Tuesday, August 9, 2011

Lopët, bëjnë mu!

Sot vetëm lopët jetojnë,
hanë bar, e bëjnë mu.
Bëjnë mu në rrugë,
në sheshe, në gardhe,
lugje e luadhe.
Bëjnë mu kudo!
Bëjnë mu të gjitha!

Bëjnë mu duke mbllaçitur filiza,
bari. Bëjnë mu duke përzënë miza,
me bishtin si fshesë,
gjithë përtesë,
dhe pastaj ai varet si akrep i një ore,
e prapë lëviz, në mënyrë ritmike,
si një çantë dore,
i një gruaje në nxitim.

Bëjnë mu dhe shfryjnë
zgavrat madhore
mbushur,
me mukozë hundore
ngjyrë të bardhë, (veshtullore),
e pastaj me gjuhë,
i lëpijnë.
Duke bërë mu!

Lopët bëjnë mu,
e vijojnë heshturazi,
në monopate, një pas një,
në udhën shenjuar,
me mbetje ekstrakte,
që sigurisht,
të çon diku...

Saturday, August 6, 2011

Fatkeqësia II.

22

Aksiomë: një grek bën çfarë është e mundur që të zgjerojë hapësirën midis dëshirave dhe realitetit.
23

Këtë e arrin ose duke zmadhuar në formë të ekzagjeruar dëshirat e veta, ose duke shkatërruar mjedisin ku jeton, Ose, akoma më mirë, duke i kombinuar të dyja

27

Greku kur shikon veten e vet në pasqyrë, dallon ose Aleksandrin e Madh, ose Kollokotronin, ose (të paktën), Onasin. Asnjëherë Karagjozin.

28

Në të vërtetë, në realitet, ai është Karagjozi që imagjinon veten e vet si Aleksandri i Madh. Është Karagjozi me profesionet dhe dyfytyrësinë, përherë i uritur dhe me vetëm një zanat të vërtetë: atë të aktorit
31

Greku synon në çdo fushë të jetë jashtë realitetit. Dhe pastaj ndihet fatkeq, sepse është jashtë realitetit. dhe pastaj akoma, ndihet i lumtur, për shkak se është fatkeq.

32

Në fakt, greku e injoron realitetin. Jeton dy herë më lart nga sa i lejojnë kushtet e veta ekonomike. Premton trefish më shumë sesa mund të realizojë. Di katërfish më shumë, sesa ato që realisht ka mësuar, ndjen (dhe ka empati) pesëfish më shumë nga sa realisht ndjen.
34

Prej këtij injorimi, në formë të ndërgjegjshme ose jo të realitetit, buron komedia dhe tragjedia. Që të dyja marrin jetë, prej hiperbolës dhe konfliktit.

39

Greku duket i lumtur, kur është fatkeq. Kur gjithçka shkon mirë, ndihet i shqetësuar dhe i turbulluar. Nëse nuk ka arsye të jetë fatkeq, do kërkojë t’i gjejë.

40

Lumturia prej fatkeqësisë së grekut, shprehet mrekullisht nëpërmjet gërnjës.

41

Mbetje e skllavërimit? Shenjë njohjeje e popujve të nëpërkëmbur? S’e di. E shumta që do dëgjoni, është një psherëtimë e thellë dhe shprehja...”e! le të themi se jemi mirë”
44

Ka një lidhje të çuditshme mes grekut dhe fatkeqësisë së vet. Për këtë arsye, momentet më të mira, ai i përjeton kur është fatkeq. Ose kur kërcënohet. Krizat dhe konfliktet, e forcojnë. Mohimi, bëhet qëndrim.

47

Ligji grek i Parkinsonit “dy grekë mund të bëjnë për dy orë, punën që njëri prej të dyve do e bënte për një orë” – për shkak mosmarrëveshjesh.

49

Cilido popull, (nëse) do ishte pasardhës i grekëve të lashtë, do të ndihej në mënyrë automatike fatkeq. Kjo nuk do ndodhte, vetëm nëse do mund t’i harronte, apo tua kalonte.

60

Lidhja jonë me grekët e lashtë, është një nga burimet e kompleksit të inferioritetit. Burimi tjetër është krahasimi sipas vendndodhjes, jo sipas kohës. Ai me popujt modernë “të zhvilluar”. Me “Evropën”.
62

Vërtet, sa evropianë jemi? Prej Evropës na ndajnë shumë gjëra, mbase më shumë sesa na bashkojnë. Grimca të vogla prej lëvizjeve të mëdha kulturore që krijojnë civilizimin e sotëm evropian, kanë arritur tek ne (nuk po flasim për minorancat greke të iluminuara). As Mesjeta Skolastike, as Rilindja evropiane, as Reformacioni, as Iluminizmi dhe as Revolucioni Industrial. Mbase, kulturalisht jemi më afër me Rusinë e Sllavofilëve, sesa ndaj Evropës së racionalistëve. Po ndikimet lindore?

65

Në rrënjët e fatkeqësisë greke, qëndrojnë dy sindromat e inferioritetit. Njëri është në kohë – me paraardhësit, dhe tjetri në vendndodhje – me “evropianët”. Këto komplekse, nuk mund të justifikohen, jo se nuk janë ama reale.

Realiteti grek.
(mostra studimi)

Institucione

108

Burokracia është ajo sëmundje të cilës vetë ajo mendon se e ka gjetur ilaçin përmes ekzistencës së vet.
109

Grekët vazhdojnë ta trajtojnë shtetin e tyre, si të ishte akoma vilajeti turk i hyqmetit. Kanë të drejtë.
Ekonomi.
118

Idili i fundit i grekëve me shoqërinë e konsumit, i ngjan një fejese të gjatë, por pa martesë.
Αrsim
120

Problemi i arsimit grek, është problem arsimtarësh. Vetëm një njeri me personalitet, mund të ngjizë personalitete. Pas çdo njeriu të formuar, qëndron të paktën një mësues i mirë.
Shoqëria (sociale)
128

Gjëja më e keqe që mund të thotë dikush për klasën e mesme greke, është që kjo nuk ekziston.

129

Të ashtuquajturit “grekë aristokratë”, janë në të vërtetë përfaqësues të klasës tonë qytetare të paktë – njerëzit e oxhakut. Të ardhurit rishtas qytetarë, janë në thelb neo-pasunarë dhe katnarë të trullosur. Dhe të paktët fshatarë të mbetur nëpër zonat rurale, janë grekët safi.

131

Katundari i ardhur rishtas dhe dhunshëm në qytet, është kafsha më e mjerë në Greqi. Jeta e tij, ka degjeneruar komplet. Ka humbur gjithë traditën patriarkale – pa e zëvendësuar atë me diçka tjetër. Nuk kishte as klasa qytetare greke diçka t’i ofronte, por edhe të kish, do të ishte e pamundur që disa mijëra qytetarë, të mundeshin të absorbonin disa milionë syresh njerëz të ardhur prej katundeve, gjatë një brezi të vetëm.
132

Kështu katundari i qytetarizuar rishtas, jeton në boshllëk. Nuk ka tokë, nuk ka gjuhë të vetën (vij prej Omonies), që shkruante dhe Seferi, nuk ka fe. Nuk di më si të gëzohet, si të vajtojë. Nuk di të jetojë.

Emigracioni
136

Ndërsa gjysma e grekëve kërkojnë të kthejnë Greqinë si vendet e tjera, gjysma tjetër ikën në emigracion.

137

jemi një nga pak vendet e botës që ka më shumë emigrantë sesa banorë.

Gjinia
143

Jeta seksuale e grekut mashkull ndahet në dy nivele. Në nivel real dhe atë imagjinar.
Diferenca mes dy niveleve, e pamasë.
144

Jeta seksuale e grekes femër, ndahet edhe kjo në dy nivele. Në nivelin real, dhe atë tregëtar. Diferenca midis të dyjave, e papërfillshme.

Mjedisi.

151

Diku brenda nesh besojmë se nuk jemi të denjë të jetojmë në një vend kaq të bukur. Dhe përpiqemi me mish e shpirt, ta kthejmë ‘sipas kokës edhe festen”, në nivelin ku ndodhemi. Kështu e ndërtojmë me beton dhe plehra.
152

Greqia kurrë nuk vdes! (Mos u dëshpëroni, le të përpiqemi edhe pak)

156

Kudo ku shkoj, Greqia më lëndon.

157

Provo e fute Greqinë të gjithën brenda në zemër, dhe do pësosh infrakt.


Fund.

p.s Po sigurisht që libri ka edhe të tjera, gjithsej janë 176 paragrafë. Përzgjodha disa që janë tepër pikante dhe duhet të isha me gjithë mend kurnac të mos i ndaja. Gjithashtu në përzgjedhje, jam ndikuar duke u përpjekur të gjej fatkeqësitë e përbashkëta që 'bota greke' ndan me 'botën shqiptare'.

Friday, August 5, 2011

Fatkeqësia...


... e të qënit... grek?

Nga Nikos Dimou.

(fragmente)

Prolog....

Ka grekë, të cilët meditojnë mbi qënien e tyre – dhe grekë që nuk e bëjnë këtë.

Përsiatjet më poshtë, kanë të bëjnë më shumë me të dytët. Por u dedikohen të parëve.

Hyrje

Fatkeqësia e të qënit njeri.

1

Mund të përkufizojmë lumturinë si gjendjen (zakonisht të përkohshme),

në të cilën realiteti, përputhet me dëshirat që kemi.

2

Analogjikisht, fatkeqësia duhet të jetë mospërputhja midis dëshirave dhe realitetit.

3

Me fjalë të tjera, fatkeqësinë do të mund ta përkufizonim si distancën midis dëshirave dhe realitetit.

4

Sa më e madhe kjo distancë, aq më fatkeqë ndihemi.

5

Lumturia, apo fatkeqësia, varet prej madhësisë, intensitetit dhe sasisë së dëshirave, nga njëra anë, dhe nga ana tjetër, prej ndjesisë së realitetit që përjetojmë.

6

Mund të ndihemi fatkeqë, sepse kemi jashtë mase shumë dëshira, të panumërta dhe, të cilat me të drejtë, janë të paplotësueshme. Por, nga ana tjetër, mund të kemi dëshira shumë të plotësueshme dhe normale, ama përsëri të ndihemi fatkeqë, sepse realiteti është i tillë (si puna e Jovit). Atëherë flasim për fatin e keq, atë që na ka zënë derën.

7

Kemi pra një koncept statistik, të lumturisë. Besojmë se një njeri me dëshira “normale”, do të kishte një shpërndarje të drejtë midis sukseseve dhe dështimeve.

Vërtetim do të ishin shprehjet: “do të kthehet rrota e fatit”, “do na vijë fati në derë” etj.

8

Megjithatë, jeta nuk e vërteton qëndrimin më lart. Zakonisht, ata që kanë dëshira të shumta, arrijnë që të plotësojnë më shumë se prej atyre që kanë më pak. Vetëm se, natyra e pangopur e të parëve, rrallë u lejon që të shijojnë momentet e ekuilibrit mendor, të asaj që quajmë lumturi.

9

Distanca të cilën e quajtëm fatkeqësi, ka modul pozitiv, ose negativ. Dmth nëse nuk kam çfarë dëshiroj, apo kam diçka që nuk e dëshiroj (psh një sëmundje)

10

Të gjithë ata që japin receta lumturie, zakonisht përpiqen që të ndërhyjnë duke pakësuar dëshirat – meqë nuk është e lehtë të ndryshohet realiteti. Sigurisht, sa më pak dëshira të kemi, aq më pak rrezikojmë të zhgënjehemi dhe të lëndohemi.

11

Hapi i rradhës, është ideja e Budës, i cili mëson si të mos kemi më dëshira, si antidot i sigurtë kundër fatkeqësisë. Apo akoma më mirë: mohimi i burimit të çdo dëshire, të Egos.

12

Ndër kafshë, distanca midis dëshirave dhe realitetit, është e vogël. Zakonisht kafshët arrijnë të përmbushin nevojat e tyre, përmes aftësive që kanë. Ato janë tërësisht të përshtatura me mjedisin ku jetojnë.

13

Është e vështirë të flasë kush për kafshë të lumtura, apo fatkeqe – përderisa ato nuk përfshihen prej intensitetit (njerëzor) që ekziston midis dy poleve. Diçka ama më thotë se zogjtë e qiejve, duhet të jenë të lumtur...

14

Ndryshe prej kafshëve, njeriu ka dëshira që prej natyrës së tyre dhe mundësive, janë të paplotësueshme. Njeriu synon pavdekësinë. Në të njëjtën kohë që, e vetmja gjë e sigurt që di, është se një ditë do vdesë.

15

Mund të përkufizonim njeriun, si atë lloj kafshe që dëshiron më shumë sesa mund të arrijë. Kafsha e papërshtatshme. Do mundnim pra, me fjalë të tjera, të përkufizonim njeriun si qënia që sjell dhe e ka pjesë të qënies së vet- fatkeqësinë.

16

Ose ndryshe, do mund të përkufizonim njeriun si ‘kafsha tragjike’. Se tragjedia nuk është gjë tjetër, veç përjetimi i ankthit të distancës midis njeriut dhe botës.

17

Sa më shumë njeri të jetë dikush, aq më shumë dëshiron dhe kërkon, aq më e madhe bëhet distanca. Dhe nëse është hero, lufton dhe harrohet. Nëse është artist, mundohet përmes formave të mbushë distancën.

18

Nëse njeriu në qënien e vet, e përmban fatkeqësinë, ka disa kategori njerëzish, që janë më të prirur drejt saj. Kjo kategori mund të përfshijë edhe kombe. E midis kombeve, Grekët, sigurisht. Grekët e rinj.

19

Qëndrimi i këtij libri është të tregojë se si greku i ri, për shkak të historisë së vet, trashëgimisë dhe karakterit, shfaq distancë më të madhe, midis dëshirave dhe realitetit, nga mesatarja e njerëzve të tjerë.

20

Nëse pra, të jesh njeri, do të thotë se është tashmë e sigurt se do kesh një lloj mase fatkeqësie, të jesh grek, do të thotë, të kesh një dozë ca më të lartë të saj.

21

Po flasim pra, për fatkeqësinë e të qënit grek.


(vijon... )

Sunday, July 24, 2011

KANË THËNË...

Bledi Mane e tha i pari... në mënyrën e vet, pa rregulla etike, pa konvecionalitet të pranuar, me një fjalor që për shumë vetë do ishte i papranueshëm, ama E THA.

Mero Baze, e tha; brenda asaj që tha, shtohen dozat e mospranimit, për shkak të personalitetit, të kaluarës së Mero Bazes, etj ama E THA.

Andi Bushati e ka thënë më mirë se të gjithë.

Berisha vetë, e përforcoi: Pak ditë pasi ishte bërë votimi krejt i paligjshëm, me futje duarsh në votën e tjetrit nga kolegët deputetë, shkoi dhe i mburri këta të fundit duke u thënë: Ju keni votuar ligje të rëndësishme. Aprovoi shkeljen ligjore! Madje e përgëzoi.

Përpara se ta thoshin këta të tre, të njëjtën gjë kanë thënë nëpër intervista: Spartak Ngjela, Bashkim Kopliku, Preç Zogaj, etj!

Të gjithë kanë thënë të njëjtën gjë: Berisha shpërblen shkelësit, i përbuz, ama i mban afër dhe I SHPËRBLEN. Rregullisht.

Kush ka veshë, le të dëgjojë.
Të tjerët, mund të pirdhni lirisht nëpër komente.


Saturday, July 23, 2011

Bledi Mane - the comeback

ARISTOKRACIA E SHKËRDHYER E TIRANËS

Pardje debatoja me këngëtaren Besa Kokëdhima dhe gazetarin Koloreto Cukali pse elitat e këtij vendi janë strukur dhe nuk ndjehen për asgjë. Me shaka e lidhnim pasivitetin e tyre me vapën e korrikut dhe largimin me pushime jashtë Tirane. Ishim dyshues deri diku kur thoshim se elitat i druhen pushtetit së politikës por gaboheshim rëndë. Elitat ndaj janë paria e çdo vendi, nuk i tremb as politika dhe as krimi ordiner, nuk frustrohen apo yshten, nuk komandohen dhe as përdoren. Duke gëzuar një lloj pushteti të paprekshëm, elitarët qëndrojnë aty në qoshen e vet dhe prej andej shpërndajnë rezonancat e pushtetit të tyre historik, të trashëgueshëm dhe të patjetërsueshëm. Elitat mbeten busulla dhe njëkohësisht opozita e çdo lloj pushteti, elitat ndikojnë në formime a shkatërrime qeverish, elitat e mirëfillta jobatakçije qëndrojnë përherë si rubini më i shndritshëm e më i madh i kurorës së trashëguar të çdo monarku. U zgjata paksa por në të vërtetë unë jam skeptik, ende nuk jap dot një përgjigje të prerë dhe të saktë. Unë nuk besoj se ky vend, Shqipëria ime dhe e juaja ka formuar tashmë klasën e saj të lartë, atë kastë njerëzish aristokratë nga portofoli, mendja dhe shpirti gjithashtu.

Ky vend deri në përfundim të Luftës së Dytë Botërore kishte trashëgimtarët dhe familjet e mëdha me emër. Një pjesë kishin mbetur si relike të vjetra të ish Perandorisë Osmane me prona të mëdha, një pjesë tjetër me shkollimet perëndimore që u kishin bërë pasardhësve të tyre, ndërsa pjesa e mbetur e Dyerve Fisnike kishin emigruar jashtë sapo kuptuan që Shqipëria do të bolshevikohej tërësisht dhe çdo shtetas i saj do të ishte i barabartë me shoqi-shonë.

Ndryshe nga monarkia e Zogut, Enver Hoxha i ra shkurt me të marrë pushtetin. Elitën vendase e shpronësoi, e burgosi, e vrau, e përdori për interesa partie dhe emrat legjendarë të Bargjinasve, Vrionasve, Vlorajve, Toptanasve, Zogollëve, Vërlacëve, Bushatllinjve, Frashërllinjve, Markagjonëve, Këlcyrajve, Kryezinjve dhe shumë të tjerëve i fshiu nga historia e re e Republikës Popullore Socialiste, por jo nga memoria kombëtare. Post ’90 ringjalli shpresat për një shtresëzim alla kapitalisto-meritokraci të gjindjes shqiptare, por dy dukuri absurde shkatërruan gjithçka.

1-Trashëgimtarë të lodhur

Ish pinjollët e Elitave të dikurshme përveç mbiemrit ose ndonjë prone të rimarrë me shumë sakrifica u shfaqën të plakur, të lodhur, të rrënuar dhe të trembur për tu përballur me realitetin e ri dhe tepër të egër të tranzicionit shqiptar. Kujtuan se Partia Demokratike me ardhjen në pushtet do t’ju rezervonte honorin që meritonin, por u gabuan. Më pas të grumbulluar rreth Partisë Republikane të Sabri Godos kuptuan se loja politike në Shqipëri nuk kishte rregullat që u kishin mësuar paraardhësit e tyre dhe i ranë shkurt duke lenë partinë më konservatore politike shqiptare në duart e Fatmir Mediut në dejet e të cilit nuk qarkullon “gjak blu”, por thjesht ajo adrenalina që të ysht të vjedhësh shpejt, saktë, shëmtuar.

2-Portofoli plot, mendja fyell

Mes një kaosi model xhungle ku majmuni me krahët më të fortë e me më shumë lesh vjedh, grabit dhe ha për qejf të gjitha bananet e pemës, edhe në Shqipëri grabitja me apo pa edukatë e çdo lloj prone dhe aseti publik a privat krijoi një shtresë të re popullsie.

Ndryshe nga Britania e Madhe konservatore, e cila gjatë viteve ’40 “pranoi në klubin e aristokracisë” edhe individë apo familje të cilat nuk trashëgonin tituj kalorësiakë a prona, por kishin çliruar impakte mbresëlënëse dhe historike në shoqëri me arritjet e tyre në shkencë, politikë, akademizëm, art apo pasurim të ndershëm, kasta e re e tranzicionit shqiptar ishte dhe është një kasolle me dyer të shpartalluara ku futen e dalin modele hajdutësh, fajdexhinjsh, grabitësish me maska a me kollare, ministra a gjykatës 6 mujorësha, kryetarë partish a shoqëri civi(ha)le, kurva bjonde a fitues telebingoje, shoferë maunesh a burgaxhinj të regjur, malësorë trima a zaptues plazhesh, administratorë universitetesh apo pronarë tavernash tallavaje… Kjo elitë e re model Moskovito-Jelciniano-Putinian fatkeqësisht shpronësoi dhe mbivendosi asetet, vlerat, meritat, traditat dhe deformoi totalisht historinë e Elitarëve të vërtetë vendas. Riktheu në pikën zero 100 vitet e establishmentit të aristokracisë modeste shqiptare dhe pa respektuar asnjë lloj rregulli zaptoi me forcë edhe piedestalin honorifik të rezervuar për Ata.

Shikoni me vëmendje çfarë liderësh politikë kemi, kontrolloni mes deputetësh për ndonjë pinjoll të familjeve të denja, numëroni dhe listoni miliarderët e rinj dhe mes tyre nuk do të gjeni askënd që nuk gënjen sesi u pasurua brenda 24 orësh. Ndryshe nga Zani Caushi i Çoles (Vlorës) heroike që nuk diti të mbijetonte si një skifter i lirë, këta milionerët e tjerë të rafinuar kopjuan disi hajdutin Robin Hud, por me një përjashtim të vogël: çka vodhën dhe vjedhin nuk ia falin popullit, por e investojnë për fushatat elektorale të individëve me fitore të garantuar me procedurë.

Ndryshe nga milionerët e rinj, inteligjenca e këtij vendi në dukje më e rafinuar (me përjashtime të rralla) ende vazhdon të përdoret nga pushteti dhe të pasurit. E varfër financiarisht, inteligjenca elitare shqiptare për hir të ushqimit të përditshëm apo pushime verore në Bodrum të Turqisë përkulet si shufër alumini sa herë që pushtetit, medias apo biznesit privat i duhet për fasadë. Me disa plus-minuse të vogla kemi qysh prej 60 vjetësh në qarkullim rreth 500 emra të njëjtë të spikatur intelektualësh, të cilët i qëndruan afër shokut Enver kur u prishëm me Bashkimin Sovjetik dhe me Kinën, i qëndruan pranë shoqes Nexhmije Xhunglinit në ditët e kobshme të vdekjes së Komandantit, këshillonin Ramiz Alinë dhe shoqen Lenka deri në dhjetor të 1990-ës e ndërkohë kthyen timonin djathtas drejt yllit të ri që po lindte në horizont, Sali Berishës. I bënë fresk Doktorit deri sa Fatosi i Rexhina Nanos doli nga burgu më 1997 dhe ende pa gëzuar ky i fundit lirinë dhe të qenit kryeministër përqafuan plot dashuri djelmoshat freshistë Majko dhe Meta. U rikthyen dhe një herë pranë Fatosit të Xhoana Nano Nanos dhe qysh nga korriku i 2005 u ka shpërthyer një dashuri e madhe për Sali Berishën e sado që kanë kaluar 6 vjet nuk u shterron kollaj. Kjo Elitë shihej shpesh nëpër ekspozitat e pikturës së Edi Ramës, por që nga 15 maji i këtij viti po shijojnë më shumë karikaturat e Bujar Kapexhiut që i ekspozon në korridoret e Universitetit Evropian të Henri Çilit. Pa frikë mund të firmosin edhe peticione kundër vetëdeklarimit të kombësisë, fesë, kundër prishjes së piramidave apo vrasjeve me çadra pistoletë, por nëse Doktori shfaqet i brengosur në foltoren e Parlamentit, nuk e kanë për gjë ta bëjnë hasha çka kanë thënë një ditë më parë e për tu justifikuar mallkojnë mediat e Tiranës për manipulim lajmi.

Pra kemi dy modele të ndryshme Elite “made in Albania” futur në një thes:

-milionerët arrogantë hajdutë me zë të trashë, me BMW X5, veshur me pantallona të zeza, këpucë të zeza me majë dhe çorape të bardha, ndërsa grupimi tjetër janë intelektualët e pispillosur rrogëtarë që vegjetojnë dhe i bëjnë fresk pushtetit pavarësisht se lideri është një monark me sy bojëqielli nga Mati, një diktator bukurosh nga Gjirokastra, një xhuxh vjenez kapadai me dy gra, një doktor tropojan që të bën synet sa herë që nuk i pëlqen modeli, apo një ish kryebashkiak tiranas që e ka gjetur belaja me vjedhjen e votave. T’i klonosh këto dy modele dhe t’i etiketosh Elitë duhet të jetë përgjegjësi e madhe historike. Kam frikë t’ia ngop Atdheut tim këtë lloj Parie se duke kryqëzuar milionat e grupit të parë me inteligjencën e grupit të dytë mund të më lindë ndonjë specie e veçantë dhe e frikshme.

Ju të nderuar lexues mund të më kundërshtoni, mund të flisni me superlativa për Elitën e re të këtij vendi, mund të krahasoni Mit’hat Frashërin me Fahri Balliun, Jusuf Vrionin me Namikun e Majlinda Bregut, Hana Këlcyrën me Aurela Isufajn, Faik Konicën me Henri Çilin, por unë do tu kundërshtoj prerë dhe pa ekuivok:

Jo, Tirana nuk ka aristokraci të mirëfilltë, nuk ka fisnikë trima me gjak blu, mendjekthjellët e altruistë komunitarë (me përjashtime të vogla fare). Tirana ka vetëm sahan(bythë)lëpirës!

Saturday, July 9, 2011

Dëshmi të ushtarëve grekë në Shqipëri, përgjatë viteve 40'

Teksti i mëposhtëm, është një përkthim nga suplementi elektronik "O Ios" (Virusi) i gazetës "Eleftherotypia"

Jep dëshmi të ushtarëve përgjatë luftës në frontin Italo-Grek, luftime që më së shumti u kryen brenda territorit shqiptar. Artikulli është i gjatë dhe do përkthehet pjesë-pjesë. Përmbledh disa nga aspektet kryesore të luftës dhe shënime të ushtarëve mbi banorët vendas. Fjalët në thonjëza më poshtë, janë dëshmi ashtu si janë shkruar në ditarë apo shënime të ushtarëve, dhe në krah kanë emrin dhe faqen. Bibliografia, si dhe gjithë artikulli, mund të gjenden këtu: http://www.iospress.gr/ios2010/ios20101024.htm

***
Dëshmi të ushtarëve grekë.

Shqiptarët në eposin e Shqipërisë.

Eposi i dyzetës, nuk u shkrua në shkretëtirë, por në shtëpinë e tjetër kujt. Banorët e vendit në fjalë, “u harruan” nga përvjetorët, po jo dhe prej veteranëve të asaj lufte.

Nga të gjitha përplasjet e historisë neogreke, lufta italogreke e viteve 1940-41, shfaq një veçanti unike: në rast se heqim ditët e para të pushtimit italian, të gjitha operacionet ushtarake u zhvilluan jo në territorin e vendeve ndërluftuese, por në atë të një vendi të tretë. E pushtuar ushtarakisht që prej Prillit të vitit 1939, Shqipëria fqinje – dhe në veçanti, territoret e jugut të saj, u kthyen në poligon qitjeje, por edhe hambar furnizimi për të dy ushtritë pjesëmarrëse.

Në rast se veçojmë minoritetin grek, në rolin e duartrokitësit të forcave ushtarake greke, popullata civile e këtij teatri luftarak mungon zakonisht në mënyrë totale prej rrëfimeve të përvjetorëve. Roli i tij, si një spektator anonim i sukseseve greke, nuk mjafton, siç duket, që tu lërë një vend nëpër festat e përkujtimoreve, të organizuara sipas bipolaritetit në të cilin ndarja kryesore është ajo midis “tanëve” dhe “armiqve”.

Por ama, nëse dikush do të rrëmonte në kujtimet autobiografike të atyre që morën pjesë në eposin e 40-ës, del në pah, se citimet për ta, nuk mungojnë aspak. Kujtime dhe ditarë të ushtarëve, janë të mbushura me informacione, ndonjëherë lakonike, dhe herë të tjera shumë më përshkruese, për banorët e vendit që u kthye në teatër të përplasjes italo-greke. Në njëzet burime të tilla informacioni, të botuara në tridhjetvjeçarin e fundit, bazohet dhe artikulli i sotëm. Bibliografia nga janë marrë informacionet, është vendosur në fund të artikullit.

GOLGOTHA.

Luftë, mbi të gjitha do të thotë zi dhe shkatërrime materiale, dhe Shqipëria e viteve 40’, nuk përjashtohet prej rregullit.

“Kalonim nga fshatra të braktisura, të bombarduara dhe me shumë shtëpi të shkatërruara prej predhave, që pëlcisnin si të ishin plagë”, kështu mban mend një ushtar prej Kretës, për zonën e Korçës, në dhjetor të 1940-ës. Pak më poshtë shkruhet: “Erseka ishte e rrënuar nga bombardimet dhe e braktisur prej banorëve. Vetëm një dyqanxhi pamë që shiste uzo”. (Rumeliotakis fq 40 dhe 52). Një rumeliot, mbështet dëshminë më lart: “Kaluam nga qyteti i Ersekës, e cila ishte shkatërruar nga bombardimet e aviacionit armik. Është qytet i bukur, por i pabanuar, vetëm pak xhandarë pashë aty” (Nikolaou, fq. 35)

Në 7 Janar, i njëjti ushtar, viziton Përmetin: “Qytet i bukur dhe i madh. Aty pashë shkatërrimet e aviacionit grek, pashë çati, ndërtesa, automobila dhe armë e të tjera gjëra, të shkrumbuara në rrugë”. Ditën tjetër, qyteti bombardohet dhe prej italianëve: “Pasdite do shkoja në Përmet, por zoti dhe Shën Mëria më ruajtën dhe ndërrova rrugë, sepse Përmeti u dogj prej bombave të aeroplanëve italianë”.

Korça gjithashtu ishte: “mjaft e bombarduar. Shumë shtëpi, nuk janë gjë tjetër tashmë, veç rrënoja”. (Daskulis fq. 67). Natën arritëm në Viglicën e shkretuar dhe shkatërruar prej betejave” kështu mban mend një i transferuar “Aty fjetëm grupe-grupe me pushkët në krah, duke zgjedhur atë shtëpi që na pëlqente”. (Karis fq. 14). Në datën 21 Shkurt, një artilier pireot, dallon Peshtanin “ me shtëpitë e vogla të bardha”. Pas tre javësh, Peshtani “shkatërrohet komplet prej artilerisë të dy forcave ndërluftuese”. (Karatzikas fq. 95 & 111)

“Kalojmë fshatin e parë shqiptar”, mban shënim në 3.12.40 në ditarin e vet laografi Dimitris Lukatos. “ Artileria e rëndë, ia ka rrënuar shtëpitë e para. Muret e jashtëm të rrënuar, lënë të duket çka brenda shtëpive” (fq. 76). Një muhaxhir i ri në moshë përshkruan përsëri “tmerrin dhe frikën që kishin mbjellë bombarduesit tanë në Pogradec (Siskos, fq. 83).

“Këlcyra është një fshat i madh, me shtëpi të mëdha”, mban mend një nëntoger nga Patra. “ama është kthyer në një gërmadhë. Është djegur dhe nxirrë nga bombat e grekëve dhe italianëve. Rrënoja të nxira sheh gjithkund, dhe rreth e rrotull shumë varre të të vrarëve” Progonati përsëri, “ishte afër frontit dhe goditej edhe ky, në mënyrë të përsëritur” Njësoj dhe Golemi “fshat i vogël i tmerrshëm, që shumë herë u bombardua prej artilerisë, por më së shumti aviacionit italian. Fshati u kthye në rrënojë dhe i nxirrë nga baruti. Vetëm varre të të vrarëve sheh tanimë aty”. Përsa i përket jetës së civilëve, na ndriçon përshkrimi i të njëjtit ushtar për Paleokastrën fqinje: “Banorët e fshatit, me të rënë predha e parë, fshihen nëpër ca shpella që gjenden aty rrotull, në të dalë të fshatit”. (Anastasopoulos, fq. 80, 64, 60, 57)

Dhe në fund, përshkruhet gjithsashtu migrimi i brendshëm.”Përgjatë gjithë rrugëtimit, ndjeva nostalgji, për të kthyerit nga shpërngulja në fshatrat e tyre, pasi kishin braktisur fshatrat, të detyruar prej italianëve”. Shënon në 23.11.40 një këmbësor prej Azisë së Vogël (Kutsodontis fq. 29). Ndërsa Dimosthenis Zades, është akoma më përshkrues: “Kisha parë dramën e njerëzve prej fshatrave që ose i mbanin vetë mbi shpinë, ose ua ngarkonin hajvanëve gjithë çka mundeshin, prej shtëpive të veta, dhe iknin në drejtim të kundërt me atë që ndiqnim ne. Merrnin rrugën e mërgimit, sepse lufta u shkeli në fshatin e tyre. Për “arsye strategjike”, duhet të largoheshin. (fq 40)


SKAMJE DHE SHTRËNGIME.

Greqia e 40-ës, nuk ishte ndonjë vend i pasur me infrastrukturë moderne. Ushtarët e saj ama, u shokuan prej skamjes që panë në terrenin shqiptar.


“Mjerim dhe katastrofë si kjo që heqin këta njerëz, nuk mund t’i shkojë kujt në mendje”, shënon më 3.12.40 një avokat i thirrur nën armë. “Këta nuk shohin as Zot, e as Djall me sy. Kam lekë nëpër xhepa, dua të blej diçka. Të gjej cigare. Një çaj. Një zarf. Fjalë goje. Lekët janë të papërdorshme. Një pulë kërkova, pa ditur se ku t’a zjej, dhe lekët tona, nuk i marrin arvanitët. E tmerrshme.”
Dhe më poshtë:”Mish derri, pulë, dele, i sheh vetëm me dylbi. Nuk ka. Dyqan, apo kafene. Je në vete? As prona nuk ka.” (Gotzinas fq. 44 & 46)

Të njëjtat vërejtje, ndajnë dhe ushtarët e tjerë, më pak të ndikuar prej mjedisit qytetar. “Greqia ndryshon shumë prej Shqipërisë, tek ne ka fshatra të vogla të mirëmbajtura, dhe jo si këto në Shqipëri”. Kështu mban shënim një këpucar nga Distomo (Nikolaou fq.92)
Dhe më tej një mësues flet për rrethinat e Korçës:” Vendi është i varfër, dhe njerëzit janë të varfër. Në shumë fshatra nuk gjetëm shkolla”
Leshnja, një fshat i krishterë shqipfolës “ishte në buzë të rrugës, dhe mbi të kalonin telat e korrentit për në Korçë, por shtëpitë e fshatit, nuk kishin as llampë vajguri. “Shtëpitë ishin nga më të këqiat, qeramidhe nuk kishin dhe dyshemetë i kishin të lyera me bajga lope. Mbase kjo e fundit përdorej si izolues”. (Mixelidis 1984 fq 77-78).


Ka edhe njerëz të kamur, sigurisht: “Unë kisha detyrë të gjeja shtëpi për oficerët dhe për veten. Ishte një shtëpi e madhe, e hijshme. Kishte dy oda të mëdha. Gjeta edhe zjarrin ndezur. Bekim nga zoti. I zoti, ishte një shqiptar i mirëmbajtur- dukej si pari këtu- na priti me zell, por surrati i tij mu duk i dyshimtë, dhe matrapaz si njeri. (Gkotsinas fq 121)


Nevoja e strehimit, ngrohjes dhe ushqimit për dhjetëra mijëra ushtarë këtu, e rëndonte jashtë mase ekuilibrin social. Ditari i avokat Gkotsinës, toger përgjegjës i furnizimit në front, zbulon shumë gjëra nga kjo anë.

“7.12.1940. Duhet të gjeja mish për togën. Nesër është e dielë. Arvanitët thonë se nuk kanë. “Ska”, nuk ka. Gjithë ska dëgjon. Është vështirë. Gjithë ç’kanë e fshehin megjithëse u japim shpërblim të mirë. Duke kërkuar nëpër kasolle, kisha dhe Stel. Afër meje të armatosur, për t’i paraprirë çdo gjëje. Kështu zbulova një tufëz të vogël me qingja e dele, nja 25 copë. Ndava 4 qingja. Arvanitë e arvanite, dëgjova të vinin kujën nga jashtë. Nuk e di se çfarë thonë. Nga t’a di? Qingjat i vlova diku. Do t’i therrim nesër. (fq 55-6)
”11.12.1940. Mishi është i pamundur të gjendet. Sa berra nuk kapi ushtria jonë duke parakaluar, i zhdukën shqiptarët e çmeritur. Ska pra, kudo ku pyesim” (fq 68)
26.12.1940
Mezi gjetëm nja dy shtëpi për strehim. Arsyeja ishte se a) kishte kaluar tjetër ushtri para nesh në fshat 2) Kërkonin dhe formacione të tjera për vendstrehimi. Bëra çka munda të gjeja shtëpi, duke provuar çdo lloj mënyre me arvanitët. Fq 122-23
“Disa na shikonin si perëndi e të tjerë si djaj, kjo sidomos kur disa pjesë të ushtrisë kapnin tufa të tëra kafshësh të tyre dhe u ndanim dëmshpërblimin në valutë greke” kështu mban mend një koleg i ushtarit, nga messinia, duke folur për fenomenin në fjalë që shkonte “deri në kufijtë e grabitjes” Panajiotopoulos fq. 171.


Përveç përkujdesit zyrtar të ushtrisë, ishte dhe ajo informale. “Uria e përditshme, është e zorshme. Shumë ushtarë nuk mund t’a durojnë këtë shtrëngim dhe dalin për shkëmbime në zonën rrotull, të blejnë çka mundin: misër, grurë etj. Por, më të shumtët nuk kanë një kacidhe, kështu detyrohen që ose të vuajnë, ose të vjedhin. Për këtë arsye bubrrojnë afër hambarëve të çuditshëm me majë të misrit, që ndodhen jashtë shtëpive të fshatarëve, dhe vjedhin misër. Fshatarët ankohen dhe toga u detyrua të vendoste roje.” (Mixelidis fq. 53).
Raste të ngjashme janë të kudogjendura në rrëfime “E vërteta është se ne aty nuk vuajtëm për bukë”, rrëfehet një ushtar kafshar prej Akarnanisë. “Gjenim ndonjë dhi. I piqnim nëpër shpella. (Krampis fq.29) “Përpara se të fekste”, shprehet një tjetër ushtar, “gjahtarë të natës nga evritania kishin të shkuar në hell mish dhe ndiznin zjarr. Të gjithë fajtorë për këto veprime”. (Lois fq. 47). Mësuesi përsëri, duket se e ka gati sloganin “Qingjat dhe pulat, janë bërë me krahë. Ose më mirë, të dytave, po u bien krahët...” (Siskos fq. 49)


Pasojat, si ndodh rëndom, i vuajnë më të dobëtit “Një plakush, me një sy, shqiptar, më ndalon në rrugë “Kam uri or djalë, bukë nuk ka”. I them të vijë në kamp, që t’i jap. Më tepron buka dhe gjella” (Lukatos fq.222 & 244)


Vështirë nuk ishte vetëm për të ngrënë. Dimri i egër, rëndon edhe ai, me mënyrën e vet, shoqërinë vendase. “5.12.1940. Fjeta mirë dhe ngrohtë. Kishte zjarr të bollshëm, sepse drutë dhe gardhet e shqiptarëve rënoheshin këtu ku ndodhemi” (Gkotsinas fq.53)

Toga, pasi dogji drutë që kishte mbledh për dimër Qirjakoja, filloi të digjte dhe gardhet nga kopshtet e tij. Dhe kur mbaruan edhe këto, filluan të prisnin drurët që kishte mbjellë rreth shtëpisë. I shikonte Qirjakoja dhe i dhimbte shpirti. Po çfarë të bënte? (Tsaros fq. 72)

Sunday, July 3, 2011

Grimca nga Elytis

ELENI

Ngrinte kafazin, një këtu, një aty
Dhe Dielli kthehej mat’anë
të përndriste kokën e bukur
një këtu një aty.
Dielli, çdo të Dielë.

Ndillte në oborr, psi, psi
Dhe maçoku ngrinte këmbën
Përmes syve të saj të marrë,
Psi, psi
Vetëtimën e tyre të artë

Shkonte e ngjitej, shkallë-shkallë
Në pëqinë me rroba mbushur
Dhe thoshin ëngjëjt, ja!
Shkallë-shkallë,
Motra jonë e vogël.

Jasemi, i tërëbardhë, -mi, -mi,
Dhe yll i mbrëmjes mistik
Më merrni, më merrni në Kretë
Dhe mos, mos
Mos pyesni përse.

***

Me pikën e parë të shiut, u vra behari.

Me pikën e parë të shiut, u vra behari
U lagën dhe fjalët që kishin lindur drita yjesh
Të gjitha fjalët që kishin si qëllim të vetëm, Ty!
Ishe dritë, përpara se të ishin sytë e mi,
Përpara Dashurisë, ishe dashuri
Dhe kur puthja të rrëmbeu,
Femër.

Drejt kujt do t’i hapim duart,
Tani, që koha nuk na vë në llogari
Ku do t’i vendosim sytë,
Tani, që horizonti i largët, u përmbyt nëpër re.

Dhe jemi vetëm, krejt vetëm,
Të rrethuar prej imazheve të vdekura të tua.

Ishe dritë, përpara se të ishin sytë e mi,
Përpara Dashurisë, ishe dashuri
Dhe kur puthja të rrëmbeu,
Femër.

***

Ishulli i shkretë.

Mirupafshim Prill e Mars
Dhe ti e hidhur Sarakosti
Po vë kiç e po vë bash
Dhe një ishull po kërkoj
Që nuk gjendet dot në hartë
Po vë kiç e po vë bash.



Mirupafshim armiqësi e urrejtje
Dhe inati i çdokujt
Nëse gjen të shkretin ishull
Çdo gjë tjetër është kot.

E mbajnë në ajër
Katër zogj të artë
Nuk gjen aty la’
As hajdutë as vrasës.
As nënë as baba,
Nuk gjen aty la’


Përmes shkretisë së erës
gjithçka ndryshon tak-fap
Dorën Zotit i jep
Dhe nëpër dallgë prek.
Si një pëllumb i egër,
Dorën Zotit i jep.

***

Tërfili nga deti.


Një herë në një mijë vjet
Doganat e detit vetë
përmes fiqve në errësirë
midis guralecëve jeshilë,


E mbjellin edhe del.
Pa i thënë diellit dil,
E magjepsin edhe del
Nga deti, një tërfil.

Tërfilin nga deti,
Kush do ma sjellë po e gjeti?
Kush do ma sjellë po e gjeti,
Tërfilin nga deti?


Një herë në një mijë vjet,
Bilbilat ndryshe këndojnë.
As qajnë e as gëzojnë,
Vetëm thonë ato që thonë.


Një herë në një mijë vjet
Dashuria vlen përjetë.
Fat të kesh, e fat të kesh,
Atë vit që vjen, ta gjesh.

Tërfilin nga deti,
Kush do ma sjellë po e gjeti?
Kush do ma sjellë po e gjeti,
Tërfilin nga deti?

***

Midis Syro dhe Tzia*.

Midis Syro dhe Tzia, nerënxë e vogël është mbjellë
Vashëza ime e bukur, hedhur rrënjët në det thellë,
Dhe degët në qiell, vashëza që unë dua.

Hajde moj gocë e detit, sa dyer ke për të mbyll
Me diellin si fustan dhe zogjtë që si pajë i mban

Kur i ulet një zog mbi kokë dhe këndon
Oh furtunë që më gjeti, humb timonin edhe lopata,
po më fut ujë varka, Perëndi! Krisht e Shën Mëri.

Në u bëftë mrekullia, të më duash, e kam taksur,
do të marr, do të të sjell një bracierë* dhe Yllin Polar.

***

Atdhe i bukur dhe i çuditshëm.

Atdhe të bukur e të çuditshëm,
Si ky që më ka rënë për hise nuk kam parë

Hedh grepin të zërë peshq dhe kap shpendë
Lëron me varkë, në ujë hedh parmendë
Vajton, puth dhenë, pastaj largohet
Kur ngelet në katër rrugë, burrërohet

Atdhe të bukur e të çuditshëm
si ky që më ka rënë në hise, nuk kam parë

Kur do të godasë gurin zë, pastaj e lë,
Provon ta skalisë, bën mrekulli me të.
Me një varkëzë të vogël, pushton oqeanë
Kryengritje kërkon, dëshiron tiranë.

Atdhe të bukur e të çuditshëm,
Si ky që më ka rënë për hise nuk kam parë...

*** ***

*Syros dhe Tzia, janë dy ishuj.

**braciera, është një varkë e cila qëndronte në fund të flotës dhe përdorej për të pushuar zhytësit dhe marinarët. Ishte një lloj "hoteli" ujor

Saturday, June 11, 2011

Slogane, pankarta!

Meqënëse është kohë protestash kudo nëpër Evropë (përveç Shqipërisë), mendoj se duhet përfituar nga rasti për të "kapur" sloganet dhe pankartat më imagjinative dhe përshkruese që përdorin protestuesit.

Nga sa kam parë në Greqi, imagjinata dhe kreativiteti nuk u mungon.

Në vijim do postoj disa.

Por fillimisht, për t'a bërë më interesante, ja një pankartë nga kampionati i përfunduar gjerman:
(kliko për t'a parë të zmadhuar foton)



Pankarta thotë në gjermanisht: "Bq pa traditë, e kanë vendin këtu poshtë". Dhe tregon me shenjë sektorin e përcaktuar për tifozët e Hofenheim, në një ndeshje me Stuttgardin.

Sunday, June 5, 2011

NJË KOMB GJEN SHPIRTIN E VET


Mbrëmë, datë 5 Qershor 2011, grumbullimi i përditshëm i ditëve të fundit në qendër të Athinës, tejkaloi çdo parashikim.

Rreth 200.000 njerëz u mblodhën përsëri në qendër të Athinës, përpara parlamentit; madje lëvizja e të "Indinjuarve" përfshiu dhe disa qytete kryesore të Greqisë.

Më poshtë fotot.

Athinë


Selanik.



Patra

Disa foto të tjera nga youtube:

Më shumë foto këtu

Sunday, May 29, 2011

CERBERI TULIPAN


Do ketë qënë viti 1994, atëherë kur e kam parë për herë të parë, në një kostum shumëngjyrësh, karakteristik për një portjer, dorezat e verdha, ashtu si flokët, fytyrë imët dhe ekstremisht i gjatë dhe i hollë. Ishte Edwin Van der Sar.





Kishte një pamje qesharake në dukje, me atë fytyrën e hollë, si hundën e vet, të stërgjatë, si për të qënë në sintoni me pjesën tjetër të trupit. Të jepte përshtypjen se ishte një djalë i turpshëm... të qënit gardiani i portës së Ajaksit, nuk i shkonte fare, fillimisht. Dhe me veshët llapushë, që i dilnin prej flokëve, të cilat nuk di pse i mbante më shkurt se tani, plotësonte dekorin e një portjeri që nuk ofronte shumë siguri. Lëre më kur ishte edhe më shumë prepotent sesa mund të pranohej prej pamjes që kishte. E mbante gjithnjë shumë topin në këmbë, dilte jashtë zonës me të. Të ngrinte gjakun kur e shikoje, sidomos nëse ishe tifoz i Ajaksit dhe akoma naiv për futbollin.Çdo pasim tek portjeri konsiderohej me rregull, prej lojës në lagje, si rrezik i jashtëzakonshëm.

Ja kjo ishte përshtypja e parë për Edwin. Por sa herë Ajaksi fitonte dhe Ajaksi e bënte shpesh këtë gjë atë vit, ai bëhej edhe më simpatik, megjithëse gjithnjë shënjestra e tifozëve kundërshtarë. Shprehja e preferuar e tyre ishte gjithnjë: Çe keni atë portjer ashtu, me ato veshë? Unë ua kisha gjetur ilaçin dhe u përgjigjesha se veshët i duheshin për të mbajtur ekuilibrin.

Ishte po viti 1994, kur Oranjet ndërmorrën fushatën për të pushtuar formalisht botën nëpërmjet futbollit në USA94. Dhe atëherë në portë ishte Ed de Guey. Me mustaqet e veta karakterisike. Pasi mposhtet nga goditja e lirë e Brankos në çerekfinale me Brazilin, vendin do ia zërë Van der Sar.

Portjeri im i preferuar prej Hollandës, kish qënë paraardhësi i De Guey. Van Brukelen. Ai bjondi që me kokën lart, pasi kishte provokuar një penallti në 1988, me BRSS, më pas e pret po vetë. Një prej heronjve të Evropianit nga Hollanda.

Van Brukelen, kishte qënë edhe heroi i Van der Sarit vetë, siç e kishte pranuar në një intervistë. Ëndërronte të kishte një moment të tillë me Hollandën, ku të bëhej ai heroi. Shpëtuesi, ruajtësi i portave të Ferrit. Nuk e bëri dot, me Hollandën, asnjëherë.

Në vitin 1996, pas kohës së rregullt dhe shtesës, në finalen e C.L me Juventusin, u vërejt edhe pika e dobët e tij: Nuk priste dot penallti.

Pak vite më vonë (1999), vetë Juventusi do të ishte dhe pika tjetër e dobët e karrierës së vet. Pasi u bë portjeri i parë i huaj që Juventusi vendosi t’i besonte portën, ai dështon. Nuk i shkonte stili italian i lojës. Zonja e vjetër kërkonte një shotstopper, Van der Sar ishte portjer krijues. I pëlqente loja me këmbë, zhvillimi i aksioneve prej mbrojtjes, gjetja e lojtarit të lirë për të filluar aksionet etj.

Kështu zbarkon në Angli, tek Fulham. Ku? Fulham. Skuadrë londineze, relativisht e panjohur, skuadër e mesit të tabelës në Angli, me raste aventuriere në Evropë, kur ia lejonin kushtet. Aty tek Fulhami, për pak ndeshje e humbi dhe vendin e titullarit. Megjithatë hollandezi shtatlartë uli kokën dhe iu përkushtua përmirësimit të lojës së vet. Edhe u kthye përsëri më i fortë se më parë.

Aq i fortë, sa Alex Ferguson nuk mund t’a injoronte talentin e hollandezit. Pasi kishte eksperimentuar edhe ai me disa portjerë në skuadrën e vet, një talent amerikan si Tim Howard, një italian i çuditshëm si Taibi, Barthez etj... qetësinë në portën e vet, nuk e kishte gjetur akoma. Dhe e kërkoi tek Van der Sar. Pasi e mori në skuadër, u shpreh se duhej që t’a blinte Van der Sarin, që kur Schmaikel u tërhoq nga futbolli.

Transferta tek United, e ktheu Van der Sarin në vendin që i takonte, përsëri në Olimp. Disa kampionate të fituara, një kupë Champions League, kupë Anglie, portjeri më i mirë i dekadës, sipas trajnerëve të Premierit anglez, duke tejkaluar rivalë të tillë si Cheh, Reina, Dudek, Lehman. Gjatë këtyre viteve, djaloshi me pamje qesharake, u kthye në një gjigand të vërtetë.

Aty tek Manchesteri, pati mundësinë të kthehej në hero. Madje jo një herë. Tre penallti të pritura njëra pas tjetrës në ndeshjen finale të kupës së Anglisë me Chelsean. Dhe qershia mbi tortë: Një finale Champions League e fituar prej tij, kur priti penalltinë e Anelka në 2008.

Çdo njeri ka një moment kur arrin Everestin e vet. Për Van der Sarin, kjo ishte penalltia e pritur në 2008.


Ndeshja e rregullt ka mbaruar 1-1 po ashtu edhe shtesa. Loja vendoset me penallti. Dy prej skuadrave më të mira të Anglisë, bashkë me dy portjerët më të mirë që luajnë në Angli. Van der Sar dhe Cheh. Dy penallti nuk janë konvertuar prej 6 gjithsej për çdo skuadër. Rezultati është 6-5. Anelka përballë Van der Sarit. I pari duhet të shënojë, i dyti është më i qetë. Duke u vendosur në portë, ngre dorën e tij të majtë dhe i tregon se ku duhet të godasë Anelka. Ky gjuan, nga e djathta e portës. Van der Sar kupton anën... dhe pret penalltinë. Ferguson në një intervistë kishte thënë se në momentin kur hidhet për të kapur topin, në fytyrën e Van der Sar vihet re një buzëqeshje që gati ia prek të dy veshët e vet të gjatë.




Pas kësaj performance, “the big eared cup” shkon tek “the big eared man”. Duket se janë bërë për njeri tjetrin, përderisa janë puthur dy herë.

GOOD BYE VAN DER SAR.
FALEMINDERIT PËR GJITHÇKA.

Friday, May 20, 2011

Dy të pavdekshme

( + guximin për t'i përkthyer - bonus)


Djali i gjeraqinës.

As dyshek ku të fle.
As qiri për të lexuar
Kam, për letrën tënde të ëmbël moj nëna ime.
Behar dhe bën ftohtë
Një metër me dy
është qelia, o nëna ime.

Po unë nuk jetoj i përgjunjur
Se jam djali i gjeraqinës
Jam djali i gjeraqinës
Dhe ç’ë se do më hapin plagë
Unë zjarrin e duroj,
Unë zjarrin e duroj
Nënë mos të vijë keq, nënë mos më qaj.

Një rrobë të përgjakur
Shtroj përdhe për tu qetuar
Në çimenton e lagur, moj nëna ime
Në qelinë ngjitur
Më sollën dhe një vëlla tjetër
Ah çka për të hequr, moj nëna ime


... Samos

Ata, që dorën e bronztë
Të rëndë e të frikës ndjejnë,
Peshën e skllavërisë le të kenë.
Kërkon virtyt dhe guxim Liria.

Ajo (dhe miti e fsheh të vërtetën)
Mbrujti Ikarusin;
dhe nëse ra ai me krahë
dhe u mbyt në det

Nga lart ra
Dhe vdiq i lirë
Nëse kthehesh në dhjamë qeni
Viktimë e një tirani,
Atëherë mendo të tmerrshëm varrin


Nëse kërkojmë
që ta kemi përsëri
me djersë dhe gjak
e mirë do të jetë
lavdia e kohës së lashtë.

Friday, April 22, 2011

DHËMBI I QENIT


Fare rastësisht para pak ditësh pashë një film shumë interesant me këtë titull, prodhim grek të vitit 2009, nga regjizori i talentuar Yorgos Lanthimos. Së pari bëj pak habi me veten, sesi një eveniment i madh kulturor i tillë, dhe shokues si ky film, për gati dy vjet më kishin shpëtuar nga duart.

Informacioni për filmin me titull “Dogtooth” në anglisht, mund të gjendet këtu dhe këtu.

Shkurtimisht, tematika përmblidhet rreth një familjeje e përbërë prej dy prindërve dhe tre fëmijëve të tyre, dy goca dhe një çun, që jetojnë diku në një vilë të izoluar prej botës, në periferi.

Jeta familjare e personazheve, është krejtësisht e izoluar, për shkak të kufizimeve që prindërit u vendosin fëmijëve të tyre. Vila rrethohet nga një gardh me kangjella të larta, bota e jashtme është diçka e ndaluar, e keqe dhe e egër. Prej kufijve të vilës, lejohet të dilet vetëm me automobil, dhe fëmijët do jenë të gatshëm ta bëjnë një gjë të tillë, kur njëri prej dhëmbëve të qenit, do të bjerë. (i majti apo i djathti nuk ka rëndësi).

Rreth këtij skenari vërtitet gjithë komploti. Me skena surreale por të ndërtuara me thjeshtësi, japin një shfaqje makabre të dhunës reale në miniaturë, përmes dhunës artistike të regjizorit, që godet rëndë, ndjeshëm dhe shumë herë në stomak. Këshillohet që ky i fundit të jetë në gjendje optimale për t’u bërë i mundur shikimi i filmit në fjalë.

Një prej problematikave shumëplanëshe të trajtuara në film, është ajo e deformimit. Deformim, dizinformim për realitetin jashtë, deformim gjuhësor, llogjik, konceptual. Deformim deri në marrëdhëniet më sublime, si dashuria e prindërve, dashuri vëllazërore, deformim që prek palcën e shtyllës kurrizore të njeriut. Mjeshtëria me të cilën këto deformime shfaqen të bën për vete. Autori i filmit ka njohuri glosologjike, mprehtësi dhe aftësi analitike të jashtëzakonshme.

Filmi, në këtë mënyrë, bëhet pothuajse formulë dhe antidot i propagandës fashiste moderne, një hije e keqe kjo që ka përfshirë vetë Greqinë e sotme.

Receta e antihelmit artistik, jepet me skena të thjeshta, të goditura dhe kuptimplota:

Një gjysh imagjinar nën emrin e Frank Sinatrës dhe një përkthim akoma më origjinal i “Fly me to the moon”

Një botë ku kafsha dhe armiku më i egër dhe i rrezikshëm është macja, njerëzit, detyrohen prej frikës të shndërrohen në qenër.

Dhe frika vetë, herë shfaqet si fytyrë dhe duar me “gjak”, që prindi ua ofron fëmijëve me pëllëmbë hapur, për të demonstruar përmasat.

Dhe herë të tjera, në kujtimin e një heroi të panjohur, por edhe (surealisht) të afërt, të rënë në betejën me “botën tjetër”.

Dhëmbi i qenit kafshon, godet, bie në stomak rëndë dhe nuk tretet. Hyn aq thellë në përmasa personale, sa kur mbaron filmi, të vjen të pyesësh veten: Sa e drejtë është vërtet shtylla jote kurrizore, ajo që të mban në këmbë?

Wednesday, March 9, 2011

Sot në Champions League

Pas ndeshjeve të mbrëmshme, Barça-Arsenal dhe Shakhtar - Roma, dy skuadrat pritëse, kanë prerë dy biletat e para për fazën 8-she të C.L. Ndërsa sot presin rradhën për të mësuar për fatin e tyre, dy skuadra të tjera. Lavdia dhe suksesi i kalimit në 8-she do të ndahet midis Totenham- Milan dhe Schalke-Valencia.

Ndeshja e parë e sotme do të vendoset në fokusin e blogut për tu analizuar. Sfida e rradhës midis Spurs dhe Milanit, premton të jetë e fortë, me shumë emocione dhe gola. Besoj se shumë tifozë shqiptarë, dinë gati çdo gjë për skuadrën e Milanit. Kështu që më duket e nevojshme të hedh pak dritë mbi sfiduesin: Totenham Hotspurs.

Spurs.
Renditja: vendi i pestë në EPL (English Premier League)
Forma e skuadrës në pesë ndeshjet e fundit: WWWLD

Informacion mbi skuadrën.

Dy vitet e fundit në drejtimin e ekcentrikut Harry Redknap, Spurs është kthyer në një nga skuadrat më interesante të kampionatit anglez. Vjet në momentet e mbylljes së kampionatit, siguroi vendin e katërt në EPL bashkë me të drejtën për të marrë pjesë në kompeticionin më prestigjioz të Evropës. Dhe deri tani ka provuar se ka qënë skuadër e denjë për të qënë këtu ku ndodhet.

Karakteristikat kryesore të kësaj skuadre, përmblidhen në moton e saj që është: “Audere est Facere”. Dhe kaposhët e Londrës, gjatë këtij sezoni, i janë përmbajtur me përpikmëri motos në fjalë, duke mbledhur më shumë pikë nga pozita disavantazhi, se çdo skuadër tjetër në kampionatin anglez. Kulmin e saj kjo strategji, e arriti në përballjen direkte me rivalët kryesorë londinezë të Arsenalit. Kur nga disavantazhi 2-0, arritën të fitojnë ndeshjen 2-3! Kjo është nga të paktat gjëra që vetëm një skuadër si Spurs-at mund ta realizonin, do të mbështeste mendimin e vet tifozi mesatar londinez, ku sipas historikut Spurs mund të bëjë “të pabërën”, në të gjitha kuptimet. Një nga të pabërat më të famshme të kësaj skuadre, ka qënë edhe shënimi, dhe njëkohësisht pësimi i mbi 100 golave në një sezon të vetëm.

Spurs prezantohet kështu, si një skuadër neurotike, shpërthyese, por akoma jo mirë e balancuar, si një makinë sportive me sistem frenues të dyshimtë. Sot në mbrëmje do premtojnë se sido që të vejë puna, do bëjnë një gol më shumë sesa kundërshtarët.

Emrat më të dyshimtë për të hedhur firmën mbi atë premtimin më lart, u përgjigjen Van Der Vaart, Jermain Defoe, Peter Crouch dhe Gareth Bale.

Pozitat e Milanit, përballë kësaj strategjie do të ishin shumë premtuese, sidomos sepse kjo mënyrë u përshtatet më së miri skuadrave italiane. Por Djalli vetë, nuk i ka punët mirë, pas humbjes 1-0 në San Siro. Kështu në fortesën e Kaposhëve, në White Hart Lane, do i duhet ta fillojë ndeshjen në temperaturën -1. (anche il Diavolo ha freddo).

Harry i tmerrshëm, ka dhe ai disa llogari për të bërë. Sepse prej të dyshuarve kryesorë, i pari siguron rikthimin pas një dëmtimi, dy të tjerët është për tu parë nëse do luajnë prej fillimit të ndeshjes, apo njëri prej tyre, dhe i katërti dyshohet më shumë se është i dëmtuar, sesa për të shënuar.

Po gjithashtu duhet të shohë, çfarë ndodh nëse i shkon dora huq dhe ke Djallin përballë? Punë me rrezik, kur Djalli ka dhëmbë e brirë, si puna e Ibrahimoviç, Pato, apo Robinho.
I gjithë komploti ngelet për tu zbuluar sot në darkë.

Për t’i shtuar dhe pak aromë muzikore sfidës, besoj se përballja do i përgjigjej një kolone muzikore, Spurs-at të përfaqësuar me Talking Heads – Psyscho Killer dhe Milani me Rolling Stones – Sympathy for the devil.

Monday, March 7, 2011

KËMBANA MAKBETHIANE

Data 21 Janar, po largohet gjithnjë e më shumë prej kalendarit. Tashmë ndodhemi në fillim të Marsit. Afërsisht po bëhen dy muaj që prej ngjarjes tragjike që u mori jetën katër qytetarëve shqiptarë, mu në mes të Tiranës.

Shumë ujë ka rrjedhur që atëherë deri tani...

Më së shumti ka qënë ujë propagandistik, ndotës, shpifës, ujë jo i pijshëm.
Kjo rrjedhë, ky burim ndotës, ka marrë përsipër të mbysë dhe të mbulojë çdo reagim qytetar ndaj krimit makabër që ndodhi atë ditë. Gjithashtu kjo përmbytje, ka nxjerrë në sipërfaqe shumë qënie veshtullore, krimba e kafshë pa shtyllë kurrizore. Ka nxjerrë në sipërfaqe, ato krijesa të shpifura të natyrës, që dalin mbi tokë pas shiut dhe ujit të ndotur (ndodhen në natural habitat-in e tyre). Sasia dhe qënia e tyre, e ka bërë të përditshmen shqiptare shumë neveritëse.

E kam fjalën për të gjithë ata analistë e gazetarë, njerëz të medias dhe mbështetës pa kushte të pushtetit, që kur nuk justifikojnë veprimet e ndyra të pushtetarëve, zgjedhin të neglizhojnë, atë ngjarje dhe atë krim që mori katër jetë.

I kam parë të shkruajnë gjithçka, analiza mbi të gjithë e të gjitha palët, por kanë neglizhuar sistematikisht, arsyen madhore për të cilën duhej shkruar, kërkesën e menjëhershme dhe të panegociueshme për drejtësi!

Kjo nuk është diçka për tu marrë lehtë. Nëse aty nuk do të ketë drejtësi mbi ngjarjen të cilën e pamë vetë me sytë tanë, do të thotë se do mbizotërojë ajo pjesë e njerëzve që kanë bërë kompromis me të vërtetën. Është një pakt i shkruar me djallin. Nëse drejtësia mungon, atëherë çdo pjesë e shoqërisë që do përfitojë si pasojë, do ta ngrejë suksesin e vet mbi këtë premisë. Mbi drejtësinë e munguar të asaj ndodhie, në atë ditë të ftohtë Janari. Në rast se drejtësia mungon, kjo do të thotë se ai vend do jetë dorëzuar në dorën e krimbave që ushqehen me kufoma. Nga këta lloj njerëzish, sot, nesër dhe në të ardhmen, gjithçka mund të presësh. Prandaj është e rëndësishme që drejtësia të vendoset mbi ta, për të sjellë përsëri qetësinë sociale dhe civile në vend.

Ndërsa për çdo qytetar të ndershëm, nuk ka më kohë për dilema hamletiane “to be or not to be”; a do të dëgjojnë “ata” liderin, do u besojnë shpifjeve, intuitës, oportunitetit, vendit të punës, militantizmit, e shumë të tjera. Nuk ka vend për të shprehur disfatizëm dhe pesimizëm. Një i vetëm në qoftë dikush, duhet t’i bjerë këmbanës së drejtësisë, këmbanës makbethiane. Kjo është rruga e vetme.

Këmbana Makbethiane.

Prej Shekspirit, dimë se në tragjedinë e tij “Makbethi”, sinjali që e fton personazhin kryesor për të kryer krimin e neveritshëm, është tingulli i një këmbane, të cilës i bie Lady Macbeth.

Noli, si mjeshtër i përkthimit dhe muzikalitetit të gjuhës, pjesën kur këmbana jepet si shenjë për atë çka e pret Dunkanin, mbretin legjitim të Skocisë, e shqipëron kështu:

Dunkan, mos e dëgjo, se kjo këmbanë, po të thërret në qiell a ferr hapsanë

Vini re muzikalitetin e gjuhës, në mbaresat e fjalëve.
“Dunkan...
këmbanë...
hapsanë...”
Dëgjohen si kumbimi i një këmbane, dang, dang, dang!

Është ajo këmbanë që fton Makbethin në krim, prej të cilit duart nuk iu lanë asnjëherë më pas. Dhe besoj që dridhej brenda përmasës njerëzore që i kish ngelur pas krimit të kryer, sa herë i dëgjonte tingujt.

Kjo këmbanë, që i thërret ndërgjegjies njerëzore, është në duart e kujtdo qytetari.

Këmbanat nuk duhet të pushojnë, sepse bien mbi ndërgjegjien e atyre që janë zënë në faj. Bien mbi ndërgjegjien dhe të atyre që vullnetarisht u bënë një me pjesën e fajtorëve, duke justifikuar, ironizuar dhe mashtruar paturpësisht opinionin publik.

Çdo qytetar i ndershëm i këtij vendi, duhet t’i bjerë këmbanës për drejtësi, për të parë nëse do tkurret njeriu makbethian brenda qënies së vet, për të mbizotëruar kafshërorja, apo përmasa njerëzore do gjejë një shteg për të triumfuar mbi të.

Bjerini këmbanës pra, dhe shurdhojini, mundojini, nga mankthet e tyre mos i çlironi. Sa të keni duar dhe zë, bjerini këmbanës!

Bjerini këmbanës si refuzim për të pranuar të uleni në nivelin e atyre që sugjerojnë se në këtë vend nuk mund të ketë drejtësi.

Bjerini këmbanës mbi çdo justifikim, që pengon të dënohet një krim makabër.

Bjerini këmbanës për të ardhmen tuaj dhe atë të fëmijëve tuaj, bjerini këmbanës!

Bjerini këmbanës për sytë e Anës...

Është rruga e vetme, zgjidhje tjetër nuk ka.

Saturday, February 12, 2011

Perëndi dhe institucione

Gjithnjë më ka pëlqyer bota mitologjike. Jam njohur me të ashtu si shumë të tjerë, që fëmijë i vogël nëpërmjet përrallave të gjyshes. Mbaj mend kur ajo ulej e më tregonte ndonjë përrallë, butë dhe shtruar, duke tundur pak kokën për të shtuar dramacitetin, me një mënyrë origjinale dhe thjeshtësi epike, ashtu si mund të bëjnë vetëm gjyshet. Nëpërmjet moralit që shprehnin përrallat, më pas zinin fryte përfytyrimet e para të një bote magjike. Që andej e kanë zanafillën përfytyrimet e vetes si princ, për të shpëtuar “të bukurën e dheut”, apo ndonjë personazh tjetër femëror, për emrin e të cilave, edhe në moshë të rritur, kam patur gjithnjë debulesë. Vetëm për shkak të përrallave...

Mitet, ato rrëfenja të vogla, të ndërtuara me thjeshtësi dhe humor popullor, igrendientë të mjaftueshëm për të kthyer miell dhe ujë në brumë.

Me kalimin e kohës, më pas kërkoja vetë të lexoja përralla, “Gishto-n”, “Qerosin”, “Tërfilin me katër fletë”, derisa rashë në një përrallë të madhe, më të madhen që kam lexuar ndonjëherë. Ishte një libër i madh biblioteke, me fletë të zverdhura nga koha. Vetë ngjyra e fletëve ia shtonte misterin që mbante brenda. I gjithë libri i shkruar në vargje, fliste për njerëz, heronj, perëndi dhe gjysëmperëndi, të gjitha të ardhura prej një kohe të shkuar, nga një vend që dukej të ndodhej shumë larg në hapësirë dhe kohë. Vetë bota brenda atij libri, ishte e paanë. Për heroin që kishe lexuar në një faqe, e kishe humbur në faqen tjetër dhe kishe gjetur dikë tjetër. Duhet të riktheheshe përsëri pas, për t’i lexuar kartën e identitetit. E cila nuk ishte gjë tjetër veç një shënim në fund të faqes: Hektori, biri i Priamit, Ajaksi, mbreti i Salaminës,bir i Telamonit, Odisea, mbret i Itakës, bir i Laertit etj. Kurioziteti i adoleshentit, më kishte çuar pra tek Homeri. Iliada.

Por ky shkrim nuk është për librin në fjalë, megjithëse ka lidhje me të. Sepse nëpërmjet këtij libri mu zgjua interesi për të mësuar më shumë mbi botën mitologjike të lashtësisë.

Atëherë ndihesha i mahnitur mbi shpjegimet e atyre njerëzve 3000-4000 e më shumë vjet më parë, për botën, për fenomenet natyrore, për evente dhe evenimente. Ishte tmerrësisht bukur të mendoje psh, se diellin e mbart në një karrocë me kuaj një perëndi, që e nxjerr shëtitje mbi horizont çdo mëngjes në qiell, për ta ulur në darkë.
Apo që stina e pranverës, tregon se Dhimitra, perëndesha e natyrës, është e lumtur që e bija Persefoni, vjen prej Hadit drejt e në duart e saj.

Ajo që më bën përshtypje tani, në këto kohë që po kalojmë, është se ata njerëz të lashtë, u kishin dhënë status perëndie shumë virtyteve. Kështu psh Afërdita ishte perëndeshë e Dashurisë, Athina e Diturisë, Hera apo Estia e Familjes, Dhiki e Drejtësisë etj.

Besoj se botëvështrimi i atyre që e kishin bërë këtë gjë, duhet të ishte diçka me të vërtetë për tu vlerësuar.

Kjo sepse, duke ua njohur vlerën virtyteve dhe duke i vendosur në rang hyjnish, sipas emërtimit dhe funksionit që kryenin, kishin ndërtuar një sistem vlerash të cilit i besonin, dhe me anë të këtij, kishin ngjizur bashkësinë sociale të cilës i përkisnin.

Hyjnia e virtytit.

Është interesante të analizohet, përse njerëzit e atëhershëm virtytet i kishin shndërruar në perëndi. Sepse është një gjë të njohësh vlerat e një shoqërie, dhe tjetër gjë krejt e ndryshme t’i hyjnizosh ato. Hyjnizimi i atëhershëm, kishte kërkesa më të larta sesa thjesht njohja e vlerave. Sepse hyjnive njerëzit u bënin flijime, u këndonin himne, u ndërtonin tempuj dhe statuja, u luteshin, dhe mbi të gjitha... U BESONIN.

Pashmangshmërisht më shkon mendja tek krahasimet e këtyre hyjnive, me analoget e tyre në kohën e sotme. Krahasimi më i afërt, do të ishte me institucionet përfaqësuese në atë ne sot quajmë “shtet laik”; dhe tempujt e atëhershëm, do të ishin përfaqësueset e shtetit të sotëm. Konkretisht, ministritë psh ajo e drejtësisë, arsimit, mbrojtjes, rendit etj.

Si në shkrimin e mëparshëm i cili fliste mbi ndryshimin që ka mbrojtja e rendit, nga mbrojtja e qytetarit, edhe këtu ka një shmangie, nga besimi i hyjnisë, në besimin e përfaqësimit.

Çka ndodh kur përfaqësimi hyjnor i virtyteve çalon?

Kur ndodh diçka e tillë, atëherë vetë ekzistenca e bashkësisë, arsyet për të ekzistuar, dobësohen. Njerëzit humbasin besimin tek përfaqësimi, tek të ngjashmit, tek shteti i tyre dhe kjo mund të rezultojë deri në prishje të bashkësisë.

Institucionet nuk përmbushin rolin për të cilin janë ngritur, as respektojnë virtytin përfaqësues. Parlamenti psh është institucioni përfaqësues i vullnetit të shumicës. Në rast se në rradhë të parë, ky institucion nuk pasqyron vullnetin (zgjedhjet vidhen, vidhet dhe vullneti), në rast se nuk ushtron detyrimet e veta siç duhet (ligje të padrejta, mungesë respekti, edukate, etike) atëherë ky institucion, e ka humbur qëllimin për të cilin është ngritur.

Marrim presidentin. Përfaqëson unitetin. Në rast se nuk e bën detyrën dhe detyrimet siç duhet, përsëri kemi një dështim të qëllimit për të cilin institucioni ekziston.

Po kështu me ministritë, prokurorinë, avokatin e popullit etj.

Këto janë gjëra të njohura, nuk dua të ndalem më tej këtu.
Aty ku dua të ndalem, është tek pasojat që kanë këto dështime institucionesh ndër qytetarët e thjeshtë të vendit. Që përfaqësimi i virtyteve dhe vullnetit të dështojë, është diçka e keqe, po më keq se kaq, është humbja e besimit në virtyte.

Të jetë dikush skeptik ndaj formës në të cilën ushtron pushtetin shteti, është e pranueshme. Por nuk është e pranueshme të humbasë besimin në vetë virtytin. Ata njerëzit e lashtë që kishin për hyjni drejtësinë, moralin, familjen, do ta dënonin për herezi. Dhe do të bënin shumë mirë.

Është detyrë e çdo qytetari, të kërkojë drejtësinë për këdo, sado që institucionet përfaqësuese të drejtësisë, nuk ia ofrojnë këtë gjë.

Është tmerrësisht e shëmtuar të rrënohet virtyti, për hir të përfaqësimit jo të denjë. Në këtë aspekt, kushdo që promovon mungesën e drejtësisë, në çdo lloj forme, qoftë duke ofruar shembuj pesimizmi, mosbesimi në të, zhvlerësim të çdo lloji të saj, duhet kritikuar.

Në fund të fundit, drejtësia, uniteti dhe vullneti i njerëzve, janë institucionet e vërteta. Gjithë të tjerat, janë tempuj të padenjë.

Wednesday, February 9, 2011

Ministria për Mbrojtjen e Qytetarit

Mbaj mend para pak kohësh, Mustafa Nano bënte një pyetje tek adresa e tij e internetit, se “çfarë emërtimi jo i zakonshëm është ky për një ministri?” Dhe vërtet emërtimi është jo i zakonshëm. Kam dashur t’i përgjigjem që atëherë, dhe meqë tani mu krijua mundësia, po e bëj këtë gjë.

Në pamje të parë, dikujt nuk i shkon në mendje se për çfarë ministrie mund të bëhet fjalë dhe me se merret, cili është qëllimi, funksioni dhe detyrat që ka një institucion i tillë. Por nuk bëhet fjalë për tjetër gjë, veç për homologen e vet shqiptare që ndryshe quhet “Ministria e Brendshme”.

Pak historik.

Që prej rënies së Juntës ushtarake, në vitin 1974, në Greqi kjo ministri ka pasur emërtime të ndryshme.
Në rend kohor, po i vendos si më poshtë.

- Ministria e Rendit Publik
- Ministria e Brendshme dhe e Rendit Publik.
- Ministria e Rendit Publik (përsëri)
- Drejtoria e Rendit Publik (e përfshirë nën vartësi të Ministrisë së Brendshme.)

Që prej Tetorit të vitit 2009 pas zgjedhjeve të reja, që rezultuan në fitoren e PASOK-ut dhe ndryshimit të qeverisjes, kjo ministri u riemërtua me titullin “Ministria për Mbrojtjen e Qytetarit”.

Por pika kyçe e ndryshimit të emërtimit, shkon pak më përpara në kohë, në Dhjetor të vitit 2008. Atëherë kur ndodhën trazirat sociale në Greqi. Ngjarja tragjike që ia ndryshoi emërtimin, bashkë me qëllimin kësaj ministrie, është ajo e vrasjes nga një polic, të një djali të ri 15 vjeçar në datën 6 Dhjetor 2008.

Shkurtimisht:

Në një nga rrethinat e Athinës, Eksarhia, një patrullë policie, ndaloi disa adoleshentë dhe u përplas me ta. Gjatë procesit, njëri prej dy policëve, nxjerr pistoletën dhe qëllon djalin fatkeq në gjoks, duke e lënë të vdekur.

Pas ngjarjes në fjalë dhe revoltave popullore, pati një debat qytetar mbi rolin e forcave të rendit dhe mënyrën sesi e ushtronin këto detyrën e tyre.

Për më shumë shikoni këtu.

Në këtë debat u përfshinë tema si abuzimet e policisë ndaj qytetarëve në të kaluarën, por edhe abuzimet e forcave të rendit ndaj emigrantëve. Shumë besoj e mbajnë mend atë videon ku disa policë vendosin dy emigrantë të qëllojnë me shpulla njeri tjetrin.

Gjithashtu u diskutua mbi trajnimin fizik dhe psikologjik të forcave të rendit, diferencimet e tyre në sjellje ndaj qytetarëve të “njohur” apo të “dorës tonë”, me ata të panjohurit, abuzimet në detyrë, të drejtën për të mbajtur dhe përdorur armë dhe shumë çështje të tjera. Ishte një debat i madh publik mbi këtë temë, me shumë emisione televizivë, reportazhe gazetarësh, blogerësh, opinionistësh, analistësh, njerëzish të thjeshtë etj. Një debat i tillë, u mbajt me muaj dhe pas ndërrimit të qeverisjes, solli frytet e veta. Një ndër këto ishte emërtimi i ri i ministrisë, ndërsa të tjerat kishin të bënin me pavarësinë e institucionit prej ministrisë së brendshme, nevojën për reforma të forcave të rendit dhe nevojës për ta parë shërbimin e tyre nën një këndvështrim tjetër. Ndër këto reforma, vihej re gjithashtu kërkesa për punësim në forcat e rendit të emigrantëve, që për shkak të diferencimit gjuhësor dhe kulturor, do t’a kishin më të lehtë të komunikonin me bashkatdhetarët e tyre që do ndodheshin në marrëdhënie me këtë ministri.

Por ia vlen të ndalem pak vetëm tek riemërtimi i ministrisë. Nga “rendi publik” në “mbrojtje të qytetarit”. Një riemërtim i tillë, nuk është aspak vetëm gjuhësor, por në rradhë të parë konceptual.

Ku qëndron ndryshimi?

Ndryshimi qëndron në shpalljen e qëllimit të institucionit. Forcat e rendit, nuk mbrojnë më rendin, por qytetarin. Ky i fundit është subjekti kryefjalë i qëllimit të ekzistencës së institucionit dhe përparësia e vetme tashmë, bëhet mbrojtja e tij.

Nëse të mbrosh rendin psh do të thotë të rregullosh trafikun, përqëndrimi i policit rrugor do të ishte trafiku vetë. Mbarëvajtja e trafikut, rregullimi i tij, heqja e pengesave që e pengojnë mbarëvajtjen etj. Ndërsa të mbrosh qytetarin në një situatë trafiku, do të thotë të përqëndrohesh tek siguria e tij kur ky i fundit ndodhet në këtë situatë.

Ky këndvështrim i fundit, sigurisht që është më njerëzor. Sepse është humano-centrik, ndërsa “trafiku” është koncepto-centrik. Trafiku është diçka abstrakte, jo humane.
Një polic që siguron mbarëvajtjen e trafikut, do të shprehej ndaj një qytetari:
- Ec, se po pengon trafikun!
Ndërsa një i dytë, që mbron sigurinë e qytetarit do të thoshte:
- Ju lutem lëvizni se po pengoni njerëzit e tjerë të qarkullojnë!

E njëjta situatë, pas ngjarjeve të 21 Janarit, ku dëgjoj të shprehen se forcat e rendit duhet të mbrojnë “institucionet”.

Forcat e rendit, paguhen prej taksave të çdo qytetari të republikës. Në varësi të kësaj, çdo punonjës i FR është një shërbyes ndaj nevojave të tyre, për të vendosur rend, qetësi dhe mbarëvajtje. Këto forca nuk janë njësi e shkëputur, apo tejhuazuar ndaj punëdhënësve të tyre – pra qytetarëve. Madje FR vetë, janë qytetarë të cilët janë caktuar pët tu marrë me një detyrë të posaçme për të mbrojtur qytetarët e tjerë. Për pasojë, ato duhet të vendosen në shërbim të tyre. Në një organizim ku FR dhe qytetarët janë të shkëputur nga njëri tjetri, kjo tregon se ka diçka që nuk shkon në këtë mes.


Në 21 Janar, institucione dhe njerëz u përplasën, ndër ndodhitë e tjera. Dhe opinioni publik u vendos përballë zgjedhjes së prioriteteve. Rend publik, institucione – apo njerëz? Disa duan të “mbrojnë me çdo kusht institucionin”, po nga kush? Shoqëria civile brenda të cilës ndodhemi, nuk mund të trajtohet me fjalor të denjë për ushtarakë.

Parimi i mbrojtjes së rendit, duke qënë jo njerëzor, shndërrohet shumë herë në të pamoralshëm. A mundet një punonjës i FR të pretendojë se mbron rendin, përballë njerëzish të papunë që protestojnë, pa u interesuar për gjendjen e tyre më parë? Në fund të fundit, qëllimi i vetëm dhe madhor i institucioneve, është tu sigurojë njerëzve mirëqënien e jetës së tyre.

Një sistem që mohon qënien, lëre më mirëqënien, është antinjerëzor në thelb.


Këto çështje dhe qëndrime, duhet të bëheshin subjekt i një debati publik, dhe nuk duhet të kalonin kaq lehtë. Politizimi personal i skajshëm që ndodh në Shqipëri, po mohon jo vetëm debatin mbi çështje të tilla, por mohon gjithashtu përfshirjen e qytetarëve në të.

Friday, February 4, 2011

TË TREDHUR

Kësaj rradhe po kapem me një frymë artikujsh që mbizotëron në mediat tona. E kam fjalën për ato lloj artikujsh të cilët tentojnë të përshkruajnë situatën ku ndodhemi, me një ton apatik, të distancuar në dukje dhe pesimist... mua më pëlqen t’i quaj këta lloj artikujsh “reportazhe sportive”. Zakonisht i komentoj me rezultatin e fundit të Barçës.

Cilat janë shenjat dalluese të simptomës?

Së pari, artikullshkruesi, bën një reportazh të gjendjes ku ndodhemi, duke kapur një aspekt specifik. Psh gjendjen ekonomike, reformat politike, strategjinë e partive apo liderëve kryesorë etj. Edhe këtë gjë e bën relativisht mirë.

Në rast se i vjen ndoresh ndonjë metaforë qëndrore, shprehje nga njerëz të njohur, apo ndonjë punch line, apo proverb kinez, aq më mirë!

Por kryesisht thelbi i artikujshkruesve të tillë qëndron në mbështetjen e idesë themelore, statike, strategjike dhe teoremë tashmë se: të dyja palët janë njësoj, ose pala tjetër, është potencialisht po aq e keqe sa ajo në pushtet.

Këta artikuj, i ngjajnë atij njeriu që shkon të ngushëllojë dikë që ka pësuar një dëmtim permanent fizik.

Për shembull...

- ah, shikoj se e ke humbur një këmbë. Sa keq! Si ja bën të çohesh në mëngjes? Besoj se edhe për të kryer nevojat personale, do ta kesh të vështirë. Po shkallët e pallatit, si i ngjit? Oh po këtu nuk ka as ashensor, kati i tretë! Sa keq! Sa i mjerë që je o njeri! Gjynaf nga zoti!

Po mirë do pyesni ju, çfarë të keqe ka në këtë mes?
E keqja e një fryme të tillë të shkruari, qëndron se stimulon apatinë, fatalizmin, inaktivitetin, pra idiotizmin.
E keqja e artikujve të tillë, është se i shikon njerëzit të cilëve u drejtohet si qënie pa vullnet, forcë dhe mundësi ndryshimi. Artikullshkruesi merr në dukje anën e lexuesit, të paanshmit, popullit, dhe pasi vendoset midis tij dhe pushtetit, politikës, shtetit etj, synon të krijojë një distancë fiktive, duke u mohuar njerëzve që u drejtohet pjesëmarrjen në procesin demokratik. Dhe këtu dallohet paanshmëria e shtirur, në mos naiviteti. Ndërsa empatia e shtirur, shërben si injeksion mpirjeje të mendjes. Duket sikur thonë, hej, jam dhe unë këtu dhe po vuaj me ty. Po ku po shkojmë dhe çfarë të bëjmë? ASGJË! Mjerë ne!

Një nga gjërat më të bukura që ofron sistemi demokratik i qeverisjes, është aftësia e tij për tu rregulluar dhe vetërregulluar. Për të zbuluar forcën e vullnetit dhe potencialin e njerëzve mbi të cilët ushtrohet. Madje kjo forcë e shprehur, është e tillë që ndihet edhe aty ku nuk e pret. Ndërsa opinionistë të tillë, fatalistë të tredhur, ua mohojnë forcën që mbajnë njerëzit për të ndryshuar gjendjen ku ndodhen.

Nuk është skenar i ri, është diçka e vjetër. Që ka rrënjë që në manipulimin e njëpasnjëshëm të zgjedhjeve përgjatë 20 viteve të fundit. Sepse manipulimi i zgjedhjeve, është kastrim, tredhje që i bëhet forcës që duhet të ketë populli, njerëzit, masat, votuesit, quajini si të doni.

Shtirja në këta artikuj, është e dallueshme dhe në ofertën e zgjidhjes. Sepse opinionistë të tillë, bëjnë sikur ofrojnë një zgjidhje. Ose duke i dërguar të pavullnetshmit vulëhumburit njerëz, nëpër disa rrugë qorre, si peticione, struktura paralele, ose në thjesht “mjerë ne”.

Por zgjidhje ka, nuk është se nuk ka. Dhe me zgjidhje, nuk e kam fjalën thjesht në revoltat mbarëpopullore dhe protestat të pavarura, apo opozitare, por zgjidhja ndodhet edhe brenda sistemit vetë.

Në reportazhin e fundit sportiv që lexova, flitej për “aferat e Rrulit” në ministrinë e energjitikës, shoqëruar (domosdo) me grykësinë potenciale të socialistëve që kanë gjashtë vjet në opozitë. Fatalizmi pas këtij përshkrimi është i lehtë.

Po, ka dhe një rrugë tjetër. Si do ju dukej psh që çdo tratativë ekonomike e qeverisë mbi një vlerë të caktuar, të paraqitej në internet? Se mua nuk më mjafton si arritje e madhe (e paparë, më e madhja etj) e qeverisë, të ishte që një milion shqiptarë janë tashmë facebuksa.

Në net të paraqiteshin ofertat e firmave pjesëmarrëse në të, konditat në të cilat zhvillohet procesi, udhëzimet juridike etj. Fjala magjike: TRANSPARENCË.

Edhe kjo e zgjidhjes, qoftë kësaj të veçantës, ashtu dhe të përgjithshmes, është rrugë e njohur: forcimi i institucioneve dhe mjeteve të kontrollit ndaj pushtetit. Përdorimi gjithashtu i transparencës, i mendimit kritik dhe parimeve demokratike.

Po këto të fundit, që të artikuloheshin dhe përdoreshin, do të donin një nxitje më të madhe sesa mllefi dhe inati ballkanik i një sy mua dy gjitonit. Do të duhej gjithashtu të tradhëtonin parimin e pashkruar të equidistancës...
users online
 
Creative Commons License
Shkrimet e blogut Busulla jane te licensuara nen Creative Commons Autoresi-Jofitimprurese-Vepra te pandryshueshme 2.5 Italia License.