Thursday, July 1, 2010

Oranje Moon

Shine on Oranje Moon in June … and into July.


Dikush, kishte përmendur një herë se tifozllëku për skuadrën e vet, i ngjante një lidhjeje dashurie. I ka rënë në shenjë krahasimit, se përndryshe nuk do më gjenin këto ditë para ndeshjes në një situate të tillë, ku po ndjej flutura në bark, nuk po kuptoj nëse ankthi bren kohën, apo koha ankthin, një herë shpresoj se dua të kalojnë shpejt këto ditë, dhe do t’i bindesha fatit të çdo rezultati, një herë tjetër mendoj se nuk dua të jem aty, do doja të ngelesha këtu, në situatën e një pritjeje të përjetshme. Pastaj më kapin ethet, të dridhurat, çfarë do të bëhet sikur ajo përsëri të mohojë dashurinë time të përjetshme për të, të bëhet zemërgur dhe të më dënojë përsëri në ankth, lotë pa shpresë…

Kam dyshime për gjithçka, vetëm që e dua me gjithë shpirt, jo.

Që Hollanda është dashuri, u mor vesh, besoj. Po që është dashuri me shikim të parë e dini? Që kur i pashë atëherë, viti 88’, në atë fanellën e ndritshme të bërë si me rreze dielli, e vendosur mbi trupin e disa lojtarëve që pa bërë diçka magjike me topin, nuk donin kurrsesi ta fusnin në rrjetë. Që atëherë, kur mosha të lejonte akoma të mahniteshe me gjithçka… si të ishte ajo fanella e portokalltë, apo buzët e kuqe të asaj gocës që fati, tha, bëri të dukeshin më të kuqe se të çdo goce tjetër.

Si ato netë që humbisnin duke ëndërruar të nesërmen, atëherë kur do ta shihja prapë…
Hollanda është dashuri sublime, platonike... kokëkrrisur, ashtu si mënyra që luajnë. Është dashuri pa matematikë fare… si ato shumë të pafajshme dhe fëminore, ku nuk llogarit çfarë pune i bën i jati gocës, as sa lekë (kupa :D) ka në bankë.

Hollanda është nga ato lloj dashurish, ku e vetmja gjë që do me të vërtetë, është puthja e parë…

Nëse do të bëhej libër, do të ishte “Dashuria në kohën e kolerës”… po bëhen afërsisht 40 vjet. Që atëherë kur nga njëri det në tjetrin det, çunat e portokallinjtë në futboll, ishin mbretërit vetë – pa kurorë.

Nëse do i vihej kurora ndonjëherë, do të ishte çmim i merituar më parë, futbolli më shumë do i jepte çmim vetes, sesa Oranjeve. Megjithëse …edhe Hëna e portokalltë, do dukej më bukur nëse do shihej e plotë.

***

p.s Trop, e plotësova premtimin, megjithëse pak kësaj që shkrujta, deri edhe fytyra më është bërë si portokall. :D

No comments:

users online
 
Creative Commons License
Shkrimet e blogut Busulla jane te licensuara nen Creative Commons Autoresi-Jofitimprurese-Vepra te pandryshueshme 2.5 Italia License.