuadra hollandeze ishte egërsisht sulmuese. I duhej dikush në qendër të mbrojtjes, të mundej të luante lart në fushë, në ndihmë të mesfushës. Ekuivalenti i sotëm psh (shumë konservativ), do të ishte mënyra si luan Pique te Barça.

Meqë mbrojtja do të luante lart me presing në fushë, atëherë vështirësia vinte tek mbyllja e vrimave që linte pas. Një mënyrë taktike për t’i mbyllur këto vrima, ishte dhe për herë të parë u zbatua, offside taktik. Në momentin që kundërshtarët do të kishin topin dhe të avanconin përpara, “Oranje mechanica” hidhej e gjitha në sulm, duke lënë zbuluar sulmuesit. Ishte goxha argëtuese diçka e tillë, sidomos në ndeshjen e parë me Uruguajin, kur sapo latinët vendoseshin për sulm, pesë gjashtë prej tyre dilnin offside që me topin e parë.

Mirëpo kaq nuk mjaftonte… kështu Michels, pati një ide më të çmendur akoma… të bënte një lojtar të veçantë si mbrojtës të katërt (kur Haan të shkonte para). Dhe për këtë punë, zgjodhi… portierin. Portieri i Hollandës së atëhershme, nuk ishte më i miri në “treg”. Jongbloed ishte 34 vjeç, luante me Amsterdamin (jo Ajaksin), karriera e tij nuk ishte shumë impresionuese. Ai u zgjodh në këtë rol, për aftësitë e veçanta të pasimit dhe lojës me top që kishte.

Dhe imagjinoni, këto gjëra ndodhnin në vitin 1974!! Atëherë kur portjeri (deri në vitin 1990), mund të zotëronte me duar çdo pasim të shokëve të skuadrës.


Krujf.


As volume të tëra librash nuk do të mjaftonin për të përshkruar dhe për të ndjekur aftësitë e këtij lojtari gjenial, që në mënyrën e veçantë sesi luante, vizionin e mprehtë që kishte në fushë, mënyra sesi drejtonte skuadrën me njërën dorë lart, duke i udhëzuar se ku të lëviznin, mënyrën e veçantë të pasimit, driblimit ndërrimit të pozicioneve dhe shpejtësisë në lojë… Krujf ishte mishërimi vetë i gjithë futbollit total. Në një përmbledhje të vogël, po themi që Krujf kishte aftësinë dhe lirinë e veprimit kudo në fushë. Mund të merrte topin prej mbrojtjes, mund të ishte qëndërsulmuesi, mund të hapej nga krahët etj. Vizioni dhe aftësia e tij si futbollist e bënin Hollandën e 74’ një organizëm shumë dinamik.

Vetë ekzistenca e një lojtari të tillë, do të ishte inovacion për futbollin. Shumë takticienë të sotëm, mbështeten mbi mënyrën sesi ai luante për të provuar sisteme të reja me skuadrat respektive. Nuk besoj se ka, as mund të ketë lojtar të dytë në botë me këtë impakt në lojë dhe në taktikë. Vetë finalja e botërorit që sapo kaluam e vërteton këtë. Hollanda, skuadra që e lindi dhe e krijoi, u vendos përballë krijesës shpirtërore të tij, Spanjës, Barçës së Krujfit.
Por edhe trajnerë të tjerë si Butragenjo, Spalleti, Bielsa, Tele Santana, kanë gjetur frymëzim tek ai dhe mënyra sesi luante. Butragenjo do të thoshte madje: futbolli ndahet në dy epoka, atë para Krujf dhe atë pas Krujf.

Një shembull i vogël për ndikimin e lojtarit në mënyrën sesi luante, është formacioni pa sulmues qëndror. I përdorur me sukses relativ në Romën e Spalletit, kur këtij i mungonin sulmues, ai vendos Tottin në qendër (si sulmues i fshehur) dhe udhëzon lojtarët anësorë të marrin pozicione qendërsulmuesi kur janë në sulm. Kjo e bënte skuadrën e Romës të paparashikueshme në lojë dhe shumë efektive.

Pressing.


Një veçanti e skuadrës hollandeze të futbollit total, ishte pressing. Të gjithë lojtarët si një trup i vetëm presonin lart në fushë, në mënyrë shumë agresive. Gjithë ideja e kësaj mënyre loje, bazohej në një pohim të thjeshtë: nuk mund të luash nëse nuk e ke topin në këmbë. Kështu, “oranje mechanica” vendosmërisht kur nuk kishte topin sulej për ta zotëruar atë. Krujf vetë, më pas si trajner, do ta perfeksiononte këtë mënyrë loje, duke shtuar frazën e vet tipike: por kur e ke në zotërim topin, duhet të dish çka të bësh me të. Mënyra e sotme sesi Barça luan, duke ua fshehur topin kundërshtarëve, është krujfiane. Po nuk mund të quhet futboll total. I mungon lëvizshmëria e lojtarëve, dinamizmi që vjen prej ndërrimit të pozicioneve dhe agresiviteti, që në Hollandën e 74’ ishte një pike shumë e rëndësishme.

Impakti kulturor dhe konkluzione.

Epoka e futbollit total, ishte një inovacion në futbollin modern. Ishte një revolucion që shkonte krah për krah me revolucionin kulturor të atyre viteve. Ata çunat bjondë shtatlartë, për mua janë ekuivalenti futbollistik i Beatles dhe Rolling Stones bashkë. Nuk ishte vetëm pamja si prej rockstari, por një rishikim total i taktikave dhe dhe përqasjes mbi të cilën bazohej një skuadër për të luajtur futboll. Ishte një shprehje artistike në fushën e blertë të shpirtit hollandez.

Shumë libra janë shkruar për këtë çështje, për të shpjeguar sesi luante, pse luante në këtë mënyrë, dhe nga vinte frymëzimi për të bërë këtë gjë? David Winner autor i librit “Brilliant Orange the neurotic genius of Dutch football”, e shpjegon mënyrën e lojës së tyre duke u bazuar në mentalitetin liberal hollandez, aftësisë për të qënë një popull kreativ dhe mënyrës sesi e shikojnë dhe konceptojnë hapësirën përreth. Hollandezët shkruan ai, e shikojnë fushën e blertë, ashtu si shohin vetë vendin e tyre. Duke qënë në hapësirë të kufizuar dhe të detyruar për ta menaxhuar sa më mirë atë, hollandezët tentojnë gjithnjë ta shfrytëzojnë sipërfaqen kur janë në sulm dhe të mbyllin hapësirat (digat), kur të tjerët i sulmojnë.

Ndërsa liberalizmi i kulturës së tyre, nisur që prej traditave protestante të vendit, u krijoi mundësinë të mbështeteshin mbi një formë rebele futbolli, duke e patur të lehtë të grisnin dhe hidhnin poshtë çdo element taktik tradicional para kohës së tyre.

Sot në kohët moderne të “specializimit” mbi një degë shkencore/profesion të caktuar, të mendosh për futboll total “erudit”, është shumë e vështirë. Por impakti prej asaj kohe ka ngelur akoma në Hollandën e tulipanëve dhe mullinjve. Ja vetëm po të vërehet aftësia e lojtarëve të kombëtares hollandeze, për të luajtur në dy tre pozicione njëherësh. Jo vetëm kaq, por edhe volumi i futbollistëve cilësorë që prodhon një vend kaq i vogël, është jashtë mase i madh.


vijon...

No comments:

users online
 
Creative Commons License
Shkrimet e blogut Busulla jane te licensuara nen Creative Commons Autoresi-Jofitimprurese-Vepra te pandryshueshme 2.5 Italia License.