Saturday, December 13, 2008

Christmarx.

…apo arti i mashtrimit...


I
...në fillim ishte fjala


Ai lindi brenda,
për të dalë jashtë rrugës
së historisë.
E virgjër nuk ishte e ëma,
ishte fjala.
Kur tha:
- Jepni dashuri,
mori dënimin si heretik.
Dashuria atë kohë kish qenë
tepër e shtrenjtë për tu dhënë.
(ashtu është dhe tani)

I kryqëzuan duart,
për të mos e prekur.
Këtë jetë e la për të mos vdekur.
Dhe ngeli në dru,
për tu varur padrejtësisht.
Përjetësisht i gozhduar,
në simbolin e vdekjes, lakuriq.
I dënuar me puthje të fëlliqta,
në amëshim,
prej tempullarëve
që dëboi me kamzhik.


Fjalë zemre mos thuaj o Krisht.
As mos fol për ëndrra.
Ato bien mbi shpirtgurë,
dhe u tingëllojnë si verdhushka.
Mbulojnë shpirtrat e njomë,
me robën e zezë të shpirtit vet.
Burgosin. Dhe pasi i vrasin,
përmes mashtrimit shpresën shesin.



II
…një fantazmë vërtitet nëpër Evropë.

Letër.
Dërgon: Karl Marx
Merr: Evropa industriale.
Flas me frymë revolucionare,
(mallkuar qofsh!)
Pagat janë minimale,
Kushtet patetike,
Shpresa, gënjeshtër biblike
Ëndrra - e përgjakur
Dëshira e përflakur,
si leckë në trotuar.
Pushteti, ndarë mes zgjyrash
që përplasin dyer zyrash.
Pa u thënë kush –Ndal!
Gënjeshtra - premtim elektoral
Mashtrimi - çmimi kapital
Grushti - simbol proletar.

Përgjigje:
Revolucioni është mëkat.

(Sa keq, nuk patëm fat.
Letrën e lexoi Lenini)

III
asgjë e re nën këtë diell...

Krisht dhe Marks,
Ky fundhjetori
të dy i ka prekur
Nën thirrjet e të parit
të dytin për të djegur.
Apo veç pemën simbol?
Ajo që kur u shkul prej rrënjësh,
kishte vdekur.
“Unë jam drita e botës”.
Apo iluzion ndriçues?
Mbulues i brengës së këtij qyteti.
Apo reklamë?
E kllounit të të dyve, mjekërbardhë.
Me freskuesen brand mark në dorë,
qejfi i ngelet që nuk po shitet.

Ironi,
nëna e absurdit,
që bie si shi,
mbi qiellin plumb të Athinës.
Zhytur nën trysninë e vet,
si bark i fryrë mes ndërtesash dhe rrugësh
vjell tërbimin.

Një qiri,
nuk mjafton për të kujtuar
të vdekurin e madh dymijëvjeçar
apo të voglin pesëmbëdhjetë.
Jemi në ditën e dhjetë.
Ku më shumë digjet,
më pak shitet.
Tërbimi nuk njeh çmim,
as ligj kërkesë oferte.
Më mirë kështu,
kurrë të mos shitet,
por të djegë më pak.
Asgjë e mirë nuk është mbjellë në hi

Thursday, December 11, 2008

Asgjësim buratinësh


Hej ti buratin,
shkaravinë e mendjes time,
të ndërtova me këto duar.
nga dëshira dhe nevoja
...për të të akuzuar.
Buratin krijesa ime,
delli i imagjinatës time.
Aty rri i shtrembër,
ashtu si të kam në mendje,
në ndihmë më vjen me ëndje
sa herë sorrat më pushtojnë mendimet.
Buratin, je i shtrembër
Pa ndjenja,
pa zemër.
Ato i kam vetëm unë!
Sepse buratin, nuk t’i dhashë
majë shkopit kur të lashë.
Ti po më përqesh,
brenda boshllëkut tënd
me gojën vesh më vesh.
Buratin je patetik!
Buratin,
ushtar prej kashte buratin,
ti je flamuri im,
kur të ngul majë një toke,
pushtimin e saj bëj legjitim.
Buratin ke për himn,
belbëzimin e marrëzisë.
Buratin
je komunist,
Ekstremist,
Anarkist.
Je dhe antiglobalist ti buratin.
Me listë -istësh të pafundme,
nga të cilat jam çliruar
prangat i kam dorëzuar,
dhe të kam denoncuar, ty!
Buratin ti nuk shikon,
megjithëse prej lecke ke një palë sy.
Më pengon hija jote,
ajo goja e hapur idiote,
fjalët që dalin prej aty...
Se ti flet e nuk di çfarë thua,
ndryshe nga mua,
që fjalët i bëj varg.
Me to të djeg po të dua.
Flakë prej qiellit marr hua,
dhe të lëshoj një mallkim.
se koka jote prej kungulli,
nuk mund të njohë pendim.
Dhe kur digjesh të shikoj.
Përmes flakëve çliroj,
gjithë vrerin e shpirtit tim.
Ti përmes flakësh po qesh.
Dhe unë,
me gojën vesh më vesh.
Zjarri i dijes, Promete,
Të fshiu nga ky dhe.
Dhe unë,
ndërsa ti në varr,
po var,
triumfin - pa hark,
Ekzekutim pa gjak.
Pastër.
Prehem,
në diellin me dije
mbi hi.

Derisa shikoj një hije,
sorra mendimesh përsëri...
Buratin,
... më duhesh e kuptoj.

Friday, December 5, 2008

ShQEPËri


ShQEPËri



Sepse shqiptarët më ngjajnë me qepë. Të paktën mënyra sesi funksionon kujtesa historike, po. Në fund të fundit kur një gogol si Shreku, pretendon se ngjan me qepë, pse të mos e bëjmë këtë krahasim? Sepse shtresat në të cilat kalon historia shqiptare, e shkruar apo jo, të japin një ndjenjë ëmbëlsie djegëse kur e lexon, nga e cila mund të burojnë dhe lot. E për më shumë i ngelet pas disa kohësh ajo era e pakëndshme karakteristike e bimës në fjalë. Një erë e pakëndshme ndihet ndonjëherë ndër ne. Nuk mban era qepë, por era injorancë.

Fjala qepë në shqip, është në gjininë femërore. Ndoshta një hap përpara integrimit kur i njihet roli femëror bimës dhe trajta mashkullore është pak e përdorur. Nuk besoj të ketë njerëz që nuk e dinë se trajtës mashkullore të fjalës qepë, i përgjigjet fjala dudum. Dudumi është qepë me një xhufkë, që i rri lehtë mbi kokë bimës, me disa fije të bardha që era i lëviz aq herë sa fryn. Dudumi është eolik.

Era qepë e historisë, i detyrohet pikërisht dudumëve. Dudumit të parë që mbahet mend, i dukeshin mustaqet e veta të holla aq të fisme sa e shpalli veten mbret. Ai zbatoi politikën e hapjes së dyerve të botës ndaj vendit të qepëve duke lejuar të huajt të na mbanin erë e të na gatuanin si të donin. Derisa të huajt vetë u bindën se kjo tokë pjellore ndoshta vlente më shumë sesa qepët e mbjella në të. Kështu na pushtuan. Si qepë që jemi filluam të qajmë pushtimin e pushtuesit dhe largimin e mashtruesit. Më pas një dudum tjetër vjen na ... e na mbush mendjen se nëse kemi ndërmend të gatuhemi, do ta bëjmë me forcat tona. Madje duke zbatuar mjetet e reja teknologjike. Kështu u futëm në tenxhere me presion, të izoluar me vullnet të dorëzuar, dhe dëshirën e zjarrtë për tu bërë çomlek. U bëmë dhe çomlek, po përsëri mbanim era qepë. Jemi qepë interesante ne... Qepë që nuk ka fituar imunitet ndaj erës së vet dhe qan sa herë ndodhet nën efektin negativ që lëshon era e rracës së vet. Ky difekt biologjik, ka kufizuar jashtë mase mënyrën e të menduarit. Ja tani psh, kemi dy variete kryesore qepësh: qepë që qajnë si reagim ndaj dudumit paraardhës dhe qepë që qajnë nën efektin e nënshtrimit të dudumit aktual.


... dhe Coca Cola.
Në fillim vitet 90’ mund shumë lehtë të konsiderohej si pija ekzotike e perëndimit. Në rang sigurisht më të lartë prej çamçakëzave. Kishte status aq të lartë sa ndonjë kanaçe e zbrazët mund të siguronte vend si ornament në bufetë karakteristike të kohës së komunizmit. Vend nderi zinte dhe në tavolinën e të ftuarve sa herë vinin apo shkonim miq. Coca cola, me zhurmën karakteristike të hapjes që transmetonte cingërisja e gazit në shishe. Shoqëruar bashkë me qortimin e të mëdhenjve të mbyllej sa më shpejt tapa se ikte gazi. Me kalimin e viteve statusi bie poshtë, por duke nderuar gjithsesi zotëruesin edhe mikun. Çast shkëputjeje prej kolektivizimit. Akoma më pas, siguron pija rënie drastike të statusit të vet kur gojët e liga filluan të përhapnin fjalë se ishte thjesht ujë me gaz dhe sheqer. Është në fakt e vërtetë, po jo vetëm kaq. Të ishte kaq pak, nuk do bëhej pija më e shitur në gjithë botën. Po, përmban dhe kafeinë. Shoqëruar me lyrën e fast food-ëve, sipas studimeve, krijon një gjendje vartësie në organizmin e njeriut. Pak nga pak, po i kuptonim të gjitha. Ose të paktën nuk u desh shumë kohë për të kuptuar pse fast food-et reklamojnë menu të ndryshme me coca colën falas në të. Akoma dhe sot nuk e kuptoj gjithsesi se çka më shumë sesa qumështi i vendit, sepse ky i fundit paradoksalisht, shitet më lirë! Sot të gjitha mallrat e vendit shiten lirë...

Tuesday, December 2, 2008

Tagged and Sorry...

Për vonesën...


1.Cfare eshte dashuria?



2. Si e kupton diferencen mes dashurise, nje fiksimi te thjeshte apo cfaredo ndjenje tjeter te perkoheshme?

Cituar nga komedia “Edhe ashtu edhe kështu” (kini parasysh theksin e Mirush Kabashit kur ta lexoni):

“Dashuria e vërtetë, lind nga miqësia e vërtetë dhe është rezultat llogjik I kësaj të fundit”.

Dua të them se çdo orvatje për ta përkufizuar rezulton të dalë e paplotë dhe ndonjëherë qesharake, si rasti I mësipërm. Në tentativë gjithsesi do të thosha se varet nga komponentët, situata, përjetimi, fillimi, ecuria dhe ndoshta fundi. Në fakt, nuk besoj se ka detyrimisht diçka përcaktuese që i jep kurorë si dashuri e vërtetë. Nëse do të përpiqesha ta përkufizoja, do të thosha se e vërtetë është ajo që nuk vdes kurrë që nga ana tjetër kuptohet se nuk e njohim në fillim.

3.Arrin njeriu te vazhdoje te besoje ne dashurine e vertete mbas gjitha hereve qe ka menduar qe kishte te bente me dashuri, por qe zbuloi qe s’ishte?

Varet nga njeriu. Për mendimin tim do të duhet. Sepse vetë dashuria si ndjenjë më e thellë, dhe gjithpërfshirëse më shumë se koncepti i marrëdhënies intime midis dy personave është ndjenjë e bukur dhe na bën më humanë, më të mirë, më të kompletuar si njerëz. Aftësia për të besuar te ajo, është një arritje njerëzore dhe tregues shëndeti mendor.

4.Si mund te dime qe do zgjase; njerezit ndryshojne, si mund te garantojme qe s’do ndryshojne dhe ndjenjat?

Garanci nuk ke. Është mall me siguri të ulët dhe rrezikshmëri të lartë. :D Megjithatë është dhe gabim të kërkohet siguria e mosndryshimit të ndjenjave. Nuk bën dot planifikime. Ajo që mund të bëjë dikush, është zgjedhja e duhur te personi tjetër.

5. Eshte dashuria nje e dhene ekzistuese ne zemer dhe qe thjeshte prêt t’I jepet njeriut te duhur apo njeriu I duhur gjeneron dashurine?

Dashuria sipas njerëzve të ndryshëm në karakter, mund të përkthehet edhe si nevojë shpirtërore, edhe si dëshirë. Unë do e përcaktoja si një vlerë që i është bërë “dhuratë” (duke qëndruar agnostik, nuk e di nga kush) njeriut, madje duke i dhënë mundësinë ta kultivojë atë. Sigurisht që është aty gjithmonë, herë shfaqet dhe herë duhet dikush për ta stimuluar.

6. Dashuria e stimulon dashurine; mund te dashurojme dike ngaqe ndjeme qe ai po gjeneronte dashuri ndaj nesh?

Sigurisht. Por jo në formën e thatë “unë e dua, apo do ta dua sepse ajo më do”. Vetëm kjo e dhënë, nuk ka ndonjë vlerë të vetën. Do duhet diçka më shumë se kaq.

7. Ca njerez thone qe dashuria vdes mbas marteses, te tjere thone qe rritet mbas martese, çfare rruge duhet te zgjedhe njeriu…te martohet me nje njeri qe I pershtatet, kompatibel dhe te prese qe ajo dashuri te rritet me kohen apo te martohet me njeriun qe dashuron dhe te ver ne rrezik vazhdimin e asaj dashurie?

Unë qëndroj agnostik dhe në jetë. Nuk kam ndonjë rrugë të planifikuar për të arritur deri në atë pikë sa të varet dashuria prej martesës. Martesa vetë nuk është formë dashurie, por formë bashkëjetese. Duke qënë e tillë dashuria nuk varet paraprakisht ose jo prej martesës. As duhet pare martesa si kufizim për dashurinë. Pastaj nuk është vetë martesa si institucion, por janë ndjenjat që lidhen me bashkëjetesën. Në rast se krijohet ndjenja e sigurisë së tepërt dashuria mund të vritet. Njeriun pranë nesh e marrim si të dhënë, dhe kështu reagojmë me pasoja të tjera, eventualisht duke humbur dashuri.

8. Pse eshte aq e veshtire per njerezit te shohin sesa ndjenje fisnike dhe e shtrenjte mund te jete dashuria?

Po sepse përmban gjithë ato komponentët e pasigurisë që folëm më sipër. Sepse është e veçantë, prandaj nuk mund të gjendet pas çdo cepi pallati. :D Sepse shfrytëzohet me raste, keqkuptohet, dënohet. U falet atyre që nuk e meritojnë etj. Ndonjëherë gënjejmë veten se kemi dashuruar, jemi duke dashuruar etj.

9. Simpatia, miqesia, vleresimi,… mbajne ne vete nje pjese te mire dashurie keshtu qe si mund t’i japim pales tjeter mesazhin e duhur per llojin e dashurise qe ndjen ndaj tyre pa i vrare shpirterisht?

Mbaj distancën e sigurisë. :D Nuk ka formulë as këtu (boh, edhe sikur studente matematike të ishe, nuk do bëje pyetje kaq të “ngurta” lol)

10. Duhet te kerkojme dashurine, t’a presim apo t’a harrojme plotesisht??

Ta kërkojmë me qiri, ta presim me thikë, apo të bëjmë lobotomi? :D Asnjë nga të treja. Kërkimin pritjen apo harresën nuk arrij t’i perceptoj si qëllim më vete.

-Pyetje bonus: C'eshte dashuria per ty personalisht?

Undefined.Ose I know when I see it.


Anyway, besoj të kesh ngel e kënaqur prej përgjigjeve Minnie.


Disclaimer: Ky shkrim nuk është për konsum peshku.
users online
 
Creative Commons License
Shkrimet e blogut Busulla jane te licensuara nen Creative Commons Autoresi-Jofitimprurese-Vepra te pandryshueshme 2.5 Italia License.