Thursday, June 12, 2008

Tulipani im i preferuar.

Quhet Wesley Sneijder. I lindur në Utrecht, Hollandë sigurisht. Fillon karrierën te Ajaksi i Amsterdamit që në moshë të vogël. Pozicioni mesfushor. Luan kudo në mesfushë dhe nuk zhgënjen pothuajse asnjëherë kohët e fundit

Ylli i tij lindi në të njëjtën kohë me talentin e atëhershëm të madh në Hollandë: Rafael van der Vaart. Filluan në të njëjtën skuadër të dy, si miq. Po Ajaksi megjithëse klub i madh, fusha e blertë u tregua e vogël për t’i përfshirë të dy në 11-çen bazë.

Skema e përdorur atje është 4-3-3 dhe ruhet me fanatizëm gati fetar në Amsterdam. Cilido trajner që nuk “i bindet” skemës, konsiderohet heretik. Amsterdami mund të lejojë ujin të futet në të se ndodhet poshtë sipërfaqes së detit, po heretikët e futbollit nuk i pranon. Një mesfushë me dy mesfushorë sulmi, që nuk markojnë, nuk kanë detyra mbrojtëse, do të ishte vetëvrasje në një klub që as për mbrojtës të hajrit nuk është shquar ndonjëherë. Ne vitet e para trajnerët zgjodhën VdV. Kishte talent të jashtëzakonshëm, mund të bënte të papriturën në vend, kishte vizion, fantazi. Ishte udhëheqës, kapiten. Raffy ishte artist, Van Gogh me topin përpara këmbës, ose dhe pas thembrës me raste.

Ndërsa Wesley hija e tij, akoma.

Kjo gjendje vazhdoi për disa vjet. Por Sneijder nuk qëndroi duarkryq. Apo e thënë më drejt, këmbëkryq. Në hije, u dha rëndësi ushtrimeve me pesha për të rritur forcën fizike dhe qëndrueshmërinë. Nga një mesfushor i lehtë (vetëm 72 kg sipas kartelës) u kthye në një pitbull të vërtetë ku markonte, taklonte ndiqte kundërshtarët cep më cep por për më tepër nuk harronte të shënonte gola, apo të jepte assist. Nuk mund të lë pa përmendur as ushtrimet e tij me këmbën e majtë, për ta perfeksionuar atë sa t’i përdorë të dyja njëlloj. Një avantazh i jashtëzakonshëm për rolin e tij, që i jep mundësi të triblojë dhe shënojë me lehtësi. Kështu shndërrohet në mesfushor me tipare sulmuese moderne. I kudondodhur, me lojë voluminoze dhe shënues i tmerrshëm.

Periudha e pritjes, në fitimin e vendit të titullarit, i zhvilloi dhe një anë të veçantë të karakterit të vet. Atë të njeriut që gjithnjë ngulmon, punon pa u lodhur me vullnet e dëshirë për të kapur majat. Nuk e kishte talentin e Raffyt, por kishte diçka më shumë se ai; vullnetin për të arritur aty ku do.

A ju ka ndodhur ndonjëherë, aty nga minutat e fundit, kur skuadrës i duhet dhe një gol, të prisni gjithë ankth për një mrekulli? Mrekulli futbolli në formën e një goditjeje dënimi, apo e një gjuajtje të fortë jashtë zones që transfomohet në pasthirrmën ekzaltuese për çdo tifoz – GOL!! Atë mrekulli bënte Sneijder. Golat e tij, të gjithë deçizivë dhe në sezonin e fundit me Ajaksin plot 18 në numër. Numri në fjalë bëri Realin e madh t’i kushtonte një vëmendje rreth 15 milionëshe në verën e vitit 2007. Ajaksit iu faksua shifra në formën e një ultimatumi. Kaq ju japim, dhe nuk e lëvizim shifrën. Ajaksi i sotëm është hija e atij që ka qënë disa vjet më parë, por kujtesën e ka akoma të fortë dhe krenarinë e madhe për të harruar se herë pas here e daroviste Realin me ndonjë 5 golësh. Refuzuan ultimatumin. Por vijoi mesazhi ku Reali kërkonte falje, me vlerë 27 milionëshe. Kot tju them se Ajaksi është zemërmadh (:D) dhe pranoi ofertën-falje.

Kështu para një viti Sneijder vesh bluzën e rëndë madrilenase. I uruan mirëseardhjen, edhe ai ua ktheu respektin në mënyrën e vet si gentleman hollandez duke shënuar golin e fitores në derbyn e parë madrilen të karrierës si debutues. Duke u ndjerë në borxh prej duartrokitjeve të shumta, u jep dhe një dygolësh në lojën pasardhëse me Villarealin. Që atëherë vazhdon e luan për mbretëreshën e Evropës, pason, krijon, shënon, kurrdoherë me grintë dhe në mënyrën e vet të veçantë.

Nëse Hollanda kap finalen e Evropianit, jam i bindur se do shënojë dhe aty, ndoshta golin e fitores.

17 comments:

e paditur said...

Lexo dhe këtë artikullin këtu.

Po pse nuk the që Van der Vaart ka nja ca vite që është larguar nga Ajaxi për në Hamburg, ku fillimisht nuk pati shumë sukses, dhe gjermanët më shumë pëlqenin gruan e tij sesa lojën e tij.

AlisaT said...

te ta marr edhe kete? :D

Julius said...

Flm për artikullin E. Kisha parë dhe një më parë pas vajtjes në Madrid ku e krahasonin me Beckham dhe numrin e fanellës që i kishte marrë.
Thashë se do merrej me mend që fitoi rolin e titullarit pasi iku Raffy.
Me të dashurën (tani gruan) ka pas histori të forta se të gjithë lojtarët mblidheshin e diskutonin për ndeshjet e C.L ndërsa Raffy rrinte në shtëpi me atë zoçkën. :D U kishte ngel në mendje tifozave.
Një sezon luante mirë te Hamburgu, të dytin e prishi dhe filloi të hidhte vickla, gati sa nuk ranë nga kategoria...Tani mesa di do të ikë prapë andej. Kështu janë fantazistat ama...mërziten shpejt.

Alisa, merre pa problem.

tropoja said...

e pashe tek Peshku kete, para se ta shikoja ketu...:)

Julius said...

Tulipani im i preferuar shikohet më mirë në fushë. :D
Sapo bëri një eurogol tani.

Mbaroi ndeshja, ua hoqëm puplat pupagjelëve 4-1.

Jam në qiellin e 7!!!

e paditur said...

Përmbaje ca veten, se sa më lart të ngjitesh, aq më shumë vritesh kur bie papritmas në tokë :-)
Po sigurisht që nuk ta uroj. Rri dhe ca kohë pezull mbi re!

Po mirë, nuk do na dhurosh ndonjë tufë me tulipanë. Me një lule nuk vjen pranvera i thonë. Na prezanto dhe ndonjë tjetër.

Julius said...

Ska gajle për mu, kaq sa kam parë le të bëhet çtë dojë më pas.
Si kam parë ndonjëherë kaq mirë të fitojnë. Se për të luajtur gjithnjë luanin. Dhe bukurinë e kanë te një gjë të thjeshtë fare: skuadra nuk ka sherre brenda saj. Për të tjerat ka ngelur Hollandë 100%.
Nuk e di e ke pa ndeshjen me Francën ti? Janë shif e shkruj të gjithë.
Po në vazhdim nëse fitojmë me Suedinë (që me shumë gjasa do jetë çerekfinalistja që na takon të ndeshemi) do e hedh dhe një tulipan tjetër në blog. Nuk janë për tu lexuar këta, janë për tu parë dhe siç e shkruajta nga foleja jote; Për tu pirë në kupë!

t_red said...

Julius,
Rubikoni u kalua, po ne kahun e kundert. Ushtria tulipaniere marshon drejt Vjenes. :)

"Les holandais sont deja les champions"-duket siku me thote ky miku im francez, mes dhimbjes dhe turpit qe i vuri vulen ky tulipani yt i preferuar.

Une do t'i shtoja edhe Roben (me duket me efektiv se Nistelrooy). Kurse Wesley-n po e le te jete emeruesi i perbashket :)

P.s. Nice blog!

Julius said...

Miku francez Mishel e?
Mirë ka fol. :D
Më tingëllon bukur.
TIP-i (tulipanixi im i preferuar)është i paparë. Se unë e kam ndjek që nga Ajaxi.
Robben ka bërë gol hollandezo-gjeometrik nga kënd 30 gradë. Normalisht i hiqet kapelja dhe i urohet t'i mbijnë prapë flokë. As vetë nuk e besonte çfarë bëri. Po do jetë e fortë të shohim 10 golat më të bukur në fund. Do jenë të gjithë gola hollandezë.
RVN duhet ca aty...se është sulmues i rëndë. Nuk e pe finden që i dha Robben-it te goli? e ka humb një çikë zhdërvjelltësinë se po plaket avash avash. Po duhet akoma...Ata luajnë te Reali të tre (Robben TIPI dhe RVN) kështu kanë kohë bashkë e merren vesh me njeri tjetrin më lehtë. Të shohim në vazhdim mbi çfarë formulash gjeometrike do na ofrojnë.
Duku tani që e mësove rrugën. Të flasim ca hollandisht. :D

p.s faleminderit.

t_red said...

Wij zullen zeker doen. Nederlandse taal en Nederlandse voetbal.

Maar ik hou van de seconde een beter, net zoals u.

E sheh? Ja c'te ben pasioni per tulipsat...jo vetem futbollin, por edhe gjuhen ta shtijne ne gjak :)

Une kam nja dy dekada qe jam infektuar per vete :D

Megjithate, po shetis me kenaqesi edhe pjeset e tjera te ketij blogu me gjak portokalli :).

Julius said...

ahahahaha!!!
Ti qenke sëmurë si unë!
Unë vetëm këtë dija deri tani:"Ik ben ik Ajaxied."

t_red said...

Jul, po te shkruaj ketu me mire, se sec ke ca vizitore te cuditshem tek temat e tjera ti :D edhe me ze frika mua :P

U pa puna; cdo koment qe do kem (dhe kam se s'ben)si per temat, ashtu edhe per menyren se si i trajton, do t'i nis me rregull treshi nepermjet ketij sektorit te sportit, me shpresen qe nuk do iu bjere rruge shume vizitoreve nga ky cep i konakut. :D

Fundjave te kendshme

t_red (well, duhet te ishte t_orange ne fakt, po s'ka gje. Merret me mend :D)

Julius said...

Oki T_oranje.
Do bëj çfarë të jetë e nevojshme për tu ndjerë rehatshëm gjithë vizitorët.
Pa problem për mua.
Kalofsh këndshëm dhe mirë u lexofshim.

Julius said...

Nuk i ka humbur era e mirë jo Tulipanit. Dy nga golat e ktij janë kandidatë për golin më të mirë: http://en.euro2008.uefa.com/news/kind=1/newsid=728293.html#ten+best+goals

Shto dhe Van Persin, tulipanët janë në vend të parë për golat më të bukur.

Anonymous said...

bbe4t4qbe

my blog post: Lenders for Payday Loans

Anonymous said...

69tzd1mpe

my web page: electric toothbrush

Anonymous said...


http://www.petinsuranceuks.co.uk/dog-health.html Most dog insurance policies will already include an element of liability cover, but with some it will be optional. Most dog insurance covers major medical bills, foreign body ingestion, first-time illness, bone fractures, auto accidents, allergic reactions and others.

users online
 
Creative Commons License
Shkrimet e blogut Busulla jane te licensuara nen Creative Commons Autoresi-Jofitimprurese-Vepra te pandryshueshme 2.5 Italia License.