Friday, February 4, 2011

TË TREDHUR

Kësaj rradhe po kapem me një frymë artikujsh që mbizotëron në mediat tona. E kam fjalën për ato lloj artikujsh të cilët tentojnë të përshkruajnë situatën ku ndodhemi, me një ton apatik, të distancuar në dukje dhe pesimist... mua më pëlqen t’i quaj këta lloj artikujsh “reportazhe sportive”. Zakonisht i komentoj me rezultatin e fundit të Barçës.

Cilat janë shenjat dalluese të simptomës?

Së pari, artikullshkruesi, bën një reportazh të gjendjes ku ndodhemi, duke kapur një aspekt specifik. Psh gjendjen ekonomike, reformat politike, strategjinë e partive apo liderëve kryesorë etj. Edhe këtë gjë e bën relativisht mirë.

Në rast se i vjen ndoresh ndonjë metaforë qëndrore, shprehje nga njerëz të njohur, apo ndonjë punch line, apo proverb kinez, aq më mirë!

Por kryesisht thelbi i artikujshkruesve të tillë qëndron në mbështetjen e idesë themelore, statike, strategjike dhe teoremë tashmë se: të dyja palët janë njësoj, ose pala tjetër, është potencialisht po aq e keqe sa ajo në pushtet.

Këta artikuj, i ngjajnë atij njeriu që shkon të ngushëllojë dikë që ka pësuar një dëmtim permanent fizik.

Për shembull...

- ah, shikoj se e ke humbur një këmbë. Sa keq! Si ja bën të çohesh në mëngjes? Besoj se edhe për të kryer nevojat personale, do ta kesh të vështirë. Po shkallët e pallatit, si i ngjit? Oh po këtu nuk ka as ashensor, kati i tretë! Sa keq! Sa i mjerë që je o njeri! Gjynaf nga zoti!

Po mirë do pyesni ju, çfarë të keqe ka në këtë mes?
E keqja e një fryme të tillë të shkruari, qëndron se stimulon apatinë, fatalizmin, inaktivitetin, pra idiotizmin.
E keqja e artikujve të tillë, është se i shikon njerëzit të cilëve u drejtohet si qënie pa vullnet, forcë dhe mundësi ndryshimi. Artikullshkruesi merr në dukje anën e lexuesit, të paanshmit, popullit, dhe pasi vendoset midis tij dhe pushtetit, politikës, shtetit etj, synon të krijojë një distancë fiktive, duke u mohuar njerëzve që u drejtohet pjesëmarrjen në procesin demokratik. Dhe këtu dallohet paanshmëria e shtirur, në mos naiviteti. Ndërsa empatia e shtirur, shërben si injeksion mpirjeje të mendjes. Duket sikur thonë, hej, jam dhe unë këtu dhe po vuaj me ty. Po ku po shkojmë dhe çfarë të bëjmë? ASGJË! Mjerë ne!

Një nga gjërat më të bukura që ofron sistemi demokratik i qeverisjes, është aftësia e tij për tu rregulluar dhe vetërregulluar. Për të zbuluar forcën e vullnetit dhe potencialin e njerëzve mbi të cilët ushtrohet. Madje kjo forcë e shprehur, është e tillë që ndihet edhe aty ku nuk e pret. Ndërsa opinionistë të tillë, fatalistë të tredhur, ua mohojnë forcën që mbajnë njerëzit për të ndryshuar gjendjen ku ndodhen.

Nuk është skenar i ri, është diçka e vjetër. Që ka rrënjë që në manipulimin e njëpasnjëshëm të zgjedhjeve përgjatë 20 viteve të fundit. Sepse manipulimi i zgjedhjeve, është kastrim, tredhje që i bëhet forcës që duhet të ketë populli, njerëzit, masat, votuesit, quajini si të doni.

Shtirja në këta artikuj, është e dallueshme dhe në ofertën e zgjidhjes. Sepse opinionistë të tillë, bëjnë sikur ofrojnë një zgjidhje. Ose duke i dërguar të pavullnetshmit vulëhumburit njerëz, nëpër disa rrugë qorre, si peticione, struktura paralele, ose në thjesht “mjerë ne”.

Por zgjidhje ka, nuk është se nuk ka. Dhe me zgjidhje, nuk e kam fjalën thjesht në revoltat mbarëpopullore dhe protestat të pavarura, apo opozitare, por zgjidhja ndodhet edhe brenda sistemit vetë.

Në reportazhin e fundit sportiv që lexova, flitej për “aferat e Rrulit” në ministrinë e energjitikës, shoqëruar (domosdo) me grykësinë potenciale të socialistëve që kanë gjashtë vjet në opozitë. Fatalizmi pas këtij përshkrimi është i lehtë.

Po, ka dhe një rrugë tjetër. Si do ju dukej psh që çdo tratativë ekonomike e qeverisë mbi një vlerë të caktuar, të paraqitej në internet? Se mua nuk më mjafton si arritje e madhe (e paparë, më e madhja etj) e qeverisë, të ishte që një milion shqiptarë janë tashmë facebuksa.

Në net të paraqiteshin ofertat e firmave pjesëmarrëse në të, konditat në të cilat zhvillohet procesi, udhëzimet juridike etj. Fjala magjike: TRANSPARENCË.

Edhe kjo e zgjidhjes, qoftë kësaj të veçantës, ashtu dhe të përgjithshmes, është rrugë e njohur: forcimi i institucioneve dhe mjeteve të kontrollit ndaj pushtetit. Përdorimi gjithashtu i transparencës, i mendimit kritik dhe parimeve demokratike.

Po këto të fundit, që të artikuloheshin dhe përdoreshin, do të donin një nxitje më të madhe sesa mllefi dhe inati ballkanik i një sy mua dy gjitonit. Do të duhej gjithashtu të tradhëtonin parimin e pashkruar të equidistancës...

Thursday, February 3, 2011

COPA MISHI

Pas ngjarjeve të datës 21 Janar, u panë të shpreheshin shumë njerëz të shtypit mbi to, edhe shumë komentues të thjeshtë. Një shprehje që më bëri përshtypje në arsenalin e të thënave të tyre, ishte kjo: mish për top. E shikoj të shprehur dhe të rishprehur shumë herë, prej disa analistëve të njohur në tregun e mediave. Më bën përshtypje lehtësia e të shprehurit e një thënieje të tillë e cila duket të jetë shumë makabre. Mish për top.

Është normale, (brenda kufijve të normalitetit) që beteja politike të konceptohet si njëmend e tillë, si betejë. Me të gjitha të dhënat e saj. Duke filluar që nga përplasja e ideve dhe mendimeve për të vazhduar tek gjuha e nxitjes së dhunës, retorika e fortë, deri në përplasjen e formave më të dhunshme si demonstrimet në rrugë.

Në një vend demokratik, ndodhemi gjithashtu në kufijtë e normalitetit kur njerëzit mblidhen në të drejtën e tyre për të protestuar mbi diçka. Kjo është e drejtë e njohur madje prej konventës së të drejtave të njeriut. E drejta për tu tubuar dhe protestuar (demonstruar) gëzim apo pakënaqësi, ndaj arritjeve apo shkeljeve të regjimit.

Ndodhemi gjithashtu brenda kufijve të normalitetit të gjykojmë mbi një tubim apo protestë (demonstratë) të arsyeve pse po ndodh. Gjykimi i kujtdo që do të japë arsyet pse ndodh diçka, është i lejueshëm, madje për mendimin tim, duhet stimuluar.

Çka është e paarsyeshme, jo normale, e egër dhe makabre, është konsiderimi i një forme proteste si diçka kaq anormale, të egër dhe të dhunshme sa të justifikojë humbjen e jetëve njerëzore. Sepse pikërisht ajo shprehje, “mish për top”, këtë gjë bën.

Të thuash me lehtësi madje që protestuesit u çuan si “mish për top” , do të thotë të justifikosh dhunën, do të thotë të trembësh forma demonstrimi të cilat janë normale në një vend demokratik. Do të thotë të instalosh kulturën e frikës.

Më lejoni të bëj një testim: Dua të pyesin veten të gjithë ata që përdorin këtë shprehje mesjetare, se sa e lejueshme u duket përdorimi i armëve të zjarrit me plumba të vërtetë, ndaj një proteste civile?

Sa e justifikueshme u duket më pas që këto armë të shkrehen, dhe TË VRASIN në mënyrën që u bë dhe që e pamë të gjithë?

Dhe në rast se ju kauzën e demonstratës e quani të padrejtë, a mund të bëhet një dallim cilësor midis humbjes së jetës të personave që morën pjesë aty, me persona të tjerë, të cilët luftojnë për një kauzë që ju e quani të drejtë?

A mund të thuhet për dikë, ndër të tjera bashkëkombasin tonë që për arsyen e vetme se vajti në protestë, jeta e tij shkoi “për lesh”, apo “dhjamë qeni”?

Kujtesë: Ndodhemi në vitin 2011.

Sunday, January 30, 2011

IDIOTË

Sistemi ynë i qeverisjes, është quajtur sistem demokratik, apo shkurt, demokraci.
Pa u futur në shumë shpjegime historike dhe të konceptit, vetë ky sistem, e ka origjinën në lashtësi. Në shek. 5 p.e.s ky sistem u aplikua së pari në Athinën e lashtë dhe babai i tij, u konsiderua një njeri i quajtur Perikli.

Për këtë burrë shteti, të parin e demokracisë athinase, mund të gjeni shumë gjëra falë internetit. Një nga gjërat më interesante për të cilat flet ky burrë, është një fjalim, dedikuar të vrarëve athinas në luftën e Peloponezit. Ky fjalim është quajtur "Elegjia e Perikliut", është përcjellë prej Tucidides (Thuqidhidhit) deri sa ka ardhur në botën tonë moderne.

Është interesante të shihet sesi e koncepton pjellën e vet babai i demokracisë.

Thotë ai, ndër të tjera:

"Ne kemi një sistem qeverisjeje që nuk kopjon ligjet e të tjerëve, por për më tepër, jemi ne shembulli në vend të kopjuesit. Dhe ky sistem qeverisjeje quhet DEMOKRACI, sepse në të nuk qeveris pakica, por shumica, dhe qytetarët përpara ligjit janë të barabartë, si për çështjet e tyre private, ashtu dhe për ato publike, prandaj mbizotëron dhe zgjidhet dikush për poste publike, më tepër sepse është i aftë, dhe jo sepse i ra fati."

Kështu flet Perikliu, babai i demokracisë, thotë edhe gjëra të tjera, të vlefshme për tu lexuar.

Por unë dua të ndalem në një dallim konceptual më sipër që ai u bën "çështjeve private" dhe "çështjeve publike"

Private në greqishte përkthehet "ιδιώτης". Lexohet "idhiotis".
Është fjalë shumë e njohur, është e njëjta fjalë që e ka marrë latinishtja dhe e ka kthyer në "idiota", e njëjta fjalë që e ka marrë anglishtja dhe është shkruar "idiot". Bëhet fjalë pra për idiotin në shqip, defiçentin mendor, të sëmurin mendërisht.

Po çne kjo fjalë, nga kuptimi "privat", kthehet në "idiot"?

Ky transformim i detyrohet përsëri, sistemit të qeverisjes, atij të quajturit demokratik, ku qeveris shumica dhe jo pakica. Në këtë sistem, "idioti", ishte ai njeri i painteresuar në çështjet publike, dhe për të Perikliu vetë, thotë se nuk është "i urti", por është defiçenti, i dëmshmi, i mefshti.

Atëherë, para 2500 vjetësh nga sot, i paangazhuari, inaktivi, snobi i sistemit të qeverisjes, karakterizohej si idiot. Atij ia hiqnin të drejtat e tij si qytetar, dhe madje e zbonin nga qyteti. Kjo sepse gjeneronte një sjellje të pavlefshme për shoqërinë civile (nuk e kam fjalën për OJQ-të, shoqëri civile kishte atëherë, nuk kishte OJQ).

Dhe atëherë të drejtat si qytetar shteti i Athinës ia hiqte nëse nuk ishte aktiv për çështje të ndryshme që kishin të bënin me mbarëvajtjen e shoqërisë civile, lëre më nëse nuk shprehej dhe nuk e thoshte fjalën e vet për një vrasje psh që kryente shteti...

Ndodhemi sot, 2500 vjet më pas, në një shtet, në veri të Athinës, ku në qendër të tij gjatë një proteste, janë ekzekutuar 3 shtetas.

Janë ekzekutuar, në mes të një dite me shi, pranë kangjellave të institucionit qëndror të shtetit, tre persona. Dhe idiotët e këtij shteti, nuk duan/shmangen/ nuk protestojnë për ngjarjen e ndodhur.

2500 vjet më pas, dhe teoria e Darvinit, vihet në pikëpyetje. 2500 vjet dhe njerëzit nuk kanë kurajon të denoncojnë vrasjet, nuk kanë kurajon të shprehen për çka ndodhi, nuk kanë kurajon që mbi të gjitha, të kërkojnë drejtësi!

Në asnjë vend të botës, nuk ka gjë më të vlefshme sesa jeta e njeriut. Për çdo sistem që e quan veten "demokratik". Kur ndodh një vrasje, merret një jetë, asgjë më pas nuk është e rëndësishme. Nuk të lë ndërgjegjia të diskutosh se kush do të vijë më pas, se a janë njësoj Rama dhe Berisha. Nuk të lë njeriu brenda vetes, vdekja që i shkaktoi qënies - njeriut ato jetë që u morën. Dhe megjithatë, ka idiotë që munden të flasin për çfarëdolloj gjëje, vetëm për këtë jo.

Sepse idioti sipas Perikliut, nuk ishte vetëm ai që nuk merrte pjesë në qeverisje, por edhe ai që kishte koncepte të gabuara për të. Kishte ide defiçente mbi sistemin.

A ka ndonjë gjë më të rëndësishme brenda këtij sistemi, sesa jeta e njeriut? Sesa sigurimi absolut i saj, sigurimi i privilegjit për të ekzistuar?
Mbi çfarë morali do të ngrihet një qeverisje e cila merr jetë njerëzish? Çfarë do të bëjë më? Si do të qëndrojë, urdhërojë, legjitimojë, formojë ligje një qeveri e tillë? Mbi cilat shtylla do të ngrihet?

Edhe megjithatë, idiotët dhe defiçentët, snobët dhe të vetëkastruarit njerëz pa fytyrë, munden të neglizhojnë, shpërfillin dhe zhvlerësojnë ato jetë që humbën mbi bulevard. Dhe meqë nuk vlerësojnë jetën, nuk ka sesi të respektojnë vdekjen, humbjen, tretjen, shuarjen e tre shpirtrave që sot nuk janë më.

Pa u vendosur drejtësia, unë nuk do jem po aq njeri sa isha dje.

Sunday, January 23, 2011

(Jo vetëm) mendimi im

Këtu do të bëj një përmbledhje shkrimesh dhe komentesh nga mua dhe të gjithë ata që kanë një mendim të ngjashëm apo të njëjtë me mendimin tim.

Monday, January 17, 2011

King of Bongo

http://www.youtube.com/watch?v=vJMLJVha5sw

Mama was queen of the mambo
Papa was king of the Congo
Deep down in the jungle
I start bangin' my first bongo
Every monkey'd like to be
In my place instead of me
Cause I'm the king of bongo, baby
I'm the king of bongo bong

I went to the big town
Where there is a lot of sound
From the jungle to the city
Looking for a bigger crown
So I play my boogie
For the people of big city
But they don't go crazy
When I'm bangin' in my boogie

I'm the (king of the bongo, king of the bongo bong)
Hear me when I come baby
(King of the bongo, king of the bongo bong)

Nobody'd like to be in my place instead of me
Cause nobody go crazy when I'm bangin' on my boogie
I'm a king without a crown hanging loose in a big town
But I'm the king of bongo baby I'm the king of bongo bong
(King of the bongo, king of the bongo bong)
Hear me when I come, baby,
(king of the bongo, king of the bongo bong)


They say that I'm a clown
Making too much dirty sound
They say there is no place for little monkey in this town
Nobody'd like to be in my place instead of me
Cause nobody go crazy when I'm bangin' on my boogie

I'm the (king of the bongo, king of the bongo bong)
Hear me when I come, baby
(King of the bongo, king of the bongo bong)
Hear me when I come

Bangin' on my bongo all that swing belongs to me
I'm so happy there's nobody in my place instead of me
I'm a king without a crown hanging loose in a big town
I'm the king of bongo baby I'm the king of bongo bong
(King of the bongo, king of the bongo bong)
Hear me when I come, baby
(king of the bongo, king of the bongo bong)

Monday, November 15, 2010

Lavdi letrës së bthës!!

Për të qënë i sinqertë, po krejt fare ama, si me veten, ashtu edhe me audicionin, këto festa e festime për liberalizimin e vizave, le që janë krejt patetike më së pari, por nuk e di se si, për mua lidhen me përdorimin e letrës higjenike ndër shqiptarët.

Çdokush e mban mend sesi pas viteve 90', u njohëm me këtë produkt tërësisht evropiano perëndimor, që e bënte më të lehtë jetën në nevojtore (...)

Në rast se do të duhej të festohej ndonjë ditë "historike", nuk besoj se do të gjendej rast më i mirë për ta bërë, përveçse në ditën që shqiptarëve, nuk u gërvishtej prapanica sa herë kryenin nevojën numër 2.


Friday, July 30, 2010

Stupid America

Ndodh me raste që kur shikon nëpër internet, vendos të lundrosh në të pa ndonjë qëllim të veçantë. E lë veten në mëshirën e valëve që të çojnë sipas erës nëpër skaje e vise që përndryshe nuk do t’i zbuloje dot. Kështu më ndodhi dje... dhe rezultati ishte një faqe e veçantë, në të cilën autorët dhe ideatorët e saj, kishin mbledhur shkrimet, citimet dhe komentet nga faqe të ndryshme në sferën internetore amerikane më së shumti. Të gjitha këto kishin të përbashkët – budallëkun. Interesante, apo jo?

Duke lexuar nëpër të, sidomos në “Top 100” të këtyre, shikon cilat janë aspektet më të prekura dhe komentuara të jetës amerikane. Duke filluar që nga presidenti Obama, i cili tërheq një numër të konsiderueshëm citimesh, besimi fetar dhe bestytnitë rreth tij, pastaj në teoritë konspirative gjithëfarëllojshe, që nga rrotullimi i tokës rreth diellit, gjeologjia, racizmi, reptilët?, deri te ide politike inovatore, si psh arsyetimi pse duhet të ketë “librari private”.

Japin të gjitha një formë të mrekullueshme budallëku.

Në librin “Dashuria në kohët e kolerës”, një mjek thotë se njerëzit mund të ndahen rëndom në dy kategori kryesore. Në ata që jashtëqisin në rregull, dhe në të tjerët që në mënyrë amerikane do të përshkruheshin si “cant get the sh!t right.

Unë kam bindjen se një nga mënyrat e të kuptuarit të një populli, është të gjesh se në cilat fusha ushtrojnë imagjinatën e tyre, me përmasa të tilla groteske. Në këtë mënyrë mund të gjendet se çfarë është ajo që u bren shpirtin, sa mendjehapur/mbyllur/ngushtë bëhen kur preken këto tema dhe çfarë porcioni budallëku mund tu kushtojnë këtyre temave.

Për këdo tjetër që është fan i këtyre teorive dhe do të shkruajë librin fantastiko shkencor të rradhës është i lirë të hidhet në prehrin e këtyre mrekullive, të budallëkut.

Friday, July 23, 2010

Ce?

Kjo më lart, ishte fjala ime e preferuar para 20 vitesh.

“Ce” do të thoshte “pse”, gjithnjë e shoqëruar rigorozisht me këtë “?” formë ovale që e ndiqte nga pas, me pikën poshtë si litar ku do të vareshin gjithë kuriozitetet e një fëmije... të vendosura nën mëshirën e më të rriturve. “?” do të ishte ekuivalente në realitet me një buzëqeshje të një trazovaçi plot quka dhe me dhëmbë... jo në gjendje optimale. Mezi kam pritur të më dilnin ata të pjekurisë...

Mbaj mend atëherë që më pëlqenin “ce”-të e rënda. Madje sa më shumë “ce” në seri, aq më e vështirë më dukej përgjigjia që do më jepnin. Po gjithnjë përgjigjet vinin duke më zhgënjyer. Kur të rriturit e ndjenin se pikëpyetja pas “ce”-së u shtrëngonte fytin, atëherë të bezdisur, “e hiqnin qafe”.

Gjithsesi... duke marrë shkas prej këtij frymëzimi fëminor, më lindi dëshira të hap një rubrikë, ku tanimë nuk do bëj vetëm pyetjen “ce”, por edhe do ekzekutoj përgjigjen e duhur. Është më argëtuese kështu...

Filloj me pyetjen e parë:

Ce dëshira që shfaqin miss-et, apo kandidatet për miss, se dëshirojnë paqe në botë, është në fund të fundit llogjike?

Së pari, dëshira për paqe në botë, është llogjike vetvetiu. Kush e do luftën në vend të paqes? Por pika më e rëndësishme ku dua të ndalem unë, për kategorinë e caktuar, është këtu që, një miss është shumë e dëshiruar prej një kategorie të madhe meshkujsh. Duke qënë në një pozicion të tillë, ku të gjithë pretendojnë të futen në akte riprodhimi me të, ajo e shikon veten potencialisht kandidate për të lindur shumë fëmijë. Do thoni ju, prezervativi? Ky nuk ndikon në efektin psikologjik që i jep miss-it ideja (patjetër llogjike), se shumë meshkuj duan të riprodhohen me të.

Duke pasur një vizion të tillë, largpamës dhe krejtësisht real, missi ndihet e kërcënuar prej rrezikut që mund të kalojnë fëmijët e saj të ardhshëm, në një botë të pasigurtë. Madje kjo do të ishte arsye që ajo të druhej për të tentuar të riprodhohet në mënyrë sistematike.

Mund të thotë dikush, ti ia fut kot!! Bota reale nuk është e tillë siç e përshkruan një miss. Mbase ke të drejtë, kur flet për botën tënde reale. Realiteti është një perceptim. Po nëse do merrja sytë e missit të shikoja botën reale të saj, atëherë para pasqyrës do të shifja një – miss! Realiteti i saj është ai i dikujt që konkuron për të marrë kurorën e bukurisë. Nëse do mund të zgjidhja, do të zgjidhja një realitet të bukur.

Konkluzioni: duhet të bëjmë ç’është e mundur për t’i plotësuar missit dëshirën e saj për paqe në botë. Për të mirën e të gjithëve.

Sunday, July 18, 2010

Futbolli total

Meqë u bë objekt debatesh kjo temë, por edhe çështje kurioziteti, më shkoi në mendje të shkruaj diçka mbi futbollin total, vendin dhe kohën kur pati sukseset e veta dhe impaktin mbi taktikat e futbollit në të ardhmen.


Hyrje.

Fillimisht thuhet se rrënjët e futbollit total gjenden në traditën e klubit futbollistik më të njohur në Hollandë, Ajaksit të Amsterdamit. Për referencë, disa shkojnë shumë pas në kohë, në vitet 1915 -1925, atëherë kur një gentleman anglez i quajtur Jack Reynolds, ishte trajner i ekipit të Ajaksit. Reynolds merr meritat për tu quajtur ndoshta pioneri i parë i këtij sistemi që më vonë do të vihej në zbatim prej ish lojtarit dhe dishepullit të tij Marinus Michels.

Për mendimin tim, vitet në të cilat Reynolds ishte trajner, ishin të tilla që nuk lejonin shprehje të mirëfilltë taktikash moderne. Vetë futbolli luhej në mënyrë amatoreske (Ajaksi ishte klub amator në atë periudhë), por edhe fryma e kohës, pak para luftës së parë dhe të dytë botërore, nuk linin shumë vend për tu zhvilluar ashtu siç është sot, sporti më i bukur në botë.
Atë për të cilën hodhi themelet Reynolds, do ta vazhdonte dhe perfeksiononte Rinus Michels. Michels gjatë gjithë karierës së tij ka luajtur me Ajaksin në 264 ndeshje duke shënuar 122 gola. Koha kur luante përkoi gjatë dhe pas luftës së dytë botërore, duke ia zbehur shancet për një karrierë më të suksesshme si futbollist. Por atë që nuk arriti si lojtar, Michels e kompesoi duke u kthyer në një nga trajnerët më të mire në botë me Ajaksin.


Gjithçka filloi në vitin 1965 për “gjeneralin”, siç e quanin vetë lojtarët hollandezin legjendar. Atëherë kur mori frenat në dorë të skuadrës së tij të preferuar dhe duke patur në fidanishten e akademisë një farë tipi, çun të ri, me emrin Krujf. Ajaksi sezonin e mëparshëm rrezikonte të binte nga kategoria dhe vetëm një vit më pas, do të fitonin kampionatin hollandez, pas shumë vitesh pritjeje.


Knock knock knocking on Europe’s door.


Viti 1966 do të gjente Ajaksin në Kupën e Kampionëve të atëhershme, si fitues I kampionatit vendas. Kupa atëherë kishte format të ndryshëm nga ky I sotmi, dhe për ata që nuk e dinë, vetëm skuadrat kampione të vendeve respektive mund të merrnin pjesë.
Në fillim Ajaksi kalon lehtësisht Besiktasin në fazën e parë të Kupës dhe në fazën e dytë, i duhet të përballej me një nga skuadrat më të respektueshme të kohës – Liverpoolin. Liverpool i atëhershëm, jo vetëm që ishte një skuadër e fortë, e rangut të Barcelonës, apo Realit sot, jo vetëm që Anglia atë vit kishte fituar Kupën e Botës duke iu rritur prestigji ndërkombëtar, por gjithashtu drejtohej edhe nga një prej trajnerëve më me emër të çdo kohe në futboll. Legjendarit Bill Shankly.
Shankly përballë Michels. Do të ishte një ndeshje titanësh. Skuadra prestigjoze prej Anglisë vihej përballë rebelëve ambiciozë të Amsterdamit. Çka do të ndodhte në atë ndeshje, do merrte më pas përmasa epike. E gjitha është përshkruar këtu, dhe më mire se aq unë smundem të bëj. (leximi është interesant nëse keni kohë dhe doni të kuptoni diçka më shumë për taktikat dinake të një Van Gaali 15 vjeçar) Por impakti që kishte kjo fitore e çunave të Ajaksit në këtë ndeshje, do të ishte tepër i madh. Pas kësaj fitoreje, do të kishin mundësinë, vetëbesimin dhe vendosmërinë për tu bërë një nga klubet më të famshme në Evropë dhe gjithë botën.
Procesi i ndërtimit të një skuadre dhe një ambicjeje të tillë, zgjati disa vjet. Në vitet në vazhdim Ajaksi humbet në fazën e pare eliminatore kundër Realit. Viti 1969 i çon deri në finale kundër Milanit, dhe përveç finales, humbin dhe kampionatin vendas, pa patur të drejtën që të përfaqësoheshin në Evropë. Lavdinë për të qenë klubi i parë Hollandez që fiton Kupën e Kampionëve, ua rrëmben Fejënordi, kur në 1970, e fiton këtë në finale me Celtic madje duke pasur në pankinë Ernst Happel. Austriakun që do të udhëhiqte kombëtaren hollandeze në kupën e botës 1978 në Argjentinë.

Kampionë.

Sezoni 1970-1971 do të ishte ai ku skuadra tashmë e pjekur e Ajaksit, do të tregonte potencialin e vet në fushë dhe do të mahniste për tre sezonë rradhazi gjithë Evropën.
Përgjatë suksesit të tyre këtë vit, një kuriozitet i vogël është se kaluan edhe nga Tirana në fazën e parë, duke mundur 17 Nëntorin e atëhershëm me rezultatin 4-2. 2-2 në Tiranë dhe 2-0 në Amsterdam. Nëse nuk gaboj, Medin Zhega ka qënë atëherë në formacionin e Tiranës, madje ka dhënë dhe intervistë për këtë ndeshje.
Në fazat e mëtejshme Ajaksi mund me rradhë Basel, Celtic dhe Atletico për tu gjendur në finale me skuadrën greke të Panathinaikos të cilën e mund 2-0. Ky vit dhe dy të tjerë më pas do të shihnin Ajaksin si mbretin e Evropës dhe futbollin total në zenitin e vet. Largimi i Michels pas 1971-shit, nuk ndikoi në lojën e skuadrës, zëvendësuesi i tij Kovaç, u tregua i denjë në rolin e paraardhësit të vet. Nuk ishte njësoj pas largimit të Krujfit drejt Barcelonës pas dy viteve. Pasi humbi yllin e vet, gjigandi tashmë prej Amsterdami ra në gjumë të thellë, për tu rimëkëmbur më pas në mesvitet 90’
Nuk ishte njësoj ama me futbollin total. Ky kishte edhe një shfaqje të fundit për të dhënë. Atë të kupës së botës në Gjermani, në vitin 1974.

Kampionë, pa kurorë.

Pjesëmarrja në turneun e Kupës së Botës në vitin 1974, është shfaqja më impresionuese e futbollit total. Kjo për disa arsye.
Arsyeja e parë, është cilësia e turneut. Vërtet që në nivele klubesh Ajaksi ishte i pamposhtur, por tjetër vlerë ka futbolli i klubeve dhe tjetër kupa e botës. Sfida është gjithashtu e ndryshme. Një tjetër ndjenjë të jep përballja me skuadrën kombëtare të Brazilit, Argjentinës dhe Uruguajit të atëhershëm, të pakrahasueshme me çdo sfidë tjetër që mund të ofrojë fusha e blertë.
Një arsye tjetër është, se Hollanda tashmë, ishte një skuadër e kompletuar nga ana taktike. Kishte një mënyrë të veçantë dhe të ndryshme loje nga çdo skuadër tjetër në planet – deri atëherë. Ky turne, do të jetë mundësia më e mirë për të analizuar taktikisht si luante Hollanda.
Një arsye tjetër akoma, është se të gjithë dritat prozhektorët, televizorët, do të binin mbi skuadrën tulipane, ku çunat bjondë flokëgjatë do të jepnin shfaqje. Kjo ishte dhe arsyeja pse të shumtë ishin ata që i deshën portokallinjtë që prej asaj dite.
Një arsye tjetër, ishte se gjenerali u kthye. Ai do të vendosej në timonin e “Oranje mechanica-s” Madje ai do të ishte arsyeja pse Hollanda dha këtë shfaqje.

Nuk do të kishte vend më të mire ku të analizohej futbolli total në gjithë magjinë e vet sesa turneu i 1974. Dhe meqë e mora këtë barrë përsipër, më ngelet që ta shpjegoj.

Formacioni taktik i skuadrës.

Problemi i parë që do të haste Michels, ishte ai i gjetjes së lojtarëve të duhur, për të vënë në punë makinerinë tulipane. Kandidatë kryesorë, do të ishin lojtarët që kishte stërvitur, apo stërviste akoma vetë, fillimisht tek Ajaks, dhe më pas te Barcelona. Prej katalanasve do të sillte me vete Krujfin, dhe Neeskens. Prej Fejënordit do të merrte Van Hanegem dhe Jansen, gjithashtu dhe mbrojtësin e qendrës Rijsbergen. Resenbrik do të vinte prej Anderlehtit të Belgjikës dhe të mirënjohurit tashmë Krol, Rep dhe ish trajneri ynë i kombëtares Ari Haan, do të ishin shtylla e skuadrës.

Është interesante vetë zgjedhja e këtyre lojtarëve prej Michels. Ai mori në skuadër lojtarë që mund t’i përgjigjeshin një mënyre të caktuar loje, siç ishte futbolli total. Lojtarët e Fejënordit dhe Ajaksit, ishin të njohur me këto taktika, prej kampionatit të tyre. Resenbrik u përshtat me skuadrën… por problem ishte mbrojtja, që t’i bie shkurt, qëndërmbrojtësit e formacionit bazë, ishin dëmtuar. Një vend mund ta merrte Rijsbergen ndërsa tjetri ngelej bosh. Krujfi i sugjeron Michelsit të vendosë Haan si qendërmbrojtës. Ky më parë luante si mesfushor mbrojtës. Normalisht, me një sistem ku pozicionet e lojtarëve ndryshohen, nuk do të ishte problem. Mirëpo kishte arsye pse Haan u vendos aty. Skuadra hollandeze ishte egërsisht sulmuese. I duhej dikush në qendër të mbrojtjes, të mundej të luante lart në fushë, në ndihmë të mesfushës. Ekuivalenti i sotëm psh (shumë konservativ), do të ishte mënyra si luan Pique te Barça.

Meqë mbrojtja do të luante lart me presing në fushë, atëherë vështirësia vinte tek mbyllja e vrimave që linte pas. Një mënyrë taktike për t’i mbyllur këto vrima, ishte dhe për herë të parë u zbatua, offside taktik. Në momentin që kundërshtarët do të kishin topin dhe të avanconin përpara, “Oranje mechanica” hidhej e gjitha në sulm, duke lënë zbuluar sulmuesit. Ishte goxha argëtuese diçka e tillë, sidomos në ndeshjen e parë me Uruguajin, kur sapo latinët vendoseshin për sulm, pesë gjashtë prej tyre dilnin offside që me topin e parë.

Mirëpo kaq nuk mjaftonte… kështu Michels, pati një ide më të çmendur akoma… të bënte një lojtar të veçantë si mbrojtës të katërt (kur Haan të shkonte para). Dhe për këtë punë, zgjodhi… portierin. Portieri i Hollandës së atëhershme, nuk ishte më i miri në “treg”. Jongbloed ishte 34 vjeç, luante me Amsterdamin (jo Ajaksin), karriera e tij nuk ishte shumë impresionuese. Ai u zgjodh në këtë rol, për aftësitë e veçanta të pasimit dhe lojës me top që kishte.

Dhe imagjinoni, këto gjëra ndodhnin në vitin 1974!! Atëherë kur portjeri (deri në vitin 1990), mund të zotëronte me duar çdo pasim të shokëve të skuadrës.


Krujf.


As volume të tëra librash nuk do të mjaftonin për të përshkruar dhe për të ndjekur aftësitë e këtij lojtari gjenial, që në mënyrën e veçantë sesi luante, vizionin e mprehtë që kishte në fushë, mënyra sesi drejtonte skuadrën me njërën dorë lart, duke i udhëzuar se ku të lëviznin, mënyrën e veçantë të pasimit, driblimit ndërrimit të pozicioneve dhe shpejtësisë në lojë… Krujf ishte mishërimi vetë i gjithë futbollit total. Në një përmbledhje të vogël, po themi që Krujf kishte aftësinë dhe lirinë e veprimit kudo në fushë. Mund të merrte topin prej mbrojtjes, mund të ishte qëndërsulmuesi, mund të hapej nga krahët etj. Vizioni dhe aftësia e tij si futbollist e bënin Hollandën e 74’ një organizëm shumë dinamik.

Vetë ekzistenca e një lojtari të tillë, do të ishte inovacion për futbollin. Shumë takticienë të sotëm, mbështeten mbi mënyrën sesi ai luante për të provuar sisteme të reja me skuadrat respektive. Nuk besoj se ka, as mund të ketë lojtar të dytë në botë me këtë impakt në lojë dhe në taktikë. Vetë finalja e botërorit që sapo kaluam e vërteton këtë. Hollanda, skuadra që e lindi dhe e krijoi, u vendos përballë krijesës shpirtërore të tij, Spanjës, Barçës së Krujfit.
Por edhe trajnerë të tjerë si Butragenjo, Spalleti, Bielsa, Tele Santana, kanë gjetur frymëzim tek ai dhe mënyra sesi luante. Butragenjo do të thoshte madje: futbolli ndahet në dy epoka, atë para Krujf dhe atë pas Krujf.

Një shembull i vogël për ndikimin e lojtarit në mënyrën sesi luante, është formacioni pa sulmues qëndror. I përdorur me sukses relativ në Romën e Spalletit, kur këtij i mungonin sulmues, ai vendos Tottin në qendër (si sulmues i fshehur) dhe udhëzon lojtarët anësorë të marrin pozicione qendërsulmuesi kur janë në sulm. Kjo e bënte skuadrën e Romës të paparashikueshme në lojë dhe shumë efektive.

Pressing.


Një veçanti e skuadrës hollandeze të futbollit total, ishte pressing. Të gjithë lojtarët si një trup i vetëm presonin lart në fushë, në mënyrë shumë agresive. Gjithë ideja e kësaj mënyre loje, bazohej në një pohim të thjeshtë: nuk mund të luash nëse nuk e ke topin në këmbë. Kështu, “oranje mechanica” vendosmërisht kur nuk kishte topin sulej për ta zotëruar atë. Krujf vetë, më pas si trajner, do ta perfeksiononte këtë mënyrë loje, duke shtuar frazën e vet tipike: por kur e ke në zotërim topin, duhet të dish çka të bësh me të. Mënyra e sotme sesi Barça luan, duke ua fshehur topin kundërshtarëve, është krujfiane. Po nuk mund të quhet futboll total. I mungon lëvizshmëria e lojtarëve, dinamizmi që vjen prej ndërrimit të pozicioneve dhe agresiviteti, që në Hollandën e 74’ ishte një pike shumë e rëndësishme.

Impakti kulturor dhe konkluzione.

Epoka e futbollit total, ishte një inovacion në futbollin modern. Ishte një revolucion që shkonte krah për krah me revolucionin kulturor të atyre viteve. Ata çunat bjondë shtatlartë, për mua janë ekuivalenti futbollistik i Beatles dhe Rolling Stones bashkë. Nuk ishte vetëm pamja si prej rockstari, por një rishikim total i taktikave dhe dhe përqasjes mbi të cilën bazohej një skuadër për të luajtur futboll. Ishte një shprehje artistike në fushën e blertë të shpirtit hollandez.

Shumë libra janë shkruar për këtë çështje, për të shpjeguar sesi luante, pse luante në këtë mënyrë, dhe nga vinte frymëzimi për të bërë këtë gjë? David Winner autor i librit “Brilliant Orange the neurotic genius of Dutch football”, e shpjegon mënyrën e lojës së tyre duke u bazuar në mentalitetin liberal hollandez, aftësisë për të qënë një popull kreativ dhe mënyrës sesi e shikojnë dhe konceptojnë hapësirën përreth. Hollandezët shkruan ai, e shikojnë fushën e blertë, ashtu si shohin vetë vendin e tyre. Duke qënë në hapësirë të kufizuar dhe të detyruar për ta menaxhuar sa më mirë atë, hollandezët tentojnë gjithnjë ta shfrytëzojnë sipërfaqen kur janë në sulm dhe të mbyllin hapësirat (digat), kur të tjerët i sulmojnë.

Ndërsa liberalizmi i kulturës së tyre, nisur që prej traditave protestante të vendit, u krijoi mundësinë të mbështeteshin mbi një formë rebele futbolli, duke e patur të lehtë të grisnin dhe hidhnin poshtë çdo element taktik tradicional para kohës së tyre.

Sot në kohët moderne të “specializimit” mbi një degë shkencore/profesion të caktuar, të mendosh për futboll total “erudit”, është shumë e vështirë. Por impakti prej asaj kohe ka ngelur akoma në Hollandën e tulipanëve dhe mullinjve. Ja vetëm po të vërehet aftësia e lojtarëve të kombëtares hollandeze, për të luajtur në dy tre pozicione njëherësh. Jo vetëm kaq, por edhe volumi i futbollistëve cilësorë që prodhon një vend kaq i vogël, është jashtë mase i madh.


vijon...

Thursday, July 1, 2010

Oranje Moon

Shine on Oranje Moon in June … and into July.


Dikush, kishte përmendur një herë se tifozllëku për skuadrën e vet, i ngjante një lidhjeje dashurie. I ka rënë në shenjë krahasimit, se përndryshe nuk do më gjenin këto ditë para ndeshjes në një situate të tillë, ku po ndjej flutura në bark, nuk po kuptoj nëse ankthi bren kohën, apo koha ankthin, një herë shpresoj se dua të kalojnë shpejt këto ditë, dhe do t’i bindesha fatit të çdo rezultati, një herë tjetër mendoj se nuk dua të jem aty, do doja të ngelesha këtu, në situatën e një pritjeje të përjetshme. Pastaj më kapin ethet, të dridhurat, çfarë do të bëhet sikur ajo përsëri të mohojë dashurinë time të përjetshme për të, të bëhet zemërgur dhe të më dënojë përsëri në ankth, lotë pa shpresë…

Kam dyshime për gjithçka, vetëm që e dua me gjithë shpirt, jo.

Që Hollanda është dashuri, u mor vesh, besoj. Po që është dashuri me shikim të parë e dini? Që kur i pashë atëherë, viti 88’, në atë fanellën e ndritshme të bërë si me rreze dielli, e vendosur mbi trupin e disa lojtarëve që pa bërë diçka magjike me topin, nuk donin kurrsesi ta fusnin në rrjetë. Që atëherë, kur mosha të lejonte akoma të mahniteshe me gjithçka… si të ishte ajo fanella e portokalltë, apo buzët e kuqe të asaj gocës që fati, tha, bëri të dukeshin më të kuqe se të çdo goce tjetër.

Si ato netë që humbisnin duke ëndërruar të nesërmen, atëherë kur do ta shihja prapë…
Hollanda është dashuri sublime, platonike... kokëkrrisur, ashtu si mënyra që luajnë. Është dashuri pa matematikë fare… si ato shumë të pafajshme dhe fëminore, ku nuk llogarit çfarë pune i bën i jati gocës, as sa lekë (kupa :D) ka në bankë.

Hollanda është nga ato lloj dashurish, ku e vetmja gjë që do me të vërtetë, është puthja e parë…

Nëse do të bëhej libër, do të ishte “Dashuria në kohën e kolerës”… po bëhen afërsisht 40 vjet. Që atëherë kur nga njëri det në tjetrin det, çunat e portokallinjtë në futboll, ishin mbretërit vetë – pa kurorë.

Nëse do i vihej kurora ndonjëherë, do të ishte çmim i merituar më parë, futbolli më shumë do i jepte çmim vetes, sesa Oranjeve. Megjithëse …edhe Hëna e portokalltë, do dukej më bukur nëse do shihej e plotë.

***

p.s Trop, e plotësova premtimin, megjithëse pak kësaj që shkrujta, deri edhe fytyra më është bërë si portokall. :D
users online
 
Creative Commons License
Shkrimet e blogut Busulla jane te licensuara nen Creative Commons Autoresi-Jofitimprurese-Vepra te pandryshueshme 2.5 Italia License.