Friday, July 30, 2010

Stupid America

Ndodh me raste që kur shikon nëpër internet, vendos të lundrosh në të pa ndonjë qëllim të veçantë. E lë veten në mëshirën e valëve që të çojnë sipas erës nëpër skaje e vise që përndryshe nuk do t’i zbuloje dot. Kështu më ndodhi dje... dhe rezultati ishte një faqe e veçantë, në të cilën autorët dhe ideatorët e saj, kishin mbledhur shkrimet, citimet dhe komentet nga faqe të ndryshme në sferën internetore amerikane më së shumti. Të gjitha këto kishin të përbashkët – budallëkun. Interesante, apo jo?

Duke lexuar nëpër të, sidomos në “Top 100” të këtyre, shikon cilat janë aspektet më të prekura dhe komentuara të jetës amerikane. Duke filluar që nga presidenti Obama, i cili tërheq një numër të konsiderueshëm citimesh, besimi fetar dhe bestytnitë rreth tij, pastaj në teoritë konspirative gjithëfarëllojshe, që nga rrotullimi i tokës rreth diellit, gjeologjia, racizmi, reptilët?, deri te ide politike inovatore, si psh arsyetimi pse duhet të ketë “librari private”.

Japin të gjitha një formë të mrekullueshme budallëku.

Në librin “Dashuria në kohët e kolerës”, një mjek thotë se njerëzit mund të ndahen rëndom në dy kategori kryesore. Në ata që jashtëqisin në rregull, dhe në të tjerët që në mënyrë amerikane do të përshkruheshin si “cant get the sh!t right.

Unë kam bindjen se një nga mënyrat e të kuptuarit të një populli, është të gjesh se në cilat fusha ushtrojnë imagjinatën e tyre, me përmasa të tilla groteske. Në këtë mënyrë mund të gjendet se çfarë është ajo që u bren shpirtin, sa mendjehapur/mbyllur/ngushtë bëhen kur preken këto tema dhe çfarë porcioni budallëku mund tu kushtojnë këtyre temave.

Për këdo tjetër që është fan i këtyre teorive dhe do të shkruajë librin fantastiko shkencor të rradhës është i lirë të hidhet në prehrin e këtyre mrekullive, të budallëkut.
users online
 
Creative Commons License
Shkrimet e blogut Busulla jane te licensuara nen Creative Commons Autoresi-Jofitimprurese-Vepra te pandryshueshme 2.5 Italia License.