Wednesday, September 24, 2008

E vërteta.

Lakuriq e zbehtë e mardhur
Dhe rrotull një qind penela.
Duke u rrekur për ta zbardhur.
Të ftuar në orgji nga Detyra.
Fustan të zi mortor ka veshur
me cepa thekre. Janë kapur
kufoma. Të varur në çengela.
Me gjuhë të dalë berrash
Të pagëzuar qingja,
Ofrojnë shkëmbim pështyme,
i shesin si puthje frënge.

Të vërtetën, e lamë vetëm.
Të lindur femër.
Joshëse, e përdalë rinore.
Luks e pjekur, mollë e ndalume.
kur plaket, matronë e rregjur.
Di vlerën e tregut, jo të vetën.

Tuesday, September 23, 2008

Përfund.

Më rëndon mbi kokë
Më rrudh ballin,
Rrëshket mbi flokë.
Dhe kur sytë mbyll,
ajo bëhem unë.
Pjesë e vaktit të mëngjesit,
si kafja pa sheqer.
Shijon gjithnjë e më pak hidhur.
Shpërfillëse.
Ngjyrë gri.
Ndrydhëse.

Reja që më mbulon diellin.
Një vështrim nga dy sy pa dritë.
Gjithnjë vjen e më pushton,
sa here mbyll të mitë.
E lidha. Në vargonjtë e rutinës.
E mbylla. Në kujtimin e Rudinës.
Flokëartës së parë që mbi trup më bëri vend.
Mundohem ta kujtoj më dendur,
po vitet e largojnë dhe mbi mua rëndojnë.
Koha pengesë e pavdekshme. Ironike.
Ikën dhe ajo vetë. Derdh dy pika lot,
pastaj shndërrohet në sy të ftohtë.
Është e lidhur, në të tjera vise.
Tani ka dy djem.
T’i rrojnë!
Nëpër pasione të tjera nuk ndalem.
Është e tepërt tu falem, e di.
Hija aprovon me kokë, është aty.
Mendoj të kridhem në det.
Është ftohtë. Po dridhem.
Vishem.
Një cigare. E ndez.
Zjarr, terr, dritë, ferr.
Nën ritmin e frymëmarrjes,
dirigjoj.

Dhe ajo pret.
Këmbëkryq.
Më thërret me zërin e erës.
Me fishkëllima nga vrimat e dritares.
Brenda ftohtë, jashtë më ftohtë e ndjej.
Sy të shumëfishuar. Det terri.

Çohem.
Mendohem.
Nisem.
Po iki, po më pret.
users online
 
Creative Commons License
Shkrimet e blogut Busulla jane te licensuara nen Creative Commons Autoresi-Jofitimprurese-Vepra te pandryshueshme 2.5 Italia License.