Wednesday, March 9, 2011

Sot në Champions League

Pas ndeshjeve të mbrëmshme, Barça-Arsenal dhe Shakhtar - Roma, dy skuadrat pritëse, kanë prerë dy biletat e para për fazën 8-she të C.L. Ndërsa sot presin rradhën për të mësuar për fatin e tyre, dy skuadra të tjera. Lavdia dhe suksesi i kalimit në 8-she do të ndahet midis Totenham- Milan dhe Schalke-Valencia.

Ndeshja e parë e sotme do të vendoset në fokusin e blogut për tu analizuar. Sfida e rradhës midis Spurs dhe Milanit, premton të jetë e fortë, me shumë emocione dhe gola. Besoj se shumë tifozë shqiptarë, dinë gati çdo gjë për skuadrën e Milanit. Kështu që më duket e nevojshme të hedh pak dritë mbi sfiduesin: Totenham Hotspurs.

Spurs.
Renditja: vendi i pestë në EPL (English Premier League)
Forma e skuadrës në pesë ndeshjet e fundit: WWWLD

Informacion mbi skuadrën.

Dy vitet e fundit në drejtimin e ekcentrikut Harry Redknap, Spurs është kthyer në një nga skuadrat më interesante të kampionatit anglez. Vjet në momentet e mbylljes së kampionatit, siguroi vendin e katërt në EPL bashkë me të drejtën për të marrë pjesë në kompeticionin më prestigjioz të Evropës. Dhe deri tani ka provuar se ka qënë skuadër e denjë për të qënë këtu ku ndodhet.

Karakteristikat kryesore të kësaj skuadre, përmblidhen në moton e saj që është: “Audere est Facere”. Dhe kaposhët e Londrës, gjatë këtij sezoni, i janë përmbajtur me përpikmëri motos në fjalë, duke mbledhur më shumë pikë nga pozita disavantazhi, se çdo skuadër tjetër në kampionatin anglez. Kulmin e saj kjo strategji, e arriti në përballjen direkte me rivalët kryesorë londinezë të Arsenalit. Kur nga disavantazhi 2-0, arritën të fitojnë ndeshjen 2-3! Kjo është nga të paktat gjëra që vetëm një skuadër si Spurs-at mund ta realizonin, do të mbështeste mendimin e vet tifozi mesatar londinez, ku sipas historikut Spurs mund të bëjë “të pabërën”, në të gjitha kuptimet. Një nga të pabërat më të famshme të kësaj skuadre, ka qënë edhe shënimi, dhe njëkohësisht pësimi i mbi 100 golave në një sezon të vetëm.

Spurs prezantohet kështu, si një skuadër neurotike, shpërthyese, por akoma jo mirë e balancuar, si një makinë sportive me sistem frenues të dyshimtë. Sot në mbrëmje do premtojnë se sido që të vejë puna, do bëjnë një gol më shumë sesa kundërshtarët.

Emrat më të dyshimtë për të hedhur firmën mbi atë premtimin më lart, u përgjigjen Van Der Vaart, Jermain Defoe, Peter Crouch dhe Gareth Bale.

Pozitat e Milanit, përballë kësaj strategjie do të ishin shumë premtuese, sidomos sepse kjo mënyrë u përshtatet më së miri skuadrave italiane. Por Djalli vetë, nuk i ka punët mirë, pas humbjes 1-0 në San Siro. Kështu në fortesën e Kaposhëve, në White Hart Lane, do i duhet ta fillojë ndeshjen në temperaturën -1. (anche il Diavolo ha freddo).

Harry i tmerrshëm, ka dhe ai disa llogari për të bërë. Sepse prej të dyshuarve kryesorë, i pari siguron rikthimin pas një dëmtimi, dy të tjerët është për tu parë nëse do luajnë prej fillimit të ndeshjes, apo njëri prej tyre, dhe i katërti dyshohet më shumë se është i dëmtuar, sesa për të shënuar.

Po gjithashtu duhet të shohë, çfarë ndodh nëse i shkon dora huq dhe ke Djallin përballë? Punë me rrezik, kur Djalli ka dhëmbë e brirë, si puna e Ibrahimoviç, Pato, apo Robinho.
I gjithë komploti ngelet për tu zbuluar sot në darkë.

Për t’i shtuar dhe pak aromë muzikore sfidës, besoj se përballja do i përgjigjej një kolone muzikore, Spurs-at të përfaqësuar me Talking Heads – Psyscho Killer dhe Milani me Rolling Stones – Sympathy for the devil.

Monday, March 7, 2011

KËMBANA MAKBETHIANE

Data 21 Janar, po largohet gjithnjë e më shumë prej kalendarit. Tashmë ndodhemi në fillim të Marsit. Afërsisht po bëhen dy muaj që prej ngjarjes tragjike që u mori jetën katër qytetarëve shqiptarë, mu në mes të Tiranës.

Shumë ujë ka rrjedhur që atëherë deri tani...

Më së shumti ka qënë ujë propagandistik, ndotës, shpifës, ujë jo i pijshëm.
Kjo rrjedhë, ky burim ndotës, ka marrë përsipër të mbysë dhe të mbulojë çdo reagim qytetar ndaj krimit makabër që ndodhi atë ditë. Gjithashtu kjo përmbytje, ka nxjerrë në sipërfaqe shumë qënie veshtullore, krimba e kafshë pa shtyllë kurrizore. Ka nxjerrë në sipërfaqe, ato krijesa të shpifura të natyrës, që dalin mbi tokë pas shiut dhe ujit të ndotur (ndodhen në natural habitat-in e tyre). Sasia dhe qënia e tyre, e ka bërë të përditshmen shqiptare shumë neveritëse.

E kam fjalën për të gjithë ata analistë e gazetarë, njerëz të medias dhe mbështetës pa kushte të pushtetit, që kur nuk justifikojnë veprimet e ndyra të pushtetarëve, zgjedhin të neglizhojnë, atë ngjarje dhe atë krim që mori katër jetë.

I kam parë të shkruajnë gjithçka, analiza mbi të gjithë e të gjitha palët, por kanë neglizhuar sistematikisht, arsyen madhore për të cilën duhej shkruar, kërkesën e menjëhershme dhe të panegociueshme për drejtësi!

Kjo nuk është diçka për tu marrë lehtë. Nëse aty nuk do të ketë drejtësi mbi ngjarjen të cilën e pamë vetë me sytë tanë, do të thotë se do mbizotërojë ajo pjesë e njerëzve që kanë bërë kompromis me të vërtetën. Është një pakt i shkruar me djallin. Nëse drejtësia mungon, atëherë çdo pjesë e shoqërisë që do përfitojë si pasojë, do ta ngrejë suksesin e vet mbi këtë premisë. Mbi drejtësinë e munguar të asaj ndodhie, në atë ditë të ftohtë Janari. Në rast se drejtësia mungon, kjo do të thotë se ai vend do jetë dorëzuar në dorën e krimbave që ushqehen me kufoma. Nga këta lloj njerëzish, sot, nesër dhe në të ardhmen, gjithçka mund të presësh. Prandaj është e rëndësishme që drejtësia të vendoset mbi ta, për të sjellë përsëri qetësinë sociale dhe civile në vend.

Ndërsa për çdo qytetar të ndershëm, nuk ka më kohë për dilema hamletiane “to be or not to be”; a do të dëgjojnë “ata” liderin, do u besojnë shpifjeve, intuitës, oportunitetit, vendit të punës, militantizmit, e shumë të tjera. Nuk ka vend për të shprehur disfatizëm dhe pesimizëm. Një i vetëm në qoftë dikush, duhet t’i bjerë këmbanës së drejtësisë, këmbanës makbethiane. Kjo është rruga e vetme.

Këmbana Makbethiane.

Prej Shekspirit, dimë se në tragjedinë e tij “Makbethi”, sinjali që e fton personazhin kryesor për të kryer krimin e neveritshëm, është tingulli i një këmbane, të cilës i bie Lady Macbeth.

Noli, si mjeshtër i përkthimit dhe muzikalitetit të gjuhës, pjesën kur këmbana jepet si shenjë për atë çka e pret Dunkanin, mbretin legjitim të Skocisë, e shqipëron kështu:

Dunkan, mos e dëgjo, se kjo këmbanë, po të thërret në qiell a ferr hapsanë

Vini re muzikalitetin e gjuhës, në mbaresat e fjalëve.
“Dunkan...
këmbanë...
hapsanë...”
Dëgjohen si kumbimi i një këmbane, dang, dang, dang!

Është ajo këmbanë që fton Makbethin në krim, prej të cilit duart nuk iu lanë asnjëherë më pas. Dhe besoj që dridhej brenda përmasës njerëzore që i kish ngelur pas krimit të kryer, sa herë i dëgjonte tingujt.

Kjo këmbanë, që i thërret ndërgjegjies njerëzore, është në duart e kujtdo qytetari.

Këmbanat nuk duhet të pushojnë, sepse bien mbi ndërgjegjien e atyre që janë zënë në faj. Bien mbi ndërgjegjien dhe të atyre që vullnetarisht u bënë një me pjesën e fajtorëve, duke justifikuar, ironizuar dhe mashtruar paturpësisht opinionin publik.

Çdo qytetar i ndershëm i këtij vendi, duhet t’i bjerë këmbanës për drejtësi, për të parë nëse do tkurret njeriu makbethian brenda qënies së vet, për të mbizotëruar kafshërorja, apo përmasa njerëzore do gjejë një shteg për të triumfuar mbi të.

Bjerini këmbanës pra, dhe shurdhojini, mundojini, nga mankthet e tyre mos i çlironi. Sa të keni duar dhe zë, bjerini këmbanës!

Bjerini këmbanës si refuzim për të pranuar të uleni në nivelin e atyre që sugjerojnë se në këtë vend nuk mund të ketë drejtësi.

Bjerini këmbanës mbi çdo justifikim, që pengon të dënohet një krim makabër.

Bjerini këmbanës për të ardhmen tuaj dhe atë të fëmijëve tuaj, bjerini këmbanës!

Bjerini këmbanës për sytë e Anës...

Është rruga e vetme, zgjidhje tjetër nuk ka.
users online
 
Creative Commons License
Shkrimet e blogut Busulla jane te licensuara nen Creative Commons Autoresi-Jofitimprurese-Vepra te pandryshueshme 2.5 Italia License.