Wednesday, February 9, 2011

Ministria për Mbrojtjen e Qytetarit

Mbaj mend para pak kohësh, Mustafa Nano bënte një pyetje tek adresa e tij e internetit, se “çfarë emërtimi jo i zakonshëm është ky për një ministri?” Dhe vërtet emërtimi është jo i zakonshëm. Kam dashur t’i përgjigjem që atëherë, dhe meqë tani mu krijua mundësia, po e bëj këtë gjë.

Në pamje të parë, dikujt nuk i shkon në mendje se për çfarë ministrie mund të bëhet fjalë dhe me se merret, cili është qëllimi, funksioni dhe detyrat që ka një institucion i tillë. Por nuk bëhet fjalë për tjetër gjë, veç për homologen e vet shqiptare që ndryshe quhet “Ministria e Brendshme”.

Pak historik.

Që prej rënies së Juntës ushtarake, në vitin 1974, në Greqi kjo ministri ka pasur emërtime të ndryshme.
Në rend kohor, po i vendos si më poshtë.

- Ministria e Rendit Publik
- Ministria e Brendshme dhe e Rendit Publik.
- Ministria e Rendit Publik (përsëri)
- Drejtoria e Rendit Publik (e përfshirë nën vartësi të Ministrisë së Brendshme.)

Që prej Tetorit të vitit 2009 pas zgjedhjeve të reja, që rezultuan në fitoren e PASOK-ut dhe ndryshimit të qeverisjes, kjo ministri u riemërtua me titullin “Ministria për Mbrojtjen e Qytetarit”.

Por pika kyçe e ndryshimit të emërtimit, shkon pak më përpara në kohë, në Dhjetor të vitit 2008. Atëherë kur ndodhën trazirat sociale në Greqi. Ngjarja tragjike që ia ndryshoi emërtimin, bashkë me qëllimin kësaj ministrie, është ajo e vrasjes nga një polic, të një djali të ri 15 vjeçar në datën 6 Dhjetor 2008.

Shkurtimisht:

Në një nga rrethinat e Athinës, Eksarhia, një patrullë policie, ndaloi disa adoleshentë dhe u përplas me ta. Gjatë procesit, njëri prej dy policëve, nxjerr pistoletën dhe qëllon djalin fatkeq në gjoks, duke e lënë të vdekur.

Pas ngjarjes në fjalë dhe revoltave popullore, pati një debat qytetar mbi rolin e forcave të rendit dhe mënyrën sesi e ushtronin këto detyrën e tyre.

Për më shumë shikoni këtu.

Në këtë debat u përfshinë tema si abuzimet e policisë ndaj qytetarëve në të kaluarën, por edhe abuzimet e forcave të rendit ndaj emigrantëve. Shumë besoj e mbajnë mend atë videon ku disa policë vendosin dy emigrantë të qëllojnë me shpulla njeri tjetrin.

Gjithashtu u diskutua mbi trajnimin fizik dhe psikologjik të forcave të rendit, diferencimet e tyre në sjellje ndaj qytetarëve të “njohur” apo të “dorës tonë”, me ata të panjohurit, abuzimet në detyrë, të drejtën për të mbajtur dhe përdorur armë dhe shumë çështje të tjera. Ishte një debat i madh publik mbi këtë temë, me shumë emisione televizivë, reportazhe gazetarësh, blogerësh, opinionistësh, analistësh, njerëzish të thjeshtë etj. Një debat i tillë, u mbajt me muaj dhe pas ndërrimit të qeverisjes, solli frytet e veta. Një ndër këto ishte emërtimi i ri i ministrisë, ndërsa të tjerat kishin të bënin me pavarësinë e institucionit prej ministrisë së brendshme, nevojën për reforma të forcave të rendit dhe nevojës për ta parë shërbimin e tyre nën një këndvështrim tjetër. Ndër këto reforma, vihej re gjithashtu kërkesa për punësim në forcat e rendit të emigrantëve, që për shkak të diferencimit gjuhësor dhe kulturor, do t’a kishin më të lehtë të komunikonin me bashkatdhetarët e tyre që do ndodheshin në marrëdhënie me këtë ministri.

Por ia vlen të ndalem pak vetëm tek riemërtimi i ministrisë. Nga “rendi publik” në “mbrojtje të qytetarit”. Një riemërtim i tillë, nuk është aspak vetëm gjuhësor, por në rradhë të parë konceptual.

Ku qëndron ndryshimi?

Ndryshimi qëndron në shpalljen e qëllimit të institucionit. Forcat e rendit, nuk mbrojnë më rendin, por qytetarin. Ky i fundit është subjekti kryefjalë i qëllimit të ekzistencës së institucionit dhe përparësia e vetme tashmë, bëhet mbrojtja e tij.

Nëse të mbrosh rendin psh do të thotë të rregullosh trafikun, përqëndrimi i policit rrugor do të ishte trafiku vetë. Mbarëvajtja e trafikut, rregullimi i tij, heqja e pengesave që e pengojnë mbarëvajtjen etj. Ndërsa të mbrosh qytetarin në një situatë trafiku, do të thotë të përqëndrohesh tek siguria e tij kur ky i fundit ndodhet në këtë situatë.

Ky këndvështrim i fundit, sigurisht që është më njerëzor. Sepse është humano-centrik, ndërsa “trafiku” është koncepto-centrik. Trafiku është diçka abstrakte, jo humane.
Një polic që siguron mbarëvajtjen e trafikut, do të shprehej ndaj një qytetari:
- Ec, se po pengon trafikun!
Ndërsa një i dytë, që mbron sigurinë e qytetarit do të thoshte:
- Ju lutem lëvizni se po pengoni njerëzit e tjerë të qarkullojnë!

E njëjta situatë, pas ngjarjeve të 21 Janarit, ku dëgjoj të shprehen se forcat e rendit duhet të mbrojnë “institucionet”.

Forcat e rendit, paguhen prej taksave të çdo qytetari të republikës. Në varësi të kësaj, çdo punonjës i FR është një shërbyes ndaj nevojave të tyre, për të vendosur rend, qetësi dhe mbarëvajtje. Këto forca nuk janë njësi e shkëputur, apo tejhuazuar ndaj punëdhënësve të tyre – pra qytetarëve. Madje FR vetë, janë qytetarë të cilët janë caktuar pët tu marrë me një detyrë të posaçme për të mbrojtur qytetarët e tjerë. Për pasojë, ato duhet të vendosen në shërbim të tyre. Në një organizim ku FR dhe qytetarët janë të shkëputur nga njëri tjetri, kjo tregon se ka diçka që nuk shkon në këtë mes.


Në 21 Janar, institucione dhe njerëz u përplasën, ndër ndodhitë e tjera. Dhe opinioni publik u vendos përballë zgjedhjes së prioriteteve. Rend publik, institucione – apo njerëz? Disa duan të “mbrojnë me çdo kusht institucionin”, po nga kush? Shoqëria civile brenda të cilës ndodhemi, nuk mund të trajtohet me fjalor të denjë për ushtarakë.

Parimi i mbrojtjes së rendit, duke qënë jo njerëzor, shndërrohet shumë herë në të pamoralshëm. A mundet një punonjës i FR të pretendojë se mbron rendin, përballë njerëzish të papunë që protestojnë, pa u interesuar për gjendjen e tyre më parë? Në fund të fundit, qëllimi i vetëm dhe madhor i institucioneve, është tu sigurojë njerëzve mirëqënien e jetës së tyre.

Një sistem që mohon qënien, lëre më mirëqënien, është antinjerëzor në thelb.


Këto çështje dhe qëndrime, duhet të bëheshin subjekt i një debati publik, dhe nuk duhet të kalonin kaq lehtë. Politizimi personal i skajshëm që ndodh në Shqipëri, po mohon jo vetëm debatin mbi çështje të tilla, por mohon gjithashtu përfshirjen e qytetarëve në të.

No comments:

users online
 
Creative Commons License
Shkrimet e blogut Busulla jane te licensuara nen Creative Commons Autoresi-Jofitimprurese-Vepra te pandryshueshme 2.5 Italia License.