Tuesday, July 22, 2008

Futboll... filozofik.



Ndonjë lojtar të preferuar keni ju nga këta që shikoni apo jo?

p.s për renditjen e kategorisë(përpara se të më pyesë E-ja :D) ... thonë se filozofia është sport i rëndë.

Wednesday, July 16, 2008

Zgjedhja e Odiseas

Updated.


Ju po ju drejtohem
Vashëzës syzezë
Më do apo nuk më do
Kjo është hipotezë

(...)

Trupi si cilindër
Koka si trup koni
Kur më del përpara
Je si Y-Loni. (:D)



***

Kjo më sipër është shkëputur prej kujtimeve të mia, marrë si burim origjinal nga goja e tim eti. Do e përkufizoja të gjithën si “dashuri matematikore”. Del në versione të ndryshme; që prej ilustrimit më sipër, deri në algoritme, formula funksionesh të që të zbatuara grafikisht, jepnin figura të njohura simbole dashurish: zemra, shprehje, apo gjithçka tjetër çka mund të ofrojë imagjinata e krijuesit.


Dashuria në letërsi është një lidhje mitike, më mitikja ndoshta. Aty ku shpalosen ndjenjat me të gjithë forcën e gjuhës, dramës, sakrificave, dhimbjes, romantizmit, dëshirës të atyre që marrin pjesë në të. Qoftë si personazhe, apo si lexues.


Diçka mitike kisha ndërmend të ofroja dhe unë. Po kësaj here të parë ndryshe. Të gjithë besoj se të paktën keni dëgjuar për Odisean, një nga heronjtë e luftës së Trojës, të cilit Homeri i dedikoi dhe një libër të dytë në emrin e vet. Që prej Iliadës, Odisea njihej si burrë shumë i zgjuar. Aftësitë dhe rastet për ta shpalosur këtë tipar, shfaqen gjatë të dy librave. Gjithsesi, një pjesë e vogël prej mitit, që nuk i kisha kushtuar shumë rëndësi më përpara, nuk më la pa mbresa. Është pikërisht ai momenti kur princërit e lashtë do të duhej të zgjidhnin me short kujt do i takonte Helena. (versioni është një prej të shumtëve nga miti) Ky lloj shorti del të jetë propozuar prej Odisesë vetë, i cili u tërhoq prej tij dhe zgjodhi të martohej me Penelopën.



Nuk e di pse instiktivisht më erdhi në mendje ai filmi shume i bukur me Rusell Crow, "A beautiful mind". Pjesa e frymëzimit të teorisë prej Nash ku një gocë e bukur, e vënë përpara ofertës së partnerëve, të shumtë do t’i refuzonte të gjithë. Ndërsa shoqet e veta do refuzonin djemtë që i ishin hedhur të bukurës. E para do e bënte sepse ndjenja e superioritetit nuk e lejonte të zgjidhte dikë. Ndërsa të tjerat prej xhelozisë.

Zgjedhja gjeniale: Hedhja e grepit te dikush tjeter, jo aq e bukur sa ajo bjondja, po më “e sigurt”. E sigurt do ishte në terma ekonomiko matematikorë, ndërsa aty ku hyjnë ndjenjat, mund të themi pa frikë e përshtatshme. Interpretimi në film i denjë për Oskar dhe teoria e denjë për Nobel.

Është akoma interesante sesi kjo teori qëndron në përzgjedhje statistikore që behen nëpërmjet këmbanës së Gauss (shpërndarje normale). Për tendera psh, këmbanës i priten krahët poshtë, po dhe maja lart perjashtohet prej zgjedhjes. Optimalja gjendet aty ku siç thuhet ndryshe, ndodhet mesi i artë.




"Nobelin" veç, i pari e meriton Odisea...Përjashton Helenën prej zgjedhjes se vet zgjedh Penelopën, një grua besnike, e bukur, me karakter.
Përfundimi është i ditur - Menelau vritet, Troja digjet, Odisea besnik shkon ne atdhe dhe shijon frutet e zgjedhjes se vet.
Të dashurosh me arsye a thua është e pamundur? Mbi çfarë kriteresh dashurojnë njerëzit?
"Dashuria e pamundur" është ngritur ne piedestal, ndoshta pa të drejtë. Në fund të fundit është zgjedhje e gabuar. Lind pyetja a e deshi Odisea Penelopen? Ndoshta e tregoi, te udhëtimi i vet.

Nëse marrim si të dhënë psh se arsyeja nuk duhet të jetë vendimtare në dashuri, më thoni kush nuk do ta donte një grua që priste burrin e vet 10 vjet rresht?

Të duash...A mund te duash një grua të pandershme bie fjala? Po nëse nuk e di në është e tillë apo jo, a mund të duash pa e njohur? Po të vazhdojmë më tej, nëse e njeh a themi dot se dashurojmë pa arsye?



***
Shkrimi ka qënë shkruar diku më parë nga mua në net. Është përshtatur dhe rishkruar.

Dedikuar 2 E-ve.

Njëra E më pyeti çka është dashuria e vërtetë, nuk dija t’i përgjigjesha. (sigurisht që as tani nuk pretendoj se e di)

E-në e dytë e njihni. :D Ajo më shtyu të rikujtoja ç’kisha shkruar dikur.

***


një email nga ime motër më thotë se kjo më poshtë është poezia e plotë. Ka dalë para 4 vjetësh në një gazetë matematike, madje ka marrë çmim. DERI TANI NUK E DI AUTORËSINË. Nëse vërtetohet kush është do i vendos emrin.

Ty po te drejtohem, vajze moj syzeze

Me do apo s'me do, kjo eshte hipoteze.

Pamja jote e embel, posi teoreme

Kur te shoh perpara, sikur zgjidh probleme.

Ti je elegante, si ekuacion

Mesi yt I holle, posi ypsilon.

Supet delikate, pika infleksioni

Qafa si cilinder, koka si trung koni.

Hunda si segment, posi rreze drite,

veshet simetrike, balli si orbite.

Syte si dy vatra, vetull parabole.

C'mi ke ndare aq bukur floket, si spirale

Oj tu thafte dora, si me simetrale.

Rreze rrezatojne syte e tu te qeta

Njeri rreze alfa, tjetri rreze beta.

Per ty psheretimat, qe dalin rrethore

Happen vale vale, si rrathe bashkqendrore.

Une e ti nje thyese, lidhur ne nje bosht

Ti numeruesi siper, une emeruesi poshte.

Po s'ta bera jeten diell, si pranvera

C'vite me jane taksur, mi shumezofte zerua.

Dashurise per ty mos ti shuhet vapa

Cdo fjale qe ta thuash, do ta fus ne kllapa.

Dhe oh si do rritet me hapa ritmike,

Sot fuqi katrore, mot fuqi kubike.

Bukuria jote bukuri limit

Mi perndave mente gjer ne infinit.

Me trete formule, me shkrive te gjalle

Si nje copez akulli ne +100 shkalle.

Folme shpirti im shpirt ne maximum

Se pa ty s'kam gjume as ne minimum!



Wednesday, July 9, 2008

Vlera e madhe e budallenjve në shoqërinë e sotme.

I

Akuzave të pabaza rreth budallenjve u shtohet dhe padrejtësia shkencërisht e gabuar ku këta shikohen si të pavlerë, pengues të shoqërisë së sotme apo parazitë. Ndoshta shumë herë shprehimisht urojmë përsëri në mënyrë të gabuar që këta të mungojnë mes nesh.

Problemi me budallenjtë nuk është i thjeshtë nëse së pari marrim parasysh vendin e qëndrueshëm dhe krejtësisht të nevojshëm që këta luajnë në diferencializimin e klasave shoqërore. (ku shkruhet “diferencializim” nënkupto “ndarje klasash”, shënimi im)

Kështu budallenjtë ndahen në dy kategori krejtësisht të ndryshme nga njëra tjetra, veç të dyja këto kategori i përgjigjen të njëjtave ligje shoqërore – diferencializimit.

Kategoria e parë, përfshin budallenjtë të vendosur në klasat e ulëta të shoqërisë.

Sesa e vlefshme është kjo kategori njerëzish, e kotë ta diskutojmë. Do na duhet të theksojmë gjithsesi se pa të shfrytëzuar, nuk mund të ketë zhvillim. Duke folur në gjuhën e shkencave shoqërore, pa këta nuk do kishte ndarje klasore, sepse në vend të pabarazisë, do kishim barazi. E njëjta gjë vlen edhe kur kjo ndarje e shoqërisë sigurohet mbi nivelin e nevojshëm, domethënë, sikur të gjithë të ishin të zgjuar, atëherë përsëri nuk do kishim qytetërim, do të ishte njësoj sikur të gjithë të ishin budallenj. Qytetërimi sigurohet vetëm nëpërmjet ekzistencës kategorike të të dy grupeve, si të mençurve, ashtu dhe budallenjve. I privuar qoftë prej njërës nga dy degët e tij, qytetërimi rrëzohet përfundimisht.

Në vazhdim pra, përmes teorisë të diferencializimit shoqëror, pa kontributin esencial të budallenjve, qytetërim nuk ka. Kështu, më së pari duhet të njihet vlera e madhe shoqërore e budallenjve. Madje në sociologji, kjo vlerë njihet shkencërisht.


II


Diskriminimi ndaj budallenjve vjen si rezultat i rendimentit të kategorisë së dytë ku ata përfshihen, e cila është më e bezdisshme se e para, por dhe kjo përfshirje e tyre bëhet e tillë nëse kalon kufijtë e llogjikës dhe shndërrohet në lëvizje antisociale dhe antishkencore. Këtu pra, akuzohen budallenjtë e kategorisë së dytë, ata që mbajnë poste të larta në rendin shoqëror.

Ky gjykim i situatës, shmang krejtësisht një padije të funksionimit diferencial shoqëror, i cili përmblidhet në rregullin elementar “Për 10 budallenj, duhet një i mençur”, “për 10 të paaftë, një i aftë”. Ky fenomen, tipik klasik, tepër i vjetër shekullor, ekziston për aq kohë sa është në jetë dhe shoqëria njerëzore, që nga fillimet e njerëzimit. A bëhet të jetë fenomeni në fjalë thjesht “rastësor”? Po rastësi konsiderohet çdo gjë që truri i njeriut nuk e kap dot. Asnjëherë veç, nuk është konsideruar rastësi ai çka quhet rregulli themeltar i diferencimit shoqëror. Dhe susta psikologjike siguruese e aleancave të atyre që janë “poshtë”, ndaj atyre që janë “lartë” është njëherësh e dhënë sipas ressentiment.

Aleanca e budallenjve, nuk është gjë tjetër veç një organizim mekanik sipas parimit të “përpjekjes më të vogël” në mënyrë që të luftojë një forcë më të madhe të përfytyruar tek një grup oligarkik apo te një njeri i vetëm. Ky organizim, i kufizuar në shtrirje, është emërtuar prej termit sociologjik si “klikë”.

2 Është e lindur tendenca e budallait, shumë shpesh madje e kthyer në mani, që të përfshihet në lëvizjet sa më të forta, sa më të shumta, në organizata shoqërore të çdo lloji e natyre.

Kjo tendencë shpjegohet së pari përmes lehtësisë të tufëzimit, (grupimit) të cilit i nënshtrohet si pasojë e mungesës së individualitetit. (Prej kësaj tendence rrjedh dhe urrejtja ndaj individëve apo individualistëve).

Arsyeja e dytë është paniku kafshëror individualist prej të cilit përfshihet vazhdimisht, dhe frika e arsyeshme se mund të përmblidhet në çfarëdo lloj proletariati. Këto tendenca, janë afërsisht fakte të pathyeshme për të vërtetuar cungimin shpirtëror të dikujt.

Në këtë mënyrë krijohen flukse të larta rrymash budallenjsh që vërshojnë nëpër organizata të çdo lloji. Nëse këto organizata, janë mbrojtëse të interesave, atëherë arrijnë ta ruajnë të paktën mbrojtjen qoftë sipërfaqësore të interesave që kanë. Po nëse këto organizata janë të natyrës shpirtërore, me kalimin e kohës degjenerojnë në budallo-adhurim.

Këtij fenomeni të fundit i janë nënshtruar psh degjenerimi i masonerisë, Lidhjet e kudondodhura Roteriane, akoma së fundi dhe ajo..Organizata e Kombeve të Bashkuara! Pra sipas të dhënave më sipër, tendenca shtytëse e budallenjve drejt organizatave të çdo lloji dhe natyre dhe tufëzimit të tyre me mani, antindividualizmi dhe grupimi pa ndërhyrje tjetër, na jep shembujt e ekonomisë së drejtuar në shembujt e socializmit, apo komunizmit. (të tjerë janë ata që shfrytëzojnë teori të tilla gjithsesi).

Në këtë mënyrë, më tej mund të shpjegohet përzgjedhja rigorozisht dhe rreptësisht e budallenjve në krye të organizatave shoqërore, të cilët përmes dhunës politike arrijnë të mbizotërojnë dhe si sistem ekonomik apo politik. Po nga ana tjetër, kritikat, privilegje e atyre personave që zotërojnë një llogjikë të fortë, të drejtuara ndaj udhëheqësve të organizatave të tilla, janë krejtësisht të padëshirueshme. Sepse e ushtruar nga të tjerë, bie ndesh me pushtetin e budallenjve, apo të atyre që mbajnë një pozitë të tillë interesi që i bën të ndjeshëm ndaj mendimit kritik. Mungesa e mendimit individual, lëvdatat, keqdashja (shikoni më poshtë) i bëjnë këto situata, ideale për tu klasifikuar si të zotëruara prej budallenjve. Përsëri tendenca e paluftueshme që budallenjtë kanë të mblidhen në tufëzim, përmes shfaqjeve publike, të ushqyera prej radiove, televizionit, modës, dhënies së vlerësimeve (diplomave, medaljeve) japin një pikturë të përgjithshme si shfaqje budallëku dhe përmes asaj çka pamë më lart, janë të vetkuptueshme.

III

3. Tani na duhet të gjejmë se kur duhet ta marrim si të dhënë mundësinë reale të ndikimit prej kopesë së budallenjve? Kjo mundësi, mund të vlerësohet objektivisht dhe pavarësisht sustës psikologjike (ressentiment) e cila nuk do të kishte asnjë ndikim aktiv shoqëror në diferencimin e klasave. Është vlerë e dhënë nëpërmjet pozitës që mbajnë budallenjtë në rendin shoqëror. Pozitë në të cilën shndërrohen në të pazëvendësueshëm, sepse është pozitë më e ulët por gjithashtu hallkë e nevojshme për funksionimin e të gjithë mekanizmit shoqëror, i cili bazohet absolutisht në hallkat e veta më të ulëta.

Më qartësisht duket kjo varësi në marrëdhëniet me hallkat më të larta në personazhe dhe pozita që këto hallka u përkasin. Qartësisht kjo lidhje duket te forma e santazhit, të cilën e njohin të gjitha qeniet shoqërore. Si shembull jepet shmangia, mbyllja e një dosjeje, apo mosdhënia e urdhërit të mandatit të arrestit kundrejt një të kërkuari kriminel, prej organeve (të ulëta në grada) policore të lidhura me persona të tillë etj.

4. Duke marrë parasysh, aktualitetin e kësaj gjendjeje në rangjet e ulëta të personave në diferencimin social, bëhet plotësisht e kuptueshme ngritja në pozitë e personave të tillë përmes aleancave duke vendosur veten dhe të tjerë në pozita të tilla paralizuese të sistemit dhe bojkotimin nga këta persona me këto aleanca nga njëra anë ndaj personave të aftë për të kryer një punë të caktuar, ndërsa në anën tjetër, vendosin shtytjen ndaj personave të njëjtë me ta drejt pozitave drejtuese. Ky fenomen emërtohet “klikë”.

Që një evolim të llojit të tillë, asnjë nuk mundet ta ndalojë kjo duket qartë, aq qartë sa duket dhe marrëdhënia e ndërvarur sipas të dhënave të mësipërme. Sipas kësaj vartësie, fenomeni “një budalla bie, një mijë ngrihen” vazhdon pambarimisht.

I ardhuri në pozitë kësaj here budalla, do të kërkojë më budallenj se vetja për t’i patur vartës deri sa një ndërhyrje e dhunshme nga jashtë, e detyrueshme herë prej nevojës, herë prej organizmave shoqërorë, apo një përçudnim i organizatës në fjalë do të jetë i rangut të tillë që të çojë në një tronditjeje nga themelet deri në fundin e saj.

5. Por edhe pa aleanca dhe organzime, pa “klika”, të ardhurit e rinj budallenj apo të paaftët përgjithësisht, sikur edhe individualisht të mbizotëronin vendosen të lidhur me diferencimin social në një rang të njëjtë me të organizuarit. Sepse objektivisht, pozitat të cilat mbajnë, nëse marrim parasysh si më sipër, janë të tilla që i bëjnë ose të mbivlerësuar, ose të ngrënshëm (durueshëm) prej të tjerëve, asnjëherë veç në këto pozita nuk kërkohet aftësi që të arrihet deri aty. Në të kundërt, njerëzit e aftë, shtypen dhe rrëzohen me rastin më të parë që arrijnë në majat më të larta të sistemit. Në këtë mënyrë, shumë të paaftë kanë arritur të kenë pozita të larta që nga presidenti i Republikës deri te “sekretari i Aleancës së shitësve të çarqeve të minjve”. Këto pozita shoqërore asnjëherë një njeri serioz nuk do kërkonte t’i kishte. Pozita të cilat shoqërohen me diploma, medalje, shfaqje etj.

Kolegu causeur i rasteve më lart përbën me të vërtetë një fshikullim shoqëror, sepse si causerie merr përsipër të flasë te kopeja e njerëzve mbledhur përpara tij çfarë u bë nëpër gazeta, çfarë dëgjoi në radio, çfarë i thanë njerëzit në rrugë etj. Gjithashtu kur vendos të komentojë mbi tema të vështira që kërkojnë mprehtësi intelektuale dhe hir shpirtëror si psh se gjatë natës mbizotëron errësira dhe pas shiut sigurisht ka lagështi. Në këto raste shtohet gjithashtu qëndrimi “vetëmbrojtës” ndaj njerëzve intelektualisht më lart se ai vetë, një nënvleftësim i qëllimshëm i tyre në emër të popullit etj.

IV

6 Interesant është përfundimisht dhe fenomeni i disa njerëzve të ditur të cilët instiktivisht e ndjejnë rolin e madh të budallenjve në shoqëri dhe karrierën e tyre të shndritshme – në prerjen e artë të modestisë sigurisht – vendosin të vishen me këtë rol të ngrihen dhe ata nëpërmjet metodës së infiltrimit ndër ta. Por ky rol është tejet i vështirë për dy arsye kryesore.

Së pari subjektivisht, ekzistenca e jetës shpirtërore dhe intelektuale ka një reflektim në fizionominë e jashtme, kjo edhe me aktrimin më të mirë të mundshëm është e vështirë të fshihet, veç në rastin kur kemi të bëjmë me talent aktrimi të jashtëzakonshëm. Thjesht, veç prania e një të mençuri është si rregull, tejet sfiduese për budallain. Kompleksi psikologjik i ndjenjave që vërshojnë drejt tij, është krejtësisht i njëjtë me atë të një kafshe në ikje e sipër, në gjendje paniku, ose të një njeriu në gjendje arratisjeje, apo pozicion mbrojtjeje. Urrejtja, frika, keqdashja, bashkë me guximin harbut përmblidhen në një mënyrë të tillë që shprehin për një sy të stërvitur qartë në çdo frazë, qëndrim të njëjtë nënvlerësues, apo përulës në një gjendje të rrezikuar.

Së dyti, sipas mënyrës të të menduarit të budallait, dyshimi instiktiv i lindur i tij, është e tillë që hipokrizia aktoriale e të mençurit bëhet e kotë. Nga ana tjetër, sinqeriteti i vërtetë i shprehur prej të mençurit konsiderohet si hipokrizi. Budallai është qënia më e afërt me mbretërinë e kafshëve, ka ndjenja dyshimi instiktiv të zhvilluar në mënyrë të tillë që bëhet i pamundur diagnostifikimi apo krijimi meditues dhe renditja llogjike e fakteve, të dhëna zgjuarsie këto, aftësi jo të mbështetura në instikte, por në dije. (budallai) i paarmatosur dhe i pambrojtur prej ofensivës inteligjente, përballë veprimeve llogjike të ftohta të një zgjuarsie të huaj, karakteristika që bëhen të pakapërcyeshme për të, dhe për t’i përballuar vë punë mjetin e vetëm që ka në dorë, pikërisht ato që përdorte dhe njeriu primitiv apo kafshët – dyshimin instiktiv.

Në këtë mënyrë shpjegohet dhe inferioriteti fizik, apo shpirtëror i popujve që frymëzohen kryesisht nga dyshimi instiktiv dhe nga vetëkënaqësia, karakteristika që i marrin si të dhëna inteligjence. Në kundërshtim me evropianët, të cilët nuk kanë asnjë nevojë për ndjenja të tilla dhe botkuptimi i tyre është mbështetur mbi llogjikën. Sipas kësaj gjithashtu, duket qartë se dyshimi keqdashës dhe pjella e tij, dinakëria, janë të dhëna krejtësisht të kundërta me inteligjencën, madje i kanë zënë vendin kësaj të fundit. Themi në “të kundërt” përsa i përket rolit, sepse dituria, nuk është e pavarur prej instiktit, përkundrazi, është zhvillimi i mëtejshëm i këtij të fundit që nga vlera e tij fillestare.

7. Dinakëria, është ushtrimi aktiv i dyshimit dhe stadi i dytë i tij, veprim i njëjtë me instiktet kafshërore të mbrojtjes, sepse për tu ushtruar presupozon varfërinë dhe inercinë shpirtërore të budallait, si kafshë instiktivisht dhe shpirtërisht nën panik. Dyshimi i thjeshtë është një mbrojtje me natyrë pasive e cila nuk u drejtohet personave të tretë. Ndërsa dinakëria është mbrojtje e natyrës aktive, sepse përmbledh aktivitet të trurit, renditje mendimesh dhe përfundimesh deri në veprim (kur themi ia hodhi psh), dhe si përfundim ushtrohet mbi persona të tretë. Vlera e cilësisë së mendimeve, meditimeve dhe përfundimve nuk ka lidhje me zgjuarsinë kur vetë përdorimi i këtyre na çon në ushtrimin e asaj çka quhet me një fjalë të vetme – dinakëri (shejtanllik), por përdorimi i përgjithësimeve në kombinim me nivelin e ulët intelektual çon në ushtrimin e disa veprimeve të njohura në funksion të dinakërisë (lavdërime, gënjeshtra, keqdashje, shpifje, kurvëllik, këndvështrim simpatik ndaj budallenjve akoma, duke zënë në gojë fëmijët e shumtë të tij, ofertë ndaj të “fortit” për shërbime të ndryshme, të lehta dhe të pamoralshme, spiunllik, “marrje pluhurash”, karagjozëllëqe, apo të bërit si Kazanova, puthje duarsh përpara “të Plotfuqishmit”, nxjerrje fjalimesh, thurje të vargjeve lëvdonjëse, mbartje qesesh me zarzavate etj)

8. Budallai mundet përmes “aftësisë” së tij dhe mjeteve të cekëta intelektualo-shpirtërore, (në mungesë të aftësive të larta intelektuale), të ushtrojë më pas dhe mashtrimin. Mashtrimi siç dihet, është fshehja e të vërtetës, apo parashtrimi i gënjeshtrës si e vërtetë. Sipas këtij përkufizimi, ushtrimi i mashtrimit, nuk i detyrohet mprehtësisë së atij që e ushtron, sepse si çdo njeri që mundet të parashtrojë të gënjeshtrën si të vërtetë, ashtu mundet dhe budallai në fjalë, por në mirëbesimin e viktimës. Arsyeja që i futet kësaj rruge si më e lehta mendërisht e mundshme, për budallain është mungesa e mprehtësisë së tij dhe paaftësia për të përdorur mjete të ndershme, karakteristikë kjo e njerëzve inteligjentë. Vetëm ata munden të përdorin vlera që kërkojnë një kalitje individuale shpirtërore.

Po si është e mundur atëherë që na del përpara shprehja e përhapur gjerësisht se mashtruesi nuk ka mundësi të jetë budalla, përkundrazi, është i mençur? Në të kundërt me analizën e mësipërme sipas së cilës del se mashtruesi nuk ka mundësi të jetë i mençur por budalla me vulë?

Kjo përshtypje e ka burimin nga “teoria” e lidhjes së budallëkut me mirëbesimin. Budallai është i prirur të “mendojë” jo prej një mekanizmi llogjik kuptues por nga përshtypjet e jashtme. Nuk kërkon arsyet madhore të cilat shpjegojnë fenomenin e caktuar, por kufizohet në gjetjet sipërfaqësore aq sa për të realizuar një mashtrim të suksesshëm. Veprimi në fjalë nuk lidhet vetëm me mirëbesimin e viktimave të veta dhe zgjuarsisë së mashtruesit.

Që mashtrimi nuk lidhet me zgjuarsinë besoj se e bëmë të kuptueshme mjaftueshëm. Por të thuhet që mirëbesimi është budallëk, kjo është me të vërtetë monument i budallëkut “të zgjuar”. Sepse mirëbesimi i dikujt, presuozon që të tjerët të jenë si ai, mirëbesues dhe të ndershëm, pra të mençur. Ky është pa dyshim treguesi më i lartë i arritjes kulturore dhe qytetëruese të dikujt.

Sa më lart të ndodhet dikush në shkallët e zgjuarsisë dhe të qytetërimit, qofshin këta popuj, apo individë (psh evropianët në lidhje me popujt e lindjes së mesme) aq më mirëbesues janë ndaj njeri tjetrit.

I fundit i budallenjve, do ta kishte të pamundur që të mashtronte një Kant apo një Betoven dhe i fundit i grekëve (lexo shqiptarëve po të duash :D) një evropian. Hedhja e vështrimit keqardhës të “frëngëve naivë” drejt fatkeqëve “të mençur” banorë rreth Mesdheut, apo të Lindjes, le të jetë dënimi i budallenjve për këtë “teori” të tyren.

V

9. Jemi brenda të vërtetës nëse themi që budallai ndjek instiktin e vet të dyshimit keqdashës* (lexo supersticioneve*) dhe kjo është e padiskutueshme. Ai e vendos veten e vet brenda jetës sociale dhe “fatin” e tij në lartësi qiellore (brenda metafizikës psh), aty ku bota instiktive ka pësuar një degjenerim të lartë - përballë botës llogjike, duke humbur në këtë mënyrë çdo kontakt me realitetin.

Nëse pranojmë, ashtu siç lipset të bëjmë, se së pari: Instikti është i pagabueshëm, si i tillë i pashpjegueshëm dhe i pa cen. Së dyti; se bota instiktive është mbi të gjitha një botë prej natyre e shëndetshme. Së treti; se shoqëria (bashkësia) në vazhdimësi të natyrës, është një organizëm i shëndetshëm i përbërë prej individëve të shëndetshëm, atëherë përfundimi mbi zotërimin e budallenjve në botë nëpërmjet metafizikes në shoqëri, është një përfundim i nevojshëm dhe i parevokueshëm.

Përfundimi vërtetohet si nevojë e natyrshme dhe sociale me vlera të përbotshme përsa u përket të gjithë popujve, në të gjitha kohët. Që gjendjet metafizike mbizotëruan (jo lulëzuan) në epokat e errëta sociale, kjo nuk është rastësi. Budallai, siç u tha sa më sipër, duke ndjerë në dyshimin e vet keqdashës “sulmin” e të mençurve është në mënyrë të krejt të natyrshme brenda realitetit, sepse me të drejtë ndjen rrezikun që i kanoset për tu fundosur në klasat shoqërore më të ulta. Nëse mundet nëpërmjet dyshimeve të veta të mbijetojë në majën e piramidës shoqërore, kjo ësht temë tjetër.

Është e dukshme veç që instikti përbën një mjet orientimi (busull) dhe mbrojtjeje të njeriut primitiv. Por ky nuk vlen ama si mjet mbizotërimi dhe superioriteti në një shoqëri të zhvilluar që i ka të ndara paraprakisht klasat sipas aftësive, në formë të natyrshme.

Budallai ngjan në këto lloj shoqërish me një kafshë e cila prej instiktit di t’i shmanget çdo rreziku, përveç dhunës nga “lart”, sikur vjen prej xhunglës dhe hyn në një një rrugë kryesore të një metropoli atëherë do gjendet befasisht poshtë rrotave të një makine. Kjo makinë, e cila është e panjohur dhe e pashpjegueshme për të, mbështetet sigurisht në fund të fundit te instiktet e njeriut, por është ndërtuar prej zgjuarsisë së tij. Sesa shpesh mund të gjenden njerëz të ulët shpirtërisht poshtë rrotave të “makinave” sociale, na jep një tregues të vendit që mbajnë ata në klasat sociale.

Këtë lloj makine, nuk mundet as budallai sigurisht ta shmangë, sepse ngritja e tij mbi të është e kufizuar brenda caqeve të caktuara shoqërore. Dhe së fundi, metafizikja, as kafshën dhe as budallanë nuk mundet të mbështjellë nën rrota, sepse është e kuptueshme që ai ia ka hipur kalit me flatra Pegasus. (Ose ka fluturuar me zarzavate si i themi ne :D)

VI

10. Sipas prejardhjes shoqërore të budallenjve, vëmë re që prodhimi i tyre nuk kufizohet prej ndarjeve klasore. Natyra dinake, nuk i dha asnjë klase të caktuar këtë privilegj. Në mënyrë të përciptë mund të pohojmë se budallenjtë më të këndshëm natyra na i ka ofruar në rangjet e klasave të larta, por gjithsesi, nuk ndau asnjë klasë nga ndikimi simbolik i tyre. Ministri budalla i bërë reckë nga nëpunësit dhe vartësit e tij, apo matrapazi ndërmjet punëtorëve që shfrytëzon mundin dhe djersën e kolegëve, janë dy raste të kundërta që vërtetojnë më së miri se budallëku vendlindjen nuk e ka të natyrës klasore.

Përmbajtja e budallëkut është kryesisht psikologjike për të formuar më tej variacionet e veta paralele midis budallenjve. Fils a papa i klasës superiore, i cili për shkak të atrofizimit fizik dhe natyrës bulemike të karakterit, merr seriozisht në konsideratë rradhën e pafundme të rregullave të vendosura prej familjes së vet, duke humbur kështu vlerën e mendimit kritik, katandiset në njeri pa pikën e karakterin dhe quhet prej klasës së vet përfaqësuese si “çun i mirë”, kur në mënyrë llogjike të përkufizimit do duhet të ishte “budalla përsëmbari”. Ndërsa “njeriu i popullit” nën shembullin paralel do duhet të quhej gjerësisht prej shoqërisë veç “trap”.

Me të drejtë duket më i rreptë përkufizimi në masat popullore. Nëse psh fils a papa i klasës superiore, në moshën shkollore del të jetë i pamjaftueshëm llogjikisht, ai mbështetet me mjetet që posedon klasa e vet, madje arrin të qëndrojë në pozita të larta shoqërore nëpërmjet kësaj mbështetjeje. Ndërsa njeriu i popullit, edukohet më me rreptësi nga prindërit dhe prej bashkëmoshatarëve të vet, derisa arrin një lodhje mendore të tillë përmes nënvleftësimit, sharjeve, talljeve, farsave, dhe dhunës që nuk i krijon mundësi të mjaftueshme të ngjitë në shkallët e klasave të tjera më të larta. Ky lloji i fundit i budallait, edhe më simpatik është, më modest, më i padëmshëm dhe më pak qesharak, gjithashtu e ka humbur vetëvlerësimin, në kundërshtim me budallain e klasave të larta që bulemia dhe mbrothtësia familjare, i shton karakterit të tij një lloj natyre femërore.


VII

11. Së fundi, lidhja e moralit ndërmjet budallait dhe rengpunuesit, apo mashtruesit është papritshmërisht e ndryshme nga ajo që ka parasysh “opinioni publik”. Njeriu i thjeshtë, mendon se rengpunuesit dhe mashtruesit janë vërtet të pamoralshëm, por gjithashtu një nënkategori e të zgjuarve. Në të kundërt, do të thoja se mashtruesit janë kategori e budallëkut. Dhe ja se si: Nga sa thamë më sipër, dinakëria përveç kur kjo përdoret si mjet prej të mençurve kundër budallenjve, përbën dhe karakteristikë natyrale të këtyre të fundit, gjithashtu konkluzion llogjik të faktit se për shkak të natyrës së prishur të mekanizmit llogjik të budallenjve, dinakëria përbën mekanizmin e vetëm mbrojtës që këta kanë në dorë ndaj sulmeve të jashtme.


Për vërtetësinë e këtyre argumentave na duhet edhe një hap i vetëm akoma: pikërisht që dinakëria është e nevojshme ndër budallenj, për t’i bërë këta të zotërojnë pozita dhe pushtet. Asnjë njeri me vlerë nuk e ka të nevojshme të bëhet dinak, apo mashtrues. Eksperienca shoqërore e përditshme na mëson se këto lloj epitetesh (mashtrues, dinak etj) asnjëherë nuk arritën të ishin pronë e njerëzve të mëdhenj, të cilët sipas aktivitetit të tyre janë cilësuar si “të këqinj”, “të mefshët”, “skuthë”, por asnjëherë si mashtruesa apo rengjepunues, madje edhe kur kanë qënë konservatorë, antisocialë në lidhjet me njerëzit, kanë arritur të mbizotërojnë.

Pasoja absolute të gjymtimit shpirtëror të budallait janë jo vetëm tendenca e tij për tu kthyer në kope, shtytja përpara me shpatulla pas murit në legjionin e njerëzve të sërës së vet, mungesa e kritikës, përdorimi i robërimit moral, lajkat etj. Por dhe shmangia sistematike e çdo përplasjeje dhe çdo beteje. Dhe kur budallai në formën e mashtruesit apo dinakut, do t’i duhet të polemizojë, këtë do e bëjë nëpërmjet mjeteve më të lehta të mundshme, madje ato më imorale: Gënjeshtrës,kurvëllikut, ligësisë dhe shpifjes.


Prej kësaj del dhe teorema e patundshme që: edhe imoraliteti është komplet privilegj vetëm i budallenjve.


Fund.



Artikulli i mësipërm është shkruajtur në formë esseje te gazeta "Gazeta e juristëve grekë" («Ἐφημερίδα τῶν Ἑλλήνων Νομικῶν» ) në vitin 1941 prej Vangjelis Lebessis. (Εὐάγγελου Λεμπέση). Lidhja me shkrimin origjinal gjendet këtu: http://www.phys.uoa.gr/~nektar/arts/prose/evangelos_lempesis_idiots.htm

Në momentin që doli për shtyp, shkaktoi jashtë mase polemika për temën e trajtuar, mënyrën si e bënte autori dhe gjuhën e të shkruarit.


përkthyer dhe përshtatur nga Julius. (C)


users online
 
Creative Commons License
Shkrimet e blogut Busulla jane te licensuara nen Creative Commons Autoresi-Jofitimprurese-Vepra te pandryshueshme 2.5 Italia License.