Tuesday, January 27, 2009

............


(...)
vargjet shihen në ëndërr
edhe shkruhen në zëmër.
Zëmrën do ta kyç,
dhe do ta jap ty.
Po mbaje në mënt,
mund të hapet vetëm,
me çelës të argjëntë.

Ti po deshe mbaje vetë.
Nuk shitet as blihet,
se s’ka vlerë në treg.
Po nuk të pëlqeu,
hidhe vetë në det.

Deti i madh bujar do e pranojë brenda,
mes lotë dhe ëndrra,
të kthyera valë,
të ndjekin ngadalë,
këmbë e pas këmbe,
vijnë e bëjnë fole,
aty në zemrën tënde.

Toka është trup,
qielli shpirt,
dashuria det.
Të vjen a s’të vjen mirë,
në s’më gjen kur të flesh,
në s’më gjen kur qesh
në s’më gjen kur digjesh,
do më gjesh në det.
(thesar si për mbret)

Deti, ëndrra vetëm parë
ardhur valë valë,
në shpirt është shkruar,
sevda e harruar.
Gjithë etje po të pret
veç njëherë të të prek,
të tëlag me ëndje.
Lehtë me afsh e ëmbël
si një puthje frënge.

Tuesday, January 20, 2009

Bukën tonë të përditshme, jepna neve sot.


Xhoana: Ku po shkon kaq herët në mëngjes?

Tosi: Po dal një xhiro nga parlamenti, të bëj nonji lek.

Saturday, January 17, 2009

Çerkezët. (Adyghe, Adyga)

Një nga gjërat më të bukura që ofron interneti është mundësia për të gjetur dhe lexuar gjëra jashtë mase interesante. Nuk ndodh pak herë kur kërkon diçka, të biesh brenda kurthit të kuriozitetit dhe të zbulosh çfarë fshihet pas klikimit të ndonjë fjale me ngjyrë blu në wikipedia psh.

Para disa ditësh, rashë në një “kurth” të tillë të lezetshëm, kur klikova mbi fjalën circassians. Desha të dija në fakt, mbi jetën e sulltanëve të perandorisë Osmane, klikova mbi listën. Në të dhënat mbi jetën e tyre dhe bëmat, vura re që shpesh emri i sulltaneshës të rradhës, shoqërohej me këtë fjalë te vendi që i korespondonte origjinës.
Duhet të ishin të bukura çerkezet, përderisa preferoheshin kaq shumë prej sulltanëve.
Dhe vërtet janë të bukura, por më e bukur është historia që fshihet pas këtij populli në mënyrë të çuditshme shumë të ngjashëm me ne shqiptarët.

Një historik i shkurtër.

Çerkezët janë një popull që ndodhen në rrëzë të malit Kaukaz dhe lagen nga Deti i Zi. Pretendojnë se janë banorët më të vjetër të zonës përreth bashkë me gjeorgjianët. Si entitet i veçantë, dokumentohen në shek. 10, megjithëse për ta ka referenca edhe më parë. Kryesisht ishin të organizuar në fise tribale, pa mundur të bashkoheshin në një shtet të vetëm, gjë kjo që i bënte të pafuqishëm ndaj agresorëve të huaj. Të cilët kryesisht ishin mongolë, avarë, peçenegë, hunë etj.

Megjithatë, organizimi i tyre mbijetoi deri në luftën ruso-çerkeze, 1763 - 1864 e cila përfundoi me disfatën e popullit adyge duke sjellë për pasojë emigrimin e tyre. Një milion e gjysëm çerkezë u ndanë nga tokat e të parëve dhe përfunduan në Ballkan, për tu shpërndarë më pas nëpër gjithë perandorinë Osmane. Një komunitet i vogël, ka jetuar edhe në Kosovë, por pas deklarimit si republikë e pavarur të Adygea-s brenda Federatës ruse, u kthyen përsëri në tokat në vendin e origjinës të të parëve në vitin 1998. I përkasin besimit islamik Sunni të shkollës Hannafi (si shqiptarët). Vetëm prej përmbledhjes më lart, duken shumë pika të përbashkëta mes adygëve dhe shqiptarëve.

Për më shumë:

Kanë një kod të veçantë sjelljeje si kanuni ynë. Gjithashtu një epos si i kreshnikëve (Epos of Narts)

Janë popull mercenarësh, të njohur për forcën fizike dhe racën e bukur. Dallohen kryesisht për sporte të rënda si boks, mundje dhe peshëngritje.

Ishin të besimit pagan, më pas u kristianizuan dhe së fundi u kthyen në islam.

Emri çerkez u është dhënë nga turqit, veten e quajnë adyge (shqiptarë albanian)
Sot janë të ndarë midis disa shtetesh përfshirë Gjeorgjinë, Rusinë dhe Adygean madje edhe Abkhazian e famshme, pjesë të Gjeorgjisë. (Shqiptarë në Greqi, Kosovë, Mal të zi, Maqedoni)

Pas një qëndrese shumëvjeçare ndaj pushtuesit rus shumë herë më të madh në numër, kanë emigruar në masë.

Deri vonë gjuhën nuk e kanë pas shkruar.

Kanë dhe ata një hero të ngjashëm me Skënderbeun.


Dhe në fund por jo e fundit. Kanë femra shumë të bukura*!!


Video me një melodi adyge:




* Femrat adyghe, kanë qënë gjithnjë të preferuara në haremet e sulltanëve, madje ndeshen shpesh edhe në letërsi artistike. Si psh në librin "Kapedan Mihali" të Nikos Kazancaqis (personazhja Emine). Apo edhe në shkrime të Volterit dhe Bajronit..

Në shek. 19, morën një status të privilegjuar në Amerikë dhe Evropën perëndimore, aq të madhe sa shumë produkte reklamoheshin si circassian beauty.

Një shpjegim i mundshëm për bukurinë e tyre edhe karakterin, për mendimin tim, është se kanë pasur status të privilegjuar në shoqërinë adighe. Ky respekt fillon që prej mitit ngjizës së mitologjisë ku personazhja kryesore, është një femër. Madje dikur, shoqëria adighe ka qënë organizuar në formën matriarkale.


***


Më ka bërë përshtypje në gjithë literaturën rreth tyre të lexuar në net, se kanë shumë nostalgji për vendin e të parëve. Konkretisht, janë popull pa atdhe. Po mendoja... në psikologjinë e këtyre njerëzve, çfarë vendi të madh zë mungesa e një toke që ta quajnë të vetën. Ndoshta atdheu me vlerë më të madhe, është ai i humbur. Paralelizmi me ne, më ishte tepër i lehtë, për karakteristikat çuditërisht shumë të përbashkëta.

Po sikur ne shqiptarët të mos kishim atdhe, si do silleshim?

Thursday, January 15, 2009

Na duhet të r(r)uhemi përditë...

1 – Jemi “seksi i fortë”. Edhe jetojmë mesatarisht shtatë vjet më pak sesa “seksi i dobët”

2 – Mendojeni: Plot shtatë vjet jete më pak(!) se seksi i dobët.

3 – Dhe vetëm këto shtatë vjet mjaftojnë që të bjerë poshtë miti i shfrytëzimit të grave prej burrave. E ku është parë që të shtypurit të jetojnë më shumë se shtypësit?

4 – Vetëm në dukje, - parë nga jashtë thuhet se është shfrytëzim. Kjo moj zonja të nderuara, është shpikja juaj! Provokoni, njësoj si terroristët provokojnë diktatorët dhe pastaj e shfrytëzojnë alibinë për ta kthyer në revolucion mbarëpopullor. Kështu edhe ju, na pagëzoni “shfrytëzues” me qëllim ndërtimin e terrorizmit të ndjenjës së fajit.

5 – Nuk ka më të madh shfrytëzim, sesa ai i ndjenjës së fajit!

6 – Burrë do të thotë fajtor! Për gjithçka.

7 – E filloni shpërndarjen e ndjenjës së fajit (viktimizimit) në rolin e nënës. Dhe më pas vazhdoni si motra, të dashura dhe gra.

8 – Nga të gjitha monopolet botërore, nuk ka më të keq se ai i ndjenjës së fajit. Dhe këtë monopol e keni vetëm ju!!

9 – Kjo ndjenjë faji na këput shtatë vjet! Është kjo ndjenjë faji që të bën me zemër dhe diabet!

10 – Për shkakun tuaj... ndjehemi gjithnjë fajtorë! Që nga momenti kur nuk e veshim bluzën (Vishe se do mërdhish, të keqen mamaja! Vishe se më vdiqe!!) deri në momentin kur vdesim (Pseeee!! Pse vdiqe e më le vetëm, oiiiiiiiii!)

Kështu na duhet gjithnjë tu kërkojmë falje!

11 – Fajtorë kur ju pushtojmë, (ju mbisim).
Kur nuk ju prekim (indiferentë).
Kur jetojmë vetëm (unë kam dhënë jetën për ty!),
kur jetojmë me prindërit (ça lesh burri je ti?).
Kur martohemi (të kam dhënë vitet e mia më të mira!)
Kur nuk martohemi (lëre fare këtë!)
Kur bëjmë seks me ju (më gënjeve! Më mashtrove!)
Kur nuk bëjmë (oh lëre... ! Mos mbaj më pantolle)
Kur sillemi me edukatë (ça pederi!)
Kur nuk sillemi (ça kafshe!)
Dhe bobo, le të mos e përmendim kur gjatë aktit bën vaki e nuk ndodh tu vijë teta Orgazma për vizitë. Fajtor ne, edhe për këtë. Eskluzivisht. (nuk ia dole dot shpirti!)

12 Na duhet të r(r)uhemi dhe përditë...

13 Fajtorllëku na përfshin në gjithçka. Jemi fajtorë për inflacionin, për luftërat, për krizën energjitike, akoma dhe për motin.

14 Në të vërtetë matriarkalizmi asnjëherë nuk përfundoi. Thjesht ndryshoi vetëm formë. Nga tirania e egër e kopaçes, u kthye në egërsi të ëmbël të fajit.

15. "Pas çdo burri të madh, fshihet një grua". Mbase. Po sidomos pas çdo nevrasteniku, mamaqi, të pavendosuri, të tredhuri, dhe të mjeri ndodhet me të vërtetë një grua!

16. Një studim sociologjik ka vërtetuar se 85% të vendimeve familjare merren prej grave, drejpërdrejtë, apo tërthorazi. Sidomos tërthorazi.

17. Jeni perla të politikës makiaveliane. Na bëni të përkrahim një vendim tuajin dhe pastaj (nëse gjërat nuk shkojnë mbarë) na bëni përgjegjës për ta.

18. Prandaj na duhet të r(r)uhemi përditë.

19 Propaganda feministe na ka marrë mendjen me simbolikën e gruas–skllave që i këputen duart duke larë penevreke.

20 Po ikona e burrit hyzmeqar që punon për të shoqen, e cila i harxhon lekët nëpër bingo, ku është?

21 Duket qartë që nuk ka mjaftueshëm gra të cilat këputen për punët e shtëpisë. Mbase nuk ka dhe aq shumë që luajnë bingo, po burra që nuk janë hamallë, nuk ka.

22. Nuk ju mjafton që shijoni shtatë vjet më shumë jetë, po keni edhe privilegje në dashuri.

23. Gratë janë të afta të përjetojnë orgazma të shumëfishta. Ti zotëri, a shënon dot trepikësh?

24. Si të mos mjaftonte kjo, pas revolucionit seksual, kanë arritur të na bëjnë përgjegjës për kënaqësinë e tyre.

25. Kështu nëse një zonjë është shkarpë e lagur, je i detyruar të punosh si hamall me orë të tëra, duke përdorur të gjitha teknikat e mundshme të Alex Comfort, Masters & Johnson, Kamasutrës dhe Sifujagit nëse do të ndizet zjarri.

26.Nëse nuk ndizet, fajin ia vënë shkrepses, jo druve.

27 Po privilegji më tragjik? Një grua asnjëherë nuk është impotente. (dhe nëse është, nuk duket)

28. Ah ti venitje e burrit lakuriq! Vetëm duke i hedhur një sy ia kuptoni menjëherë gjendjen psikologjike.

29. Na duhet dhe të rruhemi përditë.

30. Thonë se nuk ka gjë më të bukur në botë, sesa të bësh qejf dhe të paguhesh për të.

31. A ka qejf më të madh se të bërit dashuri?

32. Gjejeni tani se kush paguhet për ta bërë!

33. Konkubinat, janë tregues madhor i fuqisë femërore.

34. Bënin qejf, qeverisnin, zgjidhnin të dashurit dhe u merrnin pasuri të mëdha, vetëm që të jepnin atë të cilën natyra e jep falas.

35. Njësoj si të taksosh diellin, apo oksigjenin.

36. Por edhe prostitutat e thjeshta, janë tregues fuqie. Sepse, cili paguan kë? Natyrisht ai që ka nevojë paguan.

37. Dhe ju zonja, nuk keni patur ndonjëherë nevojë. Ligji i kërkesë ofertës rregullonte marrëdhëniet në favorin tuaj.

38. Na duhet dhe të rruhemi përditë...

39. Gratë, konsumojnë katër fish më shumë sesa fitojnë. Në këtë mënyrë, burrat marrin një të katërtën e asaj që japin. Ku je more Marks, të shikosh kush punon më shumë! Apo më mirë kush ia punon kujt...

40. Dy gjëra kam urryer në jetë. Ushtrinë dhe punën. Dhe më kapte zilia sa herë mendoja që seksi i bukur nuk ka asnjërën prej të dyjave të detyrueshme.

41. Gratë ankohen se nuk paguhen si burrat. Keni parë ndonjë grua të punojë si burrë?

42. Disa të dhëna statistikore thonë se gratë tradhëtojnë më pak se burrat. (35% ndaj 48)

43. Një tjetër e dhënë thotë se gratë gënjejnë më shumë (58% ndaj 22.)

44. Dmth statistika e parë është e gënjeshtërt në rendin 58%. Dmth gratë tradhëtojnë më shumë.

45. Nuk është tradhëti të flesh me dikë tjetër. Tradhëti është të gënjesh.

46. Shikoni çiftet në plazh psh. Sa kalon koha, burri vjen dhe këputet dhe merr formën e të mjerit dhe të moshuarit, të shumëduruarit pensionist. Ka të shkruar në fytyrë dorëzimin, pritjen dhe nënshtrimin.

47. Ndërsa me gratë... gratë me kalimin e viteve transformohen në kuçedra. Nevrike, histerike, shtypëse, thashethemaxhie... gjendja normale e një vjehrre.

48. Me kalimin e viteve, secila gjini tregon surratin e vet të vërtetë.

49. Dhe surrati ynë, do rruar përditë.

50. Përderisa gratë janë seksi i fortë, çfarë na duhet atëherë emancipimi i femrës?

51. Emancipimi i grave, është për ato vetë kurthi më tinzar, dhe shpresa jonë e fundit.

52. Nëse përmbushet, shpëtuam! E ku krahasohet larja e tre pjatave përpara përgjegjësisë (dhe fajësimit) të të gjithë botës?

53. Në pamje të jashtme, emancipimi i femrës kërkon të shembë shfrytëzimin e dukshëm – duke shpresuar se do mirëmbajë të fshehtin që gëzon sot.

54. Gabim! Rrjeta e fajësimit, është armë eskluzive e njeriut teorikisht të dobët. Në rast se i dobëti forcohet, atëherë e humbet. Dhe ne do të çlirohemi prej penjve të padukshëm që na lidhin përjetësisht me fajin.

55. Kështu emancipimi i gruas shndërrohet në emancipim të burrit.

56. (Nuk do ju hap më derën pra, as do ju mbaj pallton, as e kam kuptuar ndonjëherë pse duhet ta bëj xhanëm)

57. Rroftë emancipimi i gruas! Një dhjetëvjeçar pasi të përmbushet, do ta shihni kush do jetojë shtatë vjet më shumë.
.
58. Do ta shihni çdo të thotë të ndjeheni në faj kur (dhe nëse) nuk eksitoni dot dikë seksualisht.

59. Do ta shihni kush do bëjë lekë duke bërë qejf.

60. Fallokratë të të gjithë botës bashkohuni! Mbajini dhe për pak akoma mjetet e presionit në dorë (e di që është e vështirë).

61. Lërini gratë të shqetësohen për pushtetin fallik. Do ta shndërrojnë kështu në një produkt të domosdoshëm.

62. Dhe atëherë, bota vërtet do të sundohet me k*qe!

Fund.
***

Artikulli më lart, është shkruar për herë të parë në vitin 1979 në revistën "Postieri" ("Ταχυδρόμος" ) nga Nikos Dimou.

Teksti origjinal këtu.
Info të mëtejshme për autorin këtu.

Përktheu dhe përshtati - J. (c)

Saturday, January 10, 2009

Parashikimi për 2009.

Janar.

Në ditët e para të Janarit, Berisha deklaron si sukses të jashtëzakonshëm qeveritar vetëm faktin që shumica e shqiptarëve janë gjallë këtë fillim viti. Ai premton se 98% e tyre do të vazhdojnë të jenë në jetë për vitin në vazhdim dhe ky është që tani një premtim i mbajtur. Pas kësaj deklarate, 10 anëtarë të PS vrasin veten.

25 Janar kur shqiptarët ftohen të marrin dokumentat e reja të identifikimit. Vihet re në rregjistrim shtimi i shtetasve me emrin Sali. Nëpërmjet zëdhënësit të partisë demokratike Gërti Bogdani, kjo e dhënë interpretohet si sukses i padiskutueshëm i qeverisë. PS nëpërmjet zëdhënësit të bashkisë replikon se gjatësia e qytetarëve të Tiranës është rritur mesatarisht me 5 cm. LSI shton në peshë prej inatit.

Shkurt.

Berisha në festën e Shën Valentinit ndahet prej Jozefina Topallit pasi deklaron se Fatos Nano ka qënë dhe është dashuria e vetme e jetës së tij. Me këtë rast ai e përshëndet me një këngë në radio: “Kthehu Nano djali se për ty më mori malli”
Jozefina pëson depresion.

Muaji i Shkurtit është edhe muaji i Pavarësisë së Kosovës. Me këtë rast Migjen Kelmendi kërkon që t’i mësojnë foshnjës të flasë me gjuhë dhe alfabet të ri, më pas vetë-emërohet si mësuesi personal i saj. Albin Kurti insiston se foshnja duhet të mësojë të ecë vetë, ndërsa BE i dhuron njëvjeçares një karrocë dore të markës së mirënjohur EULEX. Kumbari dhe njëkohësisht daja i njëvjeçares, Sami, i uron ditëlindjen përsëlargu mbesës së vogël, duke e këshilluar gjithashtu të mos largohet nga lagjia dhe të dëgjojë prindin.

Kapet një grup diversantësh prej Shqipërie ndërsa po udhëtonin drejt Kosovës. Pasi bëjnë një ndalesë në Milot, përpiqen ta kalojnë me not. Plani i tyre djallëzor zbulohet dhe pasi peshkohen prej një grupi policësh të paidentifikuar, dorëzohen në komisariat. Mbi ta rëndojnë akuzat e sabotimit të rrugës Durrës – Kukës – Milot. Ndërsa grupi pohon se do shkonte në Kosovë për të shijuar pavarësinë në një restorant me fruta deti.

Mars.

Fillon fushata e mbjelljes së ullinjve. Të gjithë anëtarët e qeverisë detyrohen prej kryeministrit që të hanë të paktën 5 koqe ullinj përditë pastaj të hapin një gropë dhe t’i pështyjnë farat përtokë. Anëtaret e qeverisë femra nëpërmjet një dispozite ligji të veçantë janë të detyruara të hanë dy koqe më shumë se meshkujt.
Sali Berisha fton të gjithë popullin shqiptar t’i bashkohet kësaj iniciative, ndërsa Edi Rama ndërmerr fushatë me slloganin “Mos e hani atë koqe ulliri!”.

Prill.

Sali Berisha në tentativë të përmbushur premtimet elektorale, organizon një ankand ku vë në shitje gjithë ministrat e vet. Projekti quhet “privatizimi i qeverisë” Çmimi fillestar vendoset një euro. Qeveria deklaron se ankandi ishte një sukses i jashtëzakonshëm dhe shumica e ministrave blihen prej Argitës. Dy tre prej tyre i blen Fazlliç, ndërsa në shenjë solidariteti dhe bashkëpunimi institucional vetë Berisha i fal prokurorisë një ministër. Ambasadorit të Amerikës Withers, i ngelet qejfi për ankandin, pasi Berisha i ka refuzuar t’i shesë ministren e integrimit Bregu.

Maj.

Erjon Veliaj frekuenton taktikisht palestrën. Gjatë një stërvitje intensive në paralele, me synimin për të arritur gjatësinë e Edi Ramës, pëson një tërheqje muskulare. Që atëherë ai dhe G99 fillojnë frekuentimin e solarium. Llafe të mbrapshta dëgjohen se kërkon gjithashtu t’i bëjë flokët permanent dhe buzët me pout që t’i ngjajë sa më shumë Obamës. Kastriot Myftaraj përmes një zbulimi të hatashëm na bën me dije në mesin e muajit Maj se gjithë G99-a futet në solarium pa mbathje me qëllimin e mbrapshtë sorrosian që të vetëquhen bythëzinj, për të përfituar kështu vota.

Qershor.

Muaj zgjedhjesh.
Prej burimeve tona mësojmë se sllogani i G99-ës është “bythëzinj por faqebardhë”. Në një takim madhështor përpara komunarëve të Peqinit, lideri i kësaj organizate, Erjon Veliaj lexon rrjedhshëm përpara zgjedhësve një fjalim të presidentit tashmë Barack Obama, përkthyer profesionalisht.
Në PS shikohen lëvizje të shumta nga poshtë – lart, në PD nga lart - poshtë. Ndërsa zëdhënësi i LSI deklaron se më në fund kryetari i kësaj partie Ilir Meta, mund të realizojë me sukses vertikalen. Në PD gjithashtu, përgjatë gjithë muajit, ministrat dhe kandidatët për deputetë detyrohen të kryejnë rreshtoren.

Listat për deputetë vendosen sipas kritereve të ndryshme në secilën prej partive të mëdha dhe atyre në stadin e pubertitetit. Në PD psh listat emërore vendosen sipas numrit të ullinjve që ka ngrënë çdo kandidat, në PS sipas gjatësisë, në LSI sipas peshës. Erjon Braçe zihet ngushtë, Ben Blushi vesh taka ndërsa Gert Bogdani kryeson listën shumë-emërore. Nuk dihet fati i Besian Peshës, sepse pas sfidës së kryetarit të vet, ka ngrënë shumë për të plotësuar normën, por kohët e fundit fatkeqësisht u diagnostifikua me sëmundjen e rrallë vomitum-invullnetum. Sëmundje e njohur në gjuhën popullore me termin: ha e ha e bithë ska.

Dita e zgjedhjeve.
Shpallet festë kombëtare. Berisha nxiton të deklarojë se i ka fituar ato që pa filluar akoma.

Nga ana tjetër, prej shtypit të ditës vijnë lajmet e para për fallsifikime të tyre. PS akuzon PD se disa komisionerë të saj kanë marrë me vete në WC-të e qendrave zgjedhore fletë votimi dhe i kanë përdorur për nevoja të ngutshme personale. Për këtë arsye shumë fletë votimi mungojnë. Nëpërmjet zëdhënësit të vet, PD deklaron se sabotimi ka adhur nga anëtarët e PS, pasi këta të fundit kanë zëvendësuar sapunin me djathë në drekën e komisionerëve të votimit, duke shkaktuar heqje barku të tyre. Gazetat e mëdha shtojnë tirazhin në ndihmë komisionerëve të zënë ngushtë.
Meta ka kohë që stërvit një grup militantësh qafëleshë për të mbartur në krahë kutitë e votimit dhe për t’i transportuar ato në qendrën e KQZ. Ambasadori amerikan po meson të këndojë serenata për ministren e tij të preferuar Bregu.

Korrik.

Vazhdojnë votimet në javën e parë të Korrikut. Në qendrat e tjera, rezultatet zyrtare nuk janë bërë publike akoma. Berisha deklaron përsëri se i ka fituar zgjedhjet. Bisedime ndërmjet eksponentëve të së majtës. Meta propozon tia hipë Ramës, po e ka të pamundur sepse këtij të fundit i duhet të ulet më gjunjë për tu realizuar pakti. Rama refuzon të ulet. Meta i bën një propozim të fundit Ramës dhe pas bisedimesh shumëorëshe më në fund nënshkruhet pakti paszgjedhor. Rama do qëndrojë në këmbë. Veliaj do ulë kurrizin, mbi të cilën do hipë Meta në qafë të Ramës. Të gjitha palët janë të kënaqura me këtë pakt. Pas nënshkrimit shkojnë të tre në ambasadën amerikane për të marrë vesh prej ambasadorit Withers nëse roli i tyre do jetë ai i pozitës, apo i opozitës.

Gusht.

Sali Berisha deklaron se ka fituar zgjedhjet.
Dynden emigrantët shqiptarë të ardhur kryesisht prej vendeve fqinje. Kësaj here, përveç rehatisë personale në gjirin e familjes, kanë një arsye më shumë për të ardhur: të shpëtojnë mëmëdhenë prej ankthit të zgjedhjeve. Shumë shpejt humbjet dhe kjo shpresë. Emigrantët javën e pare mburren, javën e dytë kritikojnë dhe javën e tretë indoktrinohen politikisht, më pas vendosin të mos rikthehen në vendet e tyre të punës pa u shpallur fituesi.


Shtator.

Shtetet e Evropës, sidomos fqinjët Greqi dhe Itali, i bëjnë thirrje KQZ-së të deklarojë sa më parë fituesin e zgjedhjeve, sepse kanë nevojë për emigrantët shqiptarë tu rikthehen në vendet e punës të lëna bosh.
Fillon shkolla në mesin e Shtatorit. Nxënësit e klasës së parë i dhurojnë mësueses pankarta dhe flamuj të partive që kanë votuar prindërit e tyre. Pasi përsërisin në kor parrullat e preferuara, ata nisin ditën e parë të shkollës.
Sali Berisha deklaron se ka fituar zgjedhjet, po kjo deklaratë nuk përbën më lajm.

Tetor.
Më në fund deklarohen rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve. Ato i ka fituar … I ka fituar e majta dhe e djathta, pa lënë mënjanë qendrën. I kanë fituar shqiptarët Kosova dhe diaspora për më tepër dhe Amerika.

Muaji Tetor shënon dhe fillimin e vitit të ri akademik për shkollat e larta. Në universitetet publikë në degët e preferuara gjithë militantët, dashamirësit dhe miqtë e fituesve të zgjedhjeve dhe në ato private gjithë studentët e tjerë.

Nëntor.

Gjithë shqiptarët kudo në botë përgatiten për të festuar festat e flamurit, pavarësisë, çlirimit dhe çmitizimeve. Realizohet me sukses sherri i përvitshëm për datën 28 dhe 29 Nëntor. Nuk ka të vrarë, as të plagosur, por si gjithnjë vetëm qejfmbetur. Mbahen ligjëratat përkatëse, dokumentat dhe analizat e reja. Në këtë muaj si asnjëherë tjetër ndihet mungesa e Lubonjës i cili ka shkuar në spital për analizat e gjakut dhe të urinës. Del i sëmurë me fibrozë cistike. Pasi i aplikohet një kurë ndaj majasëllit, nuk ia ka ënda këtë vit të çmitizojë më mite.



Shënim: Muaji Dhjetor lihet bosh qëllimisht, si një lloj çelësi antivjedhje të artikullit. Kam vënë re se pas vjedhjes së tretë prej shtypit të artikujve që shkruaj, mbetem gjithnjë e më shumë i zhgënjyer përsa i përket nivelit të hajdutëve. Normalisht besoj, në një mënyrë paksa naïve (e pranoj) se nuk do munden ta marrin këtë shkrim meqë i mungon muaji Dhjetor. Të vjetrit nuk thonë kot: Më mire lidhe si gomar, sesa të kërkosh gomarin.

Fund.

Friday, January 9, 2009

The atheist bus campaign.


Një nga aktivitetet e fundit të profesorit të njohur Richard Dawkins, është pjesëmarrja në një fushatë ateiste në Britaninë e Madhe. Konkretisht për katër javë, rreth 300 autobuzë urbanë në Angli, do kenë të reklamuar në pjesën anësore të tyre shprehjen "There's probably no God. Now stop worrying and enjoy your life".

Kjo fushatë është ndërmarrë si replikë ndaj një të ngjashmeje teiste ku reklamohej një website me lidhjen JesusSaid.org dhe thuhej se të gjithë ata që nuk besonin do digjeshin në ferr.
Ngjarja në fjalë, ka shtyrë Sherine, një blogiste ateiste e Guardian të propozojë të njëjtën gjë. Propozimi ka gjetur mbështetje shumë të madhe dhe ka tejkaluar disa herë pritjen që kishin vetë iniciatorët. Tani shuma e mbledhur për këtë fushatë ka arritur 140.00o £. Vetë Richard Dawkins ka dhuruar 5.500 £ për këtë qëllim.

Mendohet që kjo fushatë të shtrihet edhe në vende të tjera të Evropës me Barcelonën destinacionin e ardhshëm.


Faqja zyrtare e iniciativës këtu.
Informacioni në wikipedia këtu.
dhe grupi në Facebook këtu.
users online
 
Creative Commons License
Shkrimet e blogut Busulla jane te licensuara nen Creative Commons Autoresi-Jofitimprurese-Vepra te pandryshueshme 2.5 Italia License.