Saturday, January 10, 2009

Parashikimi për 2009.

Janar.

Në ditët e para të Janarit, Berisha deklaron si sukses të jashtëzakonshëm qeveritar vetëm faktin që shumica e shqiptarëve janë gjallë këtë fillim viti. Ai premton se 98% e tyre do të vazhdojnë të jenë në jetë për vitin në vazhdim dhe ky është që tani një premtim i mbajtur. Pas kësaj deklarate, 10 anëtarë të PS vrasin veten.

25 Janar kur shqiptarët ftohen të marrin dokumentat e reja të identifikimit. Vihet re në rregjistrim shtimi i shtetasve me emrin Sali. Nëpërmjet zëdhënësit të partisë demokratike Gërti Bogdani, kjo e dhënë interpretohet si sukses i padiskutueshëm i qeverisë. PS nëpërmjet zëdhënësit të bashkisë replikon se gjatësia e qytetarëve të Tiranës është rritur mesatarisht me 5 cm. LSI shton në peshë prej inatit.

Shkurt.

Berisha në festën e Shën Valentinit ndahet prej Jozefina Topallit pasi deklaron se Fatos Nano ka qënë dhe është dashuria e vetme e jetës së tij. Me këtë rast ai e përshëndet me një këngë në radio: “Kthehu Nano djali se për ty më mori malli”
Jozefina pëson depresion.

Muaji i Shkurtit është edhe muaji i Pavarësisë së Kosovës. Me këtë rast Migjen Kelmendi kërkon që t’i mësojnë foshnjës të flasë me gjuhë dhe alfabet të ri, më pas vetë-emërohet si mësuesi personal i saj. Albin Kurti insiston se foshnja duhet të mësojë të ecë vetë, ndërsa BE i dhuron njëvjeçares një karrocë dore të markës së mirënjohur EULEX. Kumbari dhe njëkohësisht daja i njëvjeçares, Sami, i uron ditëlindjen përsëlargu mbesës së vogël, duke e këshilluar gjithashtu të mos largohet nga lagjia dhe të dëgjojë prindin.

Kapet një grup diversantësh prej Shqipërie ndërsa po udhëtonin drejt Kosovës. Pasi bëjnë një ndalesë në Milot, përpiqen ta kalojnë me not. Plani i tyre djallëzor zbulohet dhe pasi peshkohen prej një grupi policësh të paidentifikuar, dorëzohen në komisariat. Mbi ta rëndojnë akuzat e sabotimit të rrugës Durrës – Kukës – Milot. Ndërsa grupi pohon se do shkonte në Kosovë për të shijuar pavarësinë në një restorant me fruta deti.

Mars.

Fillon fushata e mbjelljes së ullinjve. Të gjithë anëtarët e qeverisë detyrohen prej kryeministrit që të hanë të paktën 5 koqe ullinj përditë pastaj të hapin një gropë dhe t’i pështyjnë farat përtokë. Anëtaret e qeverisë femra nëpërmjet një dispozite ligji të veçantë janë të detyruara të hanë dy koqe më shumë se meshkujt.
Sali Berisha fton të gjithë popullin shqiptar t’i bashkohet kësaj iniciative, ndërsa Edi Rama ndërmerr fushatë me slloganin “Mos e hani atë koqe ulliri!”.

Prill.

Sali Berisha në tentativë të përmbushur premtimet elektorale, organizon një ankand ku vë në shitje gjithë ministrat e vet. Projekti quhet “privatizimi i qeverisë” Çmimi fillestar vendoset një euro. Qeveria deklaron se ankandi ishte një sukses i jashtëzakonshëm dhe shumica e ministrave blihen prej Argitës. Dy tre prej tyre i blen Fazlliç, ndërsa në shenjë solidariteti dhe bashkëpunimi institucional vetë Berisha i fal prokurorisë një ministër. Ambasadorit të Amerikës Withers, i ngelet qejfi për ankandin, pasi Berisha i ka refuzuar t’i shesë ministren e integrimit Bregu.

Maj.

Erjon Veliaj frekuenton taktikisht palestrën. Gjatë një stërvitje intensive në paralele, me synimin për të arritur gjatësinë e Edi Ramës, pëson një tërheqje muskulare. Që atëherë ai dhe G99 fillojnë frekuentimin e solarium. Llafe të mbrapshta dëgjohen se kërkon gjithashtu t’i bëjë flokët permanent dhe buzët me pout që t’i ngjajë sa më shumë Obamës. Kastriot Myftaraj përmes një zbulimi të hatashëm na bën me dije në mesin e muajit Maj se gjithë G99-a futet në solarium pa mbathje me qëllimin e mbrapshtë sorrosian që të vetëquhen bythëzinj, për të përfituar kështu vota.

Qershor.

Muaj zgjedhjesh.
Prej burimeve tona mësojmë se sllogani i G99-ës është “bythëzinj por faqebardhë”. Në një takim madhështor përpara komunarëve të Peqinit, lideri i kësaj organizate, Erjon Veliaj lexon rrjedhshëm përpara zgjedhësve një fjalim të presidentit tashmë Barack Obama, përkthyer profesionalisht.
Në PS shikohen lëvizje të shumta nga poshtë – lart, në PD nga lart - poshtë. Ndërsa zëdhënësi i LSI deklaron se më në fund kryetari i kësaj partie Ilir Meta, mund të realizojë me sukses vertikalen. Në PD gjithashtu, përgjatë gjithë muajit, ministrat dhe kandidatët për deputetë detyrohen të kryejnë rreshtoren.

Listat për deputetë vendosen sipas kritereve të ndryshme në secilën prej partive të mëdha dhe atyre në stadin e pubertitetit. Në PD psh listat emërore vendosen sipas numrit të ullinjve që ka ngrënë çdo kandidat, në PS sipas gjatësisë, në LSI sipas peshës. Erjon Braçe zihet ngushtë, Ben Blushi vesh taka ndërsa Gert Bogdani kryeson listën shumë-emërore. Nuk dihet fati i Besian Peshës, sepse pas sfidës së kryetarit të vet, ka ngrënë shumë për të plotësuar normën, por kohët e fundit fatkeqësisht u diagnostifikua me sëmundjen e rrallë vomitum-invullnetum. Sëmundje e njohur në gjuhën popullore me termin: ha e ha e bithë ska.

Dita e zgjedhjeve.
Shpallet festë kombëtare. Berisha nxiton të deklarojë se i ka fituar ato që pa filluar akoma.

Nga ana tjetër, prej shtypit të ditës vijnë lajmet e para për fallsifikime të tyre. PS akuzon PD se disa komisionerë të saj kanë marrë me vete në WC-të e qendrave zgjedhore fletë votimi dhe i kanë përdorur për nevoja të ngutshme personale. Për këtë arsye shumë fletë votimi mungojnë. Nëpërmjet zëdhënësit të vet, PD deklaron se sabotimi ka adhur nga anëtarët e PS, pasi këta të fundit kanë zëvendësuar sapunin me djathë në drekën e komisionerëve të votimit, duke shkaktuar heqje barku të tyre. Gazetat e mëdha shtojnë tirazhin në ndihmë komisionerëve të zënë ngushtë.
Meta ka kohë që stërvit një grup militantësh qafëleshë për të mbartur në krahë kutitë e votimit dhe për t’i transportuar ato në qendrën e KQZ. Ambasadori amerikan po meson të këndojë serenata për ministren e tij të preferuar Bregu.

Korrik.

Vazhdojnë votimet në javën e parë të Korrikut. Në qendrat e tjera, rezultatet zyrtare nuk janë bërë publike akoma. Berisha deklaron përsëri se i ka fituar zgjedhjet. Bisedime ndërmjet eksponentëve të së majtës. Meta propozon tia hipë Ramës, po e ka të pamundur sepse këtij të fundit i duhet të ulet më gjunjë për tu realizuar pakti. Rama refuzon të ulet. Meta i bën një propozim të fundit Ramës dhe pas bisedimesh shumëorëshe më në fund nënshkruhet pakti paszgjedhor. Rama do qëndrojë në këmbë. Veliaj do ulë kurrizin, mbi të cilën do hipë Meta në qafë të Ramës. Të gjitha palët janë të kënaqura me këtë pakt. Pas nënshkrimit shkojnë të tre në ambasadën amerikane për të marrë vesh prej ambasadorit Withers nëse roli i tyre do jetë ai i pozitës, apo i opozitës.

Gusht.

Sali Berisha deklaron se ka fituar zgjedhjet.
Dynden emigrantët shqiptarë të ardhur kryesisht prej vendeve fqinje. Kësaj here, përveç rehatisë personale në gjirin e familjes, kanë një arsye më shumë për të ardhur: të shpëtojnë mëmëdhenë prej ankthit të zgjedhjeve. Shumë shpejt humbjet dhe kjo shpresë. Emigrantët javën e pare mburren, javën e dytë kritikojnë dhe javën e tretë indoktrinohen politikisht, më pas vendosin të mos rikthehen në vendet e tyre të punës pa u shpallur fituesi.


Shtator.

Shtetet e Evropës, sidomos fqinjët Greqi dhe Itali, i bëjnë thirrje KQZ-së të deklarojë sa më parë fituesin e zgjedhjeve, sepse kanë nevojë për emigrantët shqiptarë tu rikthehen në vendet e punës të lëna bosh.
Fillon shkolla në mesin e Shtatorit. Nxënësit e klasës së parë i dhurojnë mësueses pankarta dhe flamuj të partive që kanë votuar prindërit e tyre. Pasi përsërisin në kor parrullat e preferuara, ata nisin ditën e parë të shkollës.
Sali Berisha deklaron se ka fituar zgjedhjet, po kjo deklaratë nuk përbën më lajm.

Tetor.
Më në fund deklarohen rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve. Ato i ka fituar … I ka fituar e majta dhe e djathta, pa lënë mënjanë qendrën. I kanë fituar shqiptarët Kosova dhe diaspora për më tepër dhe Amerika.

Muaji Tetor shënon dhe fillimin e vitit të ri akademik për shkollat e larta. Në universitetet publikë në degët e preferuara gjithë militantët, dashamirësit dhe miqtë e fituesve të zgjedhjeve dhe në ato private gjithë studentët e tjerë.

Nëntor.

Gjithë shqiptarët kudo në botë përgatiten për të festuar festat e flamurit, pavarësisë, çlirimit dhe çmitizimeve. Realizohet me sukses sherri i përvitshëm për datën 28 dhe 29 Nëntor. Nuk ka të vrarë, as të plagosur, por si gjithnjë vetëm qejfmbetur. Mbahen ligjëratat përkatëse, dokumentat dhe analizat e reja. Në këtë muaj si asnjëherë tjetër ndihet mungesa e Lubonjës i cili ka shkuar në spital për analizat e gjakut dhe të urinës. Del i sëmurë me fibrozë cistike. Pasi i aplikohet një kurë ndaj majasëllit, nuk ia ka ënda këtë vit të çmitizojë më mite.



Shënim: Muaji Dhjetor lihet bosh qëllimisht, si një lloj çelësi antivjedhje të artikullit. Kam vënë re se pas vjedhjes së tretë prej shtypit të artikujve që shkruaj, mbetem gjithnjë e më shumë i zhgënjyer përsa i përket nivelit të hajdutëve. Normalisht besoj, në një mënyrë paksa naïve (e pranoj) se nuk do munden ta marrin këtë shkrim meqë i mungon muaji Dhjetor. Të vjetrit nuk thonë kot: Më mire lidhe si gomar, sesa të kërkosh gomarin.

Fund.

2 comments:

Anonymous said...

[url=http://kfarbair.com][img]http://www.kfarbair.com/_images/_photos/photo_big7.jpg[/img][/url]

מלון [url=http://www.kfarbair.com]כפר בעיר[/url] - [url=http://www.kfarbair.com/about.html]חדרים[/url] גדולים אנחנו מציעים שירותי אירוח מגוונים כמו כן יש במקום שירות חדרים המכיל [url=http://www.kfarbair.com/eng/index.html]סעודות רומנטיות[/url] במחירים מיוחדים אשר מוגשות ישירות לחדרכם.

לפרטים נוספים אנא לפנות לאתר האינטרנט שלנו - [url=http://kfarbair.com]כפר בעיר[/url] [url=http://www.kfarbair.com/contact.html][img]http://www.kfarbair.com/_images/apixel.gif[/img][/url]

Anonymous said...

I like the helpful information you provide in your articles.
I'll bookmark your weblog and check again here frequently. I am quite sure I will learn plenty of new stuff right here! Best of luck for the next!

Here is my blog post: cellulite treatment cream

users online
 
Creative Commons License
Shkrimet e blogut Busulla jane te licensuara nen Creative Commons Autoresi-Jofitimprurese-Vepra te pandryshueshme 2.5 Italia License.