Monday, March 30, 2009

Copëza. (1)

Kam vënë një kapele republike në kokë, mbaj kostum terital gri të hapur dhe një bastun në dorë, më shumë për ta bërë paraqitjen time pak ekzotike sesa për ndonjë nevojë. Këpucët i kam të bardha, verore. Mbaj dhe një trëndafil te kostumi në xhepin lart. Mesi nuk më dhemb më, megjithëse doktorët duhet të përfshijnë në receta këshilla të posaçme për pleqtë e ndjeshëm si puna ime...

Këto ditë po ndjekin shpejt njera tjetrën këtu në shtëpinë tonë në fshat. Ti nuk para vjen, se po ndjek hallet e fisit. Edhe unë përfitova nga rasti të të bëj një surprizë me lulet e reja që po mbjell këtë pranverë. Në maj, të kam gati një dhuratë. hëhëhë... po qesh e kollitem, kollitem e qesh kur të mendoj si do e bësh fytyrën kur ta shofësh. Për kollën fajin e ka cigarja, po pa të koha nuk shtyhet dhe për këtë të fundit fajin e ke vetë. Më shmangesh, duke gjetur nipërit sebep as tregon ndonjë dashuri të madhe më për mua plakun. Nipçja i madh na kapi një herë në një skutë kështu duke bërë veprime të dyshimta, po ty stë ka thënë gjë. Mua më tha, pse e kape gjyshen nga gjoksi? Rrudha ballin për të marrë një qëndrim sa më serioz të mundshëm edhe ia ktheva se gjyshja kishte tension. Se besoj ta ketë ngrënë gënjeshtrën. Edhe për këtë fajin e ke vetë, se ty të ngjan.

Më pëlqen të mbjell pemë këto kohë, kopshti është plot. Dua të lë diçka pas... gjithnjë e kam pasur merak. Ndonjëherë bëhem zevzek, se ufffff më ke lënë vetëm, dhe gjithnjë e më shpesh ndodh të nevrikosem kur s’të kam afër. Po këtu majë kodrës ku ndodhem tani është bukur. Era që fryn më mbështjell fytyrën e më trazon flokët, kapelen e kam lënë mënjanë. E ndjej flladin nëpër thinja, vjen lehtë e i ëmbël si përkëdheljet e tua. Bën pak ftohtë, e tani që e mendoj mirë.. më mirë të ftohem pak, të gjesh sebep të më kesh kujdes. Çfarë nuk shpik mendja ime e plakut vetëm të të rri afër. Meraku, ty të bën gjithnjë të brishtë si lulet që unë mbjell në kopësht. Sa t’i shoh të lëshojnë pak rrënjë është meraku im, pastaj do më kënaqet syri duke i soditur. Ti nuk do i shikosh dot akoma. Dua të jenë të plota e të çelura kur të t'i tregoj. Kështu do të ndrijnë më shumë sytë, e mbase, po të jemi vetëm, do mi lagësh pak buzët e thara me të tuat.

3 comments:

Anonymous said...

Shume e bukur. Mi mbushi syte me lote. Nganjehere kur mendoj se romanticizmi po na zhduket nga jeta i shtyre me force nga problemet e dites, me dhemb dhe zemra.

Anonymous said...

ti nuk ke lexuar tani se fundmi samuel beket apo jo?

Julius said...

Përshëndetje! Flm për komentin dhe leximin. Po meqë nuk jeni identifikuar qoftë nëpërmjet një nick-u të njohur, u stepa për të kthyer përgjigje :).

Jo, S. Beket nuk e kam lexuar së fundmi. Ka një lidhje disi personale ky shkrimi me mua, dhe kjo më nxiti ta shkruaj. :)

Faleminderit edhe një herë. :)

users online
 
Creative Commons License
Shkrimet e blogut Busulla jane te licensuara nen Creative Commons Autoresi-Jofitimprurese-Vepra te pandryshueshme 2.5 Italia License.