Monday, April 2, 2012

Dy

Fshehur pas një klisheje

E çuditshme është, si rikrijojmë veten
bëhemi diçka që më parë s'kemi qënë
në një udhëtim pa kthim presim një biletë
marrim me vete diçka, e gjithnjë diçka pas lëmë.

Një udhëtim me tren nëpër jetë,
duke ngulçuar me bagazhe në dorë
një tren gjithnjë e humbim,
e tjetrin duhet ta presim disa orë.


Kthej kokën pas gjithnjë, sa pa filluar treni të lëvizë.
ngulçimet, zërat, sinjalet do më rrëfejnë,
se çfarë ka qënë ajo që këtu më ka sjellë.
ankthi apo dëshira, varet kush biletën ka prerë.


Larg po shkoj tani e dashura ime.
larg prej teje po më çojnë vijat e shinave.
...
...
hahaha.

Dëgjo, e di që është klishe.
Po klishetë më pëlqejnë,
të paktën më lënë diçka të fsheh
- poshtë sediljes një letër,
në adresën e duhur nuk shkoi kurrë,
apo tym cigareje, fshehur konsumuar
nga xhami i vagonit duke humbur i shijuar.
apo shijim i humbjes, në ka shije,
atë të cigares pirë fshehur duhet të kish,
dhe të kafesë e një mëngjesi të trazuar,
pa sheqer, pa kohë,
e rrufitur sërish, një mijë herë.


Dua

Dua të ndërtoj një shtëpi,
në një vend të harruar ku dikur kishte jetë,
tani gërmadhat kanë ngelur dëshmi.

Dua të ketë mure të trasha
një verandë të lartë e të bollshme
ndërtuar me dru, sepse sa herë të vijë dikush,
dua të dëgjoj hapa kërcitëse,
gjethesh të ngurtësuara.

Në dhomën e madhe të gjumit
do jetë një oxhak burim fjollash
tymi, që sfidojnë retë.

Dhe dua në dhomë të ketë një dritare,
kornizë të diellit kur perëndon.

Janë disa perëndime vendesh të qeta,
prej kopshtit poshtë ofrojnë aromë,
lulesh bajamesh të sapoçelura,
dhe fëshfërimën e gjetheve të lënë të dëgjosh

Mpirje dhe pije, dhe fëshfërimë fustani
të dy këmbëve të vogla, kur tunden mbi dritare
fletë gjethesh mbajnë në duar, dhe kokën mbi re.

Pastaj zbulojnë natyrën e tyre prej fildishi
mblidhen, dhe një diell të vogël ulin mbi gjunjë
me dy pika drite, ngultas të vështron,
dhe midis tyre, myshk,
aromë pyjesh nën shi ofrojnë.

Do pi të dehem,
mbi një shilte të bardhë
lëkurëqengji do shtroj gostinë
teksa duart e mia e përkëdhelin,
gjuhët e flakëve nga oxhaku lëpijnë
psherëtimat, dhe më pas i kthejnë në tym.

users online
 
Creative Commons License
Shkrimet e blogut Busulla jane te licensuara nen Creative Commons Autoresi-Jofitimprurese-Vepra te pandryshueshme 2.5 Italia License.