Wednesday, March 9, 2011

Sot në Champions League

Pas ndeshjeve të mbrëmshme, Barça-Arsenal dhe Shakhtar - Roma, dy skuadrat pritëse, kanë prerë dy biletat e para për fazën 8-she të C.L. Ndërsa sot presin rradhën për të mësuar për fatin e tyre, dy skuadra të tjera. Lavdia dhe suksesi i kalimit në 8-she do të ndahet midis Totenham- Milan dhe Schalke-Valencia.

Ndeshja e parë e sotme do të vendoset në fokusin e blogut për tu analizuar. Sfida e rradhës midis Spurs dhe Milanit, premton të jetë e fortë, me shumë emocione dhe gola. Besoj se shumë tifozë shqiptarë, dinë gati çdo gjë për skuadrën e Milanit. Kështu që më duket e nevojshme të hedh pak dritë mbi sfiduesin: Totenham Hotspurs.

Spurs.
Renditja: vendi i pestë në EPL (English Premier League)
Forma e skuadrës në pesë ndeshjet e fundit: WWWLD

Informacion mbi skuadrën.

Dy vitet e fundit në drejtimin e ekcentrikut Harry Redknap, Spurs është kthyer në një nga skuadrat më interesante të kampionatit anglez. Vjet në momentet e mbylljes së kampionatit, siguroi vendin e katërt në EPL bashkë me të drejtën për të marrë pjesë në kompeticionin më prestigjioz të Evropës. Dhe deri tani ka provuar se ka qënë skuadër e denjë për të qënë këtu ku ndodhet.

Karakteristikat kryesore të kësaj skuadre, përmblidhen në moton e saj që është: “Audere est Facere”. Dhe kaposhët e Londrës, gjatë këtij sezoni, i janë përmbajtur me përpikmëri motos në fjalë, duke mbledhur më shumë pikë nga pozita disavantazhi, se çdo skuadër tjetër në kampionatin anglez. Kulmin e saj kjo strategji, e arriti në përballjen direkte me rivalët kryesorë londinezë të Arsenalit. Kur nga disavantazhi 2-0, arritën të fitojnë ndeshjen 2-3! Kjo është nga të paktat gjëra që vetëm një skuadër si Spurs-at mund ta realizonin, do të mbështeste mendimin e vet tifozi mesatar londinez, ku sipas historikut Spurs mund të bëjë “të pabërën”, në të gjitha kuptimet. Një nga të pabërat më të famshme të kësaj skuadre, ka qënë edhe shënimi, dhe njëkohësisht pësimi i mbi 100 golave në një sezon të vetëm.

Spurs prezantohet kështu, si një skuadër neurotike, shpërthyese, por akoma jo mirë e balancuar, si një makinë sportive me sistem frenues të dyshimtë. Sot në mbrëmje do premtojnë se sido që të vejë puna, do bëjnë një gol më shumë sesa kundërshtarët.

Emrat më të dyshimtë për të hedhur firmën mbi atë premtimin më lart, u përgjigjen Van Der Vaart, Jermain Defoe, Peter Crouch dhe Gareth Bale.

Pozitat e Milanit, përballë kësaj strategjie do të ishin shumë premtuese, sidomos sepse kjo mënyrë u përshtatet më së miri skuadrave italiane. Por Djalli vetë, nuk i ka punët mirë, pas humbjes 1-0 në San Siro. Kështu në fortesën e Kaposhëve, në White Hart Lane, do i duhet ta fillojë ndeshjen në temperaturën -1. (anche il Diavolo ha freddo).

Harry i tmerrshëm, ka dhe ai disa llogari për të bërë. Sepse prej të dyshuarve kryesorë, i pari siguron rikthimin pas një dëmtimi, dy të tjerët është për tu parë nëse do luajnë prej fillimit të ndeshjes, apo njëri prej tyre, dhe i katërti dyshohet më shumë se është i dëmtuar, sesa për të shënuar.

Po gjithashtu duhet të shohë, çfarë ndodh nëse i shkon dora huq dhe ke Djallin përballë? Punë me rrezik, kur Djalli ka dhëmbë e brirë, si puna e Ibrahimoviç, Pato, apo Robinho.
I gjithë komploti ngelet për tu zbuluar sot në darkë.

Për t’i shtuar dhe pak aromë muzikore sfidës, besoj se përballja do i përgjigjej një kolone muzikore, Spurs-at të përfaqësuar me Talking Heads – Psyscho Killer dhe Milani me Rolling Stones – Sympathy for the devil.

1 comment:

Anonymous said...

Milani mund te kete shons vetem po ta beje si Interi, t'i beje 4 gola, se vetem 3 gola nuk kane per t'i dale.

LK

users online
 
Creative Commons License
Shkrimet e blogut Busulla jane te licensuara nen Creative Commons Autoresi-Jofitimprurese-Vepra te pandryshueshme 2.5 Italia License.