Wednesday, October 28, 2009

Qen dhe kocka.

Një nga ndërmarjet e fundit të qeverisë së re Berisha, është gjetja dhe sjellja e kockave të shqiptarëve të vdekur kudo nëpër botë. Siç dihet, punën e gjetjes së kockave,më mire se kushdo mund ta bëjnë qentë. Për këtë arsye, Busulla paraqet anëtarët e qenerisë në këtë rol të ri. Qenëria e parë ndryshe. Vlen për tu shënuar se për të bërë prezantimin e mëposhtëm, ka ndihmuar jashtë mase faqja zyrtare e qenërisë, për këtë meriton një falënderim të veçantë.

Fillojmë me zëvendëskryeministrin dhe ministrin e jashtëm Meta. Këtu paraqitet si një bulldog i vërtetë, me një kockë në këmbët e para.






Më poshtë prezantojmë ministren e integrimit Bregu





Lulëzim Basha, Sokol Olldashi, dhe Ridvan Bode (ky i fundit në mungesë, po bënte sh... aty në kthesë) si qen klasikë stani.





Dritan Prifti.






Bujar Nishani dhe Arben Imami.









Genc Ruli.








Fatmir Mediu.







Ferdinand Xhaferri




Dhe së fundi në qenërinë e re, një new entry. Nikollë Lassie.

Monday, October 26, 2009

Terrori i çmimeve.

Një shqiptar e gjysëm kanë fituar çmime ndërkombëtare këtë tetor duke mbjellë kështu një krizë panuklle reale dhe virtuale në çdo cep të sferës shqipfolëse.
Virusin në fjalë e ka përhapur i pari Fatos Lubonja duke provokuar kështu reagimin fillestar. Lubonja u infektua në Poloni duke pranuar çmimin Sierro Viera de Mello dhe më pas e ka transmetuar infektimin në rrugë orale te Mustafa Nano. Në kohën e marrjes së çmimit, Lubonja ishte veshur tullac, me një xhaketë fine mbi një pulovër ngjyrë bojëqielli. Ky detaj nuk ka ngelur pa u kritikuar. Ngjarja u vlerësua në të gjitha ambjentet e mundshme të informacionit, duke i dhënë theks të veçantë faktit se përpara se ta merrte Lubonja, askush nuk e dinte se ekziston një çmim i tillë, prestigjioz. Kriteret e këtij çmimi, e rritin vlerësimin mbi debatologun e njohur të ekraneve. Konkretisht mësohet se konkurrentët, nuk duhet të jenë më të shquar se emërtimi i çmimit në fjalë dhe gjysma e tyre duhet të kenë vdekur. Vlen të theksohet se Lubonja pasi mori çmimin u këshillua prej jurisë ta ndante atë me Mustafa Nanon, për t’i ofruar këtij të fundit mundësinë të paguajë biletën e kthimit nga Polonia.


Shumë shpejt, qendra e rëndesës së debatit u zhvendos te shqiptari tjetër i vlerësuar me çmim, Ismail Kadare. Këtu kriza fillestare u thellua dhe më keq. Kadare është akuzuar për fjalimin e rastit të marrjes së çmimit. Akuzuesit insistojnë se shkrimtari mediokër shqiptar, kishte mbështjellë bukën me letrën e fjalimit dhe aty gjetën njolla vaj kikiriku. Më pas për të është thënë se ka lozur me top në lagjen e Enverit në Gjirokastër kur ishte i vogël. Akuzat kanë shkuar më tej kur debatues pohuan se diktatori vetë i kishte dhuruar një top të vogël prej letre në të cilin Kadare ka shkruar krijimet e para letrare. Çmimi në fjalë ka shkaktuar krizë ekzistenciale ndër shqiptarët, të cilët ndihen llogjikisht konfuzë kur dikush prej tyre vlerësohet me çmim. Gjithë ky frustrim, nuk mund të mposhtet veç me dije. Shumë kanë hartuar lista me filozofët dhe shkrimtarët e fundit që kanë lexuar dhe janë deklaruar disidentë kundër Kadaresë. Janë ndërmarrë gjithashtu iniciativa në facebook për të krijuar Kadare unfan group me parrullat: “Çmimi i fundit njollë kombëtare”, “Boll kanë vujt shqiptarët prej komunizmit që Kadare të vlerësohet me çmim” dhe “Barcelona – Zaragoza 6-1”.

Tuesday, October 20, 2009

Apologji dëshirës së djegur.

Megjithëse brenda meje ti ke vdekur,
me duar që më dridhen,
varrin hap për të të parë.
Kujtimet - ornamente zie kërkoj.
Dhe gërmoj derisa duart dhe trupi
bëhen plagë.
Pastaj, bie mbi krevatin sarkofag,
psherëtima të mbledhura shfryj në duar,
të ftohtin që le pas për të dëbuar.
Sa çudi...
Të mbaj mend gjithnjë të ngrohtë,
dhe prapë me dimrin më ngjan.
Si moti sot, këtë mëngjes.
Bën ftohtë,
e megjithatë,
nuk gjej asgjë për të ngrirë dhimbjen.

Më kujtohet si njëherë të dy,
shtrirë, të rënë në grackën (e njohur) naive,
mbyllëm sytë dhe pohuam se po shihnim yje.
Ti u trembe atëherë,
kjo puthje mendimesh,
tu duk e tepërt rastësi.
Ndërsa unë mora shkas për tu dehur,
humbur dhe besuar në pafundësi.
Të kujtohet?
Gjithnjë para dhe pas ndiznim zjarr,
si fëmijë prej botës abortuar,
gjenim njeri tjetrin symbyllur,
vetëm duke u prekur me duar.
Ndërsa tani,
çdo dëshirë është bërë hi.
Arsyeja po mi vret dhe kujtimet.
Ah kjo flaka shterpë sa djeg,
tani që bashkëjeton me mungesën.

Monday, April 6, 2009

... i futim një të futur në NATO.

Kështu pra, u futëm në NATO. Opozita e majtë u fut të shtunën ndërsa pozita, u fut një ditë më pas, të dielën. Si përfundim, me kë këmbë u futëm në NATO? Të majtën apo të djathtën? Unë jam i bindur se në NATO jemi futur me këmbën e mesit. Nuk thuhet kot se shqiptari e ka çarë rrugën e historisë me pallë në dorë. Po edhe në qoftë kështu... me kë dorë e ka mbajt shqiptari historikisht pallën? Me të majtën apo me të djathtën? Le tua lëmë në dorë çmitizuesve... Duhet thënë se Lubonja ka tentuar të çmitizojë, po nuk është futur aq thellë sa të prekë shqiptarin në pallë. Armën e vetme që i ka ngel që nga koha e Skënderbeut.

Po, u futëm pra në NATO. Festë të madhe ka Shqipëria. Më parë shteti shqiptar, ishte si prosti pa pronar, pa dinjitet dhe i nëpërkëmbur. Tani jemi me liçencë NATO- ua japim vetëm miqve tanë amerikanë. Futja në NATO, ndryshim total në mentalitet, revolucion i gjithanshëm social dhe kulturor. Tani jemi më të sigurt, në të gjitha kuptimet e mundshme. Të futesh në NATO, do të thotë mbi të gjitha safe sex. Shumë kanë filluar në përfitojnë nga kjo situatë, sidomos njerëzit me pozitë. Disa kanë shprehur mendimin se në shtëpinë private të Pangos, nuk mund të futej kamera e fshehtë pas hyrjes në NATO, se aleanca do mbronte privatësinë e tij dhe skandali nuk do ndodhte. Duke përfituar nga kjo gjendje, githë anëtarët e partisë demkratike janë mbyllur në dhoma gjumi, por edhe anëtarët e partisë socialiste, tani që Gerti (ish voyerist) Bogdani dha dorëheqjen nga profesioni i nderuar i vëzhguesit të dhomave të gjumit. Munden lirisht të shqiptojnë terma të denjë për hyrjen e shqipërisë në aleancën e atalantikut verior.

Sepse, futje në NATO, do të thotë rifreskim dhe pasurim i fjalorit seksual. Fjalë të tilla si bombë, top, nëndetëse, kaçator, raketa tokë-ajër, murtajë, bazuka, tomson, barkas me tre fishekë etj, veshin me afsh xhamat e dhomave të qejfit, duke shtuar dhe qejfin vetë. Sepse çka mund të ofrojë Shqipëria në NATO është pjellje e liberalizuar e fëmijëve, që të jenë të denjë si ushtarë të natos në të ardhmen. Në Shqipëri pra, pritet të ndodhë një baby boom. Nuk e kemi thënë më kot dhe më parë: Plumbat tanë, bomba për armikun.

Impakte të tjera të mëdha do ketë ky eveniment i jashtëzakonshëm për të gjithë. Edhe për fëmijët e sotëm. Të cilët nuk do lozin më luftash me gjermanë dhe partizanë, por do ndahen në amerikanë dhe talebanë. Nuk do luajnë më komançe, loja e re do quhet talebançe.

Horizonte të reja hapen në fushën e kulturës. Regjizori i nderuar Kujtim Çashku, mësohet se ka ndërmarrë një projekt për realizimin e filmit Rambo-shqiptar. Ramboja ynë, bir i kësaj toke, thirret nën armë të lëftojë në Afganistan, si Ramboja amerikan. Aty i vret të gjithë armiqtë e miqve tanë dhe kthehet në Atdhe si triumfator. Gjithashtu mësohet nga burime të sigurta, se Ramboja shqiptar, do të jetë person i racës së nderuar rome, për nder të presidentit amerikan Obama. Po kjo nuk është arsyeja e vetme. Kujtim Çashku për këtë film është inspiruar nga një shtetas shqiptar i kësaj rrace, po me emrin Rambo. E shikonte përditë me një karrocë të tërhequr nga një kalë duke luftuar me baltën e rrugëve të prishura afër kinostudios, pas kësaj vendosi që luftën për mbijetesë ta ngrinte në rang heroizmi, se vetë shqiptarët janë të denjë për këtë. Të qënit ushtar i natos, është një arsye mëse e denjë për të vdekur, konkludon regjizori.

Por filmi në fjalë, nuk është atributi i vetëm i yni për presidentin e ri amerikan Obama. Vetë Kryeministri Sali Berisha, ka pohuar se misioni i parë i Shqipërisë në NATO është të gjejë numrin e saktë të vëllezëve të Obamës dhe të çlirojë gjithë Afrikën nga zgjedha komuniste. Po mendojmë të dërgojmë diversantë me parashutë nëpër Afrikë, këtë kontinent të denjë për të shijuar frutet e demokracisë. Berisha është shprehur dhe për konfliktin në Ugandë midis tutsi dhe hutu. Ne jemi me hutut është përgjigjur. Sepse ata kanë hundë më të mprehtë, të ngjashme me hundën tipike shqiptare dhe mund të marrin më lehtë erën e vërtetë të demokracisë. Ndërsa në drejtim të kryetarit të opozitës kryeministri është shprehur: Në NATO nuk mund të hysh lakuriq. Duhet të paktën të kesh bukë, brekë dhe fishekë.
Rama kundërpërgjigjet prerë: Mos e besoni Berishën, se ua ka me të futur...

E mbyllim raportimin me një shprehje nga një militant i paidentifikuar, me shumë mundësi kavajs:

Tani mund ti shpallim luftë kujt të na dojë bytha, po ne nuk duam, se nuk na do bytha!

Monday, March 30, 2009

Copëza. (1)

Kam vënë një kapele republike në kokë, mbaj kostum terital gri të hapur dhe një bastun në dorë, më shumë për ta bërë paraqitjen time pak ekzotike sesa për ndonjë nevojë. Këpucët i kam të bardha, verore. Mbaj dhe një trëndafil te kostumi në xhepin lart. Mesi nuk më dhemb më, megjithëse doktorët duhet të përfshijnë në receta këshilla të posaçme për pleqtë e ndjeshëm si puna ime...

Këto ditë po ndjekin shpejt njera tjetrën këtu në shtëpinë tonë në fshat. Ti nuk para vjen, se po ndjek hallet e fisit. Edhe unë përfitova nga rasti të të bëj një surprizë me lulet e reja që po mbjell këtë pranverë. Në maj, të kam gati një dhuratë. hëhëhë... po qesh e kollitem, kollitem e qesh kur të mendoj si do e bësh fytyrën kur ta shofësh. Për kollën fajin e ka cigarja, po pa të koha nuk shtyhet dhe për këtë të fundit fajin e ke vetë. Më shmangesh, duke gjetur nipërit sebep as tregon ndonjë dashuri të madhe më për mua plakun. Nipçja i madh na kapi një herë në një skutë kështu duke bërë veprime të dyshimta, po ty stë ka thënë gjë. Mua më tha, pse e kape gjyshen nga gjoksi? Rrudha ballin për të marrë një qëndrim sa më serioz të mundshëm edhe ia ktheva se gjyshja kishte tension. Se besoj ta ketë ngrënë gënjeshtrën. Edhe për këtë fajin e ke vetë, se ty të ngjan.

Më pëlqen të mbjell pemë këto kohë, kopshti është plot. Dua të lë diçka pas... gjithnjë e kam pasur merak. Ndonjëherë bëhem zevzek, se ufffff më ke lënë vetëm, dhe gjithnjë e më shpesh ndodh të nevrikosem kur s’të kam afër. Po këtu majë kodrës ku ndodhem tani është bukur. Era që fryn më mbështjell fytyrën e më trazon flokët, kapelen e kam lënë mënjanë. E ndjej flladin nëpër thinja, vjen lehtë e i ëmbël si përkëdheljet e tua. Bën pak ftohtë, e tani që e mendoj mirë.. më mirë të ftohem pak, të gjesh sebep të më kesh kujdes. Çfarë nuk shpik mendja ime e plakut vetëm të të rri afër. Meraku, ty të bën gjithnjë të brishtë si lulet që unë mbjell në kopësht. Sa t’i shoh të lëshojnë pak rrënjë është meraku im, pastaj do më kënaqet syri duke i soditur. Ti nuk do i shikosh dot akoma. Dua të jenë të plota e të çelura kur të t'i tregoj. Kështu do të ndrijnë më shumë sytë, e mbase, po të jemi vetëm, do mi lagësh pak buzët e thara me të tuat.

Saturday, March 21, 2009

Të rinjtë në politikë janë sexy…


Po. Ky mendim u formua nën nevojën e ngutshme për një kompliment, pas traskriptimit të debatit televiziv Opinion nga t_red, që më pas më shtyu të shikoja gjithë emisionin e Blendi Fevziut.

Unë e them fillimisht, mbaj anën e Gertit (the Bitch) Bogdanit, po duke qënë më pervers se ai dhe njëkohësisht më i sinqertë, pas debatit, pranoj se e vetmja gjë interesante e fytyrave që pashë do të kishte lidhje me seksin… Nuk e di pse, mbase sepse e prishën gjithë emisionin duke bërtitur, duke sharë, duke sugjeruar pozicione... etj. Ndodheshin si në një dhomë gjumi të paktën në kufijtë që i kam vendosur unë llogjikës.

Ajola psh mu duk sikur po kërkonte shallin poshtë krevatit, Erisa kishte hip mbi krevat e po hidhej pupthi, Juela asnjëherë e kënaqur..., Arbri duke mësuar përmendsh Kamasutrën teorike, Elkida nuk po dinte çfarë të bënte e ndodhej në pozitë të vështirë, ndërsa Gerti po i përgjonte të gjithë nga vrima e çelësit...

Politika e të rinjve është shumë eksituese..

Të gjithë ata që kanë thënë se këta të rinj nuk kanë vizion, janë të gabuar. Busulla arriti të depërtojë brenda mendjes së tyre dhe të shtrojë para jush ëndrrat dhe vizionet e secilit për një Shqipëri të lirë (dmth në NATO).

Ëndrrat e të rinjve:

Ajola e ka ëndrrën në sirtar, pikërisht shallin e juristes, të cilin do ta shikojë në sfilatën e fundit të Versaces për periudhën Pranverë- Verë 2009. Ëndërron të sfilojë vetë, e para në rradhë pas datës 28 Qershor, në mes të dy njerëzve, njërin që ka zgjedh për partner dhe tjetrin për lider.

Juela ëndërron të mos gërhijë më natën pas datës 28 Qershor. Ëndërron të jetë e para që do mbajë fjalimin e fitores dhe vendin e saj të punës. Në një të ardhme jo të largët, ka dëshirë të bëjë një operacion plastik në hundë, për t’i ngjarë sa më shumë Berishës.

Erisa ëndërron të plasin fishekzjarre sa herë ajo të hidhet pupthi, ëndërron t’i ngrejë peshë zemrën e rëndë liderit të vet që ai pastaj ta ngrejë në duar duke i thënë: Je pesha më e bukur e jetës time (pas Monikës). Mendon të shtojë ca kile, ndryshe Monika do e marrë inat dhe ka rrezik të ngjallet zili mes çiftit dhe partisë, që është një forcë e madhe dhe e rëndë në politikën shqiptare.


Arbri gjithë çka thotë ëndrra i ka... Çfarë ëndërron natën i mollois ditën. Ëndërron ama që shumica e shqiptarëve të ëndërrojnë si ai, në një të ardhme ëndërruese jo të largët, por as të afërt. Ëndrra e tij afatshkurtër është ajo e të ëndërruarit që të paktën 2% e shqiptarëve të ëndërrojnë si ai në 28 Qershor. Me këtë do ishte shumë i kënaqur.

Elkida ëndërron të bëhet miss Fushata dhe si çdo miss kërkon paqen në botë, lufton kundër varfërisë, në krah të liderit të saj sheik Mediut.

Ndërsa Gerti ëndërron të gjejë çelësat e të gjithë vrimave nga po përgjon të tjerët, të ketë material mjaftueshëm që t’i kapë gafil të gjithë kundërshtarët politikë të Sali Berishës.

(vijon me vizionet, po të jem në qejf...)

Sunday, February 8, 2009

Pak...

Pak qiell,
pak tokë.
pak re,
pak erë,
...nga ai dhe' ku kam lerë.

Pak verë,
më i plotë për tu ndjerë.
Për të kujtuar kohën kur,
rrënja mbi gjinjtë e tokës u ngul.
Kur dielli ra mbi sferat e verdha
i ndriçoi, i ngriti mbi ferra,
pastaj dorës i tha t'i shkul.
Ah ti ëmbëlsi e thellë,
trazuar me djersë
pjekur në dru,
driçuar në qelq.
Pak botë mbi tryezë,
Pak jetë,
…në një gotë verë.

Pak jetë nëpër kallinj
nëpër të korrat e lashta
një oxhak që nxjerr tym
kur ftohtë bën përjashta
dhe nata me përralla gjyshesh
mbyll sytë e foshnjës
duke sjellë,
që poshtë derës
pak erë…

Pak hije nën zheg,
Aty, në rrënjët e fikut.
Dhe njerëzit fushave me kapelë,
nderin ia njohin diellit në dimër,
jo në verë.
Pak ujë,
një puthje burimit
që buzët mi pret.
Çoji të fala lumit i them,
Drejt tij gurgulluar kur zbret
Nesër do t’i bëj qokë vetë.
Vërtet,
pak peshq fshehur nën gurë,
i kap me dorë, i fut në brekë!
Të më ndjeni! I vogël kam qenë,
Aq sa dielli më shumë se ju më turpëroi.
Më bëri të kuq flakë…
Pak kos mbi shpinë,
shpërhapur me qortime nëpër dhomë
Dhe unë dhëmbështrënguar,
me heroizëm fëmije,
mëkatin e fëmijërisë kam duruar.
Pak frikë
Kur hipja nëpër pemë,
kur thosha ndonjë rrenë
apo kur sipas gjyshes
“nuk sillesha për të qenë”.
Pak mall…
Kur faqet e saj,
i shoh mbi gotë.
Mosha anash u kaloi,
nuk i preku.
I la të kuqe, si atëherë, ashtu,
siç kur i ndukte,
duke thënë “pupupu”!
Pak liri,
Si erë e malit mbi shtëpi,
kur me të bëja garë.
Ajo kudo nëpër trup,
unë mbi kalë.
Pak rrush, pak fiq.
Pak mollë pak dardhë,
pak qershi…
Pak domate të thara mbi çati!
Pak verë, more, pak verë!
Më pëlqen të dehem me të.
Ashtu si me kujtimet.
Ndonjëherë…

Tuesday, January 27, 2009

............


(...)
vargjet shihen në ëndërr
edhe shkruhen në zëmër.
Zëmrën do ta kyç,
dhe do ta jap ty.
Po mbaje në mënt,
mund të hapet vetëm,
me çelës të argjëntë.

Ti po deshe mbaje vetë.
Nuk shitet as blihet,
se s’ka vlerë në treg.
Po nuk të pëlqeu,
hidhe vetë në det.

Deti i madh bujar do e pranojë brenda,
mes lotë dhe ëndrra,
të kthyera valë,
të ndjekin ngadalë,
këmbë e pas këmbe,
vijnë e bëjnë fole,
aty në zemrën tënde.

Toka është trup,
qielli shpirt,
dashuria det.
Të vjen a s’të vjen mirë,
në s’më gjen kur të flesh,
në s’më gjen kur qesh
në s’më gjen kur digjesh,
do më gjesh në det.
(thesar si për mbret)

Deti, ëndrra vetëm parë
ardhur valë valë,
në shpirt është shkruar,
sevda e harruar.
Gjithë etje po të pret
veç njëherë të të prek,
të tëlag me ëndje.
Lehtë me afsh e ëmbël
si një puthje frënge.

Tuesday, January 20, 2009

Bukën tonë të përditshme, jepna neve sot.


Xhoana: Ku po shkon kaq herët në mëngjes?

Tosi: Po dal një xhiro nga parlamenti, të bëj nonji lek.

Saturday, January 17, 2009

Çerkezët. (Adyghe, Adyga)

Një nga gjërat më të bukura që ofron interneti është mundësia për të gjetur dhe lexuar gjëra jashtë mase interesante. Nuk ndodh pak herë kur kërkon diçka, të biesh brenda kurthit të kuriozitetit dhe të zbulosh çfarë fshihet pas klikimit të ndonjë fjale me ngjyrë blu në wikipedia psh.

Para disa ditësh, rashë në një “kurth” të tillë të lezetshëm, kur klikova mbi fjalën circassians. Desha të dija në fakt, mbi jetën e sulltanëve të perandorisë Osmane, klikova mbi listën. Në të dhënat mbi jetën e tyre dhe bëmat, vura re që shpesh emri i sulltaneshës të rradhës, shoqërohej me këtë fjalë te vendi që i korespondonte origjinës.
Duhet të ishin të bukura çerkezet, përderisa preferoheshin kaq shumë prej sulltanëve.
Dhe vërtet janë të bukura, por më e bukur është historia që fshihet pas këtij populli në mënyrë të çuditshme shumë të ngjashëm me ne shqiptarët.

Një historik i shkurtër.

Çerkezët janë një popull që ndodhen në rrëzë të malit Kaukaz dhe lagen nga Deti i Zi. Pretendojnë se janë banorët më të vjetër të zonës përreth bashkë me gjeorgjianët. Si entitet i veçantë, dokumentohen në shek. 10, megjithëse për ta ka referenca edhe më parë. Kryesisht ishin të organizuar në fise tribale, pa mundur të bashkoheshin në një shtet të vetëm, gjë kjo që i bënte të pafuqishëm ndaj agresorëve të huaj. Të cilët kryesisht ishin mongolë, avarë, peçenegë, hunë etj.

Megjithatë, organizimi i tyre mbijetoi deri në luftën ruso-çerkeze, 1763 - 1864 e cila përfundoi me disfatën e popullit adyge duke sjellë për pasojë emigrimin e tyre. Një milion e gjysëm çerkezë u ndanë nga tokat e të parëve dhe përfunduan në Ballkan, për tu shpërndarë më pas nëpër gjithë perandorinë Osmane. Një komunitet i vogël, ka jetuar edhe në Kosovë, por pas deklarimit si republikë e pavarur të Adygea-s brenda Federatës ruse, u kthyen përsëri në tokat në vendin e origjinës të të parëve në vitin 1998. I përkasin besimit islamik Sunni të shkollës Hannafi (si shqiptarët). Vetëm prej përmbledhjes më lart, duken shumë pika të përbashkëta mes adygëve dhe shqiptarëve.

Për më shumë:

Kanë një kod të veçantë sjelljeje si kanuni ynë. Gjithashtu një epos si i kreshnikëve (Epos of Narts)

Janë popull mercenarësh, të njohur për forcën fizike dhe racën e bukur. Dallohen kryesisht për sporte të rënda si boks, mundje dhe peshëngritje.

Ishin të besimit pagan, më pas u kristianizuan dhe së fundi u kthyen në islam.

Emri çerkez u është dhënë nga turqit, veten e quajnë adyge (shqiptarë albanian)
Sot janë të ndarë midis disa shtetesh përfshirë Gjeorgjinë, Rusinë dhe Adygean madje edhe Abkhazian e famshme, pjesë të Gjeorgjisë. (Shqiptarë në Greqi, Kosovë, Mal të zi, Maqedoni)

Pas një qëndrese shumëvjeçare ndaj pushtuesit rus shumë herë më të madh në numër, kanë emigruar në masë.

Deri vonë gjuhën nuk e kanë pas shkruar.

Kanë dhe ata një hero të ngjashëm me Skënderbeun.


Dhe në fund por jo e fundit. Kanë femra shumë të bukura*!!


Video me një melodi adyge:




* Femrat adyghe, kanë qënë gjithnjë të preferuara në haremet e sulltanëve, madje ndeshen shpesh edhe në letërsi artistike. Si psh në librin "Kapedan Mihali" të Nikos Kazancaqis (personazhja Emine). Apo edhe në shkrime të Volterit dhe Bajronit..

Në shek. 19, morën një status të privilegjuar në Amerikë dhe Evropën perëndimore, aq të madhe sa shumë produkte reklamoheshin si circassian beauty.

Një shpjegim i mundshëm për bukurinë e tyre edhe karakterin, për mendimin tim, është se kanë pasur status të privilegjuar në shoqërinë adighe. Ky respekt fillon që prej mitit ngjizës së mitologjisë ku personazhja kryesore, është një femër. Madje dikur, shoqëria adighe ka qënë organizuar në formën matriarkale.


***


Më ka bërë përshtypje në gjithë literaturën rreth tyre të lexuar në net, se kanë shumë nostalgji për vendin e të parëve. Konkretisht, janë popull pa atdhe. Po mendoja... në psikologjinë e këtyre njerëzve, çfarë vendi të madh zë mungesa e një toke që ta quajnë të vetën. Ndoshta atdheu me vlerë më të madhe, është ai i humbur. Paralelizmi me ne, më ishte tepër i lehtë, për karakteristikat çuditërisht shumë të përbashkëta.

Po sikur ne shqiptarët të mos kishim atdhe, si do silleshim?

Thursday, January 15, 2009

Na duhet të r(r)uhemi përditë...

1 – Jemi “seksi i fortë”. Edhe jetojmë mesatarisht shtatë vjet më pak sesa “seksi i dobët”

2 – Mendojeni: Plot shtatë vjet jete më pak(!) se seksi i dobët.

3 – Dhe vetëm këto shtatë vjet mjaftojnë që të bjerë poshtë miti i shfrytëzimit të grave prej burrave. E ku është parë që të shtypurit të jetojnë më shumë se shtypësit?

4 – Vetëm në dukje, - parë nga jashtë thuhet se është shfrytëzim. Kjo moj zonja të nderuara, është shpikja juaj! Provokoni, njësoj si terroristët provokojnë diktatorët dhe pastaj e shfrytëzojnë alibinë për ta kthyer në revolucion mbarëpopullor. Kështu edhe ju, na pagëzoni “shfrytëzues” me qëllim ndërtimin e terrorizmit të ndjenjës së fajit.

5 – Nuk ka më të madh shfrytëzim, sesa ai i ndjenjës së fajit!

6 – Burrë do të thotë fajtor! Për gjithçka.

7 – E filloni shpërndarjen e ndjenjës së fajit (viktimizimit) në rolin e nënës. Dhe më pas vazhdoni si motra, të dashura dhe gra.

8 – Nga të gjitha monopolet botërore, nuk ka më të keq se ai i ndjenjës së fajit. Dhe këtë monopol e keni vetëm ju!!

9 – Kjo ndjenjë faji na këput shtatë vjet! Është kjo ndjenjë faji që të bën me zemër dhe diabet!

10 – Për shkakun tuaj... ndjehemi gjithnjë fajtorë! Që nga momenti kur nuk e veshim bluzën (Vishe se do mërdhish, të keqen mamaja! Vishe se më vdiqe!!) deri në momentin kur vdesim (Pseeee!! Pse vdiqe e më le vetëm, oiiiiiiiii!)

Kështu na duhet gjithnjë tu kërkojmë falje!

11 – Fajtorë kur ju pushtojmë, (ju mbisim).
Kur nuk ju prekim (indiferentë).
Kur jetojmë vetëm (unë kam dhënë jetën për ty!),
kur jetojmë me prindërit (ça lesh burri je ti?).
Kur martohemi (të kam dhënë vitet e mia më të mira!)
Kur nuk martohemi (lëre fare këtë!)
Kur bëjmë seks me ju (më gënjeve! Më mashtrove!)
Kur nuk bëjmë (oh lëre... ! Mos mbaj më pantolle)
Kur sillemi me edukatë (ça pederi!)
Kur nuk sillemi (ça kafshe!)
Dhe bobo, le të mos e përmendim kur gjatë aktit bën vaki e nuk ndodh tu vijë teta Orgazma për vizitë. Fajtor ne, edhe për këtë. Eskluzivisht. (nuk ia dole dot shpirti!)

12 Na duhet të r(r)uhemi dhe përditë...

13 Fajtorllëku na përfshin në gjithçka. Jemi fajtorë për inflacionin, për luftërat, për krizën energjitike, akoma dhe për motin.

14 Në të vërtetë matriarkalizmi asnjëherë nuk përfundoi. Thjesht ndryshoi vetëm formë. Nga tirania e egër e kopaçes, u kthye në egërsi të ëmbël të fajit.

15. "Pas çdo burri të madh, fshihet një grua". Mbase. Po sidomos pas çdo nevrasteniku, mamaqi, të pavendosuri, të tredhuri, dhe të mjeri ndodhet me të vërtetë një grua!

16. Një studim sociologjik ka vërtetuar se 85% të vendimeve familjare merren prej grave, drejpërdrejtë, apo tërthorazi. Sidomos tërthorazi.

17. Jeni perla të politikës makiaveliane. Na bëni të përkrahim një vendim tuajin dhe pastaj (nëse gjërat nuk shkojnë mbarë) na bëni përgjegjës për ta.

18. Prandaj na duhet të r(r)uhemi përditë.

19 Propaganda feministe na ka marrë mendjen me simbolikën e gruas–skllave që i këputen duart duke larë penevreke.

20 Po ikona e burrit hyzmeqar që punon për të shoqen, e cila i harxhon lekët nëpër bingo, ku është?

21 Duket qartë që nuk ka mjaftueshëm gra të cilat këputen për punët e shtëpisë. Mbase nuk ka dhe aq shumë që luajnë bingo, po burra që nuk janë hamallë, nuk ka.

22. Nuk ju mjafton që shijoni shtatë vjet më shumë jetë, po keni edhe privilegje në dashuri.

23. Gratë janë të afta të përjetojnë orgazma të shumëfishta. Ti zotëri, a shënon dot trepikësh?

24. Si të mos mjaftonte kjo, pas revolucionit seksual, kanë arritur të na bëjnë përgjegjës për kënaqësinë e tyre.

25. Kështu nëse një zonjë është shkarpë e lagur, je i detyruar të punosh si hamall me orë të tëra, duke përdorur të gjitha teknikat e mundshme të Alex Comfort, Masters & Johnson, Kamasutrës dhe Sifujagit nëse do të ndizet zjarri.

26.Nëse nuk ndizet, fajin ia vënë shkrepses, jo druve.

27 Po privilegji më tragjik? Një grua asnjëherë nuk është impotente. (dhe nëse është, nuk duket)

28. Ah ti venitje e burrit lakuriq! Vetëm duke i hedhur një sy ia kuptoni menjëherë gjendjen psikologjike.

29. Na duhet dhe të rruhemi përditë.

30. Thonë se nuk ka gjë më të bukur në botë, sesa të bësh qejf dhe të paguhesh për të.

31. A ka qejf më të madh se të bërit dashuri?

32. Gjejeni tani se kush paguhet për ta bërë!

33. Konkubinat, janë tregues madhor i fuqisë femërore.

34. Bënin qejf, qeverisnin, zgjidhnin të dashurit dhe u merrnin pasuri të mëdha, vetëm që të jepnin atë të cilën natyra e jep falas.

35. Njësoj si të taksosh diellin, apo oksigjenin.

36. Por edhe prostitutat e thjeshta, janë tregues fuqie. Sepse, cili paguan kë? Natyrisht ai që ka nevojë paguan.

37. Dhe ju zonja, nuk keni patur ndonjëherë nevojë. Ligji i kërkesë ofertës rregullonte marrëdhëniet në favorin tuaj.

38. Na duhet dhe të rruhemi përditë...

39. Gratë, konsumojnë katër fish më shumë sesa fitojnë. Në këtë mënyrë, burrat marrin një të katërtën e asaj që japin. Ku je more Marks, të shikosh kush punon më shumë! Apo më mirë kush ia punon kujt...

40. Dy gjëra kam urryer në jetë. Ushtrinë dhe punën. Dhe më kapte zilia sa herë mendoja që seksi i bukur nuk ka asnjërën prej të dyjave të detyrueshme.

41. Gratë ankohen se nuk paguhen si burrat. Keni parë ndonjë grua të punojë si burrë?

42. Disa të dhëna statistikore thonë se gratë tradhëtojnë më pak se burrat. (35% ndaj 48)

43. Një tjetër e dhënë thotë se gratë gënjejnë më shumë (58% ndaj 22.)

44. Dmth statistika e parë është e gënjeshtërt në rendin 58%. Dmth gratë tradhëtojnë më shumë.

45. Nuk është tradhëti të flesh me dikë tjetër. Tradhëti është të gënjesh.

46. Shikoni çiftet në plazh psh. Sa kalon koha, burri vjen dhe këputet dhe merr formën e të mjerit dhe të moshuarit, të shumëduruarit pensionist. Ka të shkruar në fytyrë dorëzimin, pritjen dhe nënshtrimin.

47. Ndërsa me gratë... gratë me kalimin e viteve transformohen në kuçedra. Nevrike, histerike, shtypëse, thashethemaxhie... gjendja normale e një vjehrre.

48. Me kalimin e viteve, secila gjini tregon surratin e vet të vërtetë.

49. Dhe surrati ynë, do rruar përditë.

50. Përderisa gratë janë seksi i fortë, çfarë na duhet atëherë emancipimi i femrës?

51. Emancipimi i grave, është për ato vetë kurthi më tinzar, dhe shpresa jonë e fundit.

52. Nëse përmbushet, shpëtuam! E ku krahasohet larja e tre pjatave përpara përgjegjësisë (dhe fajësimit) të të gjithë botës?

53. Në pamje të jashtme, emancipimi i femrës kërkon të shembë shfrytëzimin e dukshëm – duke shpresuar se do mirëmbajë të fshehtin që gëzon sot.

54. Gabim! Rrjeta e fajësimit, është armë eskluzive e njeriut teorikisht të dobët. Në rast se i dobëti forcohet, atëherë e humbet. Dhe ne do të çlirohemi prej penjve të padukshëm që na lidhin përjetësisht me fajin.

55. Kështu emancipimi i gruas shndërrohet në emancipim të burrit.

56. (Nuk do ju hap më derën pra, as do ju mbaj pallton, as e kam kuptuar ndonjëherë pse duhet ta bëj xhanëm)

57. Rroftë emancipimi i gruas! Një dhjetëvjeçar pasi të përmbushet, do ta shihni kush do jetojë shtatë vjet më shumë.
.
58. Do ta shihni çdo të thotë të ndjeheni në faj kur (dhe nëse) nuk eksitoni dot dikë seksualisht.

59. Do ta shihni kush do bëjë lekë duke bërë qejf.

60. Fallokratë të të gjithë botës bashkohuni! Mbajini dhe për pak akoma mjetet e presionit në dorë (e di që është e vështirë).

61. Lërini gratë të shqetësohen për pushtetin fallik. Do ta shndërrojnë kështu në një produkt të domosdoshëm.

62. Dhe atëherë, bota vërtet do të sundohet me k*qe!

Fund.
***

Artikulli më lart, është shkruar për herë të parë në vitin 1979 në revistën "Postieri" ("Ταχυδρόμος" ) nga Nikos Dimou.

Teksti origjinal këtu.
Info të mëtejshme për autorin këtu.

Përktheu dhe përshtati - J. (c)

Saturday, January 10, 2009

Parashikimi për 2009.

Janar.

Në ditët e para të Janarit, Berisha deklaron si sukses të jashtëzakonshëm qeveritar vetëm faktin që shumica e shqiptarëve janë gjallë këtë fillim viti. Ai premton se 98% e tyre do të vazhdojnë të jenë në jetë për vitin në vazhdim dhe ky është që tani një premtim i mbajtur. Pas kësaj deklarate, 10 anëtarë të PS vrasin veten.

25 Janar kur shqiptarët ftohen të marrin dokumentat e reja të identifikimit. Vihet re në rregjistrim shtimi i shtetasve me emrin Sali. Nëpërmjet zëdhënësit të partisë demokratike Gërti Bogdani, kjo e dhënë interpretohet si sukses i padiskutueshëm i qeverisë. PS nëpërmjet zëdhënësit të bashkisë replikon se gjatësia e qytetarëve të Tiranës është rritur mesatarisht me 5 cm. LSI shton në peshë prej inatit.

Shkurt.

Berisha në festën e Shën Valentinit ndahet prej Jozefina Topallit pasi deklaron se Fatos Nano ka qënë dhe është dashuria e vetme e jetës së tij. Me këtë rast ai e përshëndet me një këngë në radio: “Kthehu Nano djali se për ty më mori malli”
Jozefina pëson depresion.

Muaji i Shkurtit është edhe muaji i Pavarësisë së Kosovës. Me këtë rast Migjen Kelmendi kërkon që t’i mësojnë foshnjës të flasë me gjuhë dhe alfabet të ri, më pas vetë-emërohet si mësuesi personal i saj. Albin Kurti insiston se foshnja duhet të mësojë të ecë vetë, ndërsa BE i dhuron njëvjeçares një karrocë dore të markës së mirënjohur EULEX. Kumbari dhe njëkohësisht daja i njëvjeçares, Sami, i uron ditëlindjen përsëlargu mbesës së vogël, duke e këshilluar gjithashtu të mos largohet nga lagjia dhe të dëgjojë prindin.

Kapet një grup diversantësh prej Shqipërie ndërsa po udhëtonin drejt Kosovës. Pasi bëjnë një ndalesë në Milot, përpiqen ta kalojnë me not. Plani i tyre djallëzor zbulohet dhe pasi peshkohen prej një grupi policësh të paidentifikuar, dorëzohen në komisariat. Mbi ta rëndojnë akuzat e sabotimit të rrugës Durrës – Kukës – Milot. Ndërsa grupi pohon se do shkonte në Kosovë për të shijuar pavarësinë në një restorant me fruta deti.

Mars.

Fillon fushata e mbjelljes së ullinjve. Të gjithë anëtarët e qeverisë detyrohen prej kryeministrit që të hanë të paktën 5 koqe ullinj përditë pastaj të hapin një gropë dhe t’i pështyjnë farat përtokë. Anëtaret e qeverisë femra nëpërmjet një dispozite ligji të veçantë janë të detyruara të hanë dy koqe më shumë se meshkujt.
Sali Berisha fton të gjithë popullin shqiptar t’i bashkohet kësaj iniciative, ndërsa Edi Rama ndërmerr fushatë me slloganin “Mos e hani atë koqe ulliri!”.

Prill.

Sali Berisha në tentativë të përmbushur premtimet elektorale, organizon një ankand ku vë në shitje gjithë ministrat e vet. Projekti quhet “privatizimi i qeverisë” Çmimi fillestar vendoset një euro. Qeveria deklaron se ankandi ishte një sukses i jashtëzakonshëm dhe shumica e ministrave blihen prej Argitës. Dy tre prej tyre i blen Fazlliç, ndërsa në shenjë solidariteti dhe bashkëpunimi institucional vetë Berisha i fal prokurorisë një ministër. Ambasadorit të Amerikës Withers, i ngelet qejfi për ankandin, pasi Berisha i ka refuzuar t’i shesë ministren e integrimit Bregu.

Maj.

Erjon Veliaj frekuenton taktikisht palestrën. Gjatë një stërvitje intensive në paralele, me synimin për të arritur gjatësinë e Edi Ramës, pëson një tërheqje muskulare. Që atëherë ai dhe G99 fillojnë frekuentimin e solarium. Llafe të mbrapshta dëgjohen se kërkon gjithashtu t’i bëjë flokët permanent dhe buzët me pout që t’i ngjajë sa më shumë Obamës. Kastriot Myftaraj përmes një zbulimi të hatashëm na bën me dije në mesin e muajit Maj se gjithë G99-a futet në solarium pa mbathje me qëllimin e mbrapshtë sorrosian që të vetëquhen bythëzinj, për të përfituar kështu vota.

Qershor.

Muaj zgjedhjesh.
Prej burimeve tona mësojmë se sllogani i G99-ës është “bythëzinj por faqebardhë”. Në një takim madhështor përpara komunarëve të Peqinit, lideri i kësaj organizate, Erjon Veliaj lexon rrjedhshëm përpara zgjedhësve një fjalim të presidentit tashmë Barack Obama, përkthyer profesionalisht.
Në PS shikohen lëvizje të shumta nga poshtë – lart, në PD nga lart - poshtë. Ndërsa zëdhënësi i LSI deklaron se më në fund kryetari i kësaj partie Ilir Meta, mund të realizojë me sukses vertikalen. Në PD gjithashtu, përgjatë gjithë muajit, ministrat dhe kandidatët për deputetë detyrohen të kryejnë rreshtoren.

Listat për deputetë vendosen sipas kritereve të ndryshme në secilën prej partive të mëdha dhe atyre në stadin e pubertitetit. Në PD psh listat emërore vendosen sipas numrit të ullinjve që ka ngrënë çdo kandidat, në PS sipas gjatësisë, në LSI sipas peshës. Erjon Braçe zihet ngushtë, Ben Blushi vesh taka ndërsa Gert Bogdani kryeson listën shumë-emërore. Nuk dihet fati i Besian Peshës, sepse pas sfidës së kryetarit të vet, ka ngrënë shumë për të plotësuar normën, por kohët e fundit fatkeqësisht u diagnostifikua me sëmundjen e rrallë vomitum-invullnetum. Sëmundje e njohur në gjuhën popullore me termin: ha e ha e bithë ska.

Dita e zgjedhjeve.
Shpallet festë kombëtare. Berisha nxiton të deklarojë se i ka fituar ato që pa filluar akoma.

Nga ana tjetër, prej shtypit të ditës vijnë lajmet e para për fallsifikime të tyre. PS akuzon PD se disa komisionerë të saj kanë marrë me vete në WC-të e qendrave zgjedhore fletë votimi dhe i kanë përdorur për nevoja të ngutshme personale. Për këtë arsye shumë fletë votimi mungojnë. Nëpërmjet zëdhënësit të vet, PD deklaron se sabotimi ka adhur nga anëtarët e PS, pasi këta të fundit kanë zëvendësuar sapunin me djathë në drekën e komisionerëve të votimit, duke shkaktuar heqje barku të tyre. Gazetat e mëdha shtojnë tirazhin në ndihmë komisionerëve të zënë ngushtë.
Meta ka kohë që stërvit një grup militantësh qafëleshë për të mbartur në krahë kutitë e votimit dhe për t’i transportuar ato në qendrën e KQZ. Ambasadori amerikan po meson të këndojë serenata për ministren e tij të preferuar Bregu.

Korrik.

Vazhdojnë votimet në javën e parë të Korrikut. Në qendrat e tjera, rezultatet zyrtare nuk janë bërë publike akoma. Berisha deklaron përsëri se i ka fituar zgjedhjet. Bisedime ndërmjet eksponentëve të së majtës. Meta propozon tia hipë Ramës, po e ka të pamundur sepse këtij të fundit i duhet të ulet më gjunjë për tu realizuar pakti. Rama refuzon të ulet. Meta i bën një propozim të fundit Ramës dhe pas bisedimesh shumëorëshe më në fund nënshkruhet pakti paszgjedhor. Rama do qëndrojë në këmbë. Veliaj do ulë kurrizin, mbi të cilën do hipë Meta në qafë të Ramës. Të gjitha palët janë të kënaqura me këtë pakt. Pas nënshkrimit shkojnë të tre në ambasadën amerikane për të marrë vesh prej ambasadorit Withers nëse roli i tyre do jetë ai i pozitës, apo i opozitës.

Gusht.

Sali Berisha deklaron se ka fituar zgjedhjet.
Dynden emigrantët shqiptarë të ardhur kryesisht prej vendeve fqinje. Kësaj here, përveç rehatisë personale në gjirin e familjes, kanë një arsye më shumë për të ardhur: të shpëtojnë mëmëdhenë prej ankthit të zgjedhjeve. Shumë shpejt humbjet dhe kjo shpresë. Emigrantët javën e pare mburren, javën e dytë kritikojnë dhe javën e tretë indoktrinohen politikisht, më pas vendosin të mos rikthehen në vendet e tyre të punës pa u shpallur fituesi.


Shtator.

Shtetet e Evropës, sidomos fqinjët Greqi dhe Itali, i bëjnë thirrje KQZ-së të deklarojë sa më parë fituesin e zgjedhjeve, sepse kanë nevojë për emigrantët shqiptarë tu rikthehen në vendet e punës të lëna bosh.
Fillon shkolla në mesin e Shtatorit. Nxënësit e klasës së parë i dhurojnë mësueses pankarta dhe flamuj të partive që kanë votuar prindërit e tyre. Pasi përsërisin në kor parrullat e preferuara, ata nisin ditën e parë të shkollës.
Sali Berisha deklaron se ka fituar zgjedhjet, po kjo deklaratë nuk përbën më lajm.

Tetor.
Më në fund deklarohen rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve. Ato i ka fituar … I ka fituar e majta dhe e djathta, pa lënë mënjanë qendrën. I kanë fituar shqiptarët Kosova dhe diaspora për më tepër dhe Amerika.

Muaji Tetor shënon dhe fillimin e vitit të ri akademik për shkollat e larta. Në universitetet publikë në degët e preferuara gjithë militantët, dashamirësit dhe miqtë e fituesve të zgjedhjeve dhe në ato private gjithë studentët e tjerë.

Nëntor.

Gjithë shqiptarët kudo në botë përgatiten për të festuar festat e flamurit, pavarësisë, çlirimit dhe çmitizimeve. Realizohet me sukses sherri i përvitshëm për datën 28 dhe 29 Nëntor. Nuk ka të vrarë, as të plagosur, por si gjithnjë vetëm qejfmbetur. Mbahen ligjëratat përkatëse, dokumentat dhe analizat e reja. Në këtë muaj si asnjëherë tjetër ndihet mungesa e Lubonjës i cili ka shkuar në spital për analizat e gjakut dhe të urinës. Del i sëmurë me fibrozë cistike. Pasi i aplikohet një kurë ndaj majasëllit, nuk ia ka ënda këtë vit të çmitizojë më mite.



Shënim: Muaji Dhjetor lihet bosh qëllimisht, si një lloj çelësi antivjedhje të artikullit. Kam vënë re se pas vjedhjes së tretë prej shtypit të artikujve që shkruaj, mbetem gjithnjë e më shumë i zhgënjyer përsa i përket nivelit të hajdutëve. Normalisht besoj, në një mënyrë paksa naïve (e pranoj) se nuk do munden ta marrin këtë shkrim meqë i mungon muaji Dhjetor. Të vjetrit nuk thonë kot: Më mire lidhe si gomar, sesa të kërkosh gomarin.

Fund.

Friday, January 9, 2009

The atheist bus campaign.


Një nga aktivitetet e fundit të profesorit të njohur Richard Dawkins, është pjesëmarrja në një fushatë ateiste në Britaninë e Madhe. Konkretisht për katër javë, rreth 300 autobuzë urbanë në Angli, do kenë të reklamuar në pjesën anësore të tyre shprehjen "There's probably no God. Now stop worrying and enjoy your life".

Kjo fushatë është ndërmarrë si replikë ndaj një të ngjashmeje teiste ku reklamohej një website me lidhjen JesusSaid.org dhe thuhej se të gjithë ata që nuk besonin do digjeshin në ferr.
Ngjarja në fjalë, ka shtyrë Sherine, një blogiste ateiste e Guardian të propozojë të njëjtën gjë. Propozimi ka gjetur mbështetje shumë të madhe dhe ka tejkaluar disa herë pritjen që kishin vetë iniciatorët. Tani shuma e mbledhur për këtë fushatë ka arritur 140.00o £. Vetë Richard Dawkins ka dhuruar 5.500 £ për këtë qëllim.

Mendohet që kjo fushatë të shtrihet edhe në vende të tjera të Evropës me Barcelonën destinacionin e ardhshëm.


Faqja zyrtare e iniciativës këtu.
Informacioni në wikipedia këtu.
dhe grupi në Facebook këtu.
users online
 
Creative Commons License
Shkrimet e blogut Busulla jane te licensuara nen Creative Commons Autoresi-Jofitimprurese-Vepra te pandryshueshme 2.5 Italia License.