Sunday, May 29, 2011

CERBERI TULIPAN


Do ketë qënë viti 1994, atëherë kur e kam parë për herë të parë, në një kostum shumëngjyrësh, karakteristik për një portjer, dorezat e verdha, ashtu si flokët, fytyrë imët dhe ekstremisht i gjatë dhe i hollë. Ishte Edwin Van der Sar.





Kishte një pamje qesharake në dukje, me atë fytyrën e hollë, si hundën e vet, të stërgjatë, si për të qënë në sintoni me pjesën tjetër të trupit. Të jepte përshtypjen se ishte një djalë i turpshëm... të qënit gardiani i portës së Ajaksit, nuk i shkonte fare, fillimisht. Dhe me veshët llapushë, që i dilnin prej flokëve, të cilat nuk di pse i mbante më shkurt se tani, plotësonte dekorin e një portjeri që nuk ofronte shumë siguri. Lëre më kur ishte edhe më shumë prepotent sesa mund të pranohej prej pamjes që kishte. E mbante gjithnjë shumë topin në këmbë, dilte jashtë zonës me të. Të ngrinte gjakun kur e shikoje, sidomos nëse ishe tifoz i Ajaksit dhe akoma naiv për futbollin.Çdo pasim tek portjeri konsiderohej me rregull, prej lojës në lagje, si rrezik i jashtëzakonshëm.

Ja kjo ishte përshtypja e parë për Edwin. Por sa herë Ajaksi fitonte dhe Ajaksi e bënte shpesh këtë gjë atë vit, ai bëhej edhe më simpatik, megjithëse gjithnjë shënjestra e tifozëve kundërshtarë. Shprehja e preferuar e tyre ishte gjithnjë: Çe keni atë portjer ashtu, me ato veshë? Unë ua kisha gjetur ilaçin dhe u përgjigjesha se veshët i duheshin për të mbajtur ekuilibrin.

Ishte po viti 1994, kur Oranjet ndërmorrën fushatën për të pushtuar formalisht botën nëpërmjet futbollit në USA94. Dhe atëherë në portë ishte Ed de Guey. Me mustaqet e veta karakterisike. Pasi mposhtet nga goditja e lirë e Brankos në çerekfinale me Brazilin, vendin do ia zërë Van der Sar.

Portjeri im i preferuar prej Hollandës, kish qënë paraardhësi i De Guey. Van Brukelen. Ai bjondi që me kokën lart, pasi kishte provokuar një penallti në 1988, me BRSS, më pas e pret po vetë. Një prej heronjve të Evropianit nga Hollanda.

Van Brukelen, kishte qënë edhe heroi i Van der Sarit vetë, siç e kishte pranuar në një intervistë. Ëndërronte të kishte një moment të tillë me Hollandën, ku të bëhej ai heroi. Shpëtuesi, ruajtësi i portave të Ferrit. Nuk e bëri dot, me Hollandën, asnjëherë.

Në vitin 1996, pas kohës së rregullt dhe shtesës, në finalen e C.L me Juventusin, u vërejt edhe pika e dobët e tij: Nuk priste dot penallti.

Pak vite më vonë (1999), vetë Juventusi do të ishte dhe pika tjetër e dobët e karrierës së vet. Pasi u bë portjeri i parë i huaj që Juventusi vendosi t’i besonte portën, ai dështon. Nuk i shkonte stili italian i lojës. Zonja e vjetër kërkonte një shotstopper, Van der Sar ishte portjer krijues. I pëlqente loja me këmbë, zhvillimi i aksioneve prej mbrojtjes, gjetja e lojtarit të lirë për të filluar aksionet etj.

Kështu zbarkon në Angli, tek Fulham. Ku? Fulham. Skuadrë londineze, relativisht e panjohur, skuadër e mesit të tabelës në Angli, me raste aventuriere në Evropë, kur ia lejonin kushtet. Aty tek Fulhami, për pak ndeshje e humbi dhe vendin e titullarit. Megjithatë hollandezi shtatlartë uli kokën dhe iu përkushtua përmirësimit të lojës së vet. Edhe u kthye përsëri më i fortë se më parë.

Aq i fortë, sa Alex Ferguson nuk mund t’a injoronte talentin e hollandezit. Pasi kishte eksperimentuar edhe ai me disa portjerë në skuadrën e vet, një talent amerikan si Tim Howard, një italian i çuditshëm si Taibi, Barthez etj... qetësinë në portën e vet, nuk e kishte gjetur akoma. Dhe e kërkoi tek Van der Sar. Pasi e mori në skuadër, u shpreh se duhej që t’a blinte Van der Sarin, që kur Schmaikel u tërhoq nga futbolli.

Transferta tek United, e ktheu Van der Sarin në vendin që i takonte, përsëri në Olimp. Disa kampionate të fituara, një kupë Champions League, kupë Anglie, portjeri më i mirë i dekadës, sipas trajnerëve të Premierit anglez, duke tejkaluar rivalë të tillë si Cheh, Reina, Dudek, Lehman. Gjatë këtyre viteve, djaloshi me pamje qesharake, u kthye në një gjigand të vërtetë.

Aty tek Manchesteri, pati mundësinë të kthehej në hero. Madje jo një herë. Tre penallti të pritura njëra pas tjetrës në ndeshjen finale të kupës së Anglisë me Chelsean. Dhe qershia mbi tortë: Një finale Champions League e fituar prej tij, kur priti penalltinë e Anelka në 2008.

Çdo njeri ka një moment kur arrin Everestin e vet. Për Van der Sarin, kjo ishte penalltia e pritur në 2008.


Ndeshja e rregullt ka mbaruar 1-1 po ashtu edhe shtesa. Loja vendoset me penallti. Dy prej skuadrave më të mira të Anglisë, bashkë me dy portjerët më të mirë që luajnë në Angli. Van der Sar dhe Cheh. Dy penallti nuk janë konvertuar prej 6 gjithsej për çdo skuadër. Rezultati është 6-5. Anelka përballë Van der Sarit. I pari duhet të shënojë, i dyti është më i qetë. Duke u vendosur në portë, ngre dorën e tij të majtë dhe i tregon se ku duhet të godasë Anelka. Ky gjuan, nga e djathta e portës. Van der Sar kupton anën... dhe pret penalltinë. Ferguson në një intervistë kishte thënë se në momentin kur hidhet për të kapur topin, në fytyrën e Van der Sar vihet re një buzëqeshje që gati ia prek të dy veshët e vet të gjatë.




Pas kësaj performance, “the big eared cup” shkon tek “the big eared man”. Duket se janë bërë për njeri tjetrin, përderisa janë puthur dy herë.

GOOD BYE VAN DER SAR.
FALEMINDERIT PËR GJITHÇKA.

Friday, May 20, 2011

Dy të pavdekshme

( + guximin për t'i përkthyer - bonus)


Djali i gjeraqinës.

As dyshek ku të fle.
As qiri për të lexuar
Kam, për letrën tënde të ëmbël moj nëna ime.
Behar dhe bën ftohtë
Një metër me dy
është qelia, o nëna ime.

Po unë nuk jetoj i përgjunjur
Se jam djali i gjeraqinës
Jam djali i gjeraqinës
Dhe ç’ë se do më hapin plagë
Unë zjarrin e duroj,
Unë zjarrin e duroj
Nënë mos të vijë keq, nënë mos më qaj.

Një rrobë të përgjakur
Shtroj përdhe për tu qetuar
Në çimenton e lagur, moj nëna ime
Në qelinë ngjitur
Më sollën dhe një vëlla tjetër
Ah çka për të hequr, moj nëna ime


... Samos

Ata, që dorën e bronztë
Të rëndë e të frikës ndjejnë,
Peshën e skllavërisë le të kenë.
Kërkon virtyt dhe guxim Liria.

Ajo (dhe miti e fsheh të vërtetën)
Mbrujti Ikarusin;
dhe nëse ra ai me krahë
dhe u mbyt në det

Nga lart ra
Dhe vdiq i lirë
Nëse kthehesh në dhjamë qeni
Viktimë e një tirani,
Atëherë mendo të tmerrshëm varrin


Nëse kërkojmë
që ta kemi përsëri
me djersë dhe gjak
e mirë do të jetë
lavdia e kohës së lashtë.

users online
 
Creative Commons License
Shkrimet e blogut Busulla jane te licensuara nen Creative Commons Autoresi-Jofitimprurese-Vepra te pandryshueshme 2.5 Italia License.