Friday, February 4, 2011

TË TREDHUR

Kësaj rradhe po kapem me një frymë artikujsh që mbizotëron në mediat tona. E kam fjalën për ato lloj artikujsh të cilët tentojnë të përshkruajnë situatën ku ndodhemi, me një ton apatik, të distancuar në dukje dhe pesimist... mua më pëlqen t’i quaj këta lloj artikujsh “reportazhe sportive”. Zakonisht i komentoj me rezultatin e fundit të Barçës.

Cilat janë shenjat dalluese të simptomës?

Së pari, artikullshkruesi, bën një reportazh të gjendjes ku ndodhemi, duke kapur një aspekt specifik. Psh gjendjen ekonomike, reformat politike, strategjinë e partive apo liderëve kryesorë etj. Edhe këtë gjë e bën relativisht mirë.

Në rast se i vjen ndoresh ndonjë metaforë qëndrore, shprehje nga njerëz të njohur, apo ndonjë punch line, apo proverb kinez, aq më mirë!

Por kryesisht thelbi i artikujshkruesve të tillë qëndron në mbështetjen e idesë themelore, statike, strategjike dhe teoremë tashmë se: të dyja palët janë njësoj, ose pala tjetër, është potencialisht po aq e keqe sa ajo në pushtet.

Këta artikuj, i ngjajnë atij njeriu që shkon të ngushëllojë dikë që ka pësuar një dëmtim permanent fizik.

Për shembull...

- ah, shikoj se e ke humbur një këmbë. Sa keq! Si ja bën të çohesh në mëngjes? Besoj se edhe për të kryer nevojat personale, do ta kesh të vështirë. Po shkallët e pallatit, si i ngjit? Oh po këtu nuk ka as ashensor, kati i tretë! Sa keq! Sa i mjerë që je o njeri! Gjynaf nga zoti!

Po mirë do pyesni ju, çfarë të keqe ka në këtë mes?
E keqja e një fryme të tillë të shkruari, qëndron se stimulon apatinë, fatalizmin, inaktivitetin, pra idiotizmin.
E keqja e artikujve të tillë, është se i shikon njerëzit të cilëve u drejtohet si qënie pa vullnet, forcë dhe mundësi ndryshimi. Artikullshkruesi merr në dukje anën e lexuesit, të paanshmit, popullit, dhe pasi vendoset midis tij dhe pushtetit, politikës, shtetit etj, synon të krijojë një distancë fiktive, duke u mohuar njerëzve që u drejtohet pjesëmarrjen në procesin demokratik. Dhe këtu dallohet paanshmëria e shtirur, në mos naiviteti. Ndërsa empatia e shtirur, shërben si injeksion mpirjeje të mendjes. Duket sikur thonë, hej, jam dhe unë këtu dhe po vuaj me ty. Po ku po shkojmë dhe çfarë të bëjmë? ASGJË! Mjerë ne!

Një nga gjërat më të bukura që ofron sistemi demokratik i qeverisjes, është aftësia e tij për tu rregulluar dhe vetërregulluar. Për të zbuluar forcën e vullnetit dhe potencialin e njerëzve mbi të cilët ushtrohet. Madje kjo forcë e shprehur, është e tillë që ndihet edhe aty ku nuk e pret. Ndërsa opinionistë të tillë, fatalistë të tredhur, ua mohojnë forcën që mbajnë njerëzit për të ndryshuar gjendjen ku ndodhen.

Nuk është skenar i ri, është diçka e vjetër. Që ka rrënjë që në manipulimin e njëpasnjëshëm të zgjedhjeve përgjatë 20 viteve të fundit. Sepse manipulimi i zgjedhjeve, është kastrim, tredhje që i bëhet forcës që duhet të ketë populli, njerëzit, masat, votuesit, quajini si të doni.

Shtirja në këta artikuj, është e dallueshme dhe në ofertën e zgjidhjes. Sepse opinionistë të tillë, bëjnë sikur ofrojnë një zgjidhje. Ose duke i dërguar të pavullnetshmit vulëhumburit njerëz, nëpër disa rrugë qorre, si peticione, struktura paralele, ose në thjesht “mjerë ne”.

Por zgjidhje ka, nuk është se nuk ka. Dhe me zgjidhje, nuk e kam fjalën thjesht në revoltat mbarëpopullore dhe protestat të pavarura, apo opozitare, por zgjidhja ndodhet edhe brenda sistemit vetë.

Në reportazhin e fundit sportiv që lexova, flitej për “aferat e Rrulit” në ministrinë e energjitikës, shoqëruar (domosdo) me grykësinë potenciale të socialistëve që kanë gjashtë vjet në opozitë. Fatalizmi pas këtij përshkrimi është i lehtë.

Po, ka dhe një rrugë tjetër. Si do ju dukej psh që çdo tratativë ekonomike e qeverisë mbi një vlerë të caktuar, të paraqitej në internet? Se mua nuk më mjafton si arritje e madhe (e paparë, më e madhja etj) e qeverisë, të ishte që një milion shqiptarë janë tashmë facebuksa.

Në net të paraqiteshin ofertat e firmave pjesëmarrëse në të, konditat në të cilat zhvillohet procesi, udhëzimet juridike etj. Fjala magjike: TRANSPARENCË.

Edhe kjo e zgjidhjes, qoftë kësaj të veçantës, ashtu dhe të përgjithshmes, është rrugë e njohur: forcimi i institucioneve dhe mjeteve të kontrollit ndaj pushtetit. Përdorimi gjithashtu i transparencës, i mendimit kritik dhe parimeve demokratike.

Po këto të fundit, që të artikuloheshin dhe përdoreshin, do të donin një nxitje më të madhe sesa mllefi dhe inati ballkanik i një sy mua dy gjitonit. Do të duhej gjithashtu të tradhëtonin parimin e pashkruar të equidistancës...

No comments:

users online
 
Creative Commons License
Shkrimet e blogut Busulla jane te licensuara nen Creative Commons Autoresi-Jofitimprurese-Vepra te pandryshueshme 2.5 Italia License.