Gjithnjë më ka pëlqyer bota mitologjike. Jam njohur me të ashtu si shumë të tjerë, që fëmijë i vogël nëpërmjet përrallave të gjyshes. Mbaj mend kur ajo ulej e më tregonte ndonjë përrallë, butë dhe shtruar, duke tundur pak kokën për të shtuar dramacitetin, me një mënyrë origjinale dhe thjeshtësi epike, ashtu si mund të bëjnë vetëm gjyshet. Nëpërmjet moralit që shprehnin përrallat, më pas zinin fryte përfytyrimet e para të një bote magjike. Që andej e kanë zanafillën përfytyrimet e vetes si princ, për të shpëtuar “të bukurën e dheut”, apo ndonjë personazh tjetër femëror, për emrin e të cilave, edhe në moshë të rritur, kam patur gjithnjë debulesë. Vetëm për shkak të përrallave...
Mitet, ato rrëfenja të vogla, të ndërtuara me thjeshtësi dhe humor popullor, igrendientë të mjaftueshëm për të kthyer miell dhe ujë në brumë.
Me kalimin e kohës, më pas kërkoja vetë të lexoja përralla, “Gishto-n”, “Qerosin”, “Tërfilin me katër fletë”, derisa rashë në një përrallë të madhe, më të madhen që kam lexuar ndonjëherë. Ishte një libër i madh biblioteke, me fletë të zverdhura nga koha. Vetë ngjyra e fletëve ia shtonte misterin që mbante brenda. I gjithë libri i shkruar në vargje, fliste për njerëz, heronj, perëndi dhe gjysëmperëndi, të gjitha të ardhura prej një kohe të shkuar, nga një vend që dukej të ndodhej shumë larg në hapësirë dhe kohë. Vetë bota brenda atij libri, ishte e paanë. Për heroin që kishe lexuar në një faqe, e kishe humbur në faqen tjetër dhe kishe gjetur dikë tjetër. Duhet të riktheheshe përsëri pas, për t’i lexuar kartën e identitetit. E cila nuk ishte gjë tjetër veç një shënim në fund të faqes: Hektori, biri i Priamit, Ajaksi, mbreti i Salaminës,bir i Telamonit, Odisea, mbret i Itakës, bir i Laertit etj. Kurioziteti i adoleshentit, më kishte çuar pra tek Homeri. Iliada.
Por ky shkrim nuk është për librin në fjalë, megjithëse ka lidhje me të. Sepse nëpërmjet këtij libri mu zgjua interesi për të mësuar më shumë mbi botën mitologjike të lashtësisë.
Atëherë ndihesha i mahnitur mbi shpjegimet e atyre njerëzve 3000-4000 e më shumë vjet më parë, për botën, për fenomenet natyrore, për evente dhe evenimente. Ishte tmerrësisht bukur të mendoje psh, se diellin e mbart në një karrocë me kuaj një perëndi, që e nxjerr shëtitje mbi horizont çdo mëngjes në qiell, për ta ulur në darkë.
Apo që stina e pranverës, tregon se Dhimitra, perëndesha e natyrës, është e lumtur që e bija Persefoni, vjen prej Hadit drejt e në duart e saj.
Ajo që më bën përshtypje tani, në këto kohë që po kalojmë, është se ata njerëz të lashtë, u kishin dhënë status perëndie shumë virtyteve. Kështu psh Afërdita ishte perëndeshë e Dashurisë, Athina e Diturisë, Hera apo Estia e Familjes, Dhiki e Drejtësisë etj.
Besoj se botëvështrimi i atyre që e kishin bërë këtë gjë, duhet të ishte diçka me të vërtetë për tu vlerësuar.
Kjo sepse, duke ua njohur vlerën virtyteve dhe duke i vendosur në rang hyjnish, sipas emërtimit dhe funksionit që kryenin, kishin ndërtuar një sistem vlerash të cilit i besonin, dhe me anë të këtij, kishin ngjizur bashkësinë sociale të cilës i përkisnin.
Hyjnia e virtytit.
Është interesante të analizohet, përse njerëzit e atëhershëm virtytet i kishin shndërruar në perëndi. Sepse është një gjë të njohësh vlerat e një shoqërie, dhe tjetër gjë krejt e ndryshme t’i hyjnizosh ato. Hyjnizimi i atëhershëm, kishte kërkesa më të larta sesa thjesht njohja e vlerave. Sepse hyjnive njerëzit u bënin flijime, u këndonin himne, u ndërtonin tempuj dhe statuja, u luteshin, dhe mbi të gjitha... U BESONIN.
Pashmangshmërisht më shkon mendja tek krahasimet e këtyre hyjnive, me analoget e tyre në kohën e sotme. Krahasimi më i afërt, do të ishte me institucionet përfaqësuese në atë ne sot quajmë “shtet laik”; dhe tempujt e atëhershëm, do të ishin përfaqësueset e shtetit të sotëm. Konkretisht, ministritë psh ajo e drejtësisë, arsimit, mbrojtjes, rendit etj.
Si në shkrimin e mëparshëm i cili fliste mbi ndryshimin që ka mbrojtja e rendit, nga mbrojtja e qytetarit, edhe këtu ka një shmangie, nga besimi i hyjnisë, në besimin e përfaqësimit.
Çka ndodh kur përfaqësimi hyjnor i virtyteve çalon?
Kur ndodh diçka e tillë, atëherë vetë ekzistenca e bashkësisë, arsyet për të ekzistuar, dobësohen. Njerëzit humbasin besimin tek përfaqësimi, tek të ngjashmit, tek shteti i tyre dhe kjo mund të rezultojë deri në prishje të bashkësisë.
Institucionet nuk përmbushin rolin për të cilin janë ngritur, as respektojnë virtytin përfaqësues. Parlamenti psh është institucioni përfaqësues i vullnetit të shumicës. Në rast se në rradhë të parë, ky institucion nuk pasqyron vullnetin (zgjedhjet vidhen, vidhet dhe vullneti), në rast se nuk ushtron detyrimet e veta siç duhet (ligje të padrejta, mungesë respekti, edukate, etike) atëherë ky institucion, e ka humbur qëllimin për të cilin është ngritur.
Marrim presidentin. Përfaqëson unitetin. Në rast se nuk e bën detyrën dhe detyrimet siç duhet, përsëri kemi një dështim të qëllimit për të cilin institucioni ekziston.
Po kështu me ministritë, prokurorinë, avokatin e popullit etj.
Këto janë gjëra të njohura, nuk dua të ndalem më tej këtu.
Aty ku dua të ndalem, është tek pasojat që kanë këto dështime institucionesh ndër qytetarët e thjeshtë të vendit. Që përfaqësimi i virtyteve dhe vullnetit të dështojë, është diçka e keqe, po më keq se kaq, është humbja e besimit në virtyte.
Të jetë dikush skeptik ndaj formës në të cilën ushtron pushtetin shteti, është e pranueshme. Por nuk është e pranueshme të humbasë besimin në vetë virtytin. Ata njerëzit e lashtë që kishin për hyjni drejtësinë, moralin, familjen, do ta dënonin për herezi. Dhe do të bënin shumë mirë.
Është detyrë e çdo qytetari, të kërkojë drejtësinë për këdo, sado që institucionet përfaqësuese të drejtësisë, nuk ia ofrojnë këtë gjë.
Është tmerrësisht e shëmtuar të rrënohet virtyti, për hir të përfaqësimit jo të denjë. Në këtë aspekt, kushdo që promovon mungesën e drejtësisë, në çdo lloj forme, qoftë duke ofruar shembuj pesimizmi, mosbesimi në të, zhvlerësim të çdo lloji të saj, duhet kritikuar.
Në fund të fundit, drejtësia, uniteti dhe vullneti i njerëzve, janë institucionet e vërteta. Gjithë të tjerat, janë tempuj të padenjë.
Subscribe to:
Post Comments (Atom)
1 comment:
nje loje per te shtyre kohen
http://plumbaperandorit.blogspot.com/
miku qe te do te miren
Post a Comment