Tuesday, August 9, 2011
Lopët, bëjnë mu!
Saturday, August 6, 2011
Fatkeqësia II.
Friday, August 5, 2011
Fatkeqësia...
Nga Nikos Dimou.
(fragmente)
Prolog....
Ka grekë, të cilët meditojnë mbi qënien e tyre – dhe grekë që nuk e bëjnë këtë.
Përsiatjet më poshtë, kanë të bëjnë më shumë me të dytët. Por u dedikohen të parëve.
Hyrje
Fatkeqësia e të qënit njeri.
1
Mund të përkufizojmë lumturinë si gjendjen (zakonisht të përkohshme),
në të cilën realiteti, përputhet me dëshirat që kemi.
2
Analogjikisht, fatkeqësia duhet të jetë mospërputhja midis dëshirave dhe realitetit.
3
Me fjalë të tjera, fatkeqësinë do të mund ta përkufizonim si distancën midis dëshirave dhe realitetit.
4
Sa më e madhe kjo distancë, aq më fatkeqë ndihemi.
5
Lumturia, apo fatkeqësia, varet prej madhësisë, intensitetit dhe sasisë së dëshirave, nga njëra anë, dhe nga ana tjetër, prej ndjesisë së realitetit që përjetojmë.
6
Mund të ndihemi fatkeqë, sepse kemi jashtë mase shumë dëshira, të panumërta dhe, të cilat me të drejtë, janë të paplotësueshme. Por, nga ana tjetër, mund të kemi dëshira shumë të plotësueshme dhe normale, ama përsëri të ndihemi fatkeqë, sepse realiteti është i tillë (si puna e Jovit). Atëherë flasim për fatin e keq, atë që na ka zënë derën.
7
Kemi pra një koncept statistik, të lumturisë. Besojmë se një njeri me dëshira “normale”, do të kishte një shpërndarje të drejtë midis sukseseve dhe dështimeve.
Vërtetim do të ishin shprehjet: “do të kthehet rrota e fatit”, “do na vijë fati në derë” etj.
8
9
Distanca të cilën e quajtëm fatkeqësi, ka modul pozitiv, ose negativ. Dmth nëse nuk kam çfarë dëshiroj, apo kam diçka që nuk e dëshiroj (psh një sëmundje)
10
Të gjithë ata që japin receta lumturie, zakonisht përpiqen që të ndërhyjnë duke pakësuar dëshirat – meqë nuk është e lehtë të ndryshohet realiteti. Sigurisht, sa më pak dëshira të kemi, aq më pak rrezikojmë të zhgënjehemi dhe të lëndohemi.
11
Hapi i rradhës, është ideja e Budës, i cili mëson si të mos kemi më dëshira, si antidot i sigurtë kundër fatkeqësisë. Apo akoma më mirë: mohimi i burimit të çdo dëshire, të Egos.
12
Ndër kafshë, distanca midis dëshirave dhe realitetit, është e vogël. Zakonisht kafshët arrijnë të përmbushin nevojat e tyre, përmes aftësive që kanë. Ato janë tërësisht të përshtatura me mjedisin ku jetojnë.
13
Është e vështirë të flasë kush për kafshë të lumtura, apo fatkeqe – përderisa ato nuk përfshihen prej intensitetit (njerëzor) që ekziston midis dy poleve. Diçka ama më thotë se zogjtë e qiejve, duhet të jenë të lumtur...
14
Ndryshe prej kafshëve, njeriu ka dëshira që prej natyrës së tyre dhe mundësive, janë të paplotësueshme. Njeriu synon pavdekësinë. Në të njëjtën kohë që, e vetmja gjë e sigurt që di, është se një ditë do vdesë.
15
Mund të përkufizonim njeriun, si atë lloj kafshe që dëshiron më shumë sesa mund të arrijë. Kafsha e papërshtatshme. Do mundnim pra, me fjalë të tjera, të përkufizonim njeriun si qënia që sjell dhe e ka pjesë të qënies së vet- fatkeqësinë.
16
Ose ndryshe, do mund të përkufizonim njeriun si ‘kafsha tragjike’. Se tragjedia nuk është gjë tjetër, veç përjetimi i ankthit të distancës midis njeriut dhe botës.
17
Sa më shumë njeri të jetë dikush, aq më shumë dëshiron dhe kërkon, aq më e madhe bëhet distanca. Dhe nëse është hero, lufton dhe harrohet. Nëse është artist, mundohet përmes formave të mbushë distancën.
18
Nëse njeriu në qënien e vet, e përmban fatkeqësinë, ka disa kategori njerëzish, që janë më të prirur drejt saj. Kjo kategori mund të përfshijë edhe kombe. E midis kombeve, Grekët, sigurisht. Grekët e rinj.
19
Qëndrimi i këtij libri është të tregojë se si greku i ri, për shkak të historisë së vet, trashëgimisë dhe karakterit, shfaq distancë më të madhe, midis dëshirave dhe realitetit, nga mesatarja e njerëzve të tjerë.
20
Nëse pra, të jesh njeri, do të thotë se është tashmë e sigurt se do kesh një lloj mase fatkeqësie, të jesh grek, do të thotë, të kesh një dozë ca më të lartë të saj.
21
Po flasim pra, për fatkeqësinë e të qënit grek.
(vijon... )
Sunday, July 24, 2011
KANË THËNË...
Saturday, July 23, 2011
Bledi Mane - the comeback
Pardje debatoja me këngëtaren Besa Kokëdhima dhe gazetarin Koloreto Cukali pse elitat e këtij vendi janë strukur dhe nuk ndjehen për asgjë. Me shaka e lidhnim pasivitetin e tyre me vapën e korrikut dhe largimin me pushime jashtë Tirane. Ishim dyshues deri diku kur thoshim se elitat i druhen pushtetit së politikës por gaboheshim rëndë. Elitat ndaj janë paria e çdo vendi, nuk i tremb as politika dhe as krimi ordiner, nuk frustrohen apo yshten, nuk komandohen dhe as përdoren. Duke gëzuar një lloj pushteti të paprekshëm, elitarët qëndrojnë aty në qoshen e vet dhe prej andej shpërndajnë rezonancat e pushtetit të tyre historik, të trashëgueshëm dhe të patjetërsueshëm. Elitat mbeten busulla dhe njëkohësisht opozita e çdo lloj pushteti, elitat ndikojnë në formime a shkatërrime qeverish, elitat e mirëfillta jobatakçije qëndrojnë përherë si rubini më i shndritshëm e më i madh i kurorës së trashëguar të çdo monarku. U zgjata paksa por në të vërtetë unë jam skeptik, ende nuk jap dot një përgjigje të prerë dhe të saktë. Unë nuk besoj se ky vend, Shqipëria ime dhe e juaja ka formuar tashmë klasën e saj të lartë, atë kastë njerëzish aristokratë nga portofoli, mendja dhe shpirti gjithashtu.
Ky vend deri në përfundim të Luftës së Dytë Botërore kishte trashëgimtarët dhe familjet e mëdha me emër. Një pjesë kishin mbetur si relike të vjetra të ish Perandorisë Osmane me prona të mëdha, një pjesë tjetër me shkollimet perëndimore që u kishin bërë pasardhësve të tyre, ndërsa pjesa e mbetur e Dyerve Fisnike kishin emigruar jashtë sapo kuptuan që Shqipëria do të bolshevikohej tërësisht dhe çdo shtetas i saj do të ishte i barabartë me shoqi-shonë.
Ndryshe nga monarkia e Zogut, Enver Hoxha i ra shkurt me të marrë pushtetin. Elitën vendase e shpronësoi, e burgosi, e vrau, e përdori për interesa partie dhe emrat legjendarë të Bargjinasve, Vrionasve, Vlorajve, Toptanasve, Zogollëve, Vërlacëve, Bushatllinjve, Frashërllinjve, Markagjonëve, Këlcyrajve, Kryezinjve dhe shumë të tjerëve i fshiu nga historia e re e Republikës Popullore Socialiste, por jo nga memoria kombëtare. Post ’90 ringjalli shpresat për një shtresëzim alla kapitalisto-meritokraci të gjindjes shqiptare, por dy dukuri absurde shkatërruan gjithçka.
1-Trashëgimtarë të lodhur
Ish pinjollët e Elitave të dikurshme përveç mbiemrit ose ndonjë prone të rimarrë me shumë sakrifica u shfaqën të plakur, të lodhur, të rrënuar dhe të trembur për tu përballur me realitetin e ri dhe tepër të egër të tranzicionit shqiptar. Kujtuan se Partia Demokratike me ardhjen në pushtet do t’ju rezervonte honorin që meritonin, por u gabuan. Më pas të grumbulluar rreth Partisë Republikane të Sabri Godos kuptuan se loja politike në Shqipëri nuk kishte rregullat që u kishin mësuar paraardhësit e tyre dhe i ranë shkurt duke lenë partinë më konservatore politike shqiptare në duart e Fatmir Mediut në dejet e të cilit nuk qarkullon “gjak blu”, por thjesht ajo adrenalina që të ysht të vjedhësh shpejt, saktë, shëmtuar.
2-Portofoli plot, mendja fyell
Mes një kaosi model xhungle ku majmuni me krahët më të fortë e me më shumë lesh vjedh, grabit dhe ha për qejf të gjitha bananet e pemës, edhe në Shqipëri grabitja me apo pa edukatë e çdo lloj prone dhe aseti publik a privat krijoi një shtresë të re popullsie.
Ndryshe nga Britania e Madhe konservatore, e cila gjatë viteve ’40 “pranoi në klubin e aristokracisë” edhe individë apo familje të cilat nuk trashëgonin tituj kalorësiakë a prona, por kishin çliruar impakte mbresëlënëse dhe historike në shoqëri me arritjet e tyre në shkencë, politikë, akademizëm, art apo pasurim të ndershëm, kasta e re e tranzicionit shqiptar ishte dhe është një kasolle me dyer të shpartalluara ku futen e dalin modele hajdutësh, fajdexhinjsh, grabitësish me maska a me kollare, ministra a gjykatës 6 mujorësha, kryetarë partish a shoqëri civi(ha)le, kurva bjonde a fitues telebingoje, shoferë maunesh a burgaxhinj të regjur, malësorë trima a zaptues plazhesh, administratorë universitetesh apo pronarë tavernash tallavaje… Kjo elitë e re model Moskovito-Jelciniano-Putinian fatkeqësisht shpronësoi dhe mbivendosi asetet, vlerat, meritat, traditat dhe deformoi totalisht historinë e Elitarëve të vërtetë vendas. Riktheu në pikën zero 100 vitet e establishmentit të aristokracisë modeste shqiptare dhe pa respektuar asnjë lloj rregulli zaptoi me forcë edhe piedestalin honorifik të rezervuar për Ata.
Shikoni me vëmendje çfarë liderësh politikë kemi, kontrolloni mes deputetësh për ndonjë pinjoll të familjeve të denja, numëroni dhe listoni miliarderët e rinj dhe mes tyre nuk do të gjeni askënd që nuk gënjen sesi u pasurua brenda 24 orësh. Ndryshe nga Zani Caushi i Çoles (Vlorës) heroike që nuk diti të mbijetonte si një skifter i lirë, këta milionerët e tjerë të rafinuar kopjuan disi hajdutin Robin Hud, por me një përjashtim të vogël: çka vodhën dhe vjedhin nuk ia falin popullit, por e investojnë për fushatat elektorale të individëve me fitore të garantuar me procedurë.
Ndryshe nga milionerët e rinj, inteligjenca e këtij vendi në dukje më e rafinuar (me përjashtime të rralla) ende vazhdon të përdoret nga pushteti dhe të pasurit. E varfër financiarisht, inteligjenca elitare shqiptare për hir të ushqimit të përditshëm apo pushime verore në Bodrum të Turqisë përkulet si shufër alumini sa herë që pushtetit, medias apo biznesit privat i duhet për fasadë. Me disa plus-minuse të vogla kemi qysh prej 60 vjetësh në qarkullim rreth 500 emra të njëjtë të spikatur intelektualësh, të cilët i qëndruan afër shokut Enver kur u prishëm me Bashkimin Sovjetik dhe me Kinën, i qëndruan pranë shoqes Nexhmije Xhunglinit në ditët e kobshme të vdekjes së Komandantit, këshillonin Ramiz Alinë dhe shoqen Lenka deri në dhjetor të 1990-ës e ndërkohë kthyen timonin djathtas drejt yllit të ri që po lindte në horizont, Sali Berishës. I bënë fresk Doktorit deri sa Fatosi i Rexhina Nanos doli nga burgu më 1997 dhe ende pa gëzuar ky i fundit lirinë dhe të qenit kryeministër përqafuan plot dashuri djelmoshat freshistë Majko dhe Meta. U rikthyen dhe një herë pranë Fatosit të Xhoana Nano Nanos dhe qysh nga korriku i 2005 u ka shpërthyer një dashuri e madhe për Sali Berishën e sado që kanë kaluar 6 vjet nuk u shterron kollaj. Kjo Elitë shihej shpesh nëpër ekspozitat e pikturës së Edi Ramës, por që nga 15 maji i këtij viti po shijojnë më shumë karikaturat e Bujar Kapexhiut që i ekspozon në korridoret e Universitetit Evropian të Henri Çilit. Pa frikë mund të firmosin edhe peticione kundër vetëdeklarimit të kombësisë, fesë, kundër prishjes së piramidave apo vrasjeve me çadra pistoletë, por nëse Doktori shfaqet i brengosur në foltoren e Parlamentit, nuk e kanë për gjë ta bëjnë hasha çka kanë thënë një ditë më parë e për tu justifikuar mallkojnë mediat e Tiranës për manipulim lajmi.
Pra kemi dy modele të ndryshme Elite “made in Albania” futur në një thes:
-milionerët arrogantë hajdutë me zë të trashë, me BMW X5, veshur me pantallona të zeza, këpucë të zeza me majë dhe çorape të bardha, ndërsa grupimi tjetër janë intelektualët e pispillosur rrogëtarë që vegjetojnë dhe i bëjnë fresk pushtetit pavarësisht se lideri është një monark me sy bojëqielli nga Mati, një diktator bukurosh nga Gjirokastra, një xhuxh vjenez kapadai me dy gra, një doktor tropojan që të bën synet sa herë që nuk i pëlqen modeli, apo një ish kryebashkiak tiranas që e ka gjetur belaja me vjedhjen e votave. T’i klonosh këto dy modele dhe t’i etiketosh Elitë duhet të jetë përgjegjësi e madhe historike. Kam frikë t’ia ngop Atdheut tim këtë lloj Parie se duke kryqëzuar milionat e grupit të parë me inteligjencën e grupit të dytë mund të më lindë ndonjë specie e veçantë dhe e frikshme.
Ju të nderuar lexues mund të më kundërshtoni, mund të flisni me superlativa për Elitën e re të këtij vendi, mund të krahasoni Mit’hat Frashërin me Fahri Balliun, Jusuf Vrionin me Namikun e Majlinda Bregut, Hana Këlcyrën me Aurela Isufajn, Faik Konicën me Henri Çilin, por unë do tu kundërshtoj prerë dhe pa ekuivok:
Jo, Tirana nuk ka aristokraci të mirëfilltë, nuk ka fisnikë trima me gjak blu, mendjekthjellët e altruistë komunitarë (me përjashtime të vogla fare). Tirana ka vetëm sahan(bythë)lëpirës!
Saturday, July 9, 2011
Dëshmi të ushtarëve grekë në Shqipëri, përgjatë viteve 40'
Sunday, July 3, 2011
Grimca nga Elytis
Ngrinte kafazin, një këtu, një aty
Dhe Dielli kthehej mat’anë
të përndriste kokën e bukur
një këtu një aty.
Dielli, çdo të Dielë.
Ndillte në oborr, psi, psi
Dhe maçoku ngrinte këmbën
Përmes syve të saj të marrë,
Psi, psi
Vetëtimën e tyre të artë
Shkonte e ngjitej, shkallë-shkallë
Në pëqinë me rroba mbushur
Dhe thoshin ëngjëjt, ja!
Shkallë-shkallë,
Motra jonë e vogël.
Jasemi, i tërëbardhë, -mi, -mi,
Dhe yll i mbrëmjes mistik
Më merrni, më merrni në Kretë
Dhe mos, mos
Mos pyesni përse.
Me pikën e parë të shiut, u vra behari.
Me pikën e parë të shiut, u vra behari
U lagën dhe fjalët që kishin lindur drita yjesh
Të gjitha fjalët që kishin si qëllim të vetëm, Ty!
Ishe dritë, përpara se të ishin sytë e mi,
Përpara Dashurisë, ishe dashuri
Dhe kur puthja të rrëmbeu,
Femër.
Drejt kujt do t’i hapim duart,
Tani, që koha nuk na vë në llogari
Ku do t’i vendosim sytë,
Tani, që horizonti i largët, u përmbyt nëpër re.
Dhe jemi vetëm, krejt vetëm,
Të rrethuar prej imazheve të vdekura të tua.
Ishe dritë, përpara se të ishin sytë e mi,
Përpara Dashurisë, ishe dashuri
Dhe kur puthja të rrëmbeu,
Femër.
***
Mirupafshim Prill e Mars
Dhe ti e hidhur Sarakosti
Po vë kiç e po vë bash
Dhe një ishull po kërkoj
Që nuk gjendet dot në hartë
Po vë kiç e po vë bash.
Mirupafshim armiqësi e urrejtje
Dhe inati i çdokujt
Nëse gjen të shkretin ishull
Çdo gjë tjetër është kot.
E mbajnë në ajër
Katër zogj të artë
Nuk gjen aty la’
As hajdutë as vrasës.
As nënë as baba,
Nuk gjen aty la’
Përmes shkretisë së erës
gjithçka ndryshon tak-fap
Dorën Zotit i jep
Dhe nëpër dallgë prek.
Si një pëllumb i egër,
Dorën Zotit i jep.
Tërfili nga deti.
Një herë në një mijë vjet
Doganat e detit vetë
përmes fiqve në errësirë
midis guralecëve jeshilë,
E mbjellin edhe del.
Pa i thënë diellit dil,
E magjepsin edhe del
Nga deti, një tërfil.
Tërfilin nga deti,
Kush do ma sjellë po e gjeti?
Kush do ma sjellë po e gjeti,
Tërfilin nga deti?
Një herë në një mijë vjet,
Bilbilat ndryshe këndojnë.
As qajnë e as gëzojnë,
Vetëm thonë ato që thonë.
Një herë në një mijë vjet
Dashuria vlen përjetë.
Fat të kesh, e fat të kesh,
Atë vit që vjen, ta gjesh.
Tërfilin nga deti,
Kush do ma sjellë po e gjeti?
Kush do ma sjellë po e gjeti,
Tërfilin nga deti?
Saturday, June 11, 2011
Slogane, pankarta!

Pankarta thotë në gjermanisht: "Bq pa traditë, e kanë vendin këtu poshtë". Dhe tregon me shenjë sektorin e përcaktuar për tifozët e Hofenheim, në një ndeshje me Stuttgardin.
Sunday, June 5, 2011
NJË KOMB GJEN SHPIRTIN E VET
Mbrëmë, datë 5 Qershor 2011, grumbullimi i përditshëm i ditëve të fundit në qendër të Athinës, tejkaloi çdo parashikim.
Selanik.
Sunday, May 29, 2011
CERBERI TULIPAN
Kishte një pamje qesharake në dukje, me atë fytyrën e hollë, si hundën e vet, të stërgjatë, si për të qënë në sintoni me pjesën tjetër të trupit. Të jepte përshtypjen se ishte një djalë i turpshëm... të qënit gardiani i portës së Ajaksit, nuk i shkonte fare, fillimisht. Dhe me veshët llapushë, që i dilnin prej flokëve, të cilat nuk di pse i mbante më shkurt se tani, plotësonte dekorin e një portjeri që nuk ofronte shumë siguri. Lëre më kur ishte edhe më shumë prepotent sesa mund të pranohej prej pamjes që kishte. E mbante gjithnjë shumë topin në këmbë, dilte jashtë zonës me të. Të ngrinte gjakun kur e shikoje, sidomos nëse ishe tifoz i Ajaksit dhe akoma naiv për futbollin.Çdo pasim tek portjeri konsiderohej me rregull, prej lojës në lagje, si rrezik i jashtëzakonshëm.
Friday, May 20, 2011
Dy të pavdekshme
Friday, April 22, 2011
DHËMBI I QENIT
Informacioni për filmin me titull “Dogtooth” në anglisht, mund të gjendet këtu dhe këtu.
Shkurtimisht, tematika përmblidhet rreth një familjeje e përbërë prej dy prindërve dhe tre fëmijëve të tyre, dy goca dhe një çun, që jetojnë diku në një vilë të izoluar prej botës, në periferi.
Jeta familjare e personazheve, është krejtësisht e izoluar, për shkak të kufizimeve që prindërit u vendosin fëmijëve të tyre. Vila rrethohet nga një gardh me kangjella të larta, bota e jashtme është diçka e ndaluar, e keqe dhe e egër. Prej kufijve të vilës, lejohet të dilet vetëm me automobil, dhe fëmijët do jenë të gatshëm ta bëjnë një gjë të tillë, kur njëri prej dhëmbëve të qenit, do të bjerë. (i majti apo i djathti nuk ka rëndësi).
Rreth këtij skenari vërtitet gjithë komploti. Me skena surreale por të ndërtuara me thjeshtësi, japin një shfaqje makabre të dhunës reale në miniaturë, përmes dhunës artistike të regjizorit, që godet rëndë, ndjeshëm dhe shumë herë në stomak. Këshillohet që ky i fundit të jetë në gjendje optimale për t’u bërë i mundur shikimi i filmit në fjalë.
Filmi, në këtë mënyrë, bëhet pothuajse formulë dhe antidot i propagandës fashiste moderne, një hije e keqe kjo që ka përfshirë vetë Greqinë e sotme.
Receta e antihelmit artistik, jepet me skena të thjeshta, të goditura dhe kuptimplota:
Një gjysh imagjinar nën emrin e Frank Sinatrës dhe një përkthim akoma më origjinal i “Fly me to the moon”
Wednesday, March 9, 2011
Sot në Champions League
Monday, March 7, 2011
KËMBANA MAKBETHIANE
Shumë ujë ka rrjedhur që atëherë deri tani...
Më së shumti ka qënë ujë propagandistik, ndotës, shpifës, ujë jo i pijshëm.
Kjo rrjedhë, ky burim ndotës, ka marrë përsipër të mbysë dhe të mbulojë çdo reagim qytetar ndaj krimit makabër që ndodhi atë ditë. Gjithashtu kjo përmbytje, ka nxjerrë në sipërfaqe shumë qënie veshtullore, krimba e kafshë pa shtyllë kurrizore. Ka nxjerrë në sipërfaqe, ato krijesa të shpifura të natyrës, që dalin mbi tokë pas shiut dhe ujit të ndotur (ndodhen në natural habitat-in e tyre). Sasia dhe qënia e tyre, e ka bërë të përditshmen shqiptare shumë neveritëse.
E kam fjalën për të gjithë ata analistë e gazetarë, njerëz të medias dhe mbështetës pa kushte të pushtetit, që kur nuk justifikojnë veprimet e ndyra të pushtetarëve, zgjedhin të neglizhojnë, atë ngjarje dhe atë krim që mori katër jetë.
I kam parë të shkruajnë gjithçka, analiza mbi të gjithë e të gjitha palët, por kanë neglizhuar sistematikisht, arsyen madhore për të cilën duhej shkruar, kërkesën e menjëhershme dhe të panegociueshme për drejtësi!
Kjo nuk është diçka për tu marrë lehtë. Nëse aty nuk do të ketë drejtësi mbi ngjarjen të cilën e pamë vetë me sytë tanë, do të thotë se do mbizotërojë ajo pjesë e njerëzve që kanë bërë kompromis me të vërtetën. Është një pakt i shkruar me djallin. Nëse drejtësia mungon, atëherë çdo pjesë e shoqërisë që do përfitojë si pasojë, do ta ngrejë suksesin e vet mbi këtë premisë. Mbi drejtësinë e munguar të asaj ndodhie, në atë ditë të ftohtë Janari. Në rast se drejtësia mungon, kjo do të thotë se ai vend do jetë dorëzuar në dorën e krimbave që ushqehen me kufoma. Nga këta lloj njerëzish, sot, nesër dhe në të ardhmen, gjithçka mund të presësh. Prandaj është e rëndësishme që drejtësia të vendoset mbi ta, për të sjellë përsëri qetësinë sociale dhe civile në vend.
Ndërsa për çdo qytetar të ndershëm, nuk ka më kohë për dilema hamletiane “to be or not to be”; a do të dëgjojnë “ata” liderin, do u besojnë shpifjeve, intuitës, oportunitetit, vendit të punës, militantizmit, e shumë të tjera. Nuk ka vend për të shprehur disfatizëm dhe pesimizëm. Një i vetëm në qoftë dikush, duhet t’i bjerë këmbanës së drejtësisë, këmbanës makbethiane. Kjo është rruga e vetme.
Këmbana Makbethiane.
Prej Shekspirit, dimë se në tragjedinë e tij “Makbethi”, sinjali që e fton personazhin kryesor për të kryer krimin e neveritshëm, është tingulli i një këmbane, të cilës i bie Lady Macbeth.
Noli, si mjeshtër i përkthimit dhe muzikalitetit të gjuhës, pjesën kur këmbana jepet si shenjë për atë çka e pret Dunkanin, mbretin legjitim të Skocisë, e shqipëron kështu:
“Dunkan, mos e dëgjo, se kjo këmbanë, po të thërret në qiell a ferr hapsanë”
Vini re muzikalitetin e gjuhës, në mbaresat e fjalëve.
“Dunkan...
këmbanë...
hapsanë...”
Dëgjohen si kumbimi i një këmbane, dang, dang, dang!
Është ajo këmbanë që fton Makbethin në krim, prej të cilit duart nuk iu lanë asnjëherë më pas. Dhe besoj që dridhej brenda përmasës njerëzore që i kish ngelur pas krimit të kryer, sa herë i dëgjonte tingujt.
Kjo këmbanë, që i thërret ndërgjegjies njerëzore, është në duart e kujtdo qytetari.
Këmbanat nuk duhet të pushojnë, sepse bien mbi ndërgjegjien e atyre që janë zënë në faj. Bien mbi ndërgjegjien dhe të atyre që vullnetarisht u bënë një me pjesën e fajtorëve, duke justifikuar, ironizuar dhe mashtruar paturpësisht opinionin publik.
Çdo qytetar i ndershëm i këtij vendi, duhet t’i bjerë këmbanës për drejtësi, për të parë nëse do tkurret njeriu makbethian brenda qënies së vet, për të mbizotëruar kafshërorja, apo përmasa njerëzore do gjejë një shteg për të triumfuar mbi të.
Bjerini këmbanës pra, dhe shurdhojini, mundojini, nga mankthet e tyre mos i çlironi. Sa të keni duar dhe zë, bjerini këmbanës!
Bjerini këmbanës si refuzim për të pranuar të uleni në nivelin e atyre që sugjerojnë se në këtë vend nuk mund të ketë drejtësi.
Bjerini këmbanës mbi çdo justifikim, që pengon të dënohet një krim makabër.
Bjerini këmbanës për të ardhmen tuaj dhe atë të fëmijëve tuaj, bjerini këmbanës!
Bjerini këmbanës për sytë e Anës...
Është rruga e vetme, zgjidhje tjetër nuk ka.
Saturday, February 12, 2011
Perëndi dhe institucione
Mitet, ato rrëfenja të vogla, të ndërtuara me thjeshtësi dhe humor popullor, igrendientë të mjaftueshëm për të kthyer miell dhe ujë në brumë.
Me kalimin e kohës, më pas kërkoja vetë të lexoja përralla, “Gishto-n”, “Qerosin”, “Tërfilin me katër fletë”, derisa rashë në një përrallë të madhe, më të madhen që kam lexuar ndonjëherë. Ishte një libër i madh biblioteke, me fletë të zverdhura nga koha. Vetë ngjyra e fletëve ia shtonte misterin që mbante brenda. I gjithë libri i shkruar në vargje, fliste për njerëz, heronj, perëndi dhe gjysëmperëndi, të gjitha të ardhura prej një kohe të shkuar, nga një vend që dukej të ndodhej shumë larg në hapësirë dhe kohë. Vetë bota brenda atij libri, ishte e paanë. Për heroin që kishe lexuar në një faqe, e kishe humbur në faqen tjetër dhe kishe gjetur dikë tjetër. Duhet të riktheheshe përsëri pas, për t’i lexuar kartën e identitetit. E cila nuk ishte gjë tjetër veç një shënim në fund të faqes: Hektori, biri i Priamit, Ajaksi, mbreti i Salaminës,bir i Telamonit, Odisea, mbret i Itakës, bir i Laertit etj. Kurioziteti i adoleshentit, më kishte çuar pra tek Homeri. Iliada.
Por ky shkrim nuk është për librin në fjalë, megjithëse ka lidhje me të. Sepse nëpërmjet këtij libri mu zgjua interesi për të mësuar më shumë mbi botën mitologjike të lashtësisë.
Atëherë ndihesha i mahnitur mbi shpjegimet e atyre njerëzve 3000-4000 e më shumë vjet më parë, për botën, për fenomenet natyrore, për evente dhe evenimente. Ishte tmerrësisht bukur të mendoje psh, se diellin e mbart në një karrocë me kuaj një perëndi, që e nxjerr shëtitje mbi horizont çdo mëngjes në qiell, për ta ulur në darkë.
Apo që stina e pranverës, tregon se Dhimitra, perëndesha e natyrës, është e lumtur që e bija Persefoni, vjen prej Hadit drejt e në duart e saj.
Ajo që më bën përshtypje tani, në këto kohë që po kalojmë, është se ata njerëz të lashtë, u kishin dhënë status perëndie shumë virtyteve. Kështu psh Afërdita ishte perëndeshë e Dashurisë, Athina e Diturisë, Hera apo Estia e Familjes, Dhiki e Drejtësisë etj.
Besoj se botëvështrimi i atyre që e kishin bërë këtë gjë, duhet të ishte diçka me të vërtetë për tu vlerësuar.
Kjo sepse, duke ua njohur vlerën virtyteve dhe duke i vendosur në rang hyjnish, sipas emërtimit dhe funksionit që kryenin, kishin ndërtuar një sistem vlerash të cilit i besonin, dhe me anë të këtij, kishin ngjizur bashkësinë sociale të cilës i përkisnin.
Hyjnia e virtytit.
Është interesante të analizohet, përse njerëzit e atëhershëm virtytet i kishin shndërruar në perëndi. Sepse është një gjë të njohësh vlerat e një shoqërie, dhe tjetër gjë krejt e ndryshme t’i hyjnizosh ato. Hyjnizimi i atëhershëm, kishte kërkesa më të larta sesa thjesht njohja e vlerave. Sepse hyjnive njerëzit u bënin flijime, u këndonin himne, u ndërtonin tempuj dhe statuja, u luteshin, dhe mbi të gjitha... U BESONIN.
Pashmangshmërisht më shkon mendja tek krahasimet e këtyre hyjnive, me analoget e tyre në kohën e sotme. Krahasimi më i afërt, do të ishte me institucionet përfaqësuese në atë ne sot quajmë “shtet laik”; dhe tempujt e atëhershëm, do të ishin përfaqësueset e shtetit të sotëm. Konkretisht, ministritë psh ajo e drejtësisë, arsimit, mbrojtjes, rendit etj.
Si në shkrimin e mëparshëm i cili fliste mbi ndryshimin që ka mbrojtja e rendit, nga mbrojtja e qytetarit, edhe këtu ka një shmangie, nga besimi i hyjnisë, në besimin e përfaqësimit.
Çka ndodh kur përfaqësimi hyjnor i virtyteve çalon?
Kur ndodh diçka e tillë, atëherë vetë ekzistenca e bashkësisë, arsyet për të ekzistuar, dobësohen. Njerëzit humbasin besimin tek përfaqësimi, tek të ngjashmit, tek shteti i tyre dhe kjo mund të rezultojë deri në prishje të bashkësisë.
Institucionet nuk përmbushin rolin për të cilin janë ngritur, as respektojnë virtytin përfaqësues. Parlamenti psh është institucioni përfaqësues i vullnetit të shumicës. Në rast se në rradhë të parë, ky institucion nuk pasqyron vullnetin (zgjedhjet vidhen, vidhet dhe vullneti), në rast se nuk ushtron detyrimet e veta siç duhet (ligje të padrejta, mungesë respekti, edukate, etike) atëherë ky institucion, e ka humbur qëllimin për të cilin është ngritur.
Marrim presidentin. Përfaqëson unitetin. Në rast se nuk e bën detyrën dhe detyrimet siç duhet, përsëri kemi një dështim të qëllimit për të cilin institucioni ekziston.
Po kështu me ministritë, prokurorinë, avokatin e popullit etj.
Këto janë gjëra të njohura, nuk dua të ndalem më tej këtu.
Aty ku dua të ndalem, është tek pasojat që kanë këto dështime institucionesh ndër qytetarët e thjeshtë të vendit. Që përfaqësimi i virtyteve dhe vullnetit të dështojë, është diçka e keqe, po më keq se kaq, është humbja e besimit në virtyte.
Të jetë dikush skeptik ndaj formës në të cilën ushtron pushtetin shteti, është e pranueshme. Por nuk është e pranueshme të humbasë besimin në vetë virtytin. Ata njerëzit e lashtë që kishin për hyjni drejtësinë, moralin, familjen, do ta dënonin për herezi. Dhe do të bënin shumë mirë.
Është detyrë e çdo qytetari, të kërkojë drejtësinë për këdo, sado që institucionet përfaqësuese të drejtësisë, nuk ia ofrojnë këtë gjë.
Është tmerrësisht e shëmtuar të rrënohet virtyti, për hir të përfaqësimit jo të denjë. Në këtë aspekt, kushdo që promovon mungesën e drejtësisë, në çdo lloj forme, qoftë duke ofruar shembuj pesimizmi, mosbesimi në të, zhvlerësim të çdo lloji të saj, duhet kritikuar.
Në fund të fundit, drejtësia, uniteti dhe vullneti i njerëzve, janë institucionet e vërteta. Gjithë të tjerat, janë tempuj të padenjë.
Wednesday, February 9, 2011
Ministria për Mbrojtjen e Qytetarit
Në pamje të parë, dikujt nuk i shkon në mendje se për çfarë ministrie mund të bëhet fjalë dhe me se merret, cili është qëllimi, funksioni dhe detyrat që ka një institucion i tillë. Por nuk bëhet fjalë për tjetër gjë, veç për homologen e vet shqiptare që ndryshe quhet “Ministria e Brendshme”.
Pak historik.
Që prej rënies së Juntës ushtarake, në vitin 1974, në Greqi kjo ministri ka pasur emërtime të ndryshme.
Në rend kohor, po i vendos si më poshtë.
- Ministria e Rendit Publik
- Ministria e Brendshme dhe e Rendit Publik.
- Ministria e Rendit Publik (përsëri)
- Drejtoria e Rendit Publik (e përfshirë nën vartësi të Ministrisë së Brendshme.)
Që prej Tetorit të vitit 2009 pas zgjedhjeve të reja, që rezultuan në fitoren e PASOK-ut dhe ndryshimit të qeverisjes, kjo ministri u riemërtua me titullin “Ministria për Mbrojtjen e Qytetarit”.
Por pika kyçe e ndryshimit të emërtimit, shkon pak më përpara në kohë, në Dhjetor të vitit 2008. Atëherë kur ndodhën trazirat sociale në Greqi. Ngjarja tragjike që ia ndryshoi emërtimin, bashkë me qëllimin kësaj ministrie, është ajo e vrasjes nga një polic, të një djali të ri 15 vjeçar në datën 6 Dhjetor 2008.
Shkurtimisht:
Në një nga rrethinat e Athinës, Eksarhia, një patrullë policie, ndaloi disa adoleshentë dhe u përplas me ta. Gjatë procesit, njëri prej dy policëve, nxjerr pistoletën dhe qëllon djalin fatkeq në gjoks, duke e lënë të vdekur.
Pas ngjarjes në fjalë dhe revoltave popullore, pati një debat qytetar mbi rolin e forcave të rendit dhe mënyrën sesi e ushtronin këto detyrën e tyre.
Për më shumë shikoni këtu.
Në këtë debat u përfshinë tema si abuzimet e policisë ndaj qytetarëve në të kaluarën, por edhe abuzimet e forcave të rendit ndaj emigrantëve. Shumë besoj e mbajnë mend atë videon ku disa policë vendosin dy emigrantë të qëllojnë me shpulla njeri tjetrin.
Gjithashtu u diskutua mbi trajnimin fizik dhe psikologjik të forcave të rendit, diferencimet e tyre në sjellje ndaj qytetarëve të “njohur” apo të “dorës tonë”, me ata të panjohurit, abuzimet në detyrë, të drejtën për të mbajtur dhe përdorur armë dhe shumë çështje të tjera. Ishte një debat i madh publik mbi këtë temë, me shumë emisione televizivë, reportazhe gazetarësh, blogerësh, opinionistësh, analistësh, njerëzish të thjeshtë etj. Një debat i tillë, u mbajt me muaj dhe pas ndërrimit të qeverisjes, solli frytet e veta. Një ndër këto ishte emërtimi i ri i ministrisë, ndërsa të tjerat kishin të bënin me pavarësinë e institucionit prej ministrisë së brendshme, nevojën për reforma të forcave të rendit dhe nevojës për ta parë shërbimin e tyre nën një këndvështrim tjetër. Ndër këto reforma, vihej re gjithashtu kërkesa për punësim në forcat e rendit të emigrantëve, që për shkak të diferencimit gjuhësor dhe kulturor, do t’a kishin më të lehtë të komunikonin me bashkatdhetarët e tyre që do ndodheshin në marrëdhënie me këtë ministri.
Por ia vlen të ndalem pak vetëm tek riemërtimi i ministrisë. Nga “rendi publik” në “mbrojtje të qytetarit”. Një riemërtim i tillë, nuk është aspak vetëm gjuhësor, por në rradhë të parë konceptual.
Ku qëndron ndryshimi?
Ndryshimi qëndron në shpalljen e qëllimit të institucionit. Forcat e rendit, nuk mbrojnë më rendin, por qytetarin. Ky i fundit është subjekti kryefjalë i qëllimit të ekzistencës së institucionit dhe përparësia e vetme tashmë, bëhet mbrojtja e tij.
Nëse të mbrosh rendin psh do të thotë të rregullosh trafikun, përqëndrimi i policit rrugor do të ishte trafiku vetë. Mbarëvajtja e trafikut, rregullimi i tij, heqja e pengesave që e pengojnë mbarëvajtjen etj. Ndërsa të mbrosh qytetarin në një situatë trafiku, do të thotë të përqëndrohesh tek siguria e tij kur ky i fundit ndodhet në këtë situatë.
Ky këndvështrim i fundit, sigurisht që është më njerëzor. Sepse është humano-centrik, ndërsa “trafiku” është koncepto-centrik. Trafiku është diçka abstrakte, jo humane.
Një polic që siguron mbarëvajtjen e trafikut, do të shprehej ndaj një qytetari:
- Ec, se po pengon trafikun!
Ndërsa një i dytë, që mbron sigurinë e qytetarit do të thoshte:
- Ju lutem lëvizni se po pengoni njerëzit e tjerë të qarkullojnë!
E njëjta situatë, pas ngjarjeve të 21 Janarit, ku dëgjoj të shprehen se forcat e rendit duhet të mbrojnë “institucionet”.
Forcat e rendit, paguhen prej taksave të çdo qytetari të republikës. Në varësi të kësaj, çdo punonjës i FR është një shërbyes ndaj nevojave të tyre, për të vendosur rend, qetësi dhe mbarëvajtje. Këto forca nuk janë njësi e shkëputur, apo tejhuazuar ndaj punëdhënësve të tyre – pra qytetarëve. Madje FR vetë, janë qytetarë të cilët janë caktuar pët tu marrë me një detyrë të posaçme për të mbrojtur qytetarët e tjerë. Për pasojë, ato duhet të vendosen në shërbim të tyre. Në një organizim ku FR dhe qytetarët janë të shkëputur nga njëri tjetri, kjo tregon se ka diçka që nuk shkon në këtë mes.
Në 21 Janar, institucione dhe njerëz u përplasën, ndër ndodhitë e tjera. Dhe opinioni publik u vendos përballë zgjedhjes së prioriteteve. Rend publik, institucione – apo njerëz? Disa duan të “mbrojnë me çdo kusht institucionin”, po nga kush? Shoqëria civile brenda të cilës ndodhemi, nuk mund të trajtohet me fjalor të denjë për ushtarakë.
Parimi i mbrojtjes së rendit, duke qënë jo njerëzor, shndërrohet shumë herë në të pamoralshëm. A mundet një punonjës i FR të pretendojë se mbron rendin, përballë njerëzish të papunë që protestojnë, pa u interesuar për gjendjen e tyre më parë? Në fund të fundit, qëllimi i vetëm dhe madhor i institucioneve, është tu sigurojë njerëzve mirëqënien e jetës së tyre.
Një sistem që mohon qënien, lëre më mirëqënien, është antinjerëzor në thelb.
Këto çështje dhe qëndrime, duhet të bëheshin subjekt i një debati publik, dhe nuk duhet të kalonin kaq lehtë. Politizimi personal i skajshëm që ndodh në Shqipëri, po mohon jo vetëm debatin mbi çështje të tilla, por mohon gjithashtu përfshirjen e qytetarëve në të.
Friday, February 4, 2011
TË TREDHUR
Cilat janë shenjat dalluese të simptomës?
Së pari, artikullshkruesi, bën një reportazh të gjendjes ku ndodhemi, duke kapur një aspekt specifik. Psh gjendjen ekonomike, reformat politike, strategjinë e partive apo liderëve kryesorë etj. Edhe këtë gjë e bën relativisht mirë.
Në rast se i vjen ndoresh ndonjë metaforë qëndrore, shprehje nga njerëz të njohur, apo ndonjë punch line, apo proverb kinez, aq më mirë!
Por kryesisht thelbi i artikujshkruesve të tillë qëndron në mbështetjen e idesë themelore, statike, strategjike dhe teoremë tashmë se: të dyja palët janë njësoj, ose pala tjetër, është potencialisht po aq e keqe sa ajo në pushtet.
Këta artikuj, i ngjajnë atij njeriu që shkon të ngushëllojë dikë që ka pësuar një dëmtim permanent fizik.
Për shembull...
- ah, shikoj se e ke humbur një këmbë. Sa keq! Si ja bën të çohesh në mëngjes? Besoj se edhe për të kryer nevojat personale, do ta kesh të vështirë. Po shkallët e pallatit, si i ngjit? Oh po këtu nuk ka as ashensor, kati i tretë! Sa keq! Sa i mjerë që je o njeri! Gjynaf nga zoti!
Po mirë do pyesni ju, çfarë të keqe ka në këtë mes?
E keqja e një fryme të tillë të shkruari, qëndron se stimulon apatinë, fatalizmin, inaktivitetin, pra idiotizmin.
E keqja e artikujve të tillë, është se i shikon njerëzit të cilëve u drejtohet si qënie pa vullnet, forcë dhe mundësi ndryshimi. Artikullshkruesi merr në dukje anën e lexuesit, të paanshmit, popullit, dhe pasi vendoset midis tij dhe pushtetit, politikës, shtetit etj, synon të krijojë një distancë fiktive, duke u mohuar njerëzve që u drejtohet pjesëmarrjen në procesin demokratik. Dhe këtu dallohet paanshmëria e shtirur, në mos naiviteti. Ndërsa empatia e shtirur, shërben si injeksion mpirjeje të mendjes. Duket sikur thonë, hej, jam dhe unë këtu dhe po vuaj me ty. Po ku po shkojmë dhe çfarë të bëjmë? ASGJË! Mjerë ne!
Një nga gjërat më të bukura që ofron sistemi demokratik i qeverisjes, është aftësia e tij për tu rregulluar dhe vetërregulluar. Për të zbuluar forcën e vullnetit dhe potencialin e njerëzve mbi të cilët ushtrohet. Madje kjo forcë e shprehur, është e tillë që ndihet edhe aty ku nuk e pret. Ndërsa opinionistë të tillë, fatalistë të tredhur, ua mohojnë forcën që mbajnë njerëzit për të ndryshuar gjendjen ku ndodhen.
Nuk është skenar i ri, është diçka e vjetër. Që ka rrënjë që në manipulimin e njëpasnjëshëm të zgjedhjeve përgjatë 20 viteve të fundit. Sepse manipulimi i zgjedhjeve, është kastrim, tredhje që i bëhet forcës që duhet të ketë populli, njerëzit, masat, votuesit, quajini si të doni.
Shtirja në këta artikuj, është e dallueshme dhe në ofertën e zgjidhjes. Sepse opinionistë të tillë, bëjnë sikur ofrojnë një zgjidhje. Ose duke i dërguar të pavullnetshmit vulëhumburit njerëz, nëpër disa rrugë qorre, si peticione, struktura paralele, ose në thjesht “mjerë ne”.
Por zgjidhje ka, nuk është se nuk ka. Dhe me zgjidhje, nuk e kam fjalën thjesht në revoltat mbarëpopullore dhe protestat të pavarura, apo opozitare, por zgjidhja ndodhet edhe brenda sistemit vetë.
Në reportazhin e fundit sportiv që lexova, flitej për “aferat e Rrulit” në ministrinë e energjitikës, shoqëruar (domosdo) me grykësinë potenciale të socialistëve që kanë gjashtë vjet në opozitë. Fatalizmi pas këtij përshkrimi është i lehtë.
Po, ka dhe një rrugë tjetër. Si do ju dukej psh që çdo tratativë ekonomike e qeverisë mbi një vlerë të caktuar, të paraqitej në internet? Se mua nuk më mjafton si arritje e madhe (e paparë, më e madhja etj) e qeverisë, të ishte që një milion shqiptarë janë tashmë facebuksa.
Në net të paraqiteshin ofertat e firmave pjesëmarrëse në të, konditat në të cilat zhvillohet procesi, udhëzimet juridike etj. Fjala magjike: TRANSPARENCË.
Edhe kjo e zgjidhjes, qoftë kësaj të veçantës, ashtu dhe të përgjithshmes, është rrugë e njohur: forcimi i institucioneve dhe mjeteve të kontrollit ndaj pushtetit. Përdorimi gjithashtu i transparencës, i mendimit kritik dhe parimeve demokratike.
Po këto të fundit, që të artikuloheshin dhe përdoreshin, do të donin një nxitje më të madhe sesa mllefi dhe inati ballkanik i një sy mua dy gjitonit. Do të duhej gjithashtu të tradhëtonin parimin e pashkruar të equidistancës...